Ta shfrytëzojmë presionin e tashëm global ndaj Rusisë

Opinione

Ta shfrytëzojmë presionin e tashëm global ndaj Rusisë

Nga: Sherif Ramabaja Më: 12 prill 2018 Në ora: 15:27
Sherif Ramabaja

Me paralajmërimin e djeshëm nga presidenti Trump, për sulme në Siri, në tërë botën mbretëron frigë dhe paqartësi e madhe. Nën trysni është edhe Rusia si aleate e ngushtë e Asadit që ndaj popullit të vetë përdori sërish helme kimike. Putini që gjithnjë paraqitet me agresivitet, dje para mediave shfaqte tone të arsyes. Kjo është një taktikë e stilit të tij. Shikuar realisht me sanksionet më të reja amerikane dhe tash aleanca ushtarake perëndimore e gatshme për sulm, e kanë vënë Rusinë nën presion të madh. Edhe më herët është potencuar që ish presidenti amerikan Obama i kishte lënë shumë hapësirë të madhe Putinit. Ai duke taktizuar dhe me agresivitet kishte arritur që tërë komunitetin ndërkomëtar ta vëjë në lojë. Perëndimi si duket, me te e ka humbur durimin dhe kundër tij po tregon vendosshmëri të lartë.

 Rubla ruse po humbë në vlerë dhe investorët e huaj kanë afat deri me 7 mai që kapitalin financiar ta tërheqin nga kompanitë ruse, ose përndryshe pas kësaj date do të hyjnë në listat e zeza amerikane për sanksione edhe ndaj tyre. Kjo ka ngjallur pasiguri në tregun financiar rus dhe ka krijuar panikë që do të ketë pasoja për ekonominë ashtu të brishtë ruse.

Si ta shfrytëzojnë shqiptarët këtë situatë?

Sa më agresive që paraqitej politika ruse në arenën ndërkombëtare aq më të zëshëm dhe provokues ishin edhe politikanët serbë ndaj shqiptarëve. Kjo sështë befasuese sepse ata e kanë një stil të tillë të veprimit, sidomos ndaj shqiptarëve. Në këtë qast kur Rusia është në hall, Serbia e zbut zërin, po ne të jemi të përgaditur për situata të papritura. Sa kohë që Rusia të jetë nën trysni ndërkombëtare, ta shfrytëzojmë ne rastin për t`i kryer detyrat tona sa më mirë që është e mundur. Kryesisht Veriun e Kosovës dhe definimin e kufinjëve me Serbinë duhet t`i sqarojmë sa më parë.

 Të mos presim vetëm nga EU, po të marrim vetëiniciativë për përmbylljen sa më parë të bisedimeve me Serbinë. Të mos lejojmë që ajo edhe më tutje të taktizoi dhe të pres përforcimin e pozicionit  Rus. Të insistojmë dhe me ndihmën e administratës amerikane të rritet presioni mbi EU për përmbylljen e dialogut dhe problemeve akoma të hapura me Serbinë. Të argumentojmë problemet me të cilat sot po ballafaqohet Bosnja dhe t`u iket veprimeve të ngjashme pa rrugëdalje. Të kushtëzohen të drejtat e serbëve në Kosovë me të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvexhë. Përndryshe humbja e kohës vetëm në dëmin tonë shkon. Të mos merremi me vetëveten, të mësojmë nga pësimet dhe t`i japim prioritet çështjes nacionale, ose t`u lëshohet vend atyre që janë të gatshëm të ballafaqohen me sfidat kolosale të kohës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat