Gjergj Kastrioti, të rrëfej Shqipërinë dhe shqiptarët e sotëm

Opinione

Gjergj Kastrioti, të rrëfej Shqipërinë dhe shqiptarët e sotëm

Nga: Brilant Gashi Më: 15 prill 2018 Në ora: 10:14
Gjergj Kastrioti

Të rrëfej një tokë ku gjaku i saj është derdhur lumë, të rrëfej Shqipërinë për të cilën ke luftuar ti, të rrëfej Shqipërinë që nuk duhet të jetë siç është sot, e ndarë dhe e copëtuar në gjashtë pjesë.

Dua të shprehem siç nuk jam shprehur ndonjëherë tjetër o Gjergj Kastrioti. Dua të shprehem se në çfarë gjendje të mjerueshme është katandisur kombi ynë, të cilin edhe pse jetojmë me të, mund të themi se e kemi harruar të gjithin. Dua të jem ai shqiptar që tregon para teje copëtimin tonë si komb dhe nëse eshtrat e tua bëjnë lëkundje, atëherë unë do të jem dëshmitar që ti nuk je i kënaqur me shqiptarët e tu.

“Kë e kemi hero kombëtar ?” – i bëj pyetjen shqiptarëve. Pas disa sekondave të pritjes për përgjigjen e këtyre shqiptarëve zbulova diçka – Që kjo tokë nuk është aspak në vete . Kujtesa historike na ka bërë të harrojmë atë që jemi ne në të vërtet ! Kjo është për t’u vuajtur.

Kjo harresë historike nuk është ashtu siç ka qenë shumë vite më parë. Përkundrazi, kjo harresë filloi që të rritej edhe më shumë dhe shkak i rritjes së saj u bë mashtrimi historik . Harresa historike është rritur nën çadrën e mashtrimit djallëzor historik me ideatore shtetin e sotëm të Serbisë ! Kjo është edhe arsyeja, që në ditët e sotme ka tipa , të cilët shpifin për ty Kastriot.

Jo vetëm shpifin për ty, madje flasin broçkulla edhe për nënën tënde, të nderuarën Vojsava, duke e cilësuar serbe. Ja pra e shoh. Eshtrat e tua, filluan të lëkunden dhe kjo nuk është aspak shenjë e mirë. Nuk jam afër teje në Lezhë tek varri yt, por nëpërmjet ndjenjave të mia kombëtare arrij t’a shoh zemërimin tënd me popullin shqiptar.

Madje edhe mund të thuash: “Si ka mundësi që shkriva jetën time për këtë popull ?”. Do t’a mallkosh edhe veten tënde për këtë ndoshta ! Përpiqesh t’a falësh këtë popull, por shqiptarët nuk e dëgjojnë që ti i fale ata sepse nga shpërlarja e trurit, ata kolektivisht bëhen armiqët e tu.

Gjergj , tanimë mund të them se jemi bërë popull dele. Të lutem më fal , që e them këtë , por kjo gjendje aktuale e jona të bën të mendosh se ne nuk do të shohim më dritë të bardhë për kombin tonë të lashtë shqiptar. E shoh tani qartë. Ti dëshiron t’i falësh arbërit e tu , por nuk mundesh t’a bësh këtë pasi ata nuk të duan më.

Tashmë ti je heroi ynë dhe kjo kurrë nuk do të ndryshoj. Vetëm një pjesë e shqiptarëve të kujtojnë pasi që turqit dhe serbët e duan këtë sepse këtë urrejtje të madhe të shqiptarëve e kanë për qëllim për t’i realizuar planet e tyre më lehtë. Për këto qëllime fatkeqe kam vetëm një mesazh të shkurtë dhe të qartë: Shqiptarët dhe bijtë e Skënderbeut nuk do t’a lejojnë këtë.

Më vjen shumë keq që për këtë shkrim nuk mund të mbledh gjëra të tjera pozitive sepse këto të këqija dhe ndodhi të tjera me figurën tënde madhështore, përsëri do të kaplohen nga helmi i ndodhive të këqija dhe shpifjeve që po i bëhen figurës tënde Kuq e Zi.

Mbreti i Shqipërisë, o Gjergj Kastrioti, pas të gjitha këtyre shpifjeve mund të nxjerrim disa fjalë që edhe e identifikojnë popullin tonë si popull i ndryshëm nga të gjithë popujtë e tjerë : “Populli shqiptar, populli i vetëm autokton, i cili në këtë gjak autokton e ka tradhëtinë si armën më të mirë për t’a vrarë shpirtin e vet . ” – Kjo thënie u vërtetua menjëherë pas vdekjes tënde më 17 Janar 1468.

Në emër të autoktonisë sonë dhe në emër të kombit shqiptar me frymën patriotike të Gjergj Kastriotit betohem se amanetin e tij dhe të parëve tanë për bashkimin e Shqipërisë do t’a çojmë në vend. Betohem tek shqiponja dhe harta etnike, të cilat janë të vendosura tek pllaka përkujtimore në përmendoren e Mbretit Gjergj Kastrioti në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat