Shpëtim Idrizi ka faj për Abaz Hadon - Bota Sot
Shpëtim Idrizi ka faj për Abaz Hadon

Opinione

E diel, 18 nëntor 2018

Shpëtim Idrizi ka faj për Abaz Hadon

Nga: Arben Llalla Më: 13 qershor 2018 Në ora: 11:40
Arben Llalla

Padyshim që Shpëtim Idrizi duhet të ndjehet fajtor, tani që Abaz Hado ka nisur ta quajë prepotent, arrogant dhe uzurpator. Kreu i PDIU-së është i fajshëm, përderisa është kujdesur qysh ditën e parë që ka ardhur në krye të kësaj partie të zgjidhë vetëm një çështje; mos ta lërë një ditë pa detyrë të lartë shtetërore këtë njeri. Kjo ka qenë me rëndësi të dorës së parë që Abaz Hadon, PDIU-ja e drejtuar nga Shpëtim Idrizi  ta kishte zëvendës ministër, këshilltar e së fundmi nënkryetar në Bashkinë e Tiranës. Në zgjedhjet e fundit vendore, fitorja shumë e madhe në kryeqytet, pati vetëm një person që i shijoi frutat dhe ai ishte sigurisht Abaz Hado.

Prandaj, sot Shpëtim Idrizi është fajtor që ka bërë të pamundurën vetëm për këtë njeri. Ishte ai që ngulmoi që Shoqata “Çamëria” të drejtohej nga Abaz Hado. Ishte ai që ndryshoi statutin e partisë që kreu i shoqatës të ishte në të njëjtën kohë nënkryetar i PDIU. Ka qenë pikërisht ky Shpëtim Idrizi, për të cilin Abaz Hado në të njëjtën gazetë, ku vjell vrer sot, i kërkonte që ta udhëhiqte në udhën e vështirë të Çështjes Çame pas farsës zgjedhore të një viti më parë. Por, çfarë ngjau që në pak muaj Shpëtim Idrizi nga vëlla i shtrenjtë, u shndërrua në prepotent, arrogant dhe uzurpator?

Në 24 shkurt të këtij viti u organizua një tubim para Ambasadës Greke në Tiranë për të protestuar kundër marrëveshjes së Tiranës me Athinën për heqjen e emrit “Çamëri” nga tekset shkollore. Shpëtim Idrizi i kërkoi Abaz Hado të dilte me një deklaratë për shtyp në lidhje me këtë tubim. Hado nuk pranoi, se teksti i deklaratës kishte qenë i fortë dhe mërzitej jo vetëm greku, por mbi të gjitha qeveria që na mban punë ca familjarë. Në atë kohë deklaratën në fjalë e lexoi nënkryetari Dritan Sejko, ndërsa në tubim Abaz Hado nuk erdhi fare, megjithëse atje kishte patriotë nga Kosova, Dibra, Labëria e padyshim çamë. Të gjithë pyesnin ku ishte zhdukur kryetari, ndërsa edhe këtu fjalën e mbajti nënkryetari.

Kjo pra është ndarja e Shpëtim Idrizit me Abaz Hadon, asgjë tjetër. Kuptohet nëse merresh me Çështjen Çame, duhet ta kesh mbledhur mendjen që shpesh ofiqet nuk i gëzon dot, por dhe duhet të sakrifikosh. Abazit për fat nuk i ka qëlluar të paguajë kurrë ndonjë kafe, por nuk ia ka vënë kush re. Ajo që ka bërë përshtypje në fakt ka qenë, se Abaz Hado nuk ka shkuar në një rreth një herë të vetme në këto dy vjet që drejton Shoqatën “Çamëria”. Të shkonte qoftë për një takim të vetëm me degët e Shoqatës. Nuk ka bërë një aktivitet, nuk ka dalë në një debat në televizion a në ndonjë dalje tjetër. Madje, dhe deklaratat e shtypit, kur ia shkruanin nuk dinte t’i lexonte. Po pse e bëri tani Bazi zhurmën? Sepse e zëvendësuan dje nga nënkryetar bashkie, pasi kaloi këto tetë vjetët e fundit si zëvendësministër Arsimi, Kulture dhe së fundmi nënkryetar bashkie. A e mban mend atë ndonjë njeri që si zëvendësministër të ketë bërë ndonjë gjë? Ka tre vjet nënkryetar bashkie a e njeh njeri?

Abaz Hados ia bënë të qartë që nuk mund të gëzojë më detyrat e larta në emër të PDIU-së, sepse bëri hasha Çështjen Çame. Bazi mes ofiqit dhe Çamërisë zgjodhi ofiqin. Kaq. Të tjerat janë llogje.

Natyrisht askush nuk e ndalon sot Abaz Hadon që mos të punojë më për Çamërinë, por të bëhet anëtar i Partisë Socialiste a kujt partie të dojë dhe jo vetëm të qëndrojë nënkryetar Bashkie, por mundësisht t’i zërë vendin edhe Erion Velisë, meqë e ka me merak të madh punën e Abazit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test