Kur shpirtrat nuk të lënë të qetë

Opinione

Kur shpirtrat nuk të lënë të qetë

Nga: Gani Mehmetaj Më: 23 mars 2018 Në ora: 21:39
Gani Mehmetaj

“Të harrosh të vdekurit është njësoj sikur t’i vrasësh për së dyti”. Eli Vizel

Në fëmijërinë time kam vuajtur disa vjet nga ankthi. Shihja ëndërr sikur kridhesha në ujë në ndjekje të peshqve, doja t'i kapja me duar, zhysja kokën në zgorin e lisit, ndërsa peshqit më rrëshqisnin. Kur fusja gishtat nën rrënjë, uji turbullohej. Brenda rrymave të ujit krijohej një tension, që nuk e kapja nga vinte, më mbërthente boshllëku, gati më mbyste, nisnin të më rrihnin tëmthat, më mbylleshin veshët, fryma më zihej, mushkëritë sa s'më pëlcisnin nga mungesa e ajrit. Në shurdhërinë e ujit kërkoja ndihmë, por as arrija të hapja gojën, as të lëshoja zë. Brofja nga shtrati i trembur e i djersitur, duke u përpjekur njëkohësisht të shkëputesha nga rrënjët e lisit, ku më ngatërroheshin këmbët.

Herën tjetër makthi më gjente në fund të lumit, duke ronitur, ndërsa peshqit më silleshin vërdallë. Nga ajo kënaqësi e fërkimit të luspave të peshkut në lëkurën time të butë më trondiste turbullimi i bëftë i ujit dhe ikja e papritur e peshqve. Befas gjarpri i gjatë më kalonte skaj trupit. Një zë brenda meje më thoshte se gjarpri në ujë nuk është helmues, s'ke pse frikësohesh. Kjo nuk më ngushëllonte - më mbërthente angështi e tillë, saqë nisja të kapërdija ujë pa kontroll, më zihej fryma, një peshë e madhe ma rëndonte dërrasën e gjoksit. Zgjohesha i bërë ujë në djersë. Nuk ngopesha ajër as pas disa minutash. Edhe një kohë më duhej sa të qetësohesha. Shpirtrat e mbytur në lumë kërkonin vëmendje, më qetësonte nëna. Sigurisht donin të bartnin ndonjë mesazh, por unë nuk e kapja, nuk e kapnin as të tjerët.

Makthet më braktisën me kalimin e pubertetit. Muajve të fundit m’u kthyen. Makthe pata edhe gjatë luftës, makthe frike nga skenat e luftës.

Uji e rrënjët e lisit në Drinin e fëmijërisë nuk më shqetësonin më, më shqetësonte pamja e një gruaje engjëllore, që më fliste e nuk e kuptoja çka më thoshte, më grishte e nuk e dija ku duhej të shkoja. Dikur fytyra e gruas së përvuajtur më afrohej në përmasa të panatyrshme, me zbehtësi asketeje. Mua më ushtonin veshët, asnjë fjalë nuk ia kapja edhe atëherë kur ajo e hapte gojën të më tregonte diçka. Gruaja përgjakej në fytyrë, ballin ia mbërthente një kurorë teli gjembor, teli ia priste lëkurën e hollë si mazë qepe. Ajo një herë më përgjëronte, pastaj sikur më akuzonte, një herë më tregonte me mjekër një kodërvarri prapa meje. Donte të më sqaronte diçka, por nuk e kapja kuptimin e asaj shenje. Duart e brishta i kishte të lidhura me tel të hollë, që i futej në kyçin e dorës. Sa herë bënte përpjekje të shkëputej nga shtylla elektrike, teli i hollë i futej më thellë në kyçet e duarve. Dy pika loti i rrëshqisnin faqeve të zbehta e të bardha, duke shkëlqyer vezullueshëm në dritën e hënës . Dy kalamajtë- engjëj i silleshin vërdallë në përpjekje ta hiqnin nga shtylla elektrike, ku e kishin mbërthyer. Një herë m’u bë që i fluturonin mbi kokë. Unë shikoja i paralizuar pa pasur mundësi ta bëja asnjë lëvizje.

Me klithma, që i shqetësoja edhe fqinjët, shkëputesha nga pafuqia e pamjet e lemerishme, i bërë ujë nga djersët që e kishin qullur nënkresën, jorganin dhe mbulesën e shtratit.

Pamjet e ndryshme të kësaj gruaje më përsëriteshin shpesh. Nuk gjeja shpëtim. Nuk e shqitja assesi nga mendtë.

Ishte gruaja që dikur e njoha fare pak, i fola apo më foli disa herë, më shumë më buzëqeshte kur takoheshim shkallëve të pallatit, një buzëqeshje e rrëshqitshme e rrëzëllitëse. Historia e saj ishte e dhimbshme, tronditëse, ishte historia që u përsërit shpesh gjatë asaj kohe në disa versione. Për mua ishte e veçantë, sepse isha dëshmitar i fatkeqësisë së saj. Prandaj rrëmova çdo gjë për të, i pyeta të gjithë ata që e njihnin, u interesova edhe te ata që kishin dëgjuar për të, apo që ishin në fqinjësi me të, mora deponimet e dëshmitarëve në policinë ushtarake angleze. Brodha gjysmën e Gadishullit tonë, konsultova lista të pafundme të të zhdukurve, duke shpresuar që do të shkarkohesha edhe nga makthi, ashtu sikurse do ta shkarkoja veten nga ndenja e fajësisë, doja të ndriçoja një histori ende të pandriçuar.

Nxitoja si në ethe, sepse ajo që më frikësonte ishte harresa. Njerëzit harrojnë, e hedhin prapa të kaluarën dhe nuk duan t'i kthehen me asnjë çmim. Por athua na ndihmon kjo harresë apo na bën me makthe të vazhdueshme, na sëmurë e s'na lë të qetë?

Nesër:

"Dhe të shtatë engjëjt që kishin të shtatë boritë u bënë gati t`u binin atyre".

(Zbulesa e Gjonit 8. 6.)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat