Frank Shkreli – Penë atdhetare në dy epoka historike

Opinione

Frank Shkreli – Penë atdhetare në dy epoka historike

Nga: Idriz Lamaj Më: 23 prill 2018 Në ora: 06:54
Idriz Lamaj

Publicistika e Shqiptarëve të Amerikës është thesar i çmuar për analizimin e zhvillimeve historike të popullit shqiptar në atdheun tonë etnik dhe të veprimtarisë të mërgimtarëve shqiptaro-amerikan në Shetet e Bashkuara. Që nga fillimi i shekullit të kaluar deri më sot, mërgimtarët shqiptarë në këtë vend botuan me dhjetëra gazeta e revista të ndryshme. Veprimtarët e kësaj fushe ishin intelektualë idealistë të cilët botuan gazeta e revista  me mundin e shpenzimet e tyre dhe të pak miqëve e bashkëpunëtorëve të ngushtë që mund të kishin. Me kalimin e kohës u zhduken gjurmët e tyre, me përjashtimin e gazetës “Dielli”, dhe “Iliria”, që akoma vazhdojnë të botohen këtu në New York.

Shtatë vjet më parë kam shkruar diçka për revistën e harruar, “Rinia shqiptare në mërgim”, të botuar nga Fran Shkreli para 46 vitesh. Rikujtoj atë shkrim të thjeshtë për disa arsye. Por, në radhë të parë, për lidhjen nyje të shkrimeve të tij të dikurshme në atë revistë, me shkrimet e tij të sotme të përmbledhura në këtë botim,  “Demokracia nuk pret”, për të cilin jemi mbledhur sot.

Frani megjithëse kishte filluar të shkruante vite më parë në revistën “Jeta Katolike Shqiptare”, nxori në qarkullim revistën e tij në një kohë ndryshimesh të dukshme politike kombëtare dhe ndërkombtare, siç ishin fillimi i marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Tiranës dhe një lloj lëvizje liberalizmi të çoroditur prokomunist në disa mjedise studentesh e profesorësh amerikanë, si pasoj e përfundimit të luftës në Vietnam.  

Në atë përiudhë lëkundjesh të thella politike, shumë gazetarë, historianë, studiues dhe shkrimtarë të Kosovës kishin ra plotësisht viktimë e propagandës të regjimit të komunist të Shipërisë, dhe kishin filluar një fushatë të egër propagandistike kundër mërgatës nacionaliste shqiptare dhe Klerit Katolik shqiptar. Natyrisht edhe kundër “imperializmit amerikan” siç e cilësonin ata.  Fran Shkreli, djal i ri në mërgim, filloi botimin e revistës së tij “Rinija shqiptare në mërgim” me përkrahjen e pakë shokëve të ngushtë idealistë. Në janar të vitit 1972, doli këtu në New York numri i parë i revistës në fjalë. Në numërin e të parë, Frani goditë pa mëshirë qendrimet e errta politike të shkrimeve të tyre kundër mërgatës nacionaliste dhe Klerit tonë Katolik. Ai i goditë jo me metoda të formës pro-jugosllave, siç bënin disa, por me armën Fishtiane. Në editorialet dhe në artikujt e tij, vazhdimisht e cilësoi komunizmin shqiptar si sllavo-komunizëm, si sëmundje vdekjepruse për kombin shqiptar të mbështetur dhe drejtuar nga jugosllavët, gjatë gjithë ekzistencës ideologjie në Shqipëri.

Po sjell vetëm titujët e disa shkrimeve të botuara në revistën e Franit në vitin 1972.  1). Për Shumë Vjet Këshnellat, 2). Shqipnija etnike. 3). Shqyrtim i shkurtë i historisë së njerzimit. 4).  Editoriali – Dashunija ndaj atdheut, dhe studimi “Rilindja” dhe Ideologët e “Botës Arbrërore”, një prej kritikave më të ashpra kundër përsonave me emër që shkruanin në gazetën “Rilindja” dhe revista të tjera të Kosovës kundër Klerit Katolik dhe figurave atdhetare nacionaliste në mërgim dhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe sot nderohemi dhe krenohemi me sinqeritetin dhe atdhetarizmin e Franit të paraqitura në ato shkrime, megjithse ishte në moshë tepër të re 22-vjeçare.

3). Për ilustrim sjell vetëm dy-tre paragrafe të një editoriali,

“Politikë e kodër n’kumbull” :

“Atdheu i jonë Shqipnija, tash ma se 25 vjet asht tue jetue nën thundrën e nji regjimi totalitar, antinjerzor komunist, ose gjaksor bolshevik. Populli shqiptar kurrë nuk e pranoi këtë qeveri me vetdashje. Historija kallxon, dhe shumë janë dishmitarë se si kjo qeveri e keqpërdori edhe e keqpërdorë fuqinë dhe pushtetin që e muer në dorë me padrejtësi dhe pa dëshirë të popullit, e muer në dorë me anë të agjentëve serbo-malazezë dhe me ndihmën e Jugosllavisë. Këta sot me propagandën e tyne të ndytë dhe panjerzi, mundohen me i mësue botës mend se vetëm ata dhe kërkush tjetër, janë në vinë e drejtë të Leninizmit dhe se kjo viëj asht e vetmja që duhet të ndjekin shtetet komuniste. Natyrisht tue sulmue “imperializmin amerikan”, që në menden e tyne tash s’voni asht tue ngadhnjye dhe tue largue botën komuniste nga rruga e Marksizëm - Leninizmit.  Çfarosjen e Marksizëm - Leninizmit kanë për qellim të gjithë popujtë e robnuem dhe paqëdashës të botës që dëshirojnë nji herë e përgjithmoën me u lirue nga zgjedha e kuqe dhe nga“parajsa” e Leninizmit...”, (“Rinija shqiptare në mërgim”, Korrik-Shtator, 1972) . ,  e kështu me radhë.

Do të shkonte gjatë të sjellnim pjesë editorialesh dhe shkrimesh të ndryshme të thukta të asaj epoke historike, por le të kthehemi tani të Frani babagjysh, i mbajtur mirë, natyrisht në saje të zonjës Viki, i qeshur e i gëzuar në jetën familjare, por i zhgënjyer thellë me rezultatet që solli demokracia dhe demokrtizmi në atdheun e tij etnik në epokën e sotme historike. Në shkrimet e tij të sotme, në ato që janë të përmbledhura në këtë vëllim, dhe në qindra e qindra të tjera të përhapura në gazeta dhe mjete elektronike të kësaj kohe, shihet qartë zhgënjimi i tij për këtë përiudhë të demokratizimit. Natyrisht, në secilin shkrim, drejtë për së drejti dhe tërthorazi, Frani iu vënë fajinë politikanëve të kësaj lloj epoke demokratike, ashtu si iu vënte fajinë dikur  politikanëve komunistë.  E dij se Franit, dhe ju të tjerëve, nuk u pëlqen kjo shprehje e imja por jamë i detyruar t’a them këtu publikisht: Politikanët janë pjellë e popullit, jo populli pjellë e politikanëve. Me kritikoni sa të keni qejf, këtë e kanë thënë edhe të tjerë para meje.

Po të shikohen titujt e 80-të shkrimeve të tij të përmbledhura në këtë vepër, lëre më edhe titujtë e qindra shkrimeve të tjera të përhapura në mjete të internetit dhe në gazetave të ndryshme, lexuesi, analisti ose historiani,  për secilin shkrim të Franit, si tërësi të këtij libri, ose si veçantësi artikujsh, formon bindjen e deshmisë gjallë për njohurit e tij të gjithanshme mbi çdo gjë që shkruan.

Përshkrimi i temave, analizat koncize, të thella e të gjithanëshme, historike, politike, ekonomike, shoqërore, ideologjike e kulturore;  densiteti dhe gjërsia e informacionit jepen me mjeshtri e pa përsëritje të dukurive të ndryshme e ngjarjeve. Pasuria e  fakteve është e padiskutueshme. Njohuritë e gjithanëshme historike, stili i rrjedhshëm dhe elokuenca e të shprehurit i kanë dhënë mundësi autorit ti shmanget pësëritjeve monotone. Shkrimet e Franit, temat për të cilat shkruan, po u lexuen me kujdes, nuk mund të mirren si lajme, ose thejshtë analiza. Ato janë studime të thella, historike dhe diplomatike, që lidhën me kohën dhe me pikëpamjet perëndimore.

Një aftësi tjetër e Fran Shkrelit, është mënyra e trajtimit të problemeve shqiptare në shkrimet e tij analitike,  jo si fenomen i shkëputur nga vija e përgjithëshme e zhvillimeve historike të popullit shqiptar, por si tërësi e saj. Temat e shkrimeve të tij, me përmbajtje ndër më të ndryshmet, lidhen me një lidhës të fort të historisë tonë kombëtare, me karakterin, traditat  e tarshiguara në shekuj, me besën, burrërinë, trimërinë, bujarinë dhe qytetërimin e veçantë, thjeshtë qytetërim perëndimorë, gjë që të jep shpresa për një të ardhme më të mirë. 

Po të analizohen me kujdes shkrimet e tij në tërsi, jo vetëm   në botiminDemokracia nuk pretku janë përmbledhur vetëm  80-të shkrime, por edhe qindra e qindra shkrime të tjera  të tij, përmbajtja e tyre tregon brengën e tij ndaj përiudhës mbi 25 vjeçare, të zhvillimit të kësaj lloj demokracie hibride në Shqipëri dhe në trojet tona tjera në Ballkan. Autori përpiqet me sjell në vëmendje të lexuesve dhe politikanëve shqiptarë realitetin se ku ndodhet sot, pas më  shumë se një çerek shekulli, demokratizimi i Shqipërisë. “Demokracia nuk pret” e Fran Shkrelit është një vepër që dërmon shpirtërisht shqiptarët me bindje të kulturës perëndimore, sepse ata në të  shohin se Shqipëria dhe shqiptarët në trojet e tyre etnike në Ballkan, nuk janë vetëm në një udhëkryq të vetëdijes se çfarë  është për t’a lindja dhe perëndimi, por anojnë dukshëm nga lindja dhe i janë nënshtruar ndikimit politik lindor. Për ata me pikëpamje lindore është kënaqësi. Sepse, ata e shikojnë vetën më të fuqishëm në saje të karavanit që i ndjek pas dhe te mbështetjes të fuqishme që gjejnë nga fronti politik ruso - otoman.                                                                          

Përfundimisht: Përpjekjet e Fran Shkrelit për të kontribuar në luftë kundër komunizmit në binarët perendimorë dolën me sukses për të dhe për ne, sepse komunizmi ra në saje tutelës shtërnguese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, shkrimet e tij për të ndikuar tek politikanët në atdheun tonë etnik, në shtrirjen e demokratizimit të formës perendimore amerikane, deri tashti nuk kanë dhënë ndonjë rezultat. Ndoshta një ditë, politikanët e ardhshëm shqiptarë, vetëdijsohen e sakrifikojnë për shkëputjen e atdheut tonë nga skllavërimi shekullor lindor; në qoftë se ndodh kjo, vepra e Franit, Demokracia nuk pret, dhe shkrimet e tij të tjera do të sherbejnë si një antologji shkollore orjentuese drejtë Perendimit për brezatë e ardhshëm.

           

                                                                                           Falemnderit

 

FRAGMENTE EDITORIALESH të botuara në revistën e Fran Shkrelit: “Rinija shqiptare në mërgim”. (Viti 1972)

Kisha me dëshirue me ardhë te ti, dhe me të përqafue me zemër dhe me shpirt. Me ty s’bashku me i këndue lindjes tonë qielluer.  Të dejë të punës, pullazit dhe sofres, do të deshirojshëm me jetue në flakën e cila i ka mbush zemrat tona me dashtni dhe muskujt tonë me fuqi; me u kënaq me bukuritë dhe meloditë e maleve tona dhe ajrin e pastër të tyne.

Me mundë me pru atë gjuhë dhe ato veti tua në zemrat e bijve tu këtu. Do të dëshrojshim t’i gëzojmë babat dhe nanat tona, atje, t’i përcjellim në pushimin e pasosun, të strehohemi ndër krahët tu, të vdesim te ti. Na e dijmë se për ty, jemi ende bijtë tu. Sot, na quejnë  “trathtarët” tu: fuqija e jonë asht e pa dejë për punë, mendja e jonë për mësim, kryet tonë për strehim, goja jonë për sofër... Editoriali është i gjatë por mbyllet me këtë fjali:  “... atdhe, dikush prej nesh nji ditë do të këthet i lirë te ti...”

Fragmente nga editoriali:  “ Për shumë mot Keshendellat, atdhu i jonë ”. Rinija Shqyptare në Mërgim, nr. 1. Kallnduer – Mars, 1972

Atdheun dhe popullin nuk duhet me i dashtë vetëm me fjalë dhe sheje, por me vepra dhe flije. Na e duem atdheun dhe popullin t’onë  në qoftë se jemi t’gatshëm me nda të mirën dhe të keqen me të; që të kryejmë detyrën t’onë si duhet; t’mundohemi me përparue: arsimin, artin, jetën morale dhe n’përgjithësi çdo përparim të popullit; në fund edhe të jemi të  gatshëm për mbrojtjen e atdheut në qoftë se e lypë nevoja edhe me dhanë jetën për të. Ashtë gja e ambël dhe e ndershsme me vdekë për atdhe, ka thanë poeti pagan klasik Horaci...”  Frani e mbyll editorialin me këtë thënje Imzot Luigj Bumçit: “... Ene sllavi s’kishte dalë prej breshtet t’Uralit, e ene s’kje njeshë e sodmja e fortë laramane neo-elenike, kur Shqyptari korrte m’zagna të Ballkanit dhe mbyll e kishte nji përiudhë t’gjatë të historisë s’vet në moshë të rruzullimit.”

Fragment nga editoriali: “ Dashnija ndaj atdheut ”,  Rinija Shqiptare në Mërgim, nr. 2, Prill – Qershuer, 1972.

Atdheu i jonë Shqipnija, tash ma se 25 vjet asht tue jetue nën thundrën e nji regjimi totalitar, antinjerzor komunist, ose gjaksor bolshevik. Populli shqiptar kurrë nuk e pranoi këtë qeveri me vetdashje. Historija kallxon edhe shumë janë dishmitarë se si kjo qeveri e keqpërdori edhe e keqpërdorë fuqinë dhe pushtetin që e muer në dorë me padrejtësi dhe pa dëshirë të popullit, e muer në dorë me anë të agjentëve serbo-malaze dhe ndihmen e Jugosllavisë. Këta sot me propagandën e tyne të ndytë dhe panjerzi, mundohen me i mësue botës mend, se vetëm ata dhe kërkush tjetër, janë në vijnë e drejtë të Leninizmit dhe se kjo vij asht e vetmja që duhet të ndjekin shtetet komuniste. Natyrisht tue sulmue “imperializmin amerikan”, që në menden e tyne tash s’voni asht tue nga- dhnjye dhe tue largue botën komuniste nga rruga e Marksizëm-Leninizmit. Çfarosjen e Marksizëm-Leninizmit e kanë për qëllim të gjithë popujtë e robnuem dhe paqëdashës të botës që deshirojnë nji herë e përgjithmonë me u lirue nga zgjedha e kuqe dhe “parajsa” e Leninizmit...”

Fragment nga editoriali: “Politik e kodër n’kumbull” - Rinija Shqiptare në Mërgim, nr. 3, Korrik – Shtatuer, 1972

Fragment nga një editorial anglisht:

President Nixon had been acucused by some radicals of prolonging the war in Vietnam. I could write a large paper on this subject, but not this time. Everyone knows ( who  wants to know ) that America has no imperialistic interests in jungles of Southeast Asia. But the reason why we are there is elswhere. Woodrow Wilson said: “ The interesting and inspiring thing about America is that she asks nothing for herself, except what she has right to ask for humanity...”

Editoriali është i përmbledhët, dy-tre faqesh, i ashpër ndaj radikalëve komunistë të asaj kohe dhe i qendrueshëm për çdo kohë. 

Fragment nga editoriali: “More Than Ever” Rinija Shqiptare në Mërgim, Tetuer – Dhetuer, 1972

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat