Mandati i dështuar i Ramush Haradinajt

Opinione

Mandati i dështuar i Ramush Haradinajt

Nga: Drilon Rrahmani Më: 12 prill 2018 Në ora: 19:14
Drilon Rrahmani

Po bëhen afër një vit që kur kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, filloi fushatën e "egër" elektorale, me anë të së cilës, kishte vetëm një qëllim, pozitën e kryeministrit.

Nuk e kishte parasysh burrërinë e tij të cilën e përmend shpeshherë, kur bëri koalicion me ata që vazhdimisht i kritikonte për paaftësinë e tyre dhe për pasivitetin që kishin ata (PDK) sipas tij.

E lëmë anash këtë, fushata e Haradinajt me premtime të parealizueshme, ia hodhi poshtë gjithë atë krenari që e karakterizonte.

E filloi me liberalizimin e vizave, ku thoshte se qytetarët e vendit mund të udhëtojnë lirshëm pas 100 ditëshit të parë qeverisjes së tij.  Ai "harroi" që përball vetës kishte dy sfida të mëdha, demarkacionin dhe luftimin e korrupsionit, si dy kushte të vendosura nga ndërkombëtarët.

Filloi prapë të shiste patriotizëm duke e harruar fare politikën, ku thoshte se kufiri do të mbetet aty ku thoshte ai, në Qakorr, pasi sipas tij, vija kufitare e nga komisioni i  Murat Mehës do i humbte territor Kosovës.

 U dorëzua dhe e humbi burrërinë prapë. Ai vendosi ta procedoi në Kuvend po atë raport të Murat Mehës, për të cilin përdori ofendimet më të rënda. Në një mënyrë doli edhe i mashtruar edhe "xhoker" i Thaçit e Veselit.

Gjatë fushatës premtoi edhe rritjen e pagave për sektorin publik, e këtë premtim ia realizoi vetes ku e rriti pagën e vet mbi 100%, ndërsa të tjerëve një shumë e vogël.

Pas reagimeve të shumta të drejta të opinionit dhe opozitës, kjo e fundit e dërgoi në kushtetuese këtë vendim, i cili u pezullua më pastaj.

Premtoi edhe formimin e ushtrisë së Kosovës, respektivisht transformimin e FSK-së në FAK. Përveçse nuk e realizoi, atij iu largua nga qeveria edhe Lista Serbe, që i duhet doemos për votimin e ushtrisë, pasi sipas kushtetutës, Lista Serbe duhet t’i japë 2/3 e votave të tyre për formimin e ushtrisë së Kosovës. Kjo tregoi edhe njëherë që Haradinaj ishte dhe është i varur nga Lista Serbe, e kjo e fundit u largua nga qeveria për shkak të arrestimit të Marko Gjuriqit. 

Duhet përmendur se Haradinaj gjatë fushatës tha se për çdo gjë do të vendos Republika e Kosovës, mirëpo Lista Serbe ishte ajo që e bëri kryeministër.

Pasi partitë e tjera e sidomos PDK-ja e shfrytëzuan Haradinajn dhe ia lanë në dorë përgjegjësitë e  mëdha, të cilat ishin në dëm të shtetit, tani ata për disa vendime tjera nuk po e pyesin fare dhe po e lënë në distancë kryeministrin e Kosovës.

Gjashtë turq u arrestuan dhe u deportuan në Turqi, pa dijeninë e kryeministrit Haradinaj, të parit të vendit.

Sipas të gjitha gjasave, mandati i dështuar i Haradinajt si kryeministër, po përfundon me mocionin për mos besim, të paralajmëruar nga partitë opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosja, e mund të kemi edhe një “befasi” nga PDK-ja, nëse këta të fundit e shohin Haradinajn si një person të padobishëm për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat