Atdheu është në radhë të parë, vendi në të cilin mund të vesh gjith çka është e mirë në lëvizje

Opinione

Atdheu është në radhë të parë, vendi në të cilin mund të vesh gjith çka është e mirë në lëvizje

Nga: Haki Latifi Më: 27 prill 2018 Në ora: 11:03
Haki Latifi

Është detyrim moral dhe politik i deputetëve dhe krerëve shtetëror të Kosovës, të punojnë për të ardhmën e Kosovës, në mënyrë që shteti i Kosovës të zërë vendin e merituar në familjen europiane. 

Populli i Kosovës sot, i ka kapacitet e mjaftueshme intelektuale për ta drejtuar Kosovës mbi bazat e një politike moderne, të dimensioneve Evropiane e perëndimore. Ata duan që Kosova të integrohet në Evropë, duke ruajtur dinjitetin dhe cilësitë më të mira shqiptare.

Atdheu dhe Liria për qytetarët e Kosovës ka rëndësi dhe vlerë të madhe, vetëm atëhere kur punohet me ndershmëri, ndërgjegje dhe përgjegjësi vetanake, familjare e kombëtare në të gjitha drejtimet, sidomos në arsim dhe kulturë, shëndetësi, drejtësi dhe siguri, të cilat janë parakushte për zhvillimin ekonomik të vendit, si shtyllat kryesore të një shteti. Dihet mirë se, po e shkatërrove arsimin i ke shkatërruar të gjitha. Për fatin e keq  ka ndodhur e vazhdon të ndodh në Kosovë e Shqipëri nga qeverisja e keqe e vendorëve. Pushtetarët në veçanti me përkrahësit e tyre janë bërë të pasur, duke u pasuruar në kurriz të popullit, ndërsa të rinjtë-pjesa më vitale e shoqërisë, vazhdon të braktisë vendin për çdo ditë duke humbur shpresën për punësim dhe besimin në institucionet e shtetit.

Kjo për fat të keq po ndodh, pasi shpresën për punësim të merituar e të ndershëm ua kan marrë pushtetarët, dhe për një kohë të shkurtër (nëse vazhdon ky trend), Kosova do të mbetët vetëm në pleq dhe familjarët e pasur të pushtetarëve  dhe përkrahësve te tyre.

 Në këtë gjendje, shtet të mirëfillt jo vetëm që s’kemi, por më keq me qeverisjen e deritashme i kemi zhgënyer edhe miqtë Eruro-Amerikan, në të cilën na liruan nga pushtuesi serb. Kosova për fat të keq është uzurpua nga vendorët e etshëm për pozita e pushtet, pasuri e poshtërsira të pa numërta që kanë treguar e po tregojnë për çdo ditë...! Ky realitet i sotëm tregon se, kush i ik të vërtetës mashtron veten dhe të tjerët. Është një realitet ekzistues në Kosovë në veçanti dhe tek të gjitha viset shqiptare nënë pushtim por edhe në Shqipërin e cunguar e të coptuar sa nga të huajt aq edhe me fajin dhe mosaftësit e vendorëve...!

Sikur mos të ishte plaçkitur shteti deri në themel sigurisht së nuk do ta kishim këtë gjendje të rënd politike, as këtë gjendje shumë të rënd ekonomike dhe sociale.

Edhe mërgimtarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jasht Atdheut, ndjekin me shqetësim gjithçka që ndodh në Kosovë dhe Shqipëri.

Është zhgënjimi i tyre për shumë gjëra, sidomos për mentalitetin korruptiv që është mbjellë te shqiptari këto 19 vite, janë të zhgënyer me politikën dhe politikanët që bëjnë vetëm zhurmë, zhurmë e cila i qon deri në dhunim. Sot nëse e hap televizorin, i shikon 24 orë vetëm fytyrën e politikanit, të shkon mendja nganjëherë se, nëse hap edhe frigoriferin ke frikë se përsëri mos të del politikani!! 

Sot, në Kosovë shohim politikan të veshur me petkun e haraqit, të klanit të tipit “Pronto“, të krahinës, katundit e mëhallës, njerëz të cilët bartin përgjegjësi politike, me dyshime të bazuara në fakte për nxitje, rrahje e vrasje politike të pas luftës, të veprimtarëve apo politikanëve të pa faj! Trishtimi rritet nëse një udhëheqës politik është i veshur me petkun e tradhtisë, nënshtrimit dhe mungesës të pastërtisë dhe vazhdon të mbaj poste të rëndësishme në hirarkinë shtetërore!  Kësaj i thonë; mungesë kuraje, dinjiteti, morali e guximi! Atëherë, dëmi është i pariparueshëm për vendin. 

Andaj, qytetarët aktiv dhe të zgjuar në zgjedhjet e ardhshme, e kanë shansin e mirë që ta pastrojnë Kosovën nga ky profil i deputetëve.

Ndërsa, në të ardhmën për temat e mëdha, Kosovës i duhet një konsensus nacional i të gjitha partive politike.

Ka ardhur koha për mobilizim për të gjitha ato gjëra që nuk shkojnë, që secili të bëjë më shumë për vendin.

Për ta bërë ndryshimin pozitiv, duhet të shikojmë çfarë mund të bëjë secili prej nesh, në qytetet tona, në lagjet tona, në komunitetin tonë, në rrethin ku jetojmë. 

Të gjithë jemi krenar se pavarësia e Kosovës na solli më shumë stabilitet në Kosovë. Të gjithë duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre nën flamurin e ri të Kosovës. Të gjithë duan të lëvizin lirshëm. Është më me rëndësi, t’i përqafojmë njerëzit dhe t’i ushqejmë shpresat dhe ëndrrat tona për të ardhmen dhe mirëqenje të dinitetshme. 

Në në këto 19 vite që nga pas lufta në Kosovë, ka edhe momente kur të gjithë jemi ndier të mrekulluar, por që fatkeqësisht njerëzit po e harrojnë, se si është transformuar vendi, çfarë rinie përparimtare ka Kosova, çfarë ndryshime janë bërë në Kosovë, sa krenarë kemi qenë sa herë është ngritur flamuri i shtetit të ri të Kosovës nga sportistët dhe me të gjithë arritjet e të rinjve të Kosovës. 

Për të gjithë ata/ato bashkatdhetar/e, të cilët kanë udhëtuar jasht atdheut, mendoj që secili prej tyre e ndien se sa shumë ai vlen. Nuk mjafton vetëm ta duash atë, por edhe të punosh e luftosh për Atdheun.

Sepse, atdhetarizmi është ndjenjë dhe dashuria më e fuqishme për atdhe e për popullin e vet, bashkë me gatishmërinë për t`i shërbyer atij me besnikëri e atdhetari. Pra, pa u ngritur morali, dinjiteti, besa dhe vetëdija, në çdo segment, ent e institucion civil, shtetëror e ushtarak, policor e gjyqësor, politik e partiak, në kuvend, qeveri, presidencë, gjyqësi, në çdo pore të jetës, s`mund të arrihet përparimi i vendit, s’mund të ketë qetësi, por urrejtje, varfëri dhe pakënaqësi. Do të mungojë zhvillimi, do të zbehet interesimi për shtetin. Rinia, edhe më shumë do të marrë rrugën e mërgimit. 

Kosovës, më shumë se kurrë i duhen udhëheqës me dinjitet, humanizëm e moral të fuqishëm kombëtar, njerëzor e atdhetar.

Kosova e ka të ardhmen përpara, ditët më të mira janë përpara nesh, kur ne bashkëpunojmë për të punuar për vendin tonë, duhet të hekim dorë nga egot tona, dhe të punojmë në shtetndërtim, zhvillim ekonomik dhe integrimi Kosovës në strukturat Euro atlantike.

Ashtu edhe siq thoshte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova: „ Një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj.“

Uroj të gjejmë rrugën tonë më të mirë të përbashkët e të na prinë arsyeja, që Kosova të bëhet vendi i dashur për qytetarët e saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat