Raporti i Komandës së trupave angleze

Opinione

Raporti i Komandës së trupave angleze

Nga: Gani Mehmetaj Më: 19 maj 2018 Në ora: 08:29
Gani Mehmetaj

"Banorët na pritën me eufori. Dukeshin të uritur e të frustruar si të dilnin nga kampet e përqendrimit. Po të vononim hyrjen, do të rrezikonim jetët e tyre. Ishin buzë katastrofës humanitare. U gëzuan aq shumë, i përqafonin ushtarët tanë. Nuk e dinim gjendjen e saktë të popullatës që jetonte nën qiell të hapur, numrin e atyre që mbetën brenda dhe të tjerëve që po ktheheshin. Qëkur hymë në kufi na paralajmëruan për mina gjatë rrugës, shërbimet tona inteligjente na bënë më dije për çerdhet e fshehta të snajperëve. Në një rrugicë, jo larg rrugës kryesore nga kalonin trupat tanë, banori vendës na njoftoi për një qitës me uniformë të policisë, i cili gjuante në turmën e ekzaltuar. Polici serb përpiqej të merrte pozicion më të përshtatshëm e të shënjonte në turmë. Ushtari ynë me një qitje e kalamendi. Pastaj polici ra nga dritarja. U afruam dhe e izoluan trotuarin. 

Qitësi që e neutralizuam vrau një civil, i cili sa hapi krahët të përqafonte ushtarin tonë, mori goditje në kokë.  Kufomën e vrasësit e nxorën jashtë.

Komanda ushtarake njoftonte edhe për rastin tjetër.

"Një paramilitar, i veçuar nga qitësi profesionist, shtiu nga një dritare e apartamentit, duke plagosur vajzën e re në turmë. Paramilitarin Strahinja Nedelkoviq e kapëm të gjallë dhe e futëm në burgun e improvizuar së bashku me bashkëshorten, Nada. Ai në fillim nuk përgjigjej fare, rrinte i shushatur e i përhumbur. Prandaj ia nisëm nga e shoqja. Me ndihmën e përkthyesit shqiptar.   

 Dosja “N.N”.

- Çfarë t’ju them, - fliste e qante gruaja. - Kur filluan të tërhiqeshin trupat tanë, tmerri më mbërtheu nga koka te këmbët, m’u duk se m’u paralizua shtati. 

- E halli ynë? Si do të bëhej halli ynë? - i thashë burrit e zemëruar, i cili gjysmë i dehur ende e mbante uniformën e ushtrisë jugosllave. Pushkën po ashtu aty e kishte, pranë këmbëve.

-Zhvishi këto rroba të mallkuara, do të na marrësh në qafë, - nuk u durova më, duke menduar për uniformën e palarë e të zhubravitur, me të cilën flinte e zgjohej me javë të tëra. Më shikonte turbullt e i deprimuar. Nuk ishte ai i para disa muajsh.

-Ç’ke grua, që më bie në qafë? Nuk të kam faj unë. Ata janë të fajshëm, ata, tradhtarët, ata që bënë marrëveshje me agresoret e tash ia mbathin. Frikacakët.

Ai kishte të drejtë, por pse rrinte i shushatur, si pulë e lagur, në vend që të bënte ndonjë gjë, të na nxirrte nga vështirësia.  

-Ti je burrë, duhet të bësh diçka! - i thashë me mllef.

Ai duhej të mendonte për familjen. Si ta shpëtonim kokën? Ai s’bëzante. 

Bota jonë mori fund: Ata që na futën në luftë, na i ushqyen shpresat, na armiqësuan me botën, tash tërhiqen si kuçka, duke na lënë në mëshirën e shqiptarëve.

Flisja pa pra, sepse nuk e dija kur mendoja, e kur i thosha ato që mendoja, m’u duk se burrit tim i ra damllaja. Nisi t’i dilte shkumë nga goja.

-Të gjithëve do të na vrasin, si qentë. Do të na i përdhunojnë gratë para sysh. Asnjë s’do ta kursejnë, as ne nuk i kursyem, - fliste për herë të parë pas kaq shumë muajsh. Fliste e qante.

Qaja edhe unë. Do ta merrja kujën në kupë të qiellit sikur të mos frikësohesha se mos më dëgjonin jashtë banesës. 

Nuk e di sa zgjati kjo situatë. Televizori në dhomën e ditës seç fliste. Gazetarët -raportues nga terreni ndërroheshin, por asnjë fjalë nuk ua dëgjoja, nuk më ndihmonin më. Mjaft më mashtruan. Kur hodha një vështrim nga dritarja pashë kolonat e ushtarëve tanë në tërheqje. Pra, ky ishte fundi ynë. Do t’i pështyja në surrat po të guxoja, do t’i mallkoja për burracakëri. Do t’i vrisja si qentë.

Si s'kishin turp? Ia mbathnin e këndonin, thuajse bënin trimëri që iknin me bisht ndër shalë. Bënin gjeste rrugaçësh, pastaj ngrinin lart tre gishtërinjtë. Do t’ua fusja në prapanicë ata tre gishta të mallkuarve. Sigurisht gëzoheshin, që shpëtuan kokën, ia mbathnin nëpër shtëpitë e tyre, në Serbi, as që u shkonte ndër mend të ktheheshin. Ne na linin në mëshirën e të huajve e të shqiptarëve.

Ia rrita zërin televizorit. Lajmet njoftonin se krahas hyrjes së trupave angleze, amerikane e gjermane, po futeshin shqiptarët e armatosur. Në ekran shqiptarë me pushkë e uniformë marshonin. Më mbërtheu tmerri. Kolonat e refugjatëve, në anën tjetër po ktheheshin nëpër shtëpi. Ç’do të bënin, kur t’i gjenin shtëpitë e djegura, banesat e plaçkitura e të shkatërruara.  Ku do t’ia mësynin? Do të trokisnin në banesat tona?

"S’kemi ku e fusim kokën", - do të na e përplasin në fytyrë.         

Burri im në vend që të këndellej, mori shishen e rakisë dhe nisi ta mbushte gotën prapë. Pastaj shante nën buzë, mallkonte me fjalë të pista, me të njëjtin fjalor që shanin e kërcënonin paramilitarët. E shikova në profil: asgjë nuk ndryshonte nga ta. Befas më lëvriu dyshimi i ndrydhur: të ketë çnjerëzuar femra? Me javë nuk vinte në shtëpi. Pastaj ashtu i palarë është futur në shtratin tim. Me erdhi ndot nga trupi i tij. Por kur e shikoja ashtu të dërmuar, të shkalafitur, të përjargur, u përpoqa ta ngushëlloja veten: nuk është lapërdhar ai! Doja ta hiqja nga mendja këtë gjë, druaja se do ta vrisja me pushkën e tij. Unë frikësohesha për fatin e tij, ndërsa ai mund të jetë sjellë si zagarët e tjerë paramilitarë që vraponin të tërbuar pas femrave të tyre.

Më sillej nëpër kokë pëshpërima e fqinjës: "Flitet se mjeken Dritë e çnjerëzoi dikush. Mbase mund të jenë fjalë, por thuhet se edhe kalamajtë ia zhdukën". Pse ta kenë bërë këtë shëmti? Ajo nuk i bëri keq askujt, u ndihmoi të gjithë atyre që ia kërkuan ndihmën, asnjëherë nuk bëri dallime. Edhe mua më ra në sy se mjekja e re u zhduk befas me të dy fëmijët. Por atëbotë nuk pyesja shumë. Shqiptarët i shpërngulnin, ashtu vinin urdhrat nga lart. Ku të ketë shkuar vallë? Fqinja më pëshpëriti edhe gjëra të tjera para se të futej në banesën e vet, duke e mbyllur derën dy herë me çelës: "Dy vogëlushët që dukeshin si engjëj, i prenë në fyt".

"Mund të jenë fjalë", e ngushëlloja vetën, sepse kufomat e asnjërit prej tyre nuk u gjendën. Nuk e meritonte mjekja Dritë një fat të tillë.            

Në këtë fatkeqësi më përftoi nëpër kokë: “Bëmë mirë që dy djemtë i nisëm më parë në Çaçak, te motra ime”. Derisa mendoja e deprimuar se si të shpëtonim: ta braktisnim banesën, nuk më bënte zemra, mezi e morëm pas shumë peripecish, t’ia linim dikujt në përkujdesje, nuk dinim kujt. Sikur ta kishim ndihmuar mjeken Dritë, sot do t’i kishim punët ndryshe, do t’ia dorëzonim çelësat e përkujdesjen e banesës, do të përshëndeteshim me të.

Befas nga trazimi shpirtëror më zgjuan krismat e një pushke, si të vinte nga larg e nga afër njëkohësisht. M’u bë si ëndërr. "Aq shpejt ia behën shqiptarët te dera?", e bëra pyetjen, pa iu drejtuar askujt. Krisma e pushkës vinte nga dritarja.            

Nuk e di se si u këndell burri im, nuk e hetova fare kur lëvizi nga cepi i shtratit. Hapi kanatën e dritares dhe nisi të shkrepte në rrugë. Më mbërtheu tmerri, u paralizova, saqë nuk arrita t’i afrohesha që ta largoja nga ajo dritare e mallkuar. Derisa unë e shikoja e paralizuar, ai u rrëzua, pushka që e mbante në duar i shkrepi në tavan. E vranë. Isha e sigurt që e vranë. Tash do të futeshin shqiptarët brenda dhe do të më bënin copë e grimë. Nuk lëviza nga vendi. Nuk më bënin këmbët. Mbase do të shpëtoja po t’ia mbathja shkallëve. Përpiqesha të vija veten në lëvizje.

Pamjet e fundit që më dolën parasysh ishin ushtarë të huaj, që u futën me rrëmbim brenda, thyen derën, i drejtonin tytat e pushkëve nga unë dhe nga trupi i burrit, që përpëlitej për jetë a vdekje. Se ç’thoshin nuk i kuptoja. Flisnin anglisht. Pra, nuk ishin shqiptarë. Na mbërthyen, mua për kyçesh, burrin nisën ta tërhiqnin zvarrë. M’u bë se lëvizi...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat