Jehona e krismave në bodrum

Opinione

Jehona e krismave në bodrum

Nga: Gani Mehmetaj Më: 17 maj 2018 Në ora: 07:51
Gani Mehmetaj

- Krismat i dëgjonim nga bodrumi, por asgjë nuk kuptonim. Të gjithë prisnin t'ua sqaroja gjendjen, ndërkaq unë nuk dija ç’po ndodhte. Asnjëherë nuk e kapnin gjendjen përtej dritares së vogël. Gjithnjë hamendësonim, duke i ndjekur lëvizjet e këmbëve, zërat e shqetësuar apo pushimet në mes të veprimeve. Një autoblindë policie që rrinte kohë të gjatë e fshehur prapa hijes së murit, lëvizi. Ku shkonte vallë? Lëvizjet e shpejtuara na e jepnin pasqyrën e ngjarjeve dramatike jashtë bodrumit tonë të ngushtë. Transistori i vogël, që e mbaja pranë, zakonisht më ndihmonte ta plotësoja mozaikun. Kësaj radhe nuk ma dha asnjë përgjigje. Ata prisnin nga unë, unë prisja nga transistori, prandaj nisa të bridhja me sustën e vogël, duke kërkuar radiostacionet. Mezi dëgjohej gërhima e transistorit, bateritë e të cilit nuk mbanin më. I fërkova edhe një herë, i ngroha sipas porosisë së të tjerëve, që në këto situata dinin të më mësonin aq mirë, ndërsa bëheshin nervozë kur u huqte këshilla e tyre. Pasi më kapluan djersët e ftohta nga tensioni,  ndërsa sytë e të gjithëve më shikonin si të më zhbironin, e kapa një stacion.

Spikerja fliste me zjarrmi: - Një kontingjent i trupave ruse e lëshoi Bosnjën, kaloi nëpër Serbi dhe ushtarët u futën në Kosovë.

Askush nuk dinte më shumë, as qendrat e mëdha të vendosjes. Nuk kuptoja asgjë. Më 11 qershor, në vend të trupave të NATO-s, që pritej të futeshin, hyri kontingjenti i vogël i ushtarëve rusë!

Krismat vazhdonin. Ne u mpimë nga e papritura. Dy kalamajtë nisën të qanin. Vera, vajza që erdhi nga korridori, para disa javësh, merrej me ta, u këndonte qetë një këngë fëmijësh. U përpoqëm të pushonim nga tronditja,  por kot, sepse edhe në rropullitë e ngrehinës, krismat dëgjoheshin si të qenë në fqinjësi. Të linin pa mend.

-Babi, a do të na vrasin rusët? M’u drejtua djali im me sytë që i gapërronte nga tmerri. Ku e dinte ai kush ishin rusët.

- S'kanë ç'na bëjnë, tash vijnë amerikanët, -nisa t'i jepja zemër çunit tim dhe vetes, sepse ata ashtu sikurse unë prisnin që të futeshin amerikanët ose anglezët, këtë ua përsërisja shpesh sa t'u jepja guxim. Ata po vononin.  

Ditën që u futën trupat ruse në qytet, gjyshja përpëlitej për jetë a vdekje. Deri në çastet e fundit ajo merrte pjesë në të gjitha bisedat, ose e mbante bisedën, veçmas bluante rrëfime nga e kaluara: "Nuk e njihni ju serbianin", e niste çdo rrëfim, apo kur e përcaktonte një ngjarje orientim e kishte kohën "kur hini shkau, apo "kur erdhi nemcja".    

E priste me gëzim gjermanin për herë të dytë, sepse ishte e sigurt se pa hyrë gjermani, serbiani nuk shkonte.

- Gjermani asht egjël për ta! - e përsëriste shpesh.

Por nuk e arriti hyrjen e ushtrisë gjermane. Trupat ruse e befasuan:

- Kurrë nuk ka shkel rusi ktu!, e përsëriste e habitur dhe e dëshpëruar. Duhej t'i kishte afër nëntëdhjetë vjet, por asnjëherë nuk e dinte me saktësi, i ngatërronte datat, nuk e dinte a doli në këtë botë kur iku turku e hyri serbi, apo para se të ikte turku e të futej serbi. Të dyja ngjarjet i rrëfente si t'i kishte përjetuar.

Gjyshja jepte shenja se do të na linte, askujt nuk i shkonte nëpër mend vdekja e saj.   

Edhe kjo më duhej, ndërsa unë prisja gruan të lindte, atëherë kur nuk duhej.      

Sikur nuk mjaftonte kjo katrahurë që na gjeti, gruaja ime më bënte me dije se foshnja priste te dera. Nuk bëra një orë gjumë kur ajo më zgjoi e alarmuar:

- Besmir, Besmir, me plasën ujërat!

Shikoja i përgjumur, i hutuar, e dija fare mirë kuptimin e fjalëve të saj. Të tjerët  vazhdonin gjumin. Ishte mëngjesi i 12 qershorit 1999.        

Dhimbjet e para i filluan në mëngjesin e 10 qershorit. Dhimbjet iu shtuan një ditë më vonë. Krismat që zgjatën tërë natën e tronditën, e përshpejtuan ardhjen e kërthisë në këtë botë.

"Mos do të lindë para kohe? Do të na krijojë shumë probleme", i thashë vetes, i shqetësuar. Për herë të parë m’u kujtuan ëndrrat e nënës sime. Nëna secilën ëndërr na e tregonte më të rëndë se tjetrën. Kafka të çara, gjymtyrë të ndara nga trupi, fëmijë që qanin mbi kufoma nënash, ndërsa kalamajtë fatkëqij nuk e dinin çfarë  po ngjante. Dhe secilës përpiqej t’ia zbërthente kuptimin. Kur nuk e kujtonte ëndrrën, më bëhej qejfi.

Një natë para hyrjes së ushtarëve rusë, edhe unë e pashë një ëndërr: Gruaja po lindte, unë përpiqesha ta bindja, thuajse varej nga vullneti i saj, ta mbante edhe më foshnjën, nuk ishte koha, i thosha me ngulm. 

"Durim sa të futen trupat e NATO-s dhe atëherë do ta kishte shumë më lehtë".

Ajo nxitonte. Nuk donte të priste asnjë minutë. 

Kur doli kërthiu gati sa s’më ra pika. Foshnja që duhej të lindte me sy të mbyllur, lëkurë të rrudhosur si të plakave e shtat të vogël sa një bukë treçerekshe, doli krejtësisht ndryshe: me sy të zgurdulluar, shprehje të fytyrës së zemëruar, më i madh se zakonisht. Në vend që të qante thekshëm, nisi të më hakërrohej: “Edhe sa kohë do të më mbani në burg, pa ajër, pa dritë me lagështirë të pështirë?”

Unë s’i përgjigjesha. Gruaja nisi të merrte kujën. Në vend se të merresha me foshnjën, e qetësoja  gruan, sepse do të na merrte në qafë, i kishim kalamajtë në bodrum, do ta pësonim, por ajo nuk qetësohej. E dija se kjo nuk është në rregull, se kërthia nuk flet.

U zgjova i mbytur në djersë. Të gjithë bënin gjumë të rëndë.

Derisa përgjoja dhimbjet e fundit të lehonës, zhurma që parakalonte skaj dritares më dukej si në ëndërr. Zëri sillte zhurmën e gomave të autoblindave, zinxhir tankesh, brohori turme. Jehona e refrenit: “NATO!”, “NATO!”,  përplasej nëpër dritaren e vogël të ngushtë. Zërat vinin nga fundi i rrugës. Turma tjetër si t’ia mbante ison në polifoninë e toskëve, ia kthente nga kreu i rrugës. Më bënin veshët!? Të gjithë e prisnim hyrjen e trupave të NATO-s. Transistori im i vogël e jepte që nga mëngjesi këtë lajm, duke e theksuar se ngadalësimi  i tyre u bë, sepse duhej pastruar terreni e tunelet nga minat.

Nga hyrja e shkallëve nuk vinte asnjë zhurmë. Ta kenë braktisur pallatin? Apo janë ngujuar brenda e nuk dilnin? Një mendim më përftoi: Mbase ia mbathën gjatë natës? Ende nuk orientohesha në situatën e re: turma që brohoriste në rrugë dhe korridoret me heshtje varri. Po sikur policët e tyre të na prisnin te dera e hekurt e bodrumit? Tre muaj na rrinte kërcënimi i tyre mbi kokë. Tre muaj nuk lëshuam zë, flisnim me pëshpërima, qanim pa zë, merreshim vesh me shenja. Befasisht dikush nga ne e lëshoi një zë që t’i shurdhonte veshët. Disa u shkrehën në vaj. Kalamajtë e përsërisnin në kupë të qiellit refrenin:

-NATO!, NATO! 

Nuk më hiqet nga mendja gazavaji. Shihnin nga rruga, shtrëngonin njëri-tjetrin, qeshnin, ndërsa lotët u shkonin faqeve.  Gjyshja e këndellur si të mos kishte luftuar me vdekjen një natë më parë, kërkonte ta afronin të dritarja që të shihte gjermanin, sepse ajo gjermanin priste. 

Pastaj  të gjithë iu sulën derës. Hapën portën e hekurt dhe dolën. 

Mbeta me gruan shtatzënë e me plakën uloke. Nuk e pashë as nënën e babanë. Po vajza e panjohur, ku vajti? Ikja e saj nuk u ndie. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat