Shqiptarët dhe kryeministri “reformator i guximshëm” i IRJM

Opinione

Shqiptarët dhe kryeministri “reformator i guximshëm” i IRJM

Nga: Afrim Fanda Më: 16 gusht 2018 Në ora: 14:31
Afrim Fanda

Poeti Charles Bukowski në një intervistë dhënë një reviste letrare deklaroi:  “shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të kenë vetëbesim, ndërsa të mirët kanë tendencë të kenë vetë-dyshime. Pra, shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të vazhdojnë dhe të shkruajnë broçkulla dhe të japin sa më shumë lexime të jetë e mundur për audienca të rralla. Këta audienca të rralla përbëhen kryesisht nga shkrimtarë të tjerë të këqij, të cilët presin rradhën e tyre ...”

Por përkufizimin më të përmbledhur të këtij fenomeni e bëri Bernard Russel, filozof anglez, matematikan dhe shkrimtar në esenë e tij me titull “Triumfi i marrëzisë”,  ku kritikoi ngritjen e lëvizjes naziste në Gjermani: “Shkaku themelor i telasheve në botën moderne është se budallenjtë janë të sigurtë në vete dhe kokëfortë, ndërsa të mençurit janë plot me dyshime”

Intelektualë shqiptarë servilë me mendësi skllavi dhe politikanë naivë të etur për pushtet, në në shkrimet dhe deklaratat e tyre, nxituan të shohin  “të guximshmin” dhe “reformatorin” në personalitetin e kryeministrit Zoran Zaev, duke u bazuar  në luftën e tij mediatike kundër krimit dhe korupsionit  të VMRO.  Ca prej tyre, arritën deri aty sa të shohin edhe kriminelët  tek figurat kryesore të BDI, duke u ofruar shqiptarëve kryeministrin Zaev si shpëtimtar nga VMRO e edhe nga BDI. Por sytë janë të padobishëm, kur mendja është e verbër, thot një fjalë e urtë. Ndaj, sikur me ato syzet me dy dioptri të ndara, nuk arrijnë kursesi të shohin bashkë, në të njëjtën fushë vizive, “reformatorin e guximshëm” dhe kriminelët e BDI. Prandaj nuk sqarojnë dot as veten, e as të tjerët, se si i bëhet që ky “reformator i guximshëm” kurseu kriminelët shqiptarë të BDI, bashkëpunëtorë në krim të VMRO!?  Dhe jo vetëm që i kurseu, por bëri dhe qeverinë me ndihmën e tyre. E jo vetëm që bëri qeverinë me ndihmën e tyre, por mban gjallë dhe shtetin “me ditë të numëruara” me ndihmën e tyre.   

“Ilindeni  është një kryengritje maqedonase. Nëse donjë qytetar bullgar dëshiron t’a festojë, le t’a festojë” deklaroi para ca ditësh kryeministri Zaev. Dhe kur presidenti  dhe kryeministri i Bullgarisë i treguan dhëmbët në përgjigje të kësaj deklarate, kryeministri “i guximshëm”, përmes rrjetit social “Facebook”, deklaroi keqardhje për fjalët e deklaruara, athua se me këtë  ndjesë publike u arsyetua për faktin e përvetësimit (me decenie të tëra) të historisë të një shteti të huaj, dhe akoma më shumë, pothuajse emërtoi shtetin me emrin e kësaj kryengritjeje bullgare! Ndërkaq roli i palaçove shqiptarë në pushtet, ishte të “përkthejnë” emrin e kësaj kryengritjeje bullgare, dhe ashtu si padroni i tyre, pa u skuqur fare, tu’a ofrojnë shqiptarëve si emër të shtetit ku jetojnë.  E si të skuqet dikush që nuk ka fytyrë?

Por, nuk është as hera e parë e as e vetmja, që kryeministi Zaev pranon dhe kërkon ndjesë për përvetësim të bërë.  Vet marreveshja për emrin, e nënshkruar në Prespë më 17 shkurt 2018, është në fakt pranim dhe kërkesë për falje publike për përvetësimin e identitetit dhe historisë së maqedonasve antik për më shumë se shtatë decenie. E për të njëjtën gjë shërbeu edhe ndrimi i emrit të aeroportit të Shkupit dhe të një autostrade që mbanin emrin e Aleksandrit të Madh. Dhe për këtë, grekët shpërblyen kryeministrin “reformator”, duke i mundësuar dhe duke u bërë palë në injorimin dhe anashkalimin e shqiptarëve në këtë marrëveshje për të ardhmen e shtetit, duke i dhënë shtetit dhe gjuhës zyrtare vetëm atribute sllave. 

Vetëm shqiptarëve kryeministri “reformator i guximshëm” nuk e konsideron të nevojshme t’u kërkojë falje për krimet që u ka bërë shteti që përfaqëson. Përkundrazi, konsideron se e ka rastin e volitshëm për të përmbyllur synimin e kahmotshëm për nënshtrimin përfundimtar të shqiptarëve, duke i asimiluar në “maqedono-verior” sllavë,  me gjuhë zyrtare sllavomaqedonishten.  Dhe për këtë ka ndihmën e pakursyer të klasës politike të shitur të shqiptarëve.

Dhe pikërisht ky kryeministër hajdut identitetesh dhe historishë, bashkë me kriminelët dhe hajdutët shqiptarë që i shërbejnë sepse i kursen nga burgu, na ftojnë në referendum për të votuar këtë marrëveshje poshtëruese për shqiptarët. Pikërisht llumi i shoqërisë shqiptare, që përfaqëson të kundërtën e vlerave të qytetërimit europian na thonë të dalim në referendum dhe të votojmë marrëveshjen  “për t’u integruar në Europë”.  U’a thonë këtë pa u skuqur, pikërisht diasporës, të cilët tani më “u integruan” duke ikur në BE nga këta që i lanë papunë, për të punësuar militantët e tyre.  Ikën nga këta u’a bënë qytetet e tyre të pajetueshme. E u’a thonë edhe shqiptarëve të tjerë që vazhdojnë të “të integrohen” duke ikur në BE, si këta të parët.

E gjitha kjo që ca kriminelë shqiptarë t’i shpëtojnë burgut, ca të tjerë të bëjnë pak lek derisa edhe ata t’i fusi UDB-a në dorë, e ca mjeranë të hynë në punë në donjë ministri për një rogë mizerje, në pritje të ditës kur edhe ata do të ikin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat