Dëshmia e rezervistit Strahinja

Opinione

Dëshmia e rezervistit Strahinja

Nga: Gani Mehmetaj Më: 20 maj 2018 Në ora: 09:38
Gani Mehmetaj

Dosja “S. N.” : Rezervistin Strahinja Nedelkoviq, i mobilizuar nga ushtria jugosllave, e sollëm në vete dhe ia lidhëm plagën në supe. Në zyrat e ngushta të komandës, me ndihmën e përkthyesit shqiptar, që fliste edhe serbisht, e dëgjuam versionin e tij për ngjarjen: 

-Pse e bëra? Nuk e di? Nuk e shpjegoj. Asnjëherë nuk e kam shkrepur pushkën në turmë.  Kësaj radhe më lëshuan nervat, nuk e përballoja gjendjen e re. Net të tëra pa gjumë, në ndjekje të vazhdueshme të nacionalistëve. Vraponim herë në një lagje, herë në një tjetër. Një herë na thoshin ka grupe terroristësh në qendër të qytetit, ne niseshim me vrap, kur shefit të njësitit tonë me toki-voki i vinte lajmi: ka lëvizje të dyshimta në periferi. Vraponim me shpirt ndër dhëmbë drejt periferisë. Para na dilte ndonjë grup refugjatësh, që ktheheshin të shkalafitur nga malet.

-Ku shkoni? - u bërtiste togeri ynë. Rrudhnin supet. Ishin të zbehtë, të paushqyer, të frikësuar e të dërmuar, gati kufoma. E ktheja kokën anash të mos i shihja, nuk doja as t’i zhvatja, sikurse bënin disa nga tanët. Grupi ynë kthehej mbrapshtë, nuk kishim urdhër t’i vrisnim. Nuk jam i sigurt që këtë gjë nuk e bënin të tjerët. Paramilitarët ishin më të rrezikshëm.

-A i vrisnin?

- Nuk i kam parë, nuk e di.       

-A pati vrasje?

-Sigurisht pati. Luftë ishte, ata u ngritën kundër nesh, ne u mbrojtëm. U trimëruan kur morën mbështetjen tuaj. Tanët ndonjëherë u sollën vrazhdë, sidomos me femrat e tyre. Por tanët e mbronin shtetin. Të lutem mos i shëno këto gjëra. Nuk është punë për mua. Fundja nuk e di çfarë bënin me femrat e tyre, mbase ishin terroriste dhe i merrnin në pyetje. Nuk është në rregull kjo që bënin, por as ata nuk duhej të ftonin NATO-n. Një ditë do t’i zgjidhnim  problemet në mes vete. Ata duhej ta pranonin shtetin tonë.

-A kishte teprime?

-Mbase nuk ishte e nevojshme gjithë ajo dhunë. Nuk më pëlqenin as sjelljet e vrazhda të disa policëve, por ata e mbronin atdheun. Ashtu na edukuan.

-A ke parë vrasje? Përdhunime?

-Si ju shkon ndër mend kjo gjë? Ku t’i shihja unë? Nga dritarja e apartamentit tim? Se mos rrija tërë ditën rrugëve. Kryeja obligimin ndaj shtetit, patrulloja me të tjerët atje ku më urdhëronin. Pastaj fusja kokën në shitore, merrja gjërat e domosdoshme, e kthehesha në banesë. Nuk ishte kohë shëtitjeje, as të shkoje te fqinjët. Secili shihte punët e veta.

-Si ishte situata më 11 qershor?

- Nuk dola të festoja, por u gëzova si asnjëherë në jetën time. Besova se do të ndryshonte fati i luftës. Nuk erdhën shumë ushtarë rusë, por mjaftueshëm. Na e krijonin ndjenjën e sigurisë. Shpresonim se me ardhjen e rusëve do të shpëtonim nga hakmarrja. Për shqiptarët thuhej se kishin bërë listat e njerëzve që do t’i vrisnin. Më mbërthente tmerri kur i kujtoja se si do të futeshin nëpër banesa, do të na nxirrnin jashtë dhe do të na pushkatonin. Nuk do të na dëbonin, ne ishim më pak, prandaj e kishin më lehtë të na vrisnin.        

-Kush është fajtor për këtë luftë?

-Ku ta di unë?  Të gjithë kemi nga pak faj, mbase asnjëri nuk është i fajshëm. Fajin e kanë ata dhe ne. Politikanët na përçanë.

-Kush vrau njerëz nga tuajt?

-Ju lutem, mos më pyet, nuk është puna ime, nuk më takon mua....Shikoni... Nuk mund të flas për punët që s’i di. Janë me rrezik... Të shkon koka. Mendoni se unë e tumiri tërbimin e paramilitarëve? Nuk i kuptoja as shokët e mi të punës. Se si ndryshuan, u tërbuan, nuk e kuptoja as babëzinë e tyre. Të gjithë donin të bëheshin të pasur me plaçkat e shqiptarëve. Të gjithë u përndezën për aventura. Nga familjarë të ndershëm që s’u shkonte nëpër mend ta tradhtonin gruan, as t’i braktisnin fëmijët, u bënë lapërdharë, nga  njerëz të butë, u tërbuan...  

Patrulloja me urdhër të eprorëve. Shpeshherë patrulloja natën. Nata është e pabesë…   Flitej se në filan lagje u vranë grupe terroristësh. Këto lajme jepeshin çdo mbrëmje në televizor. Nëpër kuluare flitej edhe për policë të vrarë në prita. Kjo mbetej fshehtësi ushtarake, nuk duhej të merrte vesh populli. Situata jonë ishte e vështirë: në njërën anë nacionalistë shqiptarë, në anën tjetër avionët e NATO-s. Ne luftonim kundër gjithë botës.

- Çka mund të thuash për çnjerëzimet?

-Të lutem  mos më fut llugave, nuk më duhet kjo gjë. Kam grua e fëmijë. Çka më duhet politika? Ku ta di unë çfarë bënin nëpër banesa paramilitarët. Kur ndeshesha me ta, i përshëndesja dhe vazhdoja punën time. Ata kishin rajonin e tyre, ne tonin.  Flitej se ka çnjerëzime. Luftë ishte, domosdo që në secilën luftë ushtarët çnjerëzonin gra.   

S’di pse nuk e dëgjova gruan time. Ajo më thoshte nga fillimi: “Burrë, ikim, nuk ka jetë këtu, t’ia mbathim një orë e më parë”. Po ku të shkoja? Të gjitha i kisha këtu: banesën, punën, shokët, xhirollogarinë në bankë. Ata që ia mbathën më herët grumbulluan pasuri, kështu që kishin ku të shkonin. Të gjithë vinin këtu të pasuroheshin e t’ia mbathnin, askush nuk donte t’i linte fëmijët në pasiguri. Ne mezi e bëmë një banesë e një rrogë.

Kalamajtë më thërrisnin ndonjëherë, më thoshin "eja baba, mos rri aty", sepse ata i dëgjonin lajmet, frikësoheshin për mua e për mamin e tyre. Por unë mora urdhër, më mobilizuan, prandaj s’kisha si të ikja, do të më quanin dezertor, tradhtar.

Prapë gruaja më tha dy ditë para se të nisnin bombardimet: “Burrë, të ikim, do të na vrasin”. Por unë e dija se do të na kthenin, sepse me dhjetëra nga tanët i kthyen. “Ku shkoni?”, u thoshin në kufi, ” nënën jua q..., ne erdhëm  nga Serbia t’ju mbrojmë, kurse ju doni t’ia mbathni”.

Çfarë  t’ju them tjetër? Rrija e shikoja nga dritarja. Rrallë dilja në rrugë. Ç ’të shihje? Rrugë të shkreta, njerëz të frikësuar. Ata që i njihje përshëndetjen e parë ta bënin me pyetjen: a je gjallë?

Kur u dha lajmi se do të ndalen bombardimet, qava si fëmija nga gëzimi, por nuk më pa askush. U gëzova edhe më shumë kur i pashë të parakalonin trupat ruse nëpër qytet, sepse flitej çkamos. Thuhej se do të futen trupat shqiptare e do të bëjnë plojë. Nuk dola t’i prisja rusët. Nuk e ndieja atmosferën e festës, diçka e kobshme po ziente. Nuk u besoja tanëve.

Disa ditë më herët i thashë gruas të bëhet gati se do t’ia mbathim.

-Por ti s’ke bërë asgjë, -më tha ajo.

-Ku e dinë shqiptarët që s’kam bërë asgjë, - ia ktheva me dëshpërim, -Për ata të gjithë ne jemi të njëjtë. Ashtu thoshim edhe ne për ta.

Ditën e futjes së trupave ruse në qytet vazhdonte festa popullore. Për herë të parë askush nuk më thirri të patrulloja. Pushkën e uniformën, me karikator i mbaja në banesë. Pata edhe një snajper, që e mbaja për çdo rast. Kurrë nuk e përdora deri në ditën kritike. 

Festa me rusët nuk zgjati shumë. Ende pa gdhirë, ata ikën në aeroport. U futën trupat angleze. Ushtria jonë tërhiqej me kamionë, këmbë apo me mjete tjera. Ata premtonin se do të ktheheshin. E dija se kurrë më nuk do të vinin, më shumë e thoshin sa t’ua plasnin zemrën shqiptarëve që shikonin të mpirë. Për herë të parë pashë shumë shqiptarë pas tre muajsh. Në një moment më doli parasysh refleksi i imazhit të kampeve të Aushvicit. Njerëz të dobësuar, të mpirë që s’dinin as të gëzoheshin. Dikur i hoqa nga mendja, sepse kisha hallin tim. Gruan e kapi sikleti, më shumë e kapi frika e pakontrolluar. Ajo më stresoi edhe mua, nuk më hiqej qafe: "A je burrë, a ke koçe?"  Hyrja e trupave angleze më dukej si në filma. Nuk e kapja, në cilën anë ishim ne?

Turma e shumtë më çorientonte. ”Nga dolën?” Isha i sigurt se nuk e lanë asnjë për be, i patën dëbuar. Prapë më dukej  jehu i zëri të tyre nga brohoritë si nëpër filma. Çfarë kishin në mendje? Druaja për gruan e për veten. Planifikuam të iknim, ashtu këmbëngulte gruaja ime. Nga komanda nuk na thanë asgjë si të vepronim në situata të tilla, prandaj vendosa të mbrohesha po të më sulmonin. Më dhimbsej banesa t’ua lija shqiptarëve.

Gruan e mbërtheu histeria, nuk më shqitej, duke ma përsëritur: A je burrë? A ke koçe? Çka s’më fyente. Shihnim nga dritarja. Se si më erdhi, mora pushkën e shkrepa, nuk desha të vras askënd, por nuk e përballova këtë situatë..."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat