Asociacioni - mollë sherri

Opinione

Asociacioni - mollë sherri

Luz Tomaj Nga Luz Tomaj Më 22 prill 2018 Në ora: 08:58
Foto ilustrim

Procesi i negociatave rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkon kujdes të vacant, në mënyrë që të respektohet Kushtetuta, tërësia dhe sovraniteti i Kosovës.

Mendoj se duhet me qenë tejet naiv dhe mos me kuptuar se çka fshehet prapa insistimit, tejet ekstrem, të komunave me shumicë serbe dhe shtetit të Serbisë, për themelimin e një asociacioni.

Së pari, mbaj bindjen se BE, në procesin e dialogut, e favorizon Serbinë. Harron ose fare nuk merret me historinë e vuajtjeve shekullore të shqiptarëve, me veprimet gjenocidiale të Serbisë. Me fjalë tjera, më efikase janë propaganda dhe vajtimet e Serbisë rreth intervenimeve të NATO-së se sa argumentet historike të kaluarës dhe vet invazioni i fundit serb në Kosovë, invasion ky i paskrupullt, me të gjitha elementet e gjenocidit.

Në vazhdim, shtrohet pyetja se a shtrihet  sovraniteti i pushtetit të Kosoves edhe në të ashtuquajturin veri?!!  A është e vërtetë se, pushteti lokal në veri, nuk e respekton flamurin dhe simbolet e shtetit të Kosovës?!!  Nga larg, jo një herë, kam lexuar se filan ministrit, filan zyrtarit të Kosovës, nuk iu lejua hyrja në veri! Mendoja, por nuk befasohesha, sepse lexoja edhe atë se, sa Gjuriqat, Vulinat etj. hynin dhe dilnin nga veriu dhe ua mbrehnin brinat minoritetit serb. Lexoj deklarata të Daçiqit, të cilat nuk ndryshojnë nga deklaratat e tija kur ishte zëdhënës i kriminelit Milosheviq. Në anën tjetër, mendoj dhe vërej se Kushtetuta e Kosovës dhe pushteti ekzistues, me padrejtësi, në krahasim me minoritetet tjera, e ka favorizuar dhe e favorizon minoritetin serb. Bëhet pyetja se a i është cenuar, qoftë edhe një e drejt e minoritetit serb, të cilën e garanton Kushtetuta, të cilën e garantojnë konventat europiane dhe ndërkombëtare, taksativisht të numëruara në nenin 22 të Kushtetutes. Jo more, nuk ka cenim, ka vetëm favorizim.

Gjat viteve të nëntëdhjeta, në një gazetë The advocate, në Stamford, CT, e shkrova një artikull me titull: Ndoshta Serbia edhe këtu (SHBA) do e kërkon një republikë. Përveç tjerash shkrova se, sipas logjikës politike serbe, edhe aty ku gjendet një serb, duhet të quhet Serbi. Mbaj bindjen se veriun e Kosovës, Serbia e konsideron Serbi, ose, së paku, me një farë asociacioni pretendon me e transformu në Serbi.

Në nenin 44, Kushtetuta e Kosovës, shkurtazi bënë fjalë edhe për asocimin, si të drejtë qytetare për themelimin e asociacioneve. Me fjalë tjera, themelimi i asociacionit është e drejtë e qytetarëve si persona fizikë, por edhe e drejtë e personave juridikë. Në asnjë mënyrë, nuk është e drejtë as e Kosovës as e Serbisë që të themelojnë asociacion. Atë mund t’a themelojnë vet komunat e interesuara, kuptohet duke i respektuar dispozitat e Kushtetutes.

Asociacioni eventual nuk mund të përmban elemente të pushtetit

Kushtetuta e Kosoveë e ndan pushtetin në atë qendror dhe lokal. Në nenin 4 definohet pushteti qendror dhe me nenin 12 ai lokal. Organizimi dhe funksionimi i qeverisjes lokale, që i nënkupton komunat, si njësi themelore dhe të vetme, është definuar me nenin 124 të Kushtetutës. Prandaj, Kushtetuta nuk lejon asnjë institucion tjeter, me elemente të pushtetit, në mes të pushtetit ekzistues lokal dhe qendror.

Termi që pretendohet “bashkësia” e komunave, me shumicë serbe, në procesin e themelimit eventual të asociacionit, është rreptësisht i pa pranushëm, sepse një bashkësi eventuale e komunave mund të bëjë fjalë vetëm e vetëm për të gjitha komunat e Kosoves. Kuptohet, edhe donjë pretendim i identifikimit eventual territorial i asociacionit është i papranushem, nga se teritoret e përcaktuara të komunave e përbëjnë teritorin e paprekshëm të shtetit.

Prandaj, asociacioni eventual, mund të themelohet vetë e vetëm si një trup-organizatë me kompetenca këshilldhënëse për komunat me shumicë serbe, vecanërisht në lëmin e arsimit, gjuhës dhe kulturës, në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarve dhe minoritetit si tërësi. Çdo pretendim eventual që asociacioni të uzurpojë kompetenca ekzekutive, kompetenca në mes njësive locale dhe pushtetit qendror, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutë.

Në këtë drejtim, Kosova duhet të tërheq një vijë të kuqe, një vijë të cilën, në fakt e tërheq Kushtetuta ekzistuese, ndonëse, edhe ky akt si themel i shtetit, kërkon meremetim. Ndërmjetësuesit, në dialog të paarsyeshëm, duhet me ia vu në tavolinë Kushtetuten, me ia argumentu se minoriteti serb nuk është, në asnjë mënyrë i kanosur. Përkundrazi, ky minoritet, i përkrahur nga Serbia, e rreziston sovranitetin e Kosovës dhe më i arsyeshëm kishte me qenë një dialog dhe ndihmë e ndërmjetësuesit në këtë lëmi e cila shkon në favor të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore dhe sigurisë. Ndoshta po shkoj larg por, ndërmjetësuese të informohet se sa angazhohet nëna Serbi për minoritetin serb në Kosovë, me të gjitha të drejtat, madje edhe të veçanta ndërsa minoriteti shqiptar në Serbi është minoritet pa nënë pa babë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat