Kontributi i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës

Opinione

Kontributi i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 26 maj 2018 Në ora: 06:14
Hashim Thaçi dhe Fanë Rugova

Të ënjten, me rastin e Ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës, në Muzeun e Republikës së Kosovës u hap ekspozita “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës".  Ftesës, për të marrë pjesë në këtë ekspozitë të organizuar nga bashkautorët Dr. Sadik Krasniqi dhe Magjistër Besnik Rraci, i ishin përgjigjur familja e ngushtë ish-presidentit të ndjerë, Presidenti aktual i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, ish-bashkpuntorë të Presidentit Rugova dhe personalitete të tjera të Kosovës.          

Para se të fliste në Muzeun e Kosovës për veprën historike të Presidentit Ibrahim Rugova, Presidenti Thaçi ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën me “Çmimin për Liri dhe Pavarësi” duke ia   dorëzuar dekoratën bashkshortes së të ndjerit Dr. Rugova, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një vendim që Z. Thaçi e kishte njoftuar disa ditë më parë.

Duke folur me rastin e ekspozitës, "Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, Presidenti Thaçi u shpreh për para-ardhësin e tij dhe Presidentin e parë të Kosovës me fjalë mjaft fisnike, që ishte një freski në diskurisin politik shqiptar, gjë që ndodhë pak e më pak në radhët e politikanëve shqiptarë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Z. Thaçi vuri në dukje – që për disa prej nesh që e kemi njohur   Dr. Ibrahim Rugovën – ato ishin disa prej cilësive më të mira njerëzore dhe politike që posedonte Presidenti Ibrahim Rugova.  Presidenti Thaçi u tha të pranishëmve se Dr. Ibrahim Rugova, “Ishte njeri i durimit dhe pajtimit, ishte njeri i vizionit”, thkesoi ai.  “Sot çdo parti dhe çdo lider politik duhet të shikojë të ardhmen stabile dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës, para interesave dhe adresave të caktuara të partive politike, ashtu siç vepronim bashkërisht në të kaluarën. Sot, çdo qytetar i Kosovës kudo që jeton në Kosovë, apo diasporë është liridashës, është çlirimtar”.   Zoti Thaçi foli me një gjuhë rugoviane për bashkim të politikës rreth interesave të Kosovës dhe të kombit, mbi interesat personale dhe partiake.  “Sot, Kosova është shtet, ka simbolet e veta, Kosova ka identitetin e vet kombëtar dhe shtetëror, Kosova ka identitet evropian. Prandaj, secili duhet të ndjehet krenar me të arriturat. Shteti i Kosovës është mbi të gjitha dhe para çdo adrese politike. Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, ka nënvijuar Presidenti Thaçi.

Me Presidentin Ibrahim Rugova, shtoi Z. Thaçi, e bindëm botën për të drejtën tonë për liri dhe për shtet të pavarur, duke iu referuar viteve të vështira të Kosovës në fund shekullin që kaloi, ndërsa theksoi se ekspozita për kontributin e Presidentit Rugova në shtetformimin e Kosovës e hapur në Muzeun e Kosovës, e çon vizitorin në një “Udhtim në kohë të viteve të rënda dhe tragjike të vendit, të cilat, pashmangshëm lidhen edhe me emrin e Presidenti Rugova”, ka thënë Presidenti Hashim Thaçi.

Lëvizja për pavarësinë e Kosovës, sipas presidentit Thaçi, si në dimensionin politik, ashtu dhe atë ushtarak, bëri bashkë politikanë, intelektualë, ushtarakë, gra dhe burra, pleq dhe të rinj, me një qëllim të vetëm, për pavarësinë e Kosovës.   Presidenti Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, por u fitua me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe.   Ai ka thënë se “Mosbindja civile në ato vite kundër Serbisë ishte monumentale në lëvizjen politike botërore, derisa UÇK-ja ishte lëvizja çlirimtare me e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore”.

“Kombinimi e këtyre dy komponentëve të lëvizjes kombëtare, nuk kishte si të mos rezultonte në unitetin qytetar, në përkrahjen masive ndërkombëtare, për të kulmuar më në fund me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi në fjalën e tij me rastin e hapjes së ekspozitës në Prishtinë, për kontributet e Presidentit Ibrahim Rugova në pavarësinë dhe shtetformimin e Kosovës.

Fjalimi i Presidentit Thaçi në ekspozitën e Muzeut të Kosovës për kontributet e Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, në të vërtetë, u mbajtë jo vetëm në një atmosferë por edhe në një frymë rugoviane.  Thirrjet për bashkim, njohja e kontributeve politike dhe ushtarake, e vetmohimeve dhe e sakrificave sublime, ishin veti të asaj periudhe plot vështirsi për Kosovën dhe e sakrificave për të gjithë – të një periudhe në historinë e kombit shqiptar, ku siç theksoi edhe Presidenti Thaçi, Presidenti Ibrahim Rugova luajti rolin dhe dha kontributin e tij të pazëvendësueshëm.

Image
Hashim Thaçi në hapjen e ekspozitës me gjëra personale të presidentit Ibrahim Rugova

Për ata që e kanë njohur, një ndër parimet kryesore të Presidentit Rugova ishte bashkimi, bashkimi i të gjithëve për arritjen e qëllimeve të larta, pa dallim feje, krahine ose ideologjie, sidomos në mbështetje të interesave të përbashkëta kombëtare.  Dr. Ibrahim Rugova ishte shprehur në vitin 1989 në Lubljanë të Sllovenisë se, “Qyshë në kohën e Rilindjes Kombëtare në shekullin e 19-të, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”  Në bazë të kësaj vlere ai jetoi dhe veproi me të gjithë dhe për të gjithë.

Ishin këto parimet dhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara me vlerat më të mira të kombit shqiptar, ato që e ndihmuan atë që përveçse të siguronte mbështetjen e shumicës së shqiptarëve në ato kohë të vështira, ai njokhsisht me personalitetin e tij, mundi të bënte miq për kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në trojet autoktone, ku kanë jetuar me shekuj. 

Ndonëse nuk e kam parë ekspozitën për kontributetet e tija në shtetformimin e Kosovës, jam i bindur se aty pasqyrohet dhe kujtohet roli i Dr. Ibrahim Rugovës, në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, së bashku me kontributin e tij në fusha të tjera, për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur, por edhe për rolin e tij në përforcimin e marrëdhënieve miqësore midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar, i cili si askush tjetër, bëri miqë të shumtë për Kosovën dhe për Kombin Shqiptar.  Ekspozita, jam i sigurt, pasqyron gjithashtu Dr. Ibrahim Rugovën edhe për shembullin dhe për rolin e tij si njeri dhe si udhëheqës – i cili besonte, mbi të gjitha, në dashurinë për kombin dhe në të drejtën e mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullit të vet -- dëshmohet në marrëdhëniet me botën, përveç tjerash, edhe duke ruajtur nderin e emrit shqiptar dhe nderin personal, si në jetën private ashtu dhe në jetën politike të vendit, si qytetar I thjesht dhe si udhëheqës. 

Njohja e kontributeve të Presidentit të parë të Kosovës për shtetformimin e Republikës së Kosovës në ekspozitën e Muzeut të Kosovës -- siç është ka theksuar me të drejtë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi – “Shpreh vlerësimin institucional të të gjithë neve, për rolin historik të Presidentit Rugova”.

Shpresojmë që ekspozita të shënojë gjithashtu një hap përpara në diskursin politik, në nivel personal dhe institucional të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë mbi historinë jo të largët  dhe mbi gjëndjen aktuale politike në Kosovë dhe në Shqipëri dhe njëkohësisht t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha trojeve dhe kudo, ashtu siç ishin të bashkuar në kohën e Ibrahim Rugovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, në miqësi të përhershme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç shprehej shpesh, Dr. Ibrahim Rugova. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat