Parlamenti i Kosovës të mos jetë peng i deputetëve serbë

Opinione

Parlamenti i Kosovës të mos jetë peng i deputetëve serbë

Nga: Harry Bajraktari Më: 16 mars 2018 Në ora: 06:18
Harry Bajraktari

Parlamenti i Kosovës, i cili përbëhet me shumicë nga deputetët shqiptarë, ka kohë që po përballet me probleme të shumta në mungesë të vullnetit për miratimin e ligjeve, marrëveshjeve, traktateve ndërkombëtare dhe ligjshmërive të tjera në interes të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Është e pakuptueshme dhe tingëllon absurde, se si veprojnë deputetët e partive politike që ata janë zgjedhur për të përfaqësuar popullin, për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe interesin e Kosovës, e jo të partive politike nga ata vijnë.

 Absurdi më i madh është ku në mungesë të votave të deputetëve shqiptarë apo të refuzimit të tyre për të miratuar ligjet, marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare, duhet të lutën deputetët serbë. Kjo është shumë e padrejtë, e papranueshme dhe skandaloze ndaj qytetarëve që Kuvendi i Kosovës të mbetet nën mëshirën e deputetëve serbë, aty ku me shumicë janë deputetë të përkatësisë shqiptare. Të kthehemi vetëm 20 vjet prapa dhe të shohim ku ishim. Në çfarë pozite të terrorit serb ndodhej Kosova dhe çfarë sakrifice bëri populli ynë për liri. Nëse nuk shikohet asnjëherë prapa, nuk mund të ecet sigurt përpara. 

E keqja tjetër, jo fort e vogël, është se partitë politike shqiptare të përfaqësuara në parlament, po përqëndrohen kryesisht në interesat e tyre personale-partiake, e jo të popullit, jo të qytetarëve të saj. Këto interesa të përzira me inate dhe xhelozi ka kohë që po i mbajnë qytetarët e Kosovës peng. Ata të cilët kanë vetëdijen e ndërtimit të shtetit, qoftë pozitë apo opozitë, duhet të punojnë në interes të përgjithshëm për çka janë zgjedhur, në mënyrë që t' i përballojnë të gjitha sfidat me të cilat përballet sot Kosova. Kemi përpara liberalizimin e vizave, formimin e ushtrisë, integrimin në BE dhe në NATO dhe çështjet tjera në përparimin e demokracisë dhe në zhvillimin ekonomik. 

Të gjitha këto probleme, të mëdha e të vogla, s'mund të zgjidhen duke shtyrë njëri-tjetrin, por duke punuar bashkerisht njëri me tjetrin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat