Tërmeti i fundit dhe Kalaja e Skënderbeut

Opinione

Tërmeti i fundit dhe Kalaja e Skënderbeut

Ndue Dedaj Nga Ndue Dedaj Më 16 korrik 2018 Në ora: 11:45
Kalaja e Skënderbeut

520 lëkundje tërmeti përshkuan javën e parë të korrikut nëntokën e Durrësit, Krujës e deri lart në Kurbin. Një epiqendër e tij ishte dhe Gjiri i Lalzit. Ishte e kuptueshme që të vraponin drejt vendit të begatë të Adriatikut njerëzit që vitet e fundit kanë ngritur aty “perandorinë” e re të vilave të pushimit, por nuk ka asnjë lajm nëse ndonjë grup i Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Manumenteve të Kulturës të ketë nxituar drejt Kepit të Rodonit, pak kilometra më në veri, për të parë nëse ka pësuar dëmtime Kalaja e Skënderbeut në breg të detit. Në Shqipëri me sa duket një vrojtim i tillë nuk është detyrim ligjor e as ndjesi qytetare. E, pra, trashëgimia kulturore, në një kohë të tillë vërshimesh turistike, po dhe në kuadrin e globalizmit, nuk është vetëm e shkuar, por dhe e sotme dhe e ardhme. Aq më tepër që këtë vit kjo kala është me “shenj”.

Kalatë zakonisht janë në male, por ka kalatë e veta dhe fusha e deti. Kalaja e Ulqinit, Kalaja e Kaninës në Vlorë, Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit në det. Nuk mund ta kaptosh mirëfilli nëse kështjella u ndërtua ashtu si një liman krejt “ngjitur” me detin, apo ajo ngrehinë ishte ca më lart dhe ky i fundit erdhi duke u ngritur sa të futej brenda saj. Ajo që shihet sot është se dallgët e Adriatikut vijnë e përplasën në muret e gurta, e megjithatë fortesa impozante ka mbijetuar, sado që në det tash “noton” një pjesë muri, mbase një ish-kullë vrojtimi, çka tregon se deti ka përlarë jo pak nga mjediset e kalasë.

Mund të mos shkelësh në të gjitha adresat historike të Heroit Kombëtar, por kurrësesi nuk mund të mungosh këtu, qoftë dhe të meditosh para këtyre mureve të lashta kështjellore, të shkrepësh apararin fotografik e të hedhësh në bllokun e shënimeve ato fjalë që kujtesa popullore ende nuk i ka bjerrë plotësisht, duke i ballafaquar me të dhënat që dalin nga literatura e burimet dokumentare, për të përcjellë te lexuesi gjendjen e sotme të këtij monumneti skënderbegian. Një kala dhe një kishë, të dyja në emrin e Skënderbeut, monumente të rëndësishme kulturore, identitare, që tërheqin përditë e më shumë vizitorë të vendit dhe të huaj. Deri te kisha e Shna Ndoit shkon rruga e makinës, kurse për të zbritur te kalaja në fundin e kodrës gadishullore të Kepit të Rodonit, duhet të ecësh në këmbë nja një mijë metra, ku në faqen nga deti gërryerjet kanë krijuar një hon të madh e të frikshëm.

Image

Para se të themi ca fjalë për kalanë e rrallë, ia vlen të shkruash se Kepi i Rodonit, para tridhjetë vitesh nuk ishte asgjë më tepër se një masiv kodrinor i gjelbëruar, ku lartësohej fanari i Adriatikut, që iu jepte sinjal anijeve në det të hapur se nga binte porti ku do të ankoroheshin. Në shpatin e malit sipër ishte dhe një “mozaik” i pazakontë bunkerësh të dubluar dhe tunelesh, dëshmi e luftës së ftohtë. Edhe pse në këto brigje kishte ngjarë 7 prilli i vitit 1939, nuk mund të kishte përligjie blindimi asisoj i Rodonit dhe i gjithë vijës bregdetare, duke “mbjellur” bunkerë gjer në lulishtet e Durrësit, Vlorës, Sarandës, Shëngjinit, Velipojës etj. Flota e Gjashtë Amerikane, që endej në ujërat e Mesdheut, kishte hyrë në rapsoditë e kohës dhe përfytyrohej si një baloz i zi, që nga çasti në çast mund të sulmonte nga deti i Gjergj Elez Alisë. Teksa fortesa e Skënderbeut sogjetonte nga bedenat e historisë kotësinë e atyre bunkerëve të ftohtë e uniformë. Është shkruar sa herë për këtë bllok gjigandoman fortesash të panevojshme superbetoni, që jo vetëm i kanë kushtuar ekonomisë së varfër shqiptare të “socializmit”, por dhe e kanë degraduar mjedisin natyror e turistik.

Kur vrojton kala të tilla të vjetra, të përkryera në të gjitha drejtimet, nuk mund të mos befasohesh me gjeninë e paraardhësve tanë, si shtetarë vizionarë, strategë ushtarakë të zot, ndërtues plot fantazi etj. Kepi i Rodonit është një rrip toke si një trekëndësh që depërton në brendësi të Adriatikut, sa për të bërë vend për kalanë dhe manastiret e tij. Në anën jugore janë Currilat e Durrësit, kurse në anën e sipërme derdhet lumi i Ishmit, që i ka dhënë dhe emrin pellgut përreth. Nuk ka sesi mos të tërheqë vëmendjen ky emër. Studiuesit kujtohen për një emër të ngjashëm nga mitologjia shqiptare, që është ai i Redonit, hyut ilirian të detit. A është Redoni - perëndi, i njëjtë me Rodonin - tokë? Po, thonë arkeologët. Për Moikom Zeqon, Redoni ka qenë perëndia kryesore zyrtare e shtetit Ilir dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit ilir Gent.

Image

Rajoni piktoresk plot kodra të valëzuara, prej njëzet kilometrash nga Maminasi në Gjirin e Lalëzit, është në urbanizim e sipër me rrugë të asfaltuara, resorte turistike, vila të shumta të banorëve në trojet e tyre, si dhe blloku i shtëpive të reja të pushimit të kryeqytetasve, durrësakëve e të tjerë, nën hijen e pishave shtathedhura të mbjella aty nga vitet ‘70. Edhe me tepër sharm do të marrë kjo anë e Adriatikut kur të përshkohet nga segmenti i autostradës që do të shmanget nga Thumana për në Durrës. Atëherë kalaja dhe kisha e Rodonit do të dalin më në pah, duke u bërë dhe më shumë atraksion peligrinazhi kulturor dhe fetar. Sipas gjasëve andej kalonte dhe rruga e vjetër e Skënderbeut, nga Kruja në Thumanë e pastaj në Rodon, ku duhet të ketë qenë rezidenca e tij verore. Gjon Kastrioti duke dashur që të kishte një dalje të afërt në det, ringriti kështjellën që mori emrin e tij. “Kalaja filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë rreth vitit 1452. Kristo Frashëri shkruan se në bregdet shteti i Skënderbeut kishte dy skela me mure të fortifikuara (kala), njëra skela e përmendur e Kepit të Rodonit afër derdhjes së lumit Ishëm dhe tjetra skela e Kepit të Lagjit, në gjuhëzën bregdetare përballë qytetit të Durrësit. Në vitin 1500 kalaja u pushtua nga Venediku dhe u bënë përpjekje për rindërtimin e saj. Aty ka qendruar dhe Skënderbeu i Ri, nipi i heroit kombëtar, pas prishjes me venedikasit, që kishin filluar manovrimet e paqes me Stambollin.

Dhe burimet historike nuk shterrojnë për këtë kala...

Image

“Viti i Skënderbeut” nuk ka kaluar pa lënë gjurmën e vet këtu, është një gur si obelisk i vendosur me 6 maj 2018 nga arbëreshët e disa komunave të Italisë, si Santa Sofia D’Epiro, Piana Degli Albanesi, San Bennedetto Ullano, San Marzano Di San Giuseppe, San Giorgio Albanese, Cerzeto, Frascineto, Acquaformoso. Në pllakën e mermertë shkruhet: “Për kujtim të Gjergj Kastrotës Skanderbekut, në 550 vjetët e vdekjes. Nëpërmjet figurës së tij si trim i math dhe burrë i nderuar, që ruajti mirë atdheun dhe besimin tonë, i thirrur “Atlet i Krishtit”, mbajeni të gjallë e kryelartë gjuhën tonë e rrënjët tona”.

...Atë mesditë të nxehtë qershori, së bashku me David Carën, zbritëm lehtësisht teposhtes këmbësore nën ullinj, pastruar nga ferrat. Por nuk kemi lajme se ç’ndodhi pas tërmetit, shkuan apo jo te Kalaja e Skënderbeut njerëzit e monumenteve? Por dhe te ajo e Prezës, Krujës etj. Mendoni për një çast se si do të kishin gjëmuar mediat për ditë të tëra, nëse ajo kala do të ishte vila e Presidentit apo Kryeministrit në Gjirin e Lalzit? Por është “vila” e Skënderbeut dhe e historisë, që zor se e shkund udhëheqësinë e sotme nga deliri i saj dhe kullat shumëkatshe të kryeqytetit, që i kanë kërcyer përsipër dhe Teatrit Kombëtar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat