Tradhtia në krye të Kosovës

Opinione

Tradhtia në krye të Kosovës

Nga: Prof. Dr. Eshref Ymeri Më: 6 gusht 2018 Në ora: 15:28
Prof. Dr. Eshref Ymeri

Të nderuar lexues,

Pas deklaratave të fundit antikombëtare të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për ndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, deklarata këto të një mercenari të regjur në shërbim të Beogradit, mendoj se përmbajtja e artikullit me titullin e mëposhtëm tingëllon mjaft aktuale, paçka se artikullin e pata botuar në internet më shumë se gjashtë vjet më parë. Mercenarizmin dhe tradhtinë e presidentit Hashim Thaçi në shërbim të Beogradit, me fakte konkrete, e nxori në pah bukur mirë avokati me formim të shkëlqyer nacionalist Altin Goxhaj në bisedën që zhvilloi me gazetaren e kanalit televiziv Fox News në mbrëmjen e 05 gushtit 2018.

Tradhtia në krye të Kosovës

Në emisionin e lajmeve të TV Top Channel të orës 19-30 të datës 13 mars 2012, telespektatorët morën edhe njoftimin e mëposhtëm:

“Duket se bisedimet politike rreth çështjes së veriut të Kosovës po bëhen të pashmangshme. Ishte ndërmjetësuesi i BE-së në bisedimet Prishtinë-Beograd, Robert Kuper (Cooper), i cili, duke përgënjeshtruar zyrtarët e Prishtinës, konfirmoi se do të ketë bisedime politike edhe për Veriun”.

Nga ky njoftim bëhet fare e qartë se ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian Robert Kuper është përfaqësuesi faktik i Serbisë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Evropa, si gjithmonë, që prej vitit 1878 dhe deri tani, ka nëpërkëmbur dhe përbuzur kombin shqiptar, duke u radhitur haptazi në krahun e shovinizmit sllavogrek. Ky Robert Kuperi domosdo që ka edhe sponsorizimin e padiskutueshëm të politikës ruse, e cila që prej Kongresit të Berlinit dhe deri në ditët tona, kombin shqiptar e ka pasur dhe vazhdon ta ketë halë në sy. Por faji në këtë mes nuk është as i Evropës dhe as i Rusisë që qëndron pas saj. Faji është i mbarë popullit shqiptar në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, që nxjerr në krye politikanë mercenarë, tradhtarë, të shitur kokë e këmbë te Evropa, te kjo varrmihëse e kombit shqiptar.

Sllavët serbomaqedonas, duke vepruar në sinkron me Evropën dhe Rusinë në prapavijat e saj, po e shtojnë presionin për zhvlerësimin e pavarësisë së Kosovës dhe për çfaktorizimin e popullit shqiptar në Maqedoni. Vrasjet dhe keqtrajtimet e shqiptarëve në Maqedoni janë shndërruar në një dukuri të përditshme. Shovinizmi grekoleckaman i bën presion qeverisë shqiptare se pse ka futur në koalicionin qeveritar partinë e zotit Shpëtim Idrizi dhe pse ka dënuar dhunuesin e varrezave të Boboshticës, Naim Dishon. Hesht qeveria Thaçi për deklaratën shoviniste të shovinistit Robert Kuper, të cilit duhej t'i tregonte vendin.

Jo, Thaçi hesht, sepse ai është jo kryeministër i popullit shqiptar të Kosovës, por kryeministër i pakicës serbe në Kosovë, sepse ai është tradhtar i popullit shqiptar të Kosovës. Hesht Thaçi sepse shumë vite më parë ka bërë plane për shkëmbimin e Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, pra, për shkëmbimin e një territori shqiptar me një tjetër territor shqiptar. Pra, pas deklaratës shoviniste të Robert Kuperit, rezulton se ideali i heroit Adem Jashari dhe i mbarë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paska mbetur në mes të rrugës. Në këto kushte, populli shqiptar i Kosovës duhet të heqë dorë nga letargjia politike dhe të rreshtohet rreth Lëvizjes Vetëvendosja, për të bërë të mundur heqjen qafe të tradhtisë së Thaçit, të këtij mercenari të shitur të Beogradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat