Planifikimi i familjes e drejtë njerëzore

Opinione

Planifikimi i familjes e drejtë njerëzore

Nga: Dr.sc. Sami Behrami Më: 11 korrik 2018 Në ora: 12:28
Dr.sc. Sami Behrami, gjeograf- demograf

Sot është 11 korriku, 29 vjetori i shënimit të Ditës Botërore e Popullsisë. Sikur edhe viteve tjera edhe këtë vit dita botërore e popullsisë organizohet me qëllim të sensibilizimit të opinionit të gjerë ne lidhje me: vëmendjen në urgjencën dhe rëndësinë e çështjeve të popullsisë dhe zhvillimet e problemet demografike me të cilin ballafaqohet shoqëria njerëzore por edhe pasojat nga këto zhvillime. Me mbështetjen e Fondit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara (UNFPA), qeveritë, organizatat joqeveritare, institucionet dhe individët organizojnë aktivitete të ndryshme edukative për të shënuar këtë ngjarjen vjetore.

Sot është 11 korriku- Dita Botërore e Popullsisë e cila shënohet për çdo që nga viti 1989.  Këtë datë  Këshilli Drejtues i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, e shpallen si Ditën Botërore të Popullsisë i inspiruar nga interesimi i madh i të gjitha qarqeve (shkencore e jo shkencore) me rastin e lindjes së “ banorit të pesë miliard të planetit” që llogaritet të ketë lindur me 11 korrikut të vitit 1987 në Zagreb.  Sikur edhe viteve të kaluara Kombet e Bashkuara kanë përcaktuar temën e Ditës Botërore të Popullsisë e cila këtë vite është- Planifikimi i familjes e drejtë njerëzore.

Për çdo vit Dita Botërore e Popullsisë shënohet me një temë të veçantë e që këtë vite është- Planifikimi familjar,  një e drejtë njerëzore. Fakti që planifikim i familjes dhe problematikat që lidhen me te ishin temat me të shpeshta të Ditës Botërore të Popullsisë që nga shënimi i parë, tregon se planifikim i familjes sikurse edhe planifikimi në të gjitha sektorët tjerë është një nder komponentat me të rëndësishme për zhvillimin ne përgjithësi dhe për zhvillimet e popullsisë në veçanti.

Tema e këtij viti korrespondon edhe me 50 vjetorin e konferencës së Tehranit, Konferenca Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut ( 1968) në te cilën për herë të parë  planifikimi familjar u konfirmua globalisht si një e drejtë njerëzore. Me këtë rast u miratuan edhe nëntë (9) standardet  për të mbështetur të drejtën e njeriut për planifikimin e familjes që ishin:

Mos diskriminimi- informacioni dhe shërbimet e planifikimit familjar nuk mund të kufizohen në bazë të racës, gjinisë, gjuhës, fesë, përkatësisë politike, origjinës kombëtare, moshës, statusit ekonomik, vendbanimit, statusit të aftësisë së kufizuar, statusit martesor, orientimit seksual ose identitetit gjinor .

Shërbimet në dispozicion: Vendet duhet të sigurojnë që mallrat dhe shërbimet e planifikimit familjar të jenë të arritshme për të gjithë.

Shërbimet të arritshme: Vendet duhet të sigurojnë që mallrat dhe shërbimet e planifikimit familjar të jenë të arritshme për të gjithë.

Sherbime te pranueshme: Shërbimet kontraceptive dhe informacioni duhet të sigurohen në mënyrë dinjitoze, duke respektuar etikën moderne mjekësore dhe kulturat e atyre që janë akomoduar.

Cilësia e mirë e: Informacioni i planifikimit familjar duhet të komunikohen në mënyrë të qartë dhe shkencërisht të sakta.

Vendim-marrja autonome: Çdo person duhet të jetë i autorizuar për të bërë zgjedhje riprodhuese me autonomi të plotë, pa presion, detyrim ose keqinterpretim.

Privatësia dhe konfidencialiteti: Të gjithë individët duhet të gëzojnë të drejtën e privatësisë kur kërkojnë informacion dhe shërbime për planifikimin familjar.

Pjesëmarrja: Vendet kanë detyrimin për të siguruar pjesëmarrjen aktive dhe të informuar të individëve në vendimet që i prekin ato, duke përfshirë çështjet shëndetësore.

Llogaridhënia: Sistemet shëndetësore, sistemet e arsimit, udhëheqësit dhe krijuesit e politikave duhet të jenë përgjegjës për njerëzit që i shërbejnë në të gjitha përpjekjet për të realizuar të drejtën e njeriut për plan.

Çfarë nënkupton planifikimi i familjes

Planifikimi familjar është një nga të drejtat themelore të njeriut të të gjithë individëve dhe çiftet për të vendosur lirisht për krijimin e një familje dhe lindjen e fëmijëve. Pra planifikimi i familjes është e drejta e individëve dhe çifteve që të informohen, të parashohin dhe vendosin lirshëm mbi numrin, shpeshtësinë dhe kohën në të cilën ata duan të kenë fëmijë.

Planifikimi i familjeve: u siguron çifteve lirinë e vendosjes dhe përgjegjësinë mbi numrin e dëshiruar të fëmijëve dhe intervalin kohor në mes tyre, u siguron informata mbi përdorimin dhe furnizimin me metoda të planifikimit të lindjes, përfshirë këtu edhe informatat mbi shërimin nga steriliteti që d.m.th. se nuk përpiqet për më shumë apo më pak fëmijë, por nënkupton ndryshimin dhe cilësinë e marrëdhënieve njerëzore dhe synon që në familje të vijë fëmija i dëshiruar dhe gruaja e cila është në marrëdhënie pune, të mos privohet nga amësia për shkak të obligimeve që ka në vendin e punë.

Në realitet,  planifikimit të familjes nuk  nënkupton vetëm lindshmëria (në rastin më të shpeshtë uljen e lindjeve) ose numri ideal i fëmijëve, as madhësia ideale e familjes por krijimi i raporteve të caktuara në shoqëri dhe familje e posaçërisht raportet në mes meshkujve dhe femrave, ndërsa qëllimi final pa dyshim që është emancipimi i femrës dhe pjesëmarrjen aktive e saj në familje dhe shoqëri.

Planifikimi i familjes ka ndikim pozitiv në jetën e femrave dhe meshkujve në shumë aspekte  duke: ofruar informacionet e nevojshme për krijimin e familjes, mundësi të barabarta gjinore në lidhje me edukimin seksual, zvogëlon vdekjen e nënës në lindje, zvogëlon vdekshmërinë e të sapolindurve, rrit jetëgjatësinë,  krijon një pasqyrë më të mirë për natyrën dhe mënyrën e përdorimit të kontraceptivëve, thekson rëndësinë e ekzaminimeve rutinë gjinekologjike, ofron programe të veçanta për çiftet e reja etj.

Edhe pse një nga të drejtat themelore të njeriut të të gjithë individëve dhe çiftet për të vendosur lirisht për krijimin e një familje dhe lindjen e fëmijëve, planifikimi i familjes në shumë raste u politizua dhe u përdor për arritjen e qëllimeve te caktuara në shumë raste edhe jo humane.

Mjafton të përmendet rasti Indisë, Kinës, Egjiptit dhe Pakistanit i ndërhyrjes, shkeljeve drastike dhe te keqpërdorimit të planifikimit te familjes në funksion të uljes së lindshmërisë. Kështu në Indi nga vitet e ’50 te shekullit te kaluar me qellim te pengimit te mbarësimit dhe lindjeve u organizuan 9 mijë klinik të cilat shpërndanin falas mjete kundër mbarësimit dhe 138 klinika për sterilizim falas të cilat si “rezultat” kishin sterilizimin e rreth 5 milion njerëzve dhe realizimin e mbi 6 milion aborteve në vit. Kina nga vitet e ’70 te shekullit te kaluar me politikat: martesat e vona, intervalet e gjata kohore në mes të lindjeve, një çift- një fëmijë ose ‘të nxiten qiftet që të kenë një fëmijë, ta kontrollojnë rreptësishtë lindjen e dytë dhe ta parandalojnë lindjen e tretë’ që është ne kundërshtim me parimet njerëzore të planifikimit te familjes duke e keqpërdorur planifikimin e familjes dhe shndërruar atë në mjet politik për arritjen e qëllimeve tjera anti njerëzore.

Edhe në Kosovë planifikim i familjes u përdor për qëllime neomaltusianiste nga qarqet e ndryshme të ish Jugosllavisë me qëllim të uljes se normës së lindshmërisë te shqiptaret dhe rritjes së normës te nacionalitetet tjera të cilat ishin pjesë përbërëse te saj edhe pse në rezolutën për planifikim të familjes të vitit 1969 theksohej se kjo rezolutë ka për qëllim që: “ të ju mundësoj prindërve që vet të vendosin për numrin e fëmijëve dhe intervalin në mes lindjeve, si një nga te drejtat dhe obligimet themelore të njeriut “. Gjithashtu një e drejt e tillë garantohej edhe me Kushtetutën e ish Jugosllavisë të vitit 1974 e cila në nenin 191 theksonte: “Është e drejtë e njeriut që lirisht të vendos për lindjen e fëmijëve. Kjo e drejt mund të kufizohem vetëm për  shkak të mbrojtjes të shëndetit’.

Por ne rastin e Kosovës jo vetëm që nuk u respektua por bëhej përpjekje që të intervenohej edhe në çështjet më intime të jetës nga frika e lindshmërisë të shqiptarëve. Në funksion të reduktimit të lindshmërisë të shqiptarëve qarqet te caktuara dëshironin që planifikimin e familjes ta reduktojnë në tekniken e kufizimit të lindshmërisë duke anashkaluar të gjitha çështjet tjera komplekse dhe shumëdimensionale që përfshinte planifikimi familjes.

Pas luftës së vitit 1999 në Kosovë nuk është se i është kushtuar vëmendje e merituar dhe pse Kosova ballafaqohet me trendë të përshpejtuara të uljes së lindshmërisë të cilat sipas regjistrimit të popullsisë 2011 nuk është e mjaftueshme as për ripërtëritjen e thjesht të popullsisë prandaj është momenti i fundit për angazhim më serioz të institucioneve në këtë drejtim.

Planifikimi i familjes në aspekt legjislativ në Kosovë është rregulluar me ligjin për shëndetin riprodhues  dhe ligjin e  shëndetësisë por të cilët si  shumë ligje tjera kanë zbatim minimal në praktikë. Sipas ligjit për shëndetin riprodhues në nenin 12 : Të gjithë individët dhe çiftet kanë të drejtë të informohen për rreziqe, edukim dhe komunikim të mbështetur në evidencë, zgjedhje të vullnetshme dhe që të përfitojnë nga përdorimi i mjeteve dhe i metodave të sigurta, të përballueshme dhe të pranueshme të planifikimit të familjes. Gjithashtu ligji përcakton edhe bartësit dhe detyrat për shërbimet këshillëdhënëse, obligimet e punëtoreve shëndetësor dhe social, institucionet informuese, metodat dhe mjetet për planifikimin e familjes, kontracepsionin, sterilizimin etj.

Fakti që planifikimi i familjes edhe nga ekspertet e kombeve të bashkuara konsiderohet si fuqizim i njerëzve (popullsisë) dhe e drejt njerëzore, atëherë është e nevojshme që planifikimit të familjes ti kushtohet vëmendje institucionale me qëllim të shmangies të pasojave nga zhvillimi stihik dhe i pa kontrolluar i këtij procesi.

Autori është doktor  i shkencave të gjeografisë- demografisë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat