Topitje, lodhje, indiferencë

Opinione

Topitje, lodhje, indiferencë

Nga: Gani Mehmetaj Më: 18 maj 2018 Në ora: 08:17

Brohoritjet dëgjoheshin si pas fillimit të jetës së re, kur ujërat u tërhoqën, shirat pushuan, toka u bë tokë e deti det, kur bari nisi të mugullonte. Por edhe pas kësaj rilindjeje  dhimbjet nuk pushuan. Njerëzit vuanin e hiqnin pasojat e vuajtjes, disa nuk e arritën ditën e ringjalljes.  

Shtatëdhjetë  e tetë ditë  në vetmi, pa njeri, pa asnjë libër, pa lajmet e transistorit të vogël, zëri i të cilit u shua nga fundi. Shtatëdhjetë e tetë ditë ngrysesha e gdhihesha duke i folur vetes pa zë.

"Kush po fitonte? Kush po humbiste?" pyesja në heshtje. Athua do të përfundonte burgu im? Rusët ia mbathën. Policët në udhëkryq sigurisht flinin prapa shitores. Nuk shihej asnjëri. Rrugët ishin të qeta e të braktisura. Diçka po ndodhte, ose pritej të ndodhte. Ajri ishte i elektrizuar. Prisja i shqetësuar. Për herë të parë më pengonte mjekra ime e palarë e flokët e gjatë. E vrojtoja udhëkryqin e rrugën deri prapa pjerrinës. Kaloi një kohë. Me shikim të përhumbur në horizont prisja, zemra ma thoshte se diç duhej të ndodhte. Qetësia e pazakonshme paralajmëronte të papritura.         

Ende pa dalë në fund të rrugës autoblindat, u dëgjuan në fillim të rrugës britmat: "NATO!”, “NATO!"  Njerëzit dilnin nga bodrumet, nga shtëpitë njëkatëshe të vjetra, mbinin nga rrugicat. Antenat e autoblindave u dukën në fund të rrugës kryesore. Jehuan britmat që e plotësuan zhurmën e motorëve të fuqishëm të makinerisë ushtarake. Autoblindat nxorën  kokën. Për herë të parë pas kaq kohësh, ditë më diell, u ngrita në këmbë në tarracën e pallatit. Ngrita duart lart dhe lëshova britmën "NATO!", që të ndiqja refrenin e turmës në rrugë. Por zëri im dëgjohej vetëm nga unë. Më duket që zëri im humbiste në shurdhërinë e shtatëdhjetë e tetë ditëve të vetmisë, nuk dilte fare nga gurmazi.   

Nuk shikoja të tjerët, nuk më duhej atmosfera e turmës. U ngrita në këmbë, drejtova trupin, merrja frymë lirisht, i lirë të lëvizja, pa frikë të vrapoja nga një kënd i tarracës në këndin tjetër, nuk druaja nga asnjë snajper. Vrapova nëpër majë të çatisë, u ktheva mbrapshtë me të njëjtën shpejtësi derisa u mbusha frymë. Kënaqesha. Më shkuan lotët. Dikur qava me ngashërim. Për herë të parë qaja nga gëzimi. Ecja si i hallakatur dhe nuk përpiqesha ta frenoja veten. U ndala të merrja pozicionin.    

M’u kujtuan policët në udhëkryq. Po ata ç’bëjnë? Do të dorëzohen, apo do t'ia mbathin nga sytë këmbët? Sa herë e kam kaluar në imagjinatën time ndeshjen e policëve me trupat angleze; sa herë i shihja i ekzaltuar se si do të binin policët nga plumbat, përderisa unë spektator i qetë do të kënaqesha duke i këqyrur se si jepnin shpirt, ashtu sikurse ua nxorën shpirtin shumë fatkëqijve. Prisja t’i shihja të poshtëruar e të vrarë, ashtu si i poshtëruan e i vranë viktimat e tyre. Pak më parë nga euforia i harrova fare. Ktheva kokën...

Po të më plaste bomba para këmbëve, do të habitesha më pak, do të dëshpërohesha edhe më pak. Luftë ishte. Po të shihja ushtarët shqiptarë në kolonat e trupave britanike, s’do të habitesha, sa më habiti ajo që më doli parasysh: udhëkryqi i zbrazët! Asnjë polic a paramilitar, asnjë bjerrakohës me shkopinj bejsbolli, asnjë gjurmë e pranisë së tyre. Karriget u zhdukën, çadra mungonte, shitorja fshihej prapa derës e grilave të hekurta. Më mbërtheu dëshpërimi, më ra entuziazmi, gati sa nuk lëshova klithmë dëshpërimi në kupë të qiellit. Paramilitarët ia mbathën, askush nuk ishte para shitores, si t'i lëshonte toka. Shpëtuan pa ferrë në këmbë. Shihja nga udhëkryqi e nuk u besoja syve, ktheja kokën nga fundi i rrugës nga vinin trupat angleze, prapë nuk mund ta besoja.

Çlirimtarët po vinin, por mujsharët ia paskan mbathur...  

Gati më lëshoi zemra, m’u rrotullua objekti. Sa kohë duhet të ketë kaluar? Nuk e  ndjeva kur u futën ushtarët anglezë përmes kapanxhës së shkallëve në çati. Nuk e ndjeva as urdhrin e tyre që të shtrihesha në tokë. I pashë që thoshin diçka, por seç thoshin nuk e kapja. Më duket veshët më ushtonin, më humbi të dëgjuarit, si të lëvizja not në fund të detit.  Duart m’u ngurtësuan. Ata m’i drejtuan armët, unë i shikoja si të zbrisnin jashtëtokësorët. E kapa në fraksion minute kur lëshuan britmat e thekshme: “Do not move!”,  “Sit doën!”

Më morën për paraqitje armiqësore. Nga filmat e dija se duhej të fusja duart pas qafës e të mos lëvizja. Ata kërkuan të shtrihesha në tokë. Ende pa e zbatuar urdhrin e tyre, më mbërthyen dhe më dërguan rrokopujë shkallëve teposhtë.  

Gjatë tërë kohës nuk mu dha t’u thosha kush jam, sepse mund të merresha vesh me ta anglisht fare mirë. Çele gur gojën, m’u shtangën nofullat. Në atë hutim bota përreth më vinte si në ëndërr. Zbrisja i papeshë shkallëve, mbase fuqia e tyre tërheqëse më bënte të mos shkelja shkallëve, mbase dobësimi im nuk më krijonte vështirësi në të ecur.

Nuk fola shtatëdhjetë e tetë ditë, nuk takova po aq ditë asnjë frymë njeriu, nuk dija si duhej të komunikoja me të tjerët, m’u ngulit në kokë që të gjithë njerëzit janë rrezik për mua. Më kujtohet se si i shihja si hut, sikur s’kishin të bënin me mua, nuk hapa gojën t’u flisja e as t’u tregoja se nuk jam armik. Edhe një herë kur e rikujtoj mbaj në mend se zgjata duart para që të më lidhnin, u dorëzova i tëri si asnjëherë në këto shtatëdhjetë e tetë ditë të vetmisë. Ata më morën me vete me rrëmbim, nuk më dhanë mundësi të përshëndetesha me furrikun, që më ofroi mikpritje, nuk pata kohë të merrja bllokun e shënimeve e transistorin e shuar.

Ecëm rrëmbimthi nëpër shkallë, kaluam në trotuar, ku brohorisnin qindra gurmaze.  Brohoritësit e entuziazmuar, që më dukeshin si njerëzit e dalë nga kampet e përqendrimit, përnjëherësh u shtangën kur më panë.

-Asht serb, e paskam nxan ni serb!- pëshpëriti kalimtari i parë.

-Sa e paska mjekrën, i biri qenit!

 -Asht e lëkurë koka, si ta kishin terë n'tavan!.

U ngërdhesha nga ky krahasim. Dikush më përcolli me fjalët:

- Shih, pash nanën, qysh zgërdhihet majmuni!

 -E të tjerët ku janë? -pyeti i hutuar njëri që ecte i përhumbur duke mbajtur një flamur anglez në duar. Nuk i kthyen përgjigje.        

 Mbase me t'u larguar unë flisnin edhe gjëra të tjera, nuk i dëgjoja, ose i përhumbur siç isha, nuk e kapa asnjë reagim tjetër. Ata nuk më shikonin me urrejtje, megjithëse më merrnin tjetër për tjetër, nuk më panë me zemërim. Një topitje, lodhje, indiferencë, përhumbje e shpërfillje, shprehej në sytë e tyre. 

Shumica vazhduan drejt qendrës së qytetit, ku orientohej kreu i ushtrisë angleze. Unë ecja i shkalafitur në mes dy ushtarëve britanikë, i treti më shkonte prapa. Asgjë nuk më bënte përshtypje. Kalova para një kufome që e kishte fëlliqur trotuarin me të pëgëra. Ishte ushtaraku serb, paramilitari i bëshëm që kërcënonte ditën kur u tërhoqën vëzhguesit ndërkombëtarë. As kjo nuk më bëri përshtypje, një kufomë më tepër, megjithëse qysh nga pasditja para shtatëdhjetë e tetë ditësh nuk e pashë më. Mund të ketë bredhur nëpër katunde e qytete të tjera, mund të ketë kaluar kohën e bombardimeve në ndonjë pijetore, apo në ndonjë udhëkryq sikur ata që ia mbathën para disa çastesh.

 Më nuk mbaj në mend asgjë. Kur u këndella, mbi kokë më rrinte mjeku ushtarak, i cili më fliste anglisht. Fillova të ambientohesha. Madje, iu përgjigja. Ai më sqaroi që vuaja nga anoreksia, tensioni i ulët, pagjakësia, neuroza, e nga një varg dobësish të tjera. Ia pohova me kokë për t'i treguar që e kuptoja, më duket e falënderova për përkujdesjen. Më tha të rrija shtrirë në spitalin e tyre derisa të rregullohej spitali civil. Vetëm ia pohoja me kokë, druaja se po t'i përgjigjesha, do të qaja nga mallëngjimi, askush nuk u përkujdes kohë të gjatë për mua, sa shumë kisha nevojë për trajtim të mirë e pushim. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat