Veteranët si rrënues të shtetit

Opinione

Veteranët si rrënues të shtetit

Nga: Lis Bukuroca Më: 22 prill 2018 Në ora: 15:34
Lis Bukuroca

Një dokument i ish-Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilin e posedon Gazeta Fjala (kjo nuk ishte tani për tani online) dhe që e kanë cituar shumë gazeta tjera, dëshmon se UÇK kishte trembëdhjetëmijë e katërqindepesëdhjetetetë ushtarë. Sot gjendja është sa qesharake, aq edhe tragjike!

Nga 13 mijë e 458 pjesëtarë të UÇK-ës, sot kemi apo kanë aplikuar mbi gjashtëdhjetëmijë veta! Mbi dyzetmijë  tashmë marrin rroga mujore prej njëqindeshtatëdhjetë eurove. Nga diku njëzetmijë gra të dhunuara, katërqind kanë bërë kërkesë për dëmshpërblim!

Shumë burra shqiptarë janë shkatërrues të moralit, të dinjitetit dhe integritetit kolektiv. Atë dëshmon kjo lukuni, që dëshiron statusin e veteranit! Shumica e atyre janë të pamoralshëm, pa sedër vetjake dhe pa identitet nacional! Ata janë grabitës të shtetit dhe zhvleftësojnë gatishmërinë, sakrificën, vlerën, guximin dhe mirënjohjen ndaj atyre, që përnjëmend u flijuan dhe që përnjëmend e meritojnë! Sot jemi në gjendje paradoksale, ku as komandantët, nuk dinë se kush kishte qenë ushtarë i tyre. Ata gati 50.000, që pretendojnë të bëhen veteranë, dëmtojnë edhe fëmijët e tyre dhe i mësojnë si të dëmtohet interesi nacional!

Një popull, që duron këtë maskarallëk korrupsioni, merr pjesë në zhbërjen e shtetit të vet. Një komision shqyrtues, i cili frynë numrin për pesë herë, është komision mercenar, i cili dëmton për çdo muaj buxhetin e shtetit dhe të cilit nuk i bëhet vonë, se ato lekë, mund të përdoreshin për shkolla, spitale, kopshte të fëmijëve, sigurim shëndetësor, ose për familje në gjendje të rëndë ekonomike.

Një klasë politike, e cila toleron atë numër, është e papërgjegjshme, naive, injorante, shpërfillëse ndaj interesit nacional dhe është bashkëpjesëmarrëse në zhvatjen e taksapaguesit të Kosovës. Fundi i fundit, dëmshpërblimin duhej ta paguante Serbia, populli serb, jo populli i Kosovës. Shqiptarët nuk kanë vrarë njëri tjetrin, por e ka bërë shteti serb. Shqiptarët nuk kanë dhunuar gratë, por soldateska dhe paramilitarët serb! Izraeli nuk ka paguar popullit të vet reparacione, por Gjermania!

Ata që kanë aplikuar, ata që marrin pagë mujore, (për njërin raportonte Koha Ditore se kishte qenë foshnje dyjavëshe, kur ka plasur lufta), janë armatë e njerëzve, që për disa euro më shumë, do t’i bashkoheshin Serbisë për të destabilizuar dhe shkatërruar  shtetin e Kosovës. Ata nuk duan shtetin e Kosovës. Ata e vjedhin. Ata pengojnë ndërtimin e tij. Ata ngadalësojnë përparimin! Ata nuk janë veteranë! Ata janë tradhtarë! Ata nuk kanë turp të shikojnë në sy veteranin e vërtetë!  Ata janë një zogori, që mendon për vete, gjersa grabisin atdheun e vet, por e lavdërojnë dhe mburren me pallavra, me ngjarje të stisura.

Nëse Qeveria e Kosovës, nëse komandantët, nuk zbresin atë numër në të vërtetin, atëherë qëllimi është vetëm korruptimi i tyre dhe blerja e votave. Nëse ata veteranë kriminel kanë ndikim në dhjetë veta, atëherë gati gjysmë milioni vota i sigurojnë vetes pasuesit e UÇK-ës, por duke dëmtuar për disa dekada vlerësimin e drejtë të luftës. Jo vetëm kjo, por ata do të ndihmojnë, do të ndikojnë që kryengritja e UÇK-ës, të shndërrohet në banalitet mafioz dhe të përbuzët kolektivisht nga populli. Ai që vërtetë ka luftuar, nuk do të dallohet më nga numri tepër i madh i veteranëve të rrejshëm.

Si duhet vepruar? Punën e parë që duhet të bëjë Qeveria është shpërndarja e atij Komisioni.

E dyta, duhet një ligj që sanksionon mashtrimin. Si duhet të tingëllojë ligji:

“Personi i cili aplikon për status të veteranit, por nuk ka qenë pjesëmarrës, dënohet me 10.000 euro për tentim vjedhjeje. Personit që i është pranuar statusi i veteranit, edhe pse nuk ka qenë, i sekuestrohet pasuria private, shpallet tradhtar, humb të drejtët e punësimit, ku shteti i Kosovës është punëdhënës dhe dënohet me dhjetë vite burg!

Nën dy:

“Qeveria u jep afat prej dy javësh për tërheqjen e aplikimeve dhe në këtë rast, do të kthejnë vetëm paratë e marra padrejtësisht!”

Me një kërcënim të tillë, me pasoja të tilla dhe të qarta, do të rrumbullakohej numri i vërtetë, rrugaçët që kanë fituar statusin e veteranit nuk do të paguheshin më dhe kështu, atyre që vërtetë kanë kontribuar, u rritet paga në 400 euro. Shuma e tanishme nuk është mirënjohje, por tallje. Në anën tjetër, ato para vazhdimisht të kërkohen nga Serbia. 13458 veta do merrnin më pak se gjysmën me katërqind euro në muaj, se sa 60.000 me 170 në muaj.

Nëse ata gjashtëdhjetëmijë fitojnë statusin e veteranit, atëherë atë duhet ta fitojnë edhe një milion refugjatë. Edhe këta kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës me fotografitë, që shpërndaheshin në botë dhe ngjallnin zemëratë ndaj Serbisë dhe empati ndaj Kosovës!

Dokumenti i UÇK- ës

“Shtabi i përgjithshëm kishte 39 pjesëtarë, Zona e Drenicës 2 mijë e 611, Zona e Pashtrikut 1 mijë e 715, Zona e Dukagjinit 1 mijë e 537 dhe Zona e Shalës me 1 mijë e 253 ushtarë”, thuhet në listën e pjesëtarëve të UÇK-së, një kopje të së cilës e ka siguruar Gazeta Fjala. Ndër zonat që kishin më së paku pjesëtar renditen “Qendra Shkollore”, “Brigada 200 e Logjistikës” dhe “Batalioni 1/60.”

Lista e pjesëtarëve të UÇK-së

Shtabi i Përgjithshëm                       39    pjesëtarë

Zona e Drenicës                               2611   

Zona e Pashtrikut                           1715

Zona e Dukagjinit                           1537

Zona e Shalës                                   1253  

Zona e Llapit                                    4523

Zona e Nerodimes                           1253

Zona e Karadakut                             347

Batalioni 1/60                                   110

Qendra Shkollore                                          30

Brigada 200 e Logjistikës                40

UÇK                                                    13458  pjesëtarë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat