Simbolika e shqiponjës në Rusi

Opinione

Simbolika e shqiponjës në Rusi

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 23 qershor 2018 Në ora: 21:15
Ata që vuajnë nga urrejtja ndaj shqiptarëve, ose fobia e shqiponjës shqiptare, herën tjetër le t’i mbyllin sytë dhe kështu, nuk i transferon infarkti në botën tjetër, por mos të presin kurrë që në eufori, njeriu të mos mburret me identitetin e vet!

ZDF, Spiegel dhe disa gazeta tjera, shenjën e shqiponjës nga lojtarët shqiptarë të Zvicrës, e cilësuan si provokim! Merreni me mend, hiç më pak se provokim. Njeriu mund të irritojë kundërshtarin në fushë, pse treguaka identitetin e vet, edhe pse ata lojtarë shqiptarë, në gjoksin serbe, shohin provokimin antishqiptarë dhe anti i të gjitha kombeve, që nuk deshën, që nuk pranuan kurrsesi të jetojnë me Serbinë dhe që me gazepe e luftëra, u shkëputën nga nacional-fashizmi serb..

Ata që pezmatohen pse është bërë shenja e shqiponjës, ata janë pro serb, ose urrejnë shqiptarët, ose, janë idiotë naivë. Mundësi tjetër nuk ka, ku mund të klasifikohen! Njeriu duhet të jetë vërtetë i sëmurë për të perceptuar simbolin e një flamuri si provokim! Ai që është ndjerë i cytur, i zemëruar, vërtetë ka një problem të madh psikik dhe nevojë për një terapi!

Ata që vuajnë nga urrejtja ndaj shqiptarëve, ose fobia e shqiponjës shqiptare, herën tjetër le t’i mbyllin sytë dhe kështu, nuk i transferon infarkti në botën tjetër, por mos të presin kurrë që në eufori, njeriu të mos mburret me identitetin e vet! Kudo nëpër botë në gara puthet flamuri, gjatë apo pas një fitore, dhe, nuk konsiderohet provokim, por gjesti i dy shqiptarëve, po!

Edhe neve nuk na pëlqejnë katër “SSSS” e Serbisë, jo pse janë dy “Së” më shumë se të Hitlerit, por se për shqiptarët, ato ishin edhe më kobzeza, më tmerruese dhe kanë shkaktuar një traumë kolektive me dëbimin e gjysmës së popullsisë.  Dy “SS-të” e Hitlerit ishin disa vite te ne, kurse katër “Sëtë” e Serbisë, disa dekada.

Nëse quhet provokim, atëherë kërkohet prej shqiptarëve, ose të harrojnë vetveten, ose të mburren me një identitet tjetër, çfarë i konvenon Serbisë. Gjeste të tilla, si të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, ka bërë Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarovi?, ish Presidenti i Kroacisë Stjepan Mesiq, Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha. Edhe James Belushi, edhe Papa Francesco, edhe Mustafi, edhe  Özili, edhe Eliza Dushku dhe dhjetëra të tjerë. Ne edhe mund të heqim dorë nga ai gjest, por ai flamur gjendet edhe në Selinë e NATO-së dhe aty, nuk mund të hiqet, edhe pse, do ta qetësonte më shumë nacional - fashizmin serb largimi i tij, se ai gjest gjatë një loje! Gjatë një loje, zonja dhe zotëri të traumatizuar! Gjatë një loje, pas një goli. Ishte lojë vetëm dhe njeriu ka emocione, edhe shqiptari!

Ne kemi një problem të madh tani. Si të ndalojmë atë krenari shqiptare, vetëm për të ndikuar në shërimin e atyre, që e konsiderojnë provokim, ose ishte ndoshta mënyra më e butë për të fshehur një mosdurim, ose një problem që kanë ata me ekzistencën tonë, me suksesin e shqiptarëve!

Ata që e vlerësuan si provokim, pse nuk menduan së paku se edhe e të bërit kryq në gjoks, mund të provokojë ndonjë mysliman, ose të falurit nga një mysliman në fushë futbolli, mund të provokojë ndonjë të krishterë. Çfarë kërkojnë ritualet fetare në fusha të sportit? Ato nuk janë kisha e xhami! E pastaj, zoti nuk ka luajtur kurrë top dhe kurrë nuk ndihmon dikë të luajë. Njeriu ose din, ose nuk din! E pastaj zoti nuk ndihmon kurrë të padijshmin por vetëm të dijshmin, kurrë të dobëtin, por vetëm të fortin! Si në luftë, ashtu edhe në sport. Madje, mund të zbresin krejt profetët dhe krejt perënditë së bashku dhe disa skuadra, nuk do të fitojnë kurrë ndaj disave!

Nëse njeriu duhet të fshehë identitetin e vet, pse ndonjë i krisur ndjehet i provokuar, atëherë skuadrat nuk duhet të përfaqësojnë vendet e veta, por ndonjë fabrikë, apo ndonjë katund. Ata katër lojtarë shqiptarë përfaqësonin Zvicrën, luanin për Zvicrën, por nuk mund të kërkohet prej tyre të turpërohen, pse janë ata, që janë. Me ata katër ne krenohemi, siç e bëjnë popujt tjerë me të mirët e vet. Serbet krenohen akoma me kriminelë, që kanë bërë masakra dhe kanë pozita në shtetin serb, por nuk është detyrë e jona, t’i riedukojmë ata!

Sidoqoftë faleminderit Granitit, Xherdanit, Valonit dhe  Xhemalit, që më detyruan diku pas 30 viteve të shikoj një ndeshje futbolli! Adhurojeni dhe nderojini vendin, që ju rriti dhe shqiponjën që ju ngriti! Shqiponja vështron nga lartë, jo nga poshtë, prandaj, mos u brengosni kurrë pse ju ofendojnë edhe shqiptarët. Jetoni jetën tuaj! Ajo është vetëm e juaja dhe nuk duhet t’i jepni askujt llogari! Njerëzit shajnë, sepse nuk dinë se çfarë të bëjnë me jetën e tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat