Në pritje të foshnjës

Opinione

Në pritje të foshnjës

Nga: Gani Mehmetaj Më: 15 maj 2018 Në ora: 08:03
Gani Mehmetaj

Kush e kalonte kufirin e padukshëm në mes të jetës e të vdekjes nuk llogaritej në mesin e të gjallëve, kush futej shtatë pash nën dhe, quhej i shpëtuar, nëse nuk vinin akrepat me parzmore ta nxirrnin e ta torturonin si askund tjetër. Shumë binin e pak ngriheshin, jeta nuk përtëritej, ndërsa vdekja shumëfishohej. Jeta e re në këtë atmosferë të zisë e vdekjes gati ishte blasfemi, sikur e sfidoje vdekjen.

 -Gruaja ime, shtatzënë, lëvizte me vështirësi, e vazhdon rrëfimin Besmiri. - Mëdyshjet më trazonin. Ç’do të bënim po t'i fillonin dhimbjet e lehonisë? Ta dërgonim në spital? Ta linim të lindte këtu? Zgjidhjet nuk na inkurajonin. Në spital nuk mund ta dërgonim, por në bodrum s’mund të lindte. Përvojë mamie s'kishte asnjëri. Nëna ime përpiqej ta dëshmonte praninë e vet dhe gatishmërinë për të ndihmuar. Gjyshja në kënd të bodrumit jepte këshillat e veta. Aftësia e saj nuk na bindte, as na jepte zemër.

- Shtatë fmijë n'shpi i bana! - na thoshte tërë kohën.

-Dyve ua preva vet kthizën, me kto dur! - ndërsa na i tregonte duart e lëkurës së fishkur.

Gjyshja e nëna vinin nga një botë tjetër. Më mbërthente zemërimi, kur më flisnin për shtatzëni e për lindje. Motra përpiqej të mos dukej, s'kishte entuziazëm për mami. Gruaja ime nuk fliste, herë rënkonte mbyturazi, herë e mbërthente dëshpërimi që më shqetësonte, sepse kisha dëgjuar që gratë shtatzëna nuk duhej të binin në depresion. Rrethanat në të cilat jetonim nuk na ofronin asnjë mundësi tjetër. Depresioni u bë bukë e përditshme që na e fali Zoti me bollëk. Dy kalamajtë e mi i gëzoheshin lindjes së foshnjës. Më mbysnin me pyetjet, përgjigjet e të cilave shpesh më mungonin. E nisnin nga emri i foshnjës, kurse unë nuk e kisha menduar emrin, e vazhdonin me gjininë e  foshnjës, që nuk e dija dhe e përfundonin se kush do ta mbante më shumë nga ta dhe kë do ta donte. 

Sa herë shtrëngohej gruaja, mua më mbërthente paniku. Do ta dëgjonin jashtë bodrumit, do të bëhej hataja. Të gjithëve do të na merrte në qafë. Ajo e dëshpëruar më tha një natë: - Nuk më pyetet si e ndiej veten me barrën time. Secili sheh hallet e veta dhe ankohet në shtatzëninë time.

Ndërkaq, gjyshja uloke murmuriste në këndin e vet:

-Ku e gjete kohën të pillje, moj nuse? Nëna dukej pak më fisnike, por i  pëshpëriti në vesh: - Nuk u rujte pak!

Kunata si ta kisha shemër turfullonte me cinizëm:

-Dashuri në kohën e kolerës, - qeshte nën buzë, thuajse ua kisha ngenë shakave të pakripa.      

- Çfarë do të bëjmë, kur të më fillojnë dhimbjet e lindjes? më pyeti natën tjetër me pëshpërima. Nuk pata përgjigje, nuk dija si do t'ia bënim. Kisha parë edhe filma, kur nënat detyroheshin të mbysnin foshnjat e tyre, që të shpëtonin kolonën e të ikurve. Ua zinin frymën.

E dija nëpër çfarë dramash kalonte gruaja ime, këtë brengë e kisha edhe unë,  por kurrë nuk do ta bëja një gjë të këtillë me asnjë çmim.

-Ndonjëherë derisa i ndiqja me vëmendje reagimet e të afërmve të mi në bodrum, - vazhdonte gruaja ime, - hetoja se si i frikësoheshin shtatzënisë sime, sidomos i frikësoheshin ditës kur foshnja do të dilte në dritë. 

- Gjyshja uloke në cep murmuriste në pakënaqësinë e vet të përhershme, kunata turfullonte, më shumë e vajtonte vëllain sesa vuajtjet e mia.  Kot që flisnin, ose kot që më shihnin shtrembër, sepse unë s'do të sakrifikoja për ta. Por kur më shkonte nëpër mend fati i dy fëmijëve, të cilët mund t'i rrezikoja me britmat e foshnjës, djersë të ftohta ma mbulonin ballin, trupi më mpihej, dhe  nisnin dënesat.

- E ngushëlloja që do të jem pranë saj dhe se nuk do të bëjmë asnjë sakrificë. Pritja në tension ma hante shpirtin.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat