“Modeli i 2 gjermanive”, Kosovën e shpie në Beograd, jo në OKB!

Opinione

“Modeli i 2 gjermanive”, Kosovën e shpie në Beograd, jo në OKB!

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 20 mars 2018 Në ora: 09:18
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Parullë e leverdishme propagandistike dhe demagogjike politike kjo, sa për t’i hedhur hi syve dhe për ta mashtruar popullin dhe mbarë opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar, e cila nuk vlen asgjë më shumë sesa “kumbulla të thara ”  të rakisë më të keqe të politikës kolonialiste dhe imperialiste të Serbisë, sepse Kosovën e shpie drejt e shpejt në Beograd, JO në OKB, o “stërnipër të Kainit, tebdilë si barinjë”, do t’u mallkonte Fan S. Noli. – Der kur do ta gënjeni këtë  popull të shkretë?
  
Edhe kjo deklaratë diletante dhe naive apolitike e Enver Hoxhajt dëshmon se  Kosova është e rrezikuar më keq e më shumë nga diletantët,  gënjshtarët, mashtruesit, korrupcionistët dhe shfrytëzuesit e politikës së brendshme drejtuese të Kosovës sesa nga   të të gjithë armiqtë e jashtëm të saj.  Këtë e ilustrojnë edhe këto gënjeshtra të tyre: Dialogu i Brukselit (2011-2018); Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi; Marrëveshja për Srpska zajednicën; korrupsioni, krimi, papunësia dhe varfëria enorme (mbi 41%), si dhe eksodi sistematik …etj.
 
*** Rrej me muaj, e rrej me vjet, e, pse askush popullin se vet (2000-2018)?!
 
Ndër të tjera rrena dhe mashtrime, janë edhe këto:”Serbia na njohu de fakto dhe de jure; Dialogu i Brukselit është historik dhe teknik, jo politik ( e, si mund të jetë “historik” një dialog  teknik?! -M.H.); Mbyllja e Dialogut në Bruksel, do të sjellë njohjn e Kosovës nga Serbia; Pranimi i modelit të DY GJERMANIVE,  Kosovës do t’ia sigurojë karrigen në OKB... si dhe gënjeshtra të tjera bajate, që as kompjuteri  më modern nuk mund t’i memorizoj në “kokën” e vet.
  
Formula e “ dy gjermanive” për  Beogradin zyrtar, do të ishte garancia më e madhe e kthimit të Kosovës nën Serbi.
 
Me këtë rast (gradualisht, hap pas hapi, do të davaritej pavarësia e supervizuar e Kosovës), do të humbiste populli dhe Kosova, jo enver hoxhajt, hashim thaçët, kadri veselët, xhavit halitët, ramush haradinajt…, sepse me kthimin eventual të Kosovës nën Serbi, këta do t’i rezervonin postet e tyre në qeverinë dhe në parlamentin e Serbisë, ashtu sikurse qeveritarët dhe parlamentarët e “Srpska listës” në qeverinë dhe në kuvendin e Kosovës. Mirëpo, ky, do të ishte edhe  fundi i shtetit të pavarur të Kosovës.
 
Pranimn e  modelit të “dy gjermanive”,  e pranojnë vetëm  “heronjtë” milionerë, sepse me çdo kusht duan ta ruajnë kolltukun dhe pasurinë e tyre të paligjshme. Këtij soji “heronjsh” nuk  u dhimbset as populli e as Kosova, por vetëm “xhepi”, posti, luksi dhe karriera e tyre, e krijuar me djersën dhe me gjakun e popullit të varfër si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës në diasporë.
  
Jo vetëm  “modeli   i 2 gjermanive”, por çfarëdo qoftë modeli, që do t’i imponohej Kosovës në Dialogun e Brukselit (2011-2018), me qëllim të arritjes së ndonjë kompromisi të keq politik serbo-kosovar, do të jetë me pasoja fatale për pavarësinë e Kosovës, e cila, fatkeqësisht (sipas  parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara) ende nuk ka sovranitetin e jashtëm. 

Këtë nonsens juridik ndërkombëtar e provon edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të  Sigurimit të OKB-së ( e cila e mohon pavarësinë e Kosovës), në bazë të së cilës po zhvillohet Dialogu i Brukselit(2011-2018).
 
Ndryshe,  sikur Kosova  të kishte sovranitetin e plotë, marionetat politike nuk do të kishin pranuar kurrfarë dialogu me krerët serbë të Beogradit, pa e njohur Serbia Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, duke qenë të bindur se, sa më afër Beogradit, aq më afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Kjo diplomaci është e Beogradit dhe e Moskës, sepse asnjëra e as tjetra, kurrë nuk do të pranojnë që Kosova të jetë anëtare e OKB-së.
 
Këtë e thotë, edhe VETO-ja bllokuese e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndaj, pse të pranojmë të negociojmë me Serbinë, para se ajo ta njohë Republikën e Kosovës?!
 
Sigurisht se, një model i tillë, i tjeklauar, që nuk përkon as me kohën e as me realitetet e krijuara në Evropën Lidore dhe Juglinodre (1989-2018) për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, “është interesant” vetem për ish-kryediplomatin e Kosovës, Enver Hoxhaj , sepse ai konsideron se “me pranimin e tij, Kosova do të anëtarësohej më shpejt në OKB”!? 

Mirëpo, kjo është vetëm një miopi dhe utopi diplomatike, sepse një model i tillë stereotip, që tanimë i përket të së kaluarës historike të shekullit XX të marrëdhënieve ndërkombëtare të luftës së ftohtë, Kosovën nuk do ta çonte në OKB, por, do ta justifikonte mosnjohjen e saj nga ana e Kombeve të Bashkuara, duke i “rezervuar” rikthimin gradual të saj nën ombrellën e sovranitetit kolonial të Serbisë së Madhe. 

Ky do të ishte “efekti pozitiv” i afrimit të Kosovës me OKB-në në favor të Serbisë  gjenocidale.
Këtë të vërtetë, Enver Hoxhajt dhe presidenti i Hashim Thaçi, do të duhej ta dinin se, Republika Demokratike Gjermane nuk ka hyrë në OKB si rezultat i normalizimit të marrëdhënieve me Republikën Federale të Gjermanisë Perëndimore (pa e njohur reciprokisht njëra-tjetrën), por në saje të influences, të ndërhyrjes dhe të diktat direkt të BRSS-së në OKB si superfuqi botërore. 

Ndërkaq, sot, edhe pas shembjes së BRSS-së, me Kosovën po ndodh e kundërta, edhe pse Kosova ka mbështetjen e Amerikës (si e vetmja superfuqi botërore) dhe të fuqive të mëdha të BE-së, kjo nuk është anëtare e OKB-së, pikërisht pse Rusia dhe Kina nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ky është problemi i subjektivitetit juridik ndërkombëtar të Kosovës, që  ka shkaktuar VET0-ja e Rusisë dhe abstenimi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndaj, duke marrë parasysh këtë fakt, pranimi i “modelit të dy gjermanive” si kompromis eventual politik i normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës nën patronatin e BE-së për zgjidhjen e problemit të Veriut të Kosovës, në negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit (qoftë në nivel presidentësh a kryeministrash), do ta zhvleftlësonte Planin e Marti Ahtisarit dhe, në vend të tij, do të vinte në shprehje ndonjë plan tjetër, sikurse dikur “Plani Z 4” sipas të cilit minoritetit serb në Kroaci i garantohej autonomia e plotë politike dhe territoriale brenda territorit dhe shtetit sovran të Republikës së Kroacisë. 

Në të vërtetë, ky edhe është objektivi i zhvillimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, që minoritetit kolon serb në Veriun e Kosovës, të paktën t’i njihet statusi special i autonomisë politike dhe territoriale në kuadrin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ndryshe, refuzimi i tij eventual nga pala shqiptare, do ta radikalizonte kërkesën e Beogradit zyrtar, që në Veriun e Kosovës, të krijohej një mini “Republika srpska” e Bosnjës me lidhje të forta me Beogradin dhe me Palen, gjëqë kjo formulë serbomadhe, pa dyshim se, do të çonte në copëtimin territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, pavarësisht se çfarë thonë kundërshtarët e kësaj teze serbe qoftë në Prishtinë, qoftë në Bruksel apo në Uashington.
 
Nëse diplomacia e qeverisë së   Kosovës në bisedime që po zhvillohen në Bruksel (2011-2018) me palën serbe të vuçiqëve të Beogradit kinse  për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, do të pranonte “modelin e dy gjermanive” (pa e njohur Serbia Republikën e pavarur të Kosovës), kjo formulë, në asnjë mënyrë nuk do ta ndihmonte, as nuk do ta përshpejtonte procedurën formale ligjore, që Kosova të bëhej anëtare e OKB-së në Nju-Jork (pavarësisht nga fakti se, sipas së drejtës ndërkombëtare Kosova e meriton të jetë anëtare e OKB-së), por stuhishëm, Kosovën do ta çonte në përqafimin kolonial të Serbisë.
 
-Po, “model interesant” për Beogradin, por jo, edhe për aderimin dhe përshpejtimin e Kosovës në OKB!
 
Kësi farë përfundimi naiv dhe të gabuar të ish-kryediplomatit të Kosovës, Enver Hoxhaj, se gjoja zbatimi i “modelit të dy gjermanive po e bëjka “interesant anëtarësimin e Kosovës në OKB”, mund ta japin vetëm ata që nuk kanë lidhje me historinë, me politikën, me diplomacinë dhe me të drejtën ndërkombëtare, sepse ribashkimi i dy gjermanive në viitin 1989 pas rrëzimit të Murit të Berlinit, nuk është bërë si rezultat i normalizimit të marrëdhënieve të tyre, të cilat, nuk e kanë njohur njëra-tjetrën gjatë periudhës së luftës së ftohtë (1948-1989), por si rezultat i angazhimit maksimal dhe të drejtpërdrejtë të politikës së jashtme dhe të diplomacisë racionale të Republikes Federale të Gjermanisë Perëndimore nën drejtimin e kancelirt Helmut Kol dhe të ministrit të Jashtëm të tij, Hans Ditrih Gensher.

Gjithashtu, faktor tjetër vendimtar për ribashkimin e dy gjermanive, ishte edhe përfundimi i kaptinës 41-vjeçare i luftës së ftohtë midis dy superfuqive botërore (SHBA dhe BRSS), me ç’rast, së pari, erdhi në shprehje shthurja e Traktatit të Varshavës ( formuar më 1955 si kundërpeshë e Paktit të NATO-s), përkatësisht shembja e përjetshme e Bashkimit Sovjetik si superfuqi botërore.
 
Këtë oportunitet historiko-gjeopolitik dhe diplomatik të prishjes së sistemit bipolar të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, Gjermania Perëndimore me në krye kancelarin Helmut Kol dhe me ministrin e Jashtëm Hans Ditrih Gensher, diti ta kapitalizojë në favorin e rikthimit të së drejtës historike të popullit gjerman mbi territorin e vet. Kjo strategji kombëtare dhe shtetërore vizionare e tandemit Kol – Gensher, solli në ribashkimin e popullit dhe të territorit gjerman.
 
Pra, në rastin konkret, kemi të bëjmë me një popull gjerman, me një shtet gjerman, me një territor gjerman, jo me dy popuj të ndryshëm, jo me dy territore të ndryshme, jo me dy shtete të ndryshme siç janë  Serbia dhe Kosova, jo me dy popuj të ndryshëm siç janë shqiptarët dhe serbët, të cilët janë në konflikt të hapur që nga viti 1878, për shkak të pushtimit, të kontestimit, të kolonizimit dhe të aneksimit të territorit indigjen të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.
 
Ky konflikt shekullor, si dhe gjenocidet e kyera qindravjeçare të Serbisë dhe të serbëve mbi shqiptarët dhe mbi territoret e Shqipërisë Etnike, janë pengesa kryesore, që Kosova të hyjë në çfarëdo dialogu a negociatash me Serbinë, pa involvimin e Tiranës zyrtare dhe të shqiptarëve të Anamoravës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).
 
“Modeli i dy gjermanive” nuk është substitut i “Planit të Marti Ahtisarit”, por antitezë e tij, që shpie në zhvlerësimin gradual të statusit të pavarësisë së Kosovës!
 
Se formula e “dy gjermanive” nuk u bie tamam Kosovës dhe Serbisë, kam shkruar që në vitin 2007, si dhe në tetor 2012, kur diplomati gjerman Volfgang Ishinger e propozoi si opsion për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Mirëpo, Beogradi dhe Moska e patën refezuar atë si të papranueshme për palën serbe. Si rrjedhim i dështimit të bisedimeve serbo-shqiptare në Vjenë, nën drejtimin e emisarit special të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, kur OKB-ja ia imponoi Serbisë dhe Kosovës, “Planin e Marti Ahtisarit”, sipas të cilit, Kosova më 17 shkurt 2008 fitoi pavarësinë unilaterale nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, duke falënderuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 22 shteteve të Bashkimit Evropian (BE). 

Edhe pse “ Plani i Marti Ahtisarit” ishte në kundërshtim me të drejtën historike, me të drejtën legjitime, si dhe me të drejtën e plotë të vetëvendosjes ngaqë popullit shqiptar të Kosovës iu mohua e drejta demokratike e deklarimit të tij me Referendum për statusin politik të Kosovës, si dhe në anën tjetër minoritetit kolon serb i njohu më shumë të drejta sesa që i takonin sipas së drejtës ndërkombëtare, posaçërisht kur është fjala për “decentralizimin” ekstraterritorial të Kosovës, “Plani i Marti Ahtisarit” i hapi rrugë Kosovës, që të shkëputej nga Serbia kolonialiste. 

Gjithashtu, “Planin e Marti Ahtisarit”, e mbështeti edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 22 korrik 2010, ku sipas Opinionit Këshillëdhënës të saj, shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte në përputhje të plotë me parimet e së drejtës ndërkombëtare. 

Megjithëkëtë vlerësim të kualifikuar juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Serbia nuk e njeh as “Planin e Marti Ahtisarit” e as Deklaratën e shpalljes së pavarësisës së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ky është motivi thelbësor, pse Serbia (postfestum, pasi e ka humbur koloninë e saj 100-vjeçare-Kosovën shqiptare) e ka kurdisur dhe, ua ka imponuar një dialog të ri Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Amerikës, që do të thotë nuk është fjala vetëm për veriun e Kosovës, por për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit.
 
Kjo është arsyeja, pse politika dhe diplomacia e Beogradit është në kërkim të modeleve të ndryshme autonomiste evropiane, në saje të së cilave, kolonëve serbë në Kosovë, do t’u mundësonte krijimin e kantoneve autonome politike dhe territoriale sipas “sistemit të decentralizimit” të komunave serbe në Kosovë, duke filluar me eksperimentin e parë në Veriun e Kosovës, i cili, qe 18 vjet ndodhet jashtë sovranitetit të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat