Kur do ta kuptojmë dallimin ndërmjet politikanit dhe heroit?

Opinione

Kur do ta kuptojmë dallimin ndërmjet politikanit dhe heroit?

Nga: Lirim Gashi Më: 3 gusht 2018 Në ora: 20:00
Lirim Gashi

Heronjtë dhe anti heronjtë janë personat apo individët që e kanë kryer një apo më shumë vepra të mëdha pozitive dhe negative që i shpërthejnë  kornizat e kontributeve të zakonshme pozitive dhe negative jetësore. 

Heronjtë dhe anti heronjtë mund të jenë persona real dhe fiktiv, apo figura reale dhe imagjinare, aktuale dhe historike që jetojnë në memorien aktuale dhe historike të popullit, por paralelisht edhe në legjenda dhe mite.

Njerëzit i kanë krijuar heronjtë e legjendave dhe miteve për shkak të mungeses së heronjve të vërtetë në shoqëri.

Në këtë mënyrë ata kanë tentuar që t'ua bëjnë të qartë njerëzve se mungesa e heronjve të vërtetë është shpeshherë fajtore për epilogun fatal të ngjarjeve epike.

Të ndërsyer nga motivet  humane por edhe egoiste individuale, kolektive, politike, letrare, psikosociale, edukative, kulturore dhe filozofike ata kanë krijuar figura të madhërishme por edhe të tmerrshme imagjinare dhe fiktive që do ti shërbenin njerëzimit si pikë orientimi dhe krahasimi, apo si shembull se si duhet dhe s'duhet të jenë njerëzit për nga natyra dhe karakteri i tyre, por edhe se si duhet dhe s'duhet të veprojnë në situatat emergjente të rrëzikut të lartë kur ajo thënia shekspiriane të jesh apo të mos jesh fiton përmasa reale. 

Njëkohësisht, paralelisht dhe për të njëjtat qëllime ata kanë krijuar gojëdhëna, apo legjenda gojore që janë përcjellur gojarisht prej brezit në brez. 

Aftësitë individuale të heronjve mund të jenë trupore apo fizike ( fuqia, shpejtësia,  kondicioni, shkathtësia etj...) dhe mentale (guximi, gadishmëria dhe zelli për tu sakrifikuar për njerëzit, popujt dhe idealet etj...), ndërsa aftësitë individuale të anti heronjve shpeshherë janë të kundërta nga ato të heronjve vetëm në kuptimin qëllimor dhe mental.

Politikanë në anën tjetër quhen personat apo individët që e mbajnë një post, apo një mandat politik dhe instucional, por edhe individët apo personat që angazhohen apo kontribuojnë në kontinuitet dhe në mënyra të ndryshme për jetësimin e qëllimeve apo idealeve individuale, kombëtare dhe universale. 

Politikanët në shumicen e rasteve janë anëtarë të një formacioni politik ( partia, grupi i interesit, bordi, shoqata, shoqëria civile, etj..)

Ata veprojnë në të gjitha nivelet organizative institucionale dhe jashtë institucionale , shoqërore, partiake dhe shtetërore. 
Sipas pozitës që e mbajnë në kierarkinë organizative institucionale politike dhe shtetërore ata kategorizohen në politikanë vendor, regjional dhe komunal. 

Pozitat, mandatet dhe postet që i mbajnë politikanët kategorizohen në ato qeveritare ( ministër, zëvendë ministër etj..) , partiake  ( kryetar partie, anëtar i kryesisë së Partisë etj..) dhe mandate të legjitimuara nga vota e popullit siç janë deputetet dhe ansamblistet e kuvendeve komunale, regjionale dhe qëndrore. 

Në shtetet totalitare ekziston edhe nocioni politik " heroi i punës ".

Heroi i punës është personi apo individi që i tejkalon rekordet e produktivitetit që janë arritur nga njerëzit me kapacitet të jashzakonshëm psiko-fizik. 

Rrethanat dhe kushtet organizative institucionale dhe jashtë institucionale në të cilat veprojnë politikanët dhe heronjtë janë dukshëm më komode dhe luksoze për të parët. 

Përderisa politikani i rangut të lartë shtetëror paguhet për punën e shpeshherë mospunën e tij nga buxheti shtetëror që financohet nga taksapaguesit, doganat, donacionet dhe kreditet, heroi angazhimin e tij për të mirën e përgjithshme e paguan shpeshherë me lëkurën e tij.  

Përderisa politikani i rangut të lartë për angazhimin e tij honorohet me privilegje, mbrojtje institucionale, të mira materiale dhe imunitet, heroi shpeshherë sanksionohet dhe torturohet nga skuadrat sekrete operative të shërbimeve intelegjente të pushteteve totalitare, pasi që identifikohet dhe trajtohet si person i rrëzikut të lartë për rendin shoqëror, ideologjik dhe shtetëror, por edhe si person i rrëzikut të lartë për komoditetin rutinor të teknokracisë dhe burokracisë, pasi që i ngrit standardet e synimit, mendimit dhe veprimit efektiv në një piadestal të paimagjinueshëm, papranueshëm dhe parealizueshëm për teknokratet dhe burokratet e zakonshëm dhe steril që janë pjesë përbërëse e pushtetit.

Përderisa politikani privilegjet e lartpërmendura në situatat emergjente të rrezikut të lartë i shfrytëzon për të mos u përballuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrezikun real për jetën e tij dhe të dashurve të tij, heroi jo vetëm që nuk e kursen vetveten dhe familjen e tij për ti dalur zot kombit dhe atdheut, por tërë kohën është i vëtëdijshëm që sakrificen e tij mund ta paguaj me jetë. 

Pikërisht për këtë arsye heroi është në shumicen e rasteve kryeprotagonisti dhe njëkohësisht kryeviktima e konfrontimit të përgjakshëm më armikun e brendshëm dhe të jashtëm. 

Mosmarrëveshjet dhe mospajtimet e shqiptarëve rreth faktit se kush e meriton epitetin hero i vërtetë,  kush e meriton epitetin  anti hero i vërtetë dhe kush e meriton epitetin politikan i suksesshëm apo i pasuksesshëm janë rezultat i mjegulles së ngritur propagandistike nga kalorësit e mjegulles në pushtet me qëllim të vërbimit, helmimit dhe çorientimit të popullit me material konfuz propagandistik . 

Analiza e suksesshme e dukurive negative në shoqëri është ajo që fillon me qasjen vetëkritike ndaj realitetit që na rrethon. 
Pyetja e parë që duhet t'ia parashtrojë secili prej nesh vetvetes është ; cili është kontributi im për gjendjen e mjerueshme të shoqërisë dhe shtetit? 

Është gara ime me të tjerët se kush ka kontribuar më shumë e kush më pak?  

Është pasiviteti, indiferenca dhe akomodimi im me pasojat që ia shkakton politika anti njerëzore dhe anti kombëtare popullit dhe shtetit? 

Është mungesa e kurajos civile për të reaguar dhe protestuar sa herë që dëmtohen interesat e përgjithshme ekzistenciale politike, sociale, kulturore dhe ekonomike të popullit dhe vendit tim? 

Është mungesa e kulturës së debatit dhe asaj protestuese në personin tim ajo që ka ndikuar në mosangazhimin tim, apo është dëshprimi dhe rezignimi me pasivitetin e të tjerëve ai që më paralizon? 

Është interpretimi i pasaktë dhe jokorrekt i mendimeve dhe veprimeve të njerëzve të rëndësishëm dhe ngjarjeve të rëndësishme që lidhen me fatin e kombit dhe shtetit kontributi im negativ për krijimin e klimes së mosbesimit ndërmjet njerëzve? 

Janë preferencat e ngushta emocionale, partiake e klienteliste ato që po ma pamundësojnë një qasje më korrekte ndaj realitetit? 

Është mungesa e vullnetit apo sensit për ti interpretuar në mënyrë të saktë, të drejtë dhe korrekte anomalitë me të cilat po ballafaqohet populli dhe shteti im? 

Një gjë është e sigurtë: 

Çdo individ që i përmbahet rregullave shkencore që e përcaktojnë mënyrën e drejtë dhe korrekte të interpretimit të mendimeve, veprimeve dhe ngjarjeve aktuale dhe historike nuk mëkaton në interpretim, perceptim dhe qasje ndaj historisë, aktualitetit dhe sfidave të ardhmërisë. 

Sa më shumë që rritet numri i individëve që i përmbahen rregullave shkencore të interpretimit të drejtë dhe korrekt të dukurive negative në shoqëri  aq më i vogël është ndikimi negativ i propagandes politike, mediale dhe psikosociale në popull. 

Analiza vetëkritike e vetvetes është mënyra më efektive e luftimit të dukurive negative në shoqëri, sepse çdo individ që e njeh vlerën e tij reale merret me punën që e njeh më së miri. 

Prosperiteti i shoqërisë dhe shtetit është i mundur vetëm kur secili individ e kryen punën që e njeh më së miri. Këtë e ka dëshmuar praksa e popujve dhe vendeve të prosperuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat