Gjyqtari Gani Dizdari nuk ka shkue as në Teheran apo Tripoli, po në vendlindjen e tij, në Tropojë

Opinione

Gjyqtari Gani Dizdari nuk ka shkue as në Teheran apo Tripoli, po në vendlindjen e tij, në Tropojë

Nga: Ramiz Lushaj Më: 13 korrik 2018 Në ora: 07:48
Ramiz Lushaj

Gjyqtari mbi 69 vjeçar Gani Dizdari ishte i fundit ndër antarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë (ndër 9 gjyqtarët e fillimit, nga 6-të të marsit e tashti 3 të mbeturit të korrikut 2018) që hyri në ditën e sodit në rrjetën e peshkimit “Veting” dhe, pas tre ditësh, më 16 korrik, ka me e marrë vendimin final nga e përfoluna si “gijotinë” juridike e politike.

Ndoshta i randë cilësimi “rrjetë peshkimi” po i tillë po më përnget ky Vetingu, pasi aty po mbledhin e përzgjedhin gjithçka iu bien valë e ulluqe gjithfarësh juridike e politike (e nganjëherë dhe antikombëtare) të ditës e të kohës. S’ka si të ndodhin ndryshe kur jepen të tilla akuza absurd antikombëtare: “Duke iu referuar sistemit TIMS Komisioni tha se gjyqtari Dizdari ka kaluar disa herë kufirin shtetëror në automjetin e nipit të tij”.

Shqipëria Londineze e kufijve të padrejtë të 1913-tës, dhe, tashti,  në vitin 2018, mbi 105 vite nga Shpallja e Pavarësisë në Vlorë e mbi 10 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë në Prishtinë, e quan ende “kalim të kufirit shtetëror” shkuarjen e Tropojanëve në Tropojën e vet (!) Kjo për faktin se, ne – Tropojanët, udhëtojmë përgjatë “Rrugës së Kombit”, i biem pak rrotull, por ma shkurt e ma mire, kah lugina e Morinit në Kukës e Qafa e Morinës në Tropojë, tue kalue nëpër komunat e mëdha Prizren e Gjakovë të Kosovës. Mbi 80 për qind e Tropojanëve e ndjekim në vajtje-ardhje këtë linjë udhëtimi me transportin e tyre me “mikrobuzët e liçensuar” nga shteti të linjës së përditshme Tiranë-Tropojë, me veturat apo kamionët e tyre.

Pra, gjyqtari i Kushtetueses Gani Dizdari do të gjykohet dhe për faktin se ka shkue në vendlindjen e tij në Tropojë, tek aroma e tokës së babës në Berbat (Shkëlzen), tek qyteti alpin i Bajramcurrit ku nisi 46 vjet ma herët udhën e drejtësisë, tek të afërmit e shoqnia e tij për një dekë apo dasmë. Kjo përndjekje e ky persekutim ndodh ndaj të gjithë atyne Tropojanëve në Shqipëri që punojnë në sistemin e Drejtësisë (gjyqtarë e prokurorë), në Ministrinë e Brendshme e Ministrinë e Jashtme, në SHIK, etj. A mund të akuzohet kush për një akt të tillë kaq të fismë?! Askush në botë. Sigurisht, as Vetingu ynë shqiptar tek “rasti Dizdari”, anipse më përngjason si i  prejardhun prej 24 majit 1944 apo disi i keqdalun nga 22 maji 2017?!

Gjithkush, aq ma tepër dhe Vetingu, duhet me e ditë hollë e me e kuptue qartë se gjyqtari Kushtetues  Gani Dizdari, nuk ka shkue as në Teheranin e Khameneit – Liderit Suprem të Iranit dhe as në Tripolin e Gadafit të përmbysun nga pushteti i tij diktatorial e kundërperëndimor, po ka shkue në Tropojën e Haxhi Zekës e Bajram Currit, të Sali Berishës e Azem Hajdarit, në vendlindjen e vet.

Natyrisht parashihet se gjyqtari veteran i Drejtësisë Shqiptare, Gani Dizdari i Prokurorisë së Përgjithshme,  i  Gjykatës së Lartë, i Gjykatës Kushtetuese, po sulmohet dhe për faktin e njohur se është “Tropojan e Alpeve Shqiptare” e aq ma tepër një tropojan fort i mirë, e lartësisht i shquar. Pra, themi se dhe në kësi rasti kemi të bëjmë me një luftë bio-politike… Nuk është mëkat të jesh Tropojan, po është makutëri e pistë, e paskajshme, që ta sulmosh tjetrin, qoftë pak apo shumë, për shkak të origjinës së tij, pasi askush në këtë botë nuk mban përgjegjësi për vendin ku lind (Tropojë, Gjirokastër, Tiranë…), për kohën kur lind (komunizëm apo kapitalizëm), për prindrit që e sjellin në jetë (nëse janë të pasur apo të varfër, etj.).

Une nuk mund të jem avokat i gjyqtarit të lartë kushtetues Gani Dizdari, po në çdo rast e çast jam e mbetem avokat i vendlindjes time, Tropojës, sepse tue hesht edhe kur na gjykojnë për “kalim të kufirit shtetëror” ka me mbrri punë deri aty e atje sa me na cilësue sot apo nesër dhe “shkelës ligjor të kufirit”, “të arratisur…!”, “tradhtarë të Atdheut”, etj.” si në kohën e djehit, të komunizmit në rrethim, vetizolim…!

Tirana zyrtare, që dhe me “Veting” i keqgjykon kështu e kësisoj Tropojanët teksa udhëtojnë ligjërisht nepërmjet Kosovës në vendlindjen e vet, ma mirë le të marrin masa për të ngritur “urat” e Bashkimit Kombëtar  Shqiptar në mes Shqipërisë e Kosovës. Qoftë Tirana e qoftë Prishtina shpesh dalin me deklarata se do i heqim këto pika kontrolli rutinor në mes dy shteteve shqiptare e brenda Kombit Shqiptar, po kurrgja nuk po bahet, se gjithçka del në shitje e mbetet e magazinuar si propogandë e keqe, etj. ndaj, ende çdo Tropojani për të shkue e ardhë nga Tirana në Tropojë e nga Tropoja në Tiranë na duhet të kalojmë 8 (tetë) pika kufitare e doganore në Qafë Morinë të Tropojës e në Morinin e Kukësit, që i kanë ngritun dy shtetet shqiptare: Shqipëria dhe Kosova – në dy anët e kufinit shtetëror (!).

Deklarimi zyrtar publik i Komisionit të Vetingut thotë se “…gjyqtari Dizdari ka kaluar disa herë kufirin shtetëror në automjetin e nipit të tij”. Kjo përndjekje zyrtare politike i ka ndodh juristit Gani Dizdari edhe në kohën e komunizmit (1972-1990) kur ishte në Prokurorinë e Tropojës e në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë apo në Gjykatën e Lartë në Tiranë. Gani Dizdari, shpesh, kur shkonte tek motra e vet, te familja e shquar e Lumeshëve të Shipshanit të Tropojës,  e këshillonin e gjykonin se ata ishin “të  prekun” në biografinë politike. Kjo po i ndodh dhe sot, gjyqtarit  Kushtetues, Gani Dizdari, të cilin po e gjykon dhe po don me e penalizue se ka udhëtue shpesh në makinën e nipit të tij, djalit të motrës, me A. Lumeshin, për në vendlindjen e tyre, në Tropojë! Ky fakt i cekun kësisoj nga Vetingu më duket si të ishte “gijotinë” juridike e politike, e ndoshta si ato “gjyqet speciale” të pasluftës, kur po rrenjëzohej  sistemi komunist në Shqipëri. A thue po shkojmë aty ku ishim…, tek 1944-ta, 1974-a, 1990-a apo kemi të bajmë me një “luftë klasash” të re, moderne, etj.?!

Kurrkush nuk ka të drejtë morale, juridike, politike e historike për me i përndjekë apo gjykue Tropojanët e institucioneve të lartcekuna “për kalim të kufirit shtetëror” e yçka e pyka të tilla, sepse Tropoja (Malësia e Gjakovës) ka dhanë nga Lidhja e Prizrenit deri tek Lufta e fundit e Kosovës mbi 600 heronj e dëshmorë për mos me pasë të tillë kufinj shtetëror ndërveti, për të mbrri Bashkimin Kombëtar të Shqiptarëve. Tropoja ka numrin ma të madh të dëshmorëve në Shqipëri për frymë të popullsisë për të mos mbet’ Malësia e Gjakovës pa Gjakovën dhe Gjakova pa Malësinë e saj, për të mos u gjykue kështu e kësisoj për “kalim të kufirit shtetëror” nga Shteti i vet!

E, sigurisht, as gjyqtarin e lartë Gani Dizdari nuk duhet e nuk mundet me e gjykue e linçue me shkresa e “shkesa” as Vetingu te Rruga e Kavajës në Tiranë pse shkon në vendlindjen e tij, në Tropojë, pasi as kulla e tij hotjane në Tropojë nuk i ka njoft ndonjëherë kufijtë e vendosur nga Të Tjerët ndaj Nesh, as më 1878, as më 1913 e më 1919, as më 1944, as më 1999 apo 2008. Përkundrazi, kanë derdh gjak të parët e tij hotjanë nga Berbati (Shkëlzeni) i Tropojës si në Moraçë  në afri të Podgoricës dhe në krahinën e Plavë-Gucisë (sot nën Malin e Zi); në Gjakovë, Pejë, etj. të Kosovës; në Shipshan e Kërrnajë të Malësisë së Gjakovës (Shqipëri) e deri tek dëshmori ma i ri Mehmet Ram Dizdari i vrarë heroikisht më 1998 në luftë me ushtrinë serbe te Rrasa e Zogut në Kosovë teksa punonte e luftonte për thyemjen e Kufinit Shqipëri-Kosovë. Po, atëherit, çka është ky “kufi” në memorien e ndërgjegjen qytetare e kombëtare të Vetingut të Tiranës, në veprimtarinë e tij hetimore, juridike e politike, si dhe në qendrime e veprime të këtilla të Shtetit Shqiptar?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat