Prishtina

Opinione

Prishtina

Gazmend Badivuku Nga Gazmend Badivuku Më 17 korrik 2018 Në ora: 14:58
Prishtina

...ishte qytet që po merrte hov në kulturë, arsim, mjekësi, ekonomi, industri, etj. Prishtina Kryeqyteti i KSAK-ut në muajin Qershor '78 shkëlqente nga rrezet që mbulonin çdo pëllëmb të tokës. Si shumica e moshatarëve 17 vjeçar i motivuar nga filmat, romanet dhe me një elan rinorë kaloja kohën e lirë në shetitje dhe njohje me qytetin. Në lagje të ndryshme nga të fortit rastiste edhe shikim nën vetullë dhe t'mrroltë, por kjo nuk ishte ndonjë pengesë në synimin tim.

...ardhacakët e ndjejnë mirë shikimin dyshues dhe indiferencën nga banorët vendas të cilët me ngulm ruanin qetësinë, rahatin, ritmin dhe rutinën e fituar me vite. 

Por këtë rehati të vendasve me shpejtësi e ndërronin bankierët, zyrtarët dhe punëtorët që në numër të madh punësoheshin në fabrikat e qytetit, si në 'Fazita', 'Amortizatorët', 'Tjertore', 'Tjegullore', 'Energoinvest,' KNI 'R.Sadiku', 'Termocentrale', në 'RTP', 'Rilindja', 'Teatër, Spital, në administratën e Këshillit Krahinorë si dhe institucione tjera. 

Për mua e veçanta e qytetit ishin emrat e lagjeve të vjetra që dëshmonin trashëgimin nga perandoria osmane kurse emërtimet e reja ishin konform rendit dhe sistemit të kohës.

Pjesën e vjetër të qytetit e përbënin lagjet që kishin trashëgu emërtimet qysh nga koha e perandorisë osmane si: Divanjoll, Tophane, Xhamija e Qarshisë, Sahat Kulla, Shadërvan, Çeklik, Taslixhe, 4Lule, Kacallarë, Taukbahçe, Muhaxher Mahalla, Aktash etj...

Familjet vendase të njohura ishin : Haxhiagushi, Gafurri, Galimuna, Karabeg, Hydaverdi, Eminxhik, Zajmi, Begu, Hyniler, Burgija, Deri, Partesh, Koxhadish, Mujko, Tajgar, Janjevali, Begoll, Devexhi, Mumxhi, Keqi, Safqi, Straja, Siqani, Staka, Shahini, Shehu, Dobranja, Domanik, Rrmoku, Krasniqi, Hoxha si dhe familjet e fiseve, Berisha, Gashi, Hoti, etj.

...ishte e përsëritshme dukuria e vërshimeve në stinën e pranverës dhe vjeshtës kur prrockat (reka sipas vendasve) Prishtevka dhe Vellusha pas rreshjeve të rrëmbyeshëm vërshonin avlijt e shtëpive dhe lenin pas në xhadet e shtruar me kalldërme mbeturinat e ndryshme. Pas vërshimit uji tërhiqej në shtrat kurse pinjollët merakli pas konstatimit që duvaret (muret) janë ter' të njejtat i gëlqerosnin dhe sërisht ja kthenin shkëlqimin. Nga muret e gëlqerosura në lagjet e ndryshme dallohej edhe struktura e banorëve. Ditëve të verës koha e pasditës kishte ceremoninë e zakonshme, me ç'rast familjet shumëantarëshe bashkohenin dhe nën flladin e asmës (rrushit) pinin çaj nga semaveri shpeshherë të servuar me llokuma.

Kishte shtëpi të vjetra të familjeve fisnike të ndërtuara në stilin osman, me kopshte të bukura me trupa të pemve ku nga hyrja ndjehej aroma e kandshme nga behari i qershive dhe luleve menekshe, zambakëve, trandafileve, hanëmeli...

Familjet qytetare ditëve të fundjavës dhe festave të kohës i kalonin në parkun e Gërmisë, aty ku loja e fëmijve nuk kishte të ndalur kurse gjinia e bukur me marifet palonin renet e harxhit të specialitetit, flisë nën tingujt e muzikës popullore. 

Pjesa e re e qytetit shtrihej nga lokacioni i Këshillit Ekzekutiv (sot Kuvendi) në drejtim të Radio Prishtinës, Mikrokolonisë (sot PTK), Dardania, Ulpiana, Bregu i Diellit dhe Lakrishtja që çdo ditë e më shumë populloheshin nga qytetarët e komunave të ndryshme të Kosovës që punësoheshin në institucionet e ndryshme të Krahinës.

Vitet '78 në Prishtinë ishin vitet e përmirësimit të cilësisë në arsim, edukim dhe informim që rrënjësisht ndikuan në ngritjen e vetëdijes shoqërore në të gjithë sferat. 

Do përmendi disa nga emrat meritor që dhanë gjatë karrierës maksimumin në shkencë, kulturë, art..

Profesorët: Idriz Ajeti, Esad Mekuli, Anton Çetta, Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Rexhep Qosja, Ali Hadri, Bardhyl Qaushi, Ramiz Kelmendi, Ali Podrimja, Rifat Kukaj, Mirko Gashi, Qamil Batalli, Hajredin Hoxha, Ymer Jaka, Minir Dushi, Nexhat Orana, Menduh Begolli, Hysen Muhaxhiri, Esat Stavileci, Abdylhamit Adili, Hamdi Spahiu, Njazi Zylfiu...
Në fushën e mjekësisë njiheshin Dr. Xheladin Deda, Riza Binishi, Izedin Osmani, Gazmend Shaqiri, Musa Haxhiu, Skender Boshnjaku, Osman Imami, Faik Hima, Irfan Spahiu, Ymer Koçinaj, Muazez Karahoda, Sadete Mekuli, Ymer Dukagjini si dhe shumë emra të tjerë.

Nga fusha e artit emrat që shënuan vitet 70-ta në film dhe teatër ishin artistët : Abdurrahman Shala, Muharrem dhe Xhevat Qena, Istref dhe Faruk Begolli, Melihate Ajeti, Adem Mikullovci, Xhevat Qorraj, Ragip Logja, Shani Pallaska, Malo Gami, Xhevdet Lila, Hadi Shehu, Ali Ahmeti dhe shumë të tjerë. 

Nga kompozitorët dhe këngëtarët u shquan Rexho Mullaji, Rashid Krasniqi, Pranvera dhe Hysen Badivuku, Musa Piperku, Isak Muçolli, Reshat Randobrava, Akil Koci, Qamili i Vogël, Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Fahri dhe Myrvete Beqiri, Mark Kaçinari, Liliana Çavolli, Shaindere Bërlajolli, Esat Bicurri, Sabri Fejzullahu, Gazmend Pallaska, Haki Misini, Luan Hajra, Shpresa Gashi e shumë emra tjerë...

Qytetarëve Prishtinas i takon një falenderim dhe mirënjohje që me zemërgjërsi pranuan të ndajnë me ne natën dhe ditën, hanën dhe diellin, tokën dhe qiellin deri në realizimin e ëndrrave tona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat