Greqia braktis në heshtje bisedimet me Shqipërinë, pritet vetoja greke në qershor

Opinione

Greqia braktis në heshtje bisedimet me Shqipërinë, pritet vetoja greke në qershor

Nga: Arben Llalla Më: 20 prill 2018 Në ora: 16:02
Arben Llalla

Në fund të muajt mars, Greqia braktisi në heshtje bisedimet me Shqipërinë për zgjidhjen e problemeve mbi 70 vjeçare si heqja e Ligjit të Luftës, çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, Çështja Çame, kufiri detar e kështu me radhë. Kryeministri Aleksis Tsipras e njoftoi kryeministrin Rama se nuk ekziston dëshira e Greqisë për heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Kështu, nuk ja vlente që Pashkët e prillit t’i kalonin bashkë në qytetin e Korçës. Ky ishte pak a shumë mesazhi i Tsipras për Ramën. Atëherë Edi Rama për të tërhequr vëmendjen e dështimit të bisedimeve greko-shqiptare bëri një takim në Stamboll me presidentin e Turqisë Erdogan. Pas këtij takimi mediat greke të porositura nga ministria e informacionit dhe propagandës hodhën idenë që Greqia braktisi bisedimit, ndërsa ka riaktivizuar veton për mos çeljen e bisedimeve me Shqipërinë për t’u anëtarësuar në BE.

Për të mbuluar me pluhur dështimet e bisedimeve me Greqinë, kryeministri Rama nxorri ministrin e jashtëm Dhimitër-Ditmir Bushatin, i cili deklaroi se “vonesa për dhënien e plotfuqishmërisë nga ana e Presidentit Meta, shtyu takimin mes Ramës dhe Tsipras”. Pra, Rama-Bushati ngritën një akuzë të rëndë ndaj kreut të shtetit Ilir Meta për mosrealizimin e darkës së Pashkëve në Korçë të çiftit familjar Tsipras-Rama.

Divorci Kotzias-Bushati u vu re edhe nga mosardhja e këtij të fundit në Tiranë, anashkalimi që ai i bëri Shqipërisë gjatë turneut të tij ballkanik, Beograd-Prishtinë-Shkup më 10-12 prill.

Të gjitha këto lojëra dhe kurthe politike të Athinës për braktisjen e bisedimeve greko-shqiptare për zgjidhjen e problemeve si heqja e Ligjit të Luftës, çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, Çështja Çame, kufiri detar ka për qëllim vetëm një pikë; atë për mosheqjen kurrë të Ligjit të Luftës me Shqipërinë.

Ligji i Luftës që Greqia ka shpallur më 1940 dhe e mban si hanxhar mbi kryet e Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për Greqinë, sepse ky ligj ka në thelbin e saj synimin që aneksimin e jugut të Shqipërisë-Autonomia e Veriut të Epirit. Greqia për heqjen e Ligjit të Luftës paralel do të kërkojë shpalljen e Autonomisë greke të Jugut të Shqipërisë, projekt ky që po merr jetë dalëngadalë. Pikat kyçe janë realizuar deri tani si ndërtimi i varrezave të ushtarëve grekë në trekëndëshin Gjirokastër-Përmet-Korçë, dhënia e shtetësisë greke mijëra shqiptarëve pasi ata nënshkruajnë një dokument zyrtar se kanë kombësi greke, duke rritur kështu artificialisht numrin e pakicës greke, futjen e Himarës dhe Korçës si zona ku banon minoriteti grek.

Në përfundim, duhet thënë se dashuria pasionante e Kotzias me Bushatin përfundoi me divorc e me qejfmbetje. Kryeministri Edi Rama duhet t’ju thotë të vërtetën shqiptarëve se shkaku i vërtetë për dështimin e marrëveshjes “historike” greko-shqiptare është Ligji i Luftës i 1940, i ricikluar disa herë ndër vite dhe jo Çështja Çame. Çifti kryeministror Rama duhet të deklarohen se dështimi i darkës së Pashkëve në Korçë me Tsipras, nuk është takimi më 23 mars në Stamboll i kryeministrit të Shqipërisë me presidentin Rexhep Tajip Erdogan, por mosdëshira e kryeministrit Aleksis Tsipras dhe e Kuvendit të Greqisë për të votuar heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë.

Qeveria Rama 2 i plotësoi pothuajse të gjitha kërkesat e Greqisë si djegien e qindra votave në Qarkun e Tiranës që kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi mos të zgjidhej deputet (ka rregjistrime nga zbulim dhe kundërzbulimet e huaja, ku shihen se si votat e PDIU-së kategorizohen si të pavlefshme ose i kalohen PS-së apo PD-së. Ka prova për tentativën e Ramës për zhdukjen e PDIU-së si forcë politike me kërkesë të Greqisë, ka sms që Rama i dërgoi Valentina Leskajt dhe Damian Gjiknurit që të votohet PD në Vlorë, me qëllim që Vangjel Dule të zgjidhet deputet. Të djera dëshmi janë ndërtimi i varrezave të ushtarëve grekë, njohja në heshtje të Korçës dhe Himarës si zona të pakicës greke, dhënia e shtetësisë shqiptare të ish-oficerit kryepeshkop Anastasit, e kështu me radhë.

Është mirë që të thuhet e të mbrohet e vërteta; Greqia nuk e heq Ligjin e Luftës dhe Shqipëria nuk do të hapi bisedimit për t’u anëtarësuar në BE ose do qëndrojë nja 100 vjet pas dere të BE-së, ashtu si Turqia. Kjo, falë kërkesave ekstremiste dhe armiqësore të fqinjit planprishës, Greqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat