Qasja e gabuar e të kuptuarit…

Opinione

Qasja e gabuar e të kuptuarit…

Nga: Remzi Limani Më: 9 korrik 2018 Në ora: 16:02
Remzi Limani

Në këtë kuptim, kur fati i një populli përcaktohet nga qasja e gabuar e të kuptuarit dhe e papërgjegjësive individuale, atëherë vërtet kemi hyrë në hapësirën e pa ajër, nga e cila, rëndom futen të pafajshmit, si pasojë e shoqërive të pa organizuara dhe të individëve me ndjenja superioriteti dhe të papërgjegjshëm.

Për këtë, gjithnjë duhet të jemi të vetëdijshëm për peshën e fjalës dhe premtimeve të dhëna para popullit, ngase ne frymojmë në emër të popullit. Të dalësh para Popullit, do të thotë të dalësh para Zotit. Kur të do Populli, të do dhe Zoti! Andaj, përcaktimet ideologjike të individit, asnjëherë nuk duhet të bëhen shkas për rekapitullime partiake, të cilat dalin nga retorika e pasqyrave rremashe…

Pra, duke u nisur nga e përgjithshmja tek e veçanta të të mirave dhe vlerave njerëzore, evoluimit shoqëror në shumë fusha e në veçanti në fushën e kulturës dhe të artit, prezantimet dhe materializimet objektive të të arriturave tona në kuptimin e vlerave si dëshmi të pamohueshme të vjela nëpër gjurmë lashtësie të identitetit tonë nga shumë fusha të artit dhe të kulturës, padyshim na japin kuptimin lucid të së vërtetës, simbolikës, frymës dhe traditës kulturore si rrjedhshmëri e historisë dhe kulturës sonë nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme.

Së këndejmi, duhet të kuptojmë: se arti dhe kultura janë pasqyrime konkrete të cilat na japin imazhin e një mozaiku të plotë dhe pjesën më thelbësore të një shoqërie polivalente, të ngjizur dhe të dalë nga trungu i vet. Kjo aksiomë në vetvete ngërthen të bukurën si element lidhshmërie të pjesës përbërëse e një kulture dhe qytetërimi; i cili hapë rrugë të reja drejt komunikimit ndërnjerëzor gjithandej botës së qytetëruar.

Dhe, nëse e kuptojmë kështu dhe e ndjejmë peshën dhe rëndësinë e individit kreator, artit dhe të kulturës, atëherë, individin dhe mendësinë e tij krijuese në funksion të shprehjes kreative dhe intelektuale dhe rolin e tij si pjesëtar i zhvillimeve shoqërore, duhet ta kuptojmë dhe ta përceptojmë me rrjedhat e kohës dhe të shoqërisë nëpër kohë si vlera identiteti, të konceptuara me karakteristika të një fryme dalluese, si pasuri të veçanta të veshura me vlerat e duhura kulturore, të cilat dëshmojnë të vërtetën tonë si produkt i një mendësie kreativiteti dhe gjuhë akademike, me vlera të mirëfillta mbi të cilat ngjizen dhe ngritën bazat themeltare të civilizimit njerëzor.

Shpeshherë të arriturat e një njeriu e ndritin një botë të tërë. Dhe, për mrekullitë e shumta të cilat dalin nga mendja e krijuesit, shoqëria e kësaj bote, të cilës i takojmë edhe ne, ka menduar se krijuesit janë njerëz të veçantë dhe për këtë ata duhet të vishen me petkun e të merituarve. Së këndejmi dhe në këtë kuptim, na habit fakti se çka po ngjet me çmimin Nobel dhe me shkrimtarin e letrave shqipe, Ismail Kadare.

Ky njeri, tashmë me një reputacion ndërkombëtar në fushën e letërsisë, i përkthyer në mbi dyzet gjuhë të botës, veçmas në gjuhët kryesore që i flet bota e qytetëruar, sikur mbeti peng i politikës së një kohe të mbrapsht… Merreni me mend – tash e dy decenie, ky njeri i cili arriti në panteonin e letërsisë botërore, radhazi propozohet për çmimin Nobel dhe asnjëherë deri më tash, nuk arriti të vishej me petkun e nobelistit. Madje - madje, siç dihet, u propozua edhe nga vetë shteti i Francës, por sipas rregullave të mbrapshta dhe për mua tepër ironike, ai u refuzua me një arsyetim banal, sepse ai po shkruaka shqip dhe se shteti i Francës nuk mund ta dominojë një shkrimtar i cili nuk shkruan në gjuhën e atij shteti nga i cili propozohet. Nuk dua të merrem me spekulime, përderisa nuk më bind fakti dhe e vërteta për një gjë..., mirëpo, është përfolur shumë se vetë shoqëria e individit në fjalë krijoi barrikada të shumta në dëm të tij, përkatësisht në dëm të vetvetes, në dëm të kulturës, të individualitetit krijues dhe tërë kombit shqiptar.

Në adresë të komitetit për ndarjen e çmimit Nobel, u dërguan shumë letra nga individë dhe nga asociacione kulturore shqiptare, duke u munduar që sa më shumë ta minimizojnë personalitetin krijues të Kadaresë, duke e veshur me epitete negative, prej një disidenti politik e deri tek ajo se gjoja na paska qenë edhe oborrtar i një presidenti diktator e pale sa akuza të tjera që mund ta rëndonin emrin e tij. Prandaj, për të gjitha këto që flitet, do t`isha shumë i lumtur sikur këto marrëzira të jenë vetëm thashetheme të shkëputura nga trungu i interesave të qarqeve të caktuara, sepse sulmi ndaj Kadaresë është sulm ndaj botës gjithëshqiptare.

Me veprime të tilla e të ngjashme, sikur shoqëria prej nga vjen individi nuk është e vetëdijshme për peshën këtij çmimi të madh që i nevojitet një kombi të vogël, sidomos kur kihet parasysh se ndarja e Nobelit për letërsi, është një çmim tepër i rëndësishëm dhe me peshë të veçantë, jo vetëm për individin, por edhe për vetë kombin të cilit i takon krijuesi. Përmes këtij çmimi, përpos që peshohet kultura dhe letërsia, aty identifikohet edhe një popull i tërë, sepse me rastin eventual të ndarjes së këtij çmimi, do të futeshin në lëvizje të gjitha shtëpitë botuese më prestigjioze botërore në kërkim të letrave shqipe dhe të identitetit kombëtar, për të mësuar edhe më shumë për kombin dhe kulturën prej nga vjen individi. Në saje të kësaj, mu kujtua rrëfimi i artistit, Amfion Redoni dhe nata e humbur në të... Ashtu, i humbur në mbretërinë e qytetit të dritave dhe të pafund, ishte drejtuar kah parkingu i taksive, në mënyrë që ta shpiente ndonjë prej taksistëve në adresën e caktuar të cilën e mbante në grusht të mbyllyr.

Atëbotë, pasi iu afrua parkingut të taksive, në brendinë e ndriçuar të një taksie, nga jashtë, nën dritën e retrovizorit, e vërejti shoferin duke lexuar një libër. Pasi u lëshua në sediljen afër shoferit, ai hapi grushtin dhe ia tregoi pusullën ku ishte e shënuar adresa e një drite që ende e ndezur e priste diku matanë lumit Sena. Taksisti e theu cepin e një faqeje të librit, aty ku ishte duke lexuar, e mbylli librin dhe e futi në kasetën e hapur të automobilit. Meqë kaseta ishte e tipit të hapur, kopertina e librit dukej sheshazi dhe, merreni me mend, në epiqendrën e kulturës botërore, asnjëherë të fjetur, emri i autorit të librit që rastësisht e zuri artisti me sy, ishte Ismail Kadare dhe romani i tij – “Prilli i thyer”. Taksisti i këtij qyteti francez, qytetit të parfumeve, me shumë artistë, me shumë aktorë, me shumë teatro e kabare, me shumë galeri dhe me mrekulli të tjera arkitektonike - ani pse nuk e dinte asnjë fjalë të vetme të gjuhës shqipe, në kohën e pauzës, kur nuk qarkullonte me taksinë e tij, ai e lexonte librin e Kadaresë.

Prandaj, jo rastësisht, tendenca e poligonit qitës, i cili në vazhdimësi rrjedhë nga ujërat e zeza që burojnë nga tokat sllave dhe agjenturat e tyre sekrete, të orkestruara nën psikozën e shkencës së urrejtjes, mundohen me mish e me shpirt për t`i zhvlerësuar dhe ç`mitizuar figurat më eminente të kombit shqiptar së bashku me identitetin tonë kombëtar, që nga Skënderbeu e deri tek Nëna Terezë, Kadareja dhe shumë personalitete tjera të shquara kombëtare me reputacion ndërkombëtar, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në mozaikun e përgjakur të popullit shqiptarë për të arritur deri tek e sotmja dhe për të qenë vetvetja, shkruan Remzi Limani.

Përbuzja e lirisë dhe të individualitetit krijues Në njërën prej seancave të rregullta parlamentare të Kuvendit të Kosovës, me rastin e vdekjes së aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiu, në mungesë të ndërgjegjes parlamentare dhe mediokritetit provincional, kërkesa njerëzore e anëtarit të parlamentit, Esat Brajshori, që ta mbështetnin dhe nderonin emrin dhe veprën e aktorit me një minutë heshtje, mjerisht nuk u përfill dhe nuk kaloi, duke mos e kuptuar: se të gjitha historitë fillojnë nga arti dhe kultura e një populli. Kjo lë të kuptojmë se ne, shpeshherë nuk dimë ta çmojmë njeriun tonë - karshi të tjerëve të cilët në vazhdimësi u këndojnë miteve të paqena, për të na servir heronjtë e tyre të shpifur. Kështu dhe në këtë mënyrë, ne vet e çojmë ujin në mullirin e dreqërve, të cilët, si zakonisht gjithmonë e shfrytëzuan naivitetin tonë. Ata, shekuj me radhë, të vërtetën tonë e trumbetuan në mënyra ndër më të ndryshmet duke investuar në vazhdimësi në përvetësimin e figurave tona madhore të historisë, humanizmit dhe kulturës sonë kombëtare dhe shumë të tjerave duke u munduar t`i minimizojnë sa më shumë të arriturat tona kombëtare në të gjitha fushat e jetës.

Në kontekst të gjithë kësaj, duhet të kuptojmë: se aty ku çmohet artisti dhe kultivohet arti, kultivohet edhe vetëdija kombëtare. Në këtë kuptim, Bekim Fehmiu, ishte rrumbi i cili rrahu kambanat e para, të cilat lëshuan tingëllimat anëpëranë botës së qytetëruar - gjithandej ku emri i tij ishte letërnjoftimi ynë kulturor dhe shkëlqimi i tij prej aktori me nam, i cili pa dyshim ndriti kuptimin e një emri shqip të cilin e bekoi Perëndia për të qenë dhe për të mos vdekur kurrë… Tani, kujdesi i duhur, përkrahja dhe prezantimi e vlerave tona nga shumë fusha të artit dhe të kulturës nga institucionet kulturore tek ne dhe funksioni i tyre në shërbim të kombëtares – shpeshherë bien ndesh në kuptimin e vlerave të cilat duhet të flasin me simboliken dhe frymën e vërtetë të një etnosi - për të mos ikur nga identiteti si rrjedhë e lashtësisë kombëtare, traditës kulturore dhe historike në kuptimin e evoluimit kultural dhe shoqëror.

Në këtë kuptim, disa dukuri të shprehjeve artistike në shumë raste pa shenja identifikimi kultural, sikur kanë hyrë në një rrugë qorre, rrugë nga e cila paraprakisht nuk kemi dijeni se ku do të na shpije? Shumë artistë, mendojnë se brenda natës do të shndërrohen në emra kuptimi të botës së artit, pa menduar se rrugëtimi për në panteon është mese i gjatë dhe deri atje arrin vetëm ata të cilët artin e tyre e nxjerrin nga rrënjët e veta. Improvizimet e shumta të veshura me shëmti ndër më të ndryshmet dhe surrogate kulturore; na bëjnë të mendojmë se kush jemi ne?!

Ne, të cilët nuk kemi asnjë të vetmen nevojë të stolisemi me pupla të huaja të pa shije dhe të pa vlera për kulturën dhe identitetin tonë, sepse krijimet me frymën e huaj vdesin shpejt, për faktin se ato nuk frymojnë me frymën tonë. Në këtë kuptim, nuk duhet të krijojmë larpurlartizëm, devizë franceze, sipas së cilës krijohet dhe zhvillohet arti vetëm sa për të qenë art dhe i mohohej atij çdo funksion shoqërorë “L`art pour l`art”(art sa për të qenë). Duhet të kuptojmë: se arti dhe kultura janë pjesë të veçuara dhe të pandashme në cilësinë e vlerave dhe pjesë e rëndësishme e kreativitetit individual në gjerdanin kulturor, komunikimit ndërnjerëzor dhe imazhit të një shoqërie me traditë, shkruan Remzi Limani.

Nëse e kuptojmë kështu – artisti dhe krijimtaria e tij e cila në vetvete ngërthen të bukuren universale, duhet ta kuptoj dhe ta perceptojë me rrjedhat shoqërore nëpër kohë e hapësirë dhe, përveç paraqitjes së vlerave universale duhet konceptuar edhe vlerat artistike së bashku me dukuritë shoqërore, si vlera të kohës dhe si pjesë të së vërtetës nëpër kohë, duke reaguar në forma artistike dhe shprehje të ndryshme të dala si produkte të kohës, qofshin ato pozitive apo negative. Në këtë kuptim, artisti apo krijuesi – nuk duhet ta plasojnë vetëm të bukurën si simbol i artistikes universale; arti duhet të jetë edhe në funksion të së shëmtuarës, duke e veshur me artistiken si qasje dhe kuptim filozofik, ngase edhe shëmtia e një shoqërie mund të shërbej si porosi: se çdo gjë mund të ndryshoj nëse ndryshojmë vet ne – se çdo gjë që ndryshon rreth nesh dhe brena nesh, ndryshon ngase vet ne kemi ndryshuar në favor të së mirës duke e mbuluar shëmtinë me të mirën njerëzore dhe me të bukuren artistike.

Kështu luftohet e keqja me të bukurën dhe njerëzoren, duke e kuptuar dhe konceptuar shoqërinë si rrjedhë e së mirës dhe e së keqes, me tendencë për t`u shndërruar në një shoqëri polivalente me aftësi për t`i krijuar dhe prezantuar vlerat e duhura të një populli indigjen, ngase, arti dhe kultura janë shtyllat kryesore e një etnosi i cili mëton të ecën drejtë njohjeve të reja të identitetin së bashku me të vërtetën e tij mbi traditën, artin dhe kulturën - pa u lënë hapësirë të tjerëve të shtrembërojnë të vërtetën tonë - siç ndodhi shekuj me radhë, duke e ngulfatur të vërtetën tonë historike dhe kulturën si pjesë e vlerave të një populli më të vjetrin në Gadishullin Ballkanik.

Prandaj, ministritë relevante, institucionet profesionale të artit dhe të kulturës, duhet të marrin obligim parësor në gjetjen dhe sensibilizimin e pakontestueshëm të vlerave të mirëfillta artistike nga fushat e arteve dhe të kulturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat