Diasporë apo Mërgatë vs Auslander apo Schatz?!

Opinione

Diasporë apo Mërgatë vs Auslander apo Schatz?!

Nga: Premtim Fazliu Më: 19 korrik 2018 Në ora: 12:38
Premtim Fazliu

Tashmë, në sezonën verore dhe jo vetëm, Kosova vërshohet nga vizitat e pafundme të bashkatdhetarëve tanë, që jetojnë gjetiu nëpër botë.

Në këtë periudhë të përvjetshme, konstant me ngritjen e disponimit dhe ç’mallimin ndërnjerëzor dhe familjar, gjithnjë e më shumë vihet në shprehje tendenca ‘e pashmangshme’ për të bërë diferencime mes nesh.

Diferencimet ndërkulturore i kemi hasur historikisht. Jo vetëm ne si shqiptarë, por globalisht. Raste të ndjeshme si rasti i bashkatdhetarëve tanë është mjaftueshëm interesant, dhe jolehtësisht i kuptueshëm. Është vështirë të qartësohet në aspektin social dhe gjuhësor se pse bëjmë ndasi.

Jo të gjithë e bëjmë diferencimin e terminologjive të cilat i përdorim për ta përshkruar me saktësi emigrimin e bashkatdhetarëve tanë. Sigurisht se, dikush mund të thotë se çka ka rëndësi se me çfarë terme i quajmë familjarët tanë, të cilët jetojnë anë e kënd botës.

Patjetër se, ndërmjet pikëtpyetjeve Diasporë apo Mërgatë dhe Auslander apo Schatz-i, domosdoshmërisht se kjo e dyta është larg më sensitive.

Të fillojmë nga e para; Fjala Diasporë fillimisht është përdorur si fjalë greke, e që me kalimin e kohës, ajo ka kaluar nëpër gjuhë të ndryshme, si dhe në literaturat fetare, specifikisht, në kohën kur është bërë shpërnngulja masive e hebrenjve nga vendi i tyre (Izraeli). Pas vitit 1909, françezët ishin ata që i dhanë jehonë këtij termi, që përshkruante shpërndarjen e një etnie nga vendi amë i tyre. Kjo fjalë, tashmë përdoret edhe në gjuhën e unisuar shqipe të vitit 2006, e cila nënkupton “Shpërngulje e një grupi të një etnie a të një kombi dhe vendosja në një vend tjetër për të jetuar e për të punuar”.

E dyta: Fjala Mërgatë ose Mërgim në fjalorin e Gjuhës standarde shqipe do të thotë “Njerëzit që kanë emigruar në dhe të huaj”, e cila rrjedh nga fjala e vjetër latine “Mergere”, që do të thotë me u zhytë, e cila në fjalorin shqip është përshtatur në kuptimin që tashmë të gjithë e dimë.

Në aspektin gjuhësor, konsideroj se fjala e duhur në rastin e kosovarëve që kanë lënë atdheun e tyre për të punuar dhe jetuar në një vend tjetër është fjala Mërgim ose Mërgatë, me vetë faktin se dyndjet e shqiptarëve nuk kanë ndodhur të organizuara në grupe apo stratigjikisht të paramenduara, thjeshtë, ato ngjanin për shkaqe të kushteve të dobëta ekonomike dhe si pasojë e regresionit jugosllav, dhe si të tilla, ato ndodhnin sporadikisht, herë një individ e një ditë tjetër një tjetër individ, dhe tashmë pjesën tjetër të historisë, e dijmë që të gjithë.

Ajo çfarë e rëndon më shumë faktin e ‘përqarjes’ ndërshqiptarë, veçanërisht mes atyre që jetojnë në Kosovë/Shqipëri dhe atyre në Mërgatë, është (keq)trajtimi që i bëhet atyre në vënien e emërtimeve nënçmuese siç janë; Auslander apo Schatz.

Fjala Ausländer rrjedh nga gjermanishtja e vjetër që ka kuptimin e “Shtetasve të huaj”, njësoj edhe fjala Schatz rrjedh poashtu nga gjermanishtja që do të thotë “Thesar, i/e dashur, etj”.

Në aspektin social dhe emocional, Auslander dhe Schatz në thellësi të vetë fjalës nuk ekzsiton ndonjë ofendim, përkundrazi tregon një përshkrim të historisë së një x apo y personi. Mirëpo, avaria tek ne është se, këto terme ne i përdorim me idenë e përuljes se bashkatdhetarëve tanë, të cilët pa ndonjë hezitim ose përtesë vijnë e vizitojnë vendin e tyre, ku edhe deponojnë miliona euro, qoftë për të ndihmuar familjarët e tyre, qoftë për nevojat e tyre personale. Sidoqoftë, ato para derdhen në Kosovë, dhe pashmangshëm ndikojnë në ekonominë vendore, me theks të veçantë, në mirëqenien familjare dhe në bizneset e vogla dhe të mesme.

Për ironi të vetë fjalës “Schatz”, ne padashje nënkuptojmë se thesari i vertetë i Kosovës është vetë Mërgata, për të cilën, ditë e më shumë jemi mosmirënjohës.

Prandaj, të dashur bashkatdhetarë, kini konsideratën e juaj karrshi mënyrës se si ne “venalitë” ju quajmë, vazhdoni të kontriboni për Kosovën, por, ndaloni pritjet për falemnderime dhe mirënjohje nga vetë ne, sepse fundja, kontribimi për atdhe është obligim njerëzor dhe moral i gjithsecilit prej nesh, pa marrë parasysh se ku dhe si jetojmë.

Sigurisht se unë personalisht, dhe besoj se edhe shumë të tjerë që po e lexojnë këtë shkrim, të gjithë ju duam dhe ju pranojmë ashtu siç jeni/jemi. Gëzohemi kur ju shohim të vini në Kosovë, dhe patjetër se një ditë shpresojmë se me liberalizimin e vizave do mund të ju vizitojmë dhe ne juve atje ku jetoni, të përjetojmë si qenka të jesh auslander apo schatz, gjë që shumica dërrmuese prej nesh do donim të ishim të tillë, mirëpo në pamundësi të kësaj, do të vazhdojmë që me ironi të ju përqeshim.

Alles gute fur Sie!, Ti auguriamo tutto il meglio!, Je vous souhaite le meilleur!, Wish you all the best! Ju urojmë çdo të mirë!

Shihemi së shpejti,

Me mall e respekt, 
Unë, Premtimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat