Marrëveshjet e Maqedonisë me shtetet fqinje, stabiliteti dhe perspektiva evropiane

Opinione

Marrëveshjet e Maqedonisë me shtetet fqinje, stabiliteti dhe perspektiva evropiane

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 23 korrik 2018 Në ora: 15:32
Abdulla Mehmeti

Ndërkohë që mes disa qarqeve të ndryshme jashtë Maqedonisë, sigurisht me ndonjë mbështetje të zbehtë edhe brenda vendit, ende nuk kanë pushuar projektet e fshehta, planet dhe ëndrrat për ndarjen Maqedonisë së mbetur, pas copëtimit dhe ndarjes së mëhershme të saj, të rajonit gjeografik më të gjerë me po këtë emër, sidomos me Marrëveshjen e Bukureshtit (1913), siç thuhet përmes deklaratave të hapura të disa qarqeve politike dhe intelektuale në Bullgari, për krijimin e shtetit të dytë bullgar në Maqedoni, si ,,Bullgaria Jugperëndimore”; si shteti dytë serb, apo ,,Maqedonia e Vardarit” ose ,,Serbia Jugore”, sipas qarqeve të ndryshme politike dhe intelektuale në Serbi; si shtet i tretë shqiptar, apo ,,Shqipëria Lindore” ose ,,Republika e Iliridës”, sipas disa qarqeve politike dhe intelektuale shqiptare; si shteti i dytë grek me çfarëdo emri të ri të këtij shteti, përveç me emrin Maqedoni, sipas qarqeve të ndryshme në Greqi. 

Rrethanat historike i kanë detyruar banorët vendës në Maqedoni të jetojnë në një shtet të përbashkët, ta ndërtojnë dhe ruajnë atë edhe më tej, me të vetmin kusht që ky të jetë një shtet demokratik dhe modern, me orientim evropian dhe i integruar në strukturat globale, NATO dhe BE, si dhe me aspirata për hapjen e perspektivave të reja bashkë me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, ku secili qytetar i vendit, sidomos pjesëtarët e dy popujve shumicë, shqiptarët dhe maqedonasit, do ta ruajnë identitetin dhe veçoritë e tyre kombëtare në frymën e konventave ndërkombëtare dhe të traditave pozitive, në lirë, paqe e mirëbesim mes tyre.

Ndërkohë, sot e as në të ardhmen nuk mund t'u mohohet e drejta historianëve dhe studiuesve të tjerë ta thonë përherë të vërtetën për të kaluarën e këtij shteti dhe të rajonit në përgjithësi, për historinë e popujve të tij të bazuar në fakte dhe burime relevante historike e shkencore, jo në fakte e dëshmi të falsifikara siç ka ndodhur deri më sot.

Me këtë rast duhet pasur parasysh se, detyra e faktorëve politikë të sotëm nuk është t’ia bëjnë gjyqin historisë së këtij shteti, por ta ruajnë dhe ndërtojnë atë përmes kompromiseve të nevojshme, me mbështetje të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, për të siguruar perspektivë të qartë dhe të ardhme më të mirë e të sigurt të shtetit të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.

Shqiptarët në Maqedoni e kanë dëshmuar deri më sot se janë për ndryshime pozitive në shtetin e Maqedonisë dhe në rajon, për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes shteteve fqinje të trashëguara nga e kaluara, sidomos për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, për perspektivë të përbashkët evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, me këtë edhe për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, mes Greqisë dhe Maqedonisë, për ndryshimin e emrit të shtetit.

Por, mbajtja e referendumit dhe ndryshimet e domosdoshme të kushtetutës së shtetit në këtë frymë, nuk duhet t’i rehatojnë sidomos shqiptarët, symbyllur të mendojnë se kanë përfunduar kohët e planeve dhe marrëveshjeve të fshehta në dëm të interesave të shqiptarëve në Maqedoni dhe rajon. Për aq më tepër, nuk mund të pritet nga një klasë politike e kapur, e zhytur në korrupsion dhe krime, të sigurohet ndonjë zgjidhje e drejtë dhe afatgjatë siç e imponojnë rrethanat e reja.

Koncepti i derisotëm i shtetit, i betonuar me Kushtetutën e derisotme të Maqedonisë (1991, 2001), nuk arriti të ndryshohet edhe me Marrëveshen e Ohrit më 2001, as me Deklaratën e partive politike shqiptare parlamentare (2017), që shteti i Maqedonisë ta reflektojë realitetin historik, etnik dhe konfesional të vendit.

Është tepër vështirë, por jo e pamundur, shqiptarët kësaj radhe të mobilizohen si asnjëherë më parë, atë që synon faktori ndërkombëtar ta arrijë përmes Marrëveshjes së Prespës, të mos gjenerojë probleme të reja të brendshme në të ardhmen, por zgjidhja të fokusohet në ndërtimin e një shteti të përbashkët të shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve, me konceptin e një shteti demokratik dhe modern, me orientim evropian, por pa euforinë tonë tradicionale, se ky shtet dhe rajoni në përgjithësi mund të tranformohet kaq shpejtë dhe lehtë nga një „fuçi baroti“ në „oazë të paqes“.

Republika e Maqedonisë Veriore mund të mbijetojë vetëm si shtet i përbashkët i maqedonasve, shqiptarëve dhe të tjerëve, qartë i definuar me preambulën dhe pjesën normative të kushtetutës së re të këtij shteti, e që tani është koha për këtë marrëveshje mes popujve shumicë të këtij shteti dhe grupeve etnike të tjera, pas marrëveshjeve të arritura më parë mes qeverisë së Maqedonisë dhe qeverive të dy shteteve fqinje të saj, Bullgarisë dhe Greqisë.

Nëse nuk arrihet një konsensus i brendshëm, nuk hapet debat i arsyeshëm dhe nuk arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, sidomos mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ku do të përfshihen edhe faktorë të tjerë shoqërorë përveç partive politike, rezultatet e referendumit edhe ndryshimet kushtetuese të radhës qeveria me përkrahjen e heshtur të faktorëve të jashtëm do të detyrohet t’i kalojë në mënyrë jotransparente dhe jodemokratike, me këtë duke i thelluar edhe tej problemet ekzistuese, të cilat nuk mund të zgjidhen duke i heshtur dhe mbuluar me formulime të paqarta kushtetuese e ligjore, por duke i zgjidhur ato me guxim, në rrugë demokratike e paqësore.

Çdokush duhet ta ketë të qartë se, shqiptarët në Maqedoni i kanë thënë Po, pa hamendje: 

- ekzistimit dhe ruajtjes së shtetit të përbashkët të Maqedonisë,

- ekzistimit të popullit maqedonas, siç e ndjejnë dhe deklarojnë identitetin e tyre banorët sllavë në këtë shtet, 

- marrëveshjeve me shtetet fqinje, për zgjidhjen e çështjes së emrit të shtetit me Greqinë, të identitetit, historisë, kulturës dhe gjuhës së popullit maqedonas, me Bullgarinë, si dhe

- integrimit pa kusht të këtij shteti në NATO dhe BE.  

Por, shqiptarët në Maqedoni kursesi nuk do të pajtohen me statusin juridik-kushtetues të pakicës, siç janë trajtuar deri më sot, por vetëm si popull shtetformues, i barabartë me popullin maqedonas, sepse janë populli i vetëm autokton në territorin e këtij shteti, përbëjnë shumicë të konsiderueshme në numrin e përgjithshëm të popullsisë, kanë kontribuar në krijimin dhe ndërtimin e këtij shteti të përbashkët dhe në asnjë mënyrë nuk e rrezikojnë identitetin e popullit maqedonas dhe të tjerëve, të mohuar deri më sot nga shtetet fqinje.

Vetëm kështu, shqiptarët në Maqedoni do ta ndjejnë për të veten këtë betejë dhe do ta zhvillojnë deri në fund, për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespër, për arritjen e suksesit të plotë përmes referendumit dhe ndryshimit të kushtetutës, me këtë edhe për integrimin e plotë të Maqedonisë në NATO dhe BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat