“Zëra të trishtuar përballë shfarosjes etnike”

Opinione

“Zëra të trishtuar përballë shfarosjes etnike”

Nga: Fahri Dahri Më: 20 gusht 2018 Në ora: 13:26
Fahri Dahri

Përgjithësisht njeriu zotëron dy aftësi për të arritur të sigurojë njohjen. E para është arsyeja, intelekti, dmth aftësia e të menduarit. E dyta janë shqisat, aftësia e ndërgjegjësimit, perceptimit, vrojtimit.

Personalisht mendoj se të dyja këto aftësi (aftesia e të menduarit dhe aftësia përmes shqisave) luajnë rol të madh tek njohja. Ndryshe është e llogjikshme, se për njohjen reale të problemeve (përqëndrimi këtu është tek njohja e problemeve shoqërore) kusht i domosdoshëm dhe tepër me rëndësi për njohjen, është përfshirja në mënyrë të barabartë e të dyja aftësive që zotëron njeriu, si aftësinë e intelektit, ashtu dhe aftësinë e ndërgjegjsimit, vrojtimit.

Këto aftësi njerëzore po të anashkalohen, qofte qëllimisht apo nga injoranca, pasojat janë të rënda për këdo grup shoqëror apo individ!.

1.- Zëri i trishtuar i Hatixhesë!

“Unë jam shqiptare. Kam lindur në Çamëri, por ngaqë kishim kombësi shqiptare, greku na largoi. Si të gjithë çamët, jo vetëm mua. Në Vlorë jam rritur e kam krijuar familje, por sot që kam nevojë për një pasaportë shqiptare nuk më jepet sepse kam lindur atje. Pse të më hiqet mua kjo e drejtë?”.

Kështu u shpreh e shqetësuar 75-vjeçarja, siç raporton Tv Klani.

Sipas Gazetes Syri.net. Për toponimet: 

Ka lindur në Çamëri, ka 70 vite që jeton në Shqipëri, por nuk i japin pasaportë! 10:36, 13/07/2018.-

Hatixhe Isufi ka lindur në Arpicë të Çamërisë dhe që prej moshës 2 vjeçare jeton në Vlorë, por edhe pas 70 vitesh nuk mundet të pajiset me pasaportë.

Me pak fjalë zonja e nderuar Hatixhe, me gjithë “trishtimin përballë shfarosjes etnike”, i tha të gjitha. Tek fjalët e saj u shprehën shqetësimet e një 75-vjeçareje që u dëbua afro 2 vjeçe nga vendlindja, sepse ndaj saj dhe të tjerëve, u ngritën akuzat mortore ndaj “të padëshiruarve”. Akuza false për të realizuar zgjerimin helen në rajonin e Thesproti/Çamërisë, një territor specifik dhe i veçantë që historikisht nuk ishte i njëjtë, as me ish helenët dhe as me grekët ortodoksë të ardhur nga Azia e Vogël.

2.- Dëgjojmë se ç’farë thonë “Zërat zyrtarë”!

Nga zyrat e Gjendjes Civile të Njësisë numër 4, Hatixheja është pajisur me letërnjoftim në vitin 2009, por me ligjin e ri nuk mund të pajiset me pasaportë për shkak të vendlindjes.“Unë sot kërkoj vetëm pasaportën që të jem e lirë dhe të mos jem e izoluar në Vlorë!”, lëshon thirrjen trishtuese denoncuesja.

 Vazhdojmë deklarimet e Zyrave të Gjendjes Civile: “Marrëveshja e toponimeve të vitit 2014 duhet ta zgjidhte këtë situatë, por mesa duket gjithçka ka mbetur në letër. Për pjesën e Çamërisë nuk ka akoma një marrëveshje, udhëzim të saktë, por duhet të rregullohet në bazë të aktit të lindjes”. Kështu u shpreh punonjësja e gjendjes civile, e cila u sugjeroi “hallexhinjëve”, komunikimin me Drejtorinë e Përgjithshme për një përgjigje më korrekte. Por 75-vjeçarja kërkon të drejtën e saj, pasi është shqiptare dhe meriton të ketë pasaportën biometrike shqiptare.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati në muajin Maj të vitit 2014 deklaroi se kishin arritur marrëveshjen me shtetin Grek për toponimet, në mënyrë që qytetarët të lëviznin pa asnjë problem. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u tha se çështja e Hatixhe Isufit u zgjidh, por nuk mund të dilnin publikisht për të ruajtur stabilitetin e marrëdhënieve me shtetin fqinj.

Kuptohet se ky tekst na vë përballë dy të kundërtave; edhe është zgjidhur, por edhe nuk është zgjidhur. Të dyja këto të pasakta na deklarohen nga institucionet shtetërore dhe pikërisht nga zyrat që janë direkt kopetente për çështjet në fjalë. Hall i madh kur të pavërtetat deklarohen nga vetë shteti. Kështu që nënshtetasit shqiptarë çamë, që kanë lindur në Greqi para viti 1945-s, i ka zënë hall i madh, mbasi faktikisht veprimet e kryera dhe që kryhen si andej kufirit dhe këndej, ata qytetarë europianë të shekullit XXI, janë jashtë trajtimeve që kërkojnë me aq bujë Konventat, Ligjet apo të Drejtrat Universale të Njeriut!

Për fat të keq, “njerkat” e tyre na dolën grifsha (grizhlemzë).

Janë të pa kuptimta qendrimet që mbahen nga Zyrat e Gjendjes Civile, kur hezitojnë të kryejnë veprimet sipas marrëveshjes së arritur, ku është theksuar se: “Kjo marrëveshje parashikon që emri i vendlindjes për qytetarët shqiptarë që kanë lindur në Greqi do të jetë anglisht dhe jo në gjuhën shqipe, siç ka qenë deri më tani dhe ka prodhuar një sërë problemesh në kufirin me Greqinë”.

Pra, është e qartë që në pasaportën e atyre që kanë lindur në Greqi do të shkruhen anglisht tre shkronja (GRC) dhe mbyllet kapitulli. Një veprim i tillë nuk krijon asgjë për tu shqetësuar, akoma më shumë për të mos vepruar edhe me nënështetasit shqiptarë-çamë, pavarësisht se kanë lindur në shtetin Grek deri në mars të vitit 1945.

Por, realisht problemi nuk qëndron tek tre “shkronjat” që duhen shkruar anglisht apo le ta themi mongolisht. Problemi që kanë Zyrat e Gjendjes Civile qëndron tek qytetarët çamë të lindur në Çamëri. Në fakt për ata, sipas informacionit që dihet, nuk ka asnjë shqetësim për tu shkruar anglisht apo mongolisht tre shkronjat e shtetit Grek, sepse është një e vërtetë, ata kanë lindur në rajonin e Çamërisë, rajon i cili i kaloi që nga viti 1913 shtetit Grek me firmat e Fuqive të Mëdha.

Problemi qendron se Zyrat e Gjendjes Civile nuk kanë të ligjëruar asgjë për këtë kategori njerëzish, sepse në marrëveshjen e arritur dhe të deklaruar nga z. Bushati, del qartë që nuk është trajtuar ky problem. Kuptohet se e vërteta për kategorinë e qytetarëve çamë, të lindur në Greqi, është se shteti Grek kërkon më shumë se tre “shkronjat”e ICAO-s.

Atëhere ç’farë kërkon shteti Grek?. Po, shteti Grek kërkon “ndërrimet e toponimeve” të vendlindjeve të tyre, pra kërkohet shuarja e emrave të fshatrave dhe qyteteve, me të cilët janë njohur ndër shumë shekuj. Si të pranohet, që në pasaportat e tyre të shënohen emrat e vendlindjeve me toponimet e reja, të vendosura mbas viteve 1956 nga shteti Grek, atëhere për ‘ta është arritur synimi afro 200 vjeçar!. Më qartë e sqarojmë me personazhin e nderuar. Mendoj se këmbëngulja greke për pasaportat biometrike të qytetarëve të kategorisë së personazhit, qendron tek të shprehurit qartë të ndërrimit të emrit të vendlindjes së saj nga Arpicë (emër ndërshekullor) në ”Perdhika”(emër i sajuar për  përvehtësim të gjithçkaje), pastaj të shënohen tre shkronjat (GRC).

Kuptohet, e drejta e shtetit Grek për tre shkronjat e ICAO-s, i ka lindur që nga viti 1913. Ndërsa pretendimi për të ndërruar emrat e vendlindjeve të kësaj kategorie qytetarësh, nuk i jepet nga ICAO-ja dhe, edhe në marrëveshjen e 14 majit 2014 nuk është shprehur kjo specifikë, veçori, e cila prek identitetin kombëtar, cënon të drejtën e pronës së qytetarëve të kategorisë së personazhit, pa diskutim dhe të pasardhësve të shqiptarëve të Çamërisë, ndaj të cilëve është kryer gjenocid dhe dëbim masiv, në grup të të gjithë atij komunitetit, nga shteti Grek në vitin 1944-Mars 1945.

 Është kjo “Nyja Gordiane” që krijon në vazhdimësi ankth dhe zemërim çnjerëzor të shtetit dhe politikave agresive të pushtuesve grekë, të predikuara nga kisha ortodokse për zgjerimin e helenizmit të shuar mbi dymijë vjet më parë.

3.- Po si janë reagimet e shfaqura në publik? 

Përgjithësisht reagimet janë të vakta, të mefshta, vetëm ankesa dhe pak “trimëri” të pa nevojshme për kohën dhe vendin. Le te njihemi me deklaraten e z. Dritan Sejko. Tek gazeta “Shqiptarja.com” date 13.07.2018:

Deklarata e plotë: “Marrëveshja e papërgjeshme e toponimeve, e denoncuar ashpër prej vitesh nga Shoqata Çamëria dhe PDIU, lidhur midis Shqipërisë dhe Greqisë, e nënshkruar nga Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, sot po del në dritë për shqiptarët. Jo më larg se dje, një nënë nga Vlora, denoncoi faktin se nuk pajisej dot me pasaportë biometrike, sepse vendlindja e saj është Arpicë, Çamëri. Shoqata Çamëria dhe PDIU kanë treguar fakte të njëpasnjëshme, për marrëveshjen e papërgjegjshme të toponimeve, e cila çdo ditë po vërteton genocidin e ushtruar nga greqia tek shqiptarët e Çamërisë, genocid ky që mesa duket, po ushtrohet edhe tek marrëveshjet e fshehta që nënshkruhen në dëm të të gjithë shqiptarëve. Pasi heshtën për çështjen çame, pasi nuk guxojnë më të përmendin Çamërinë, tani duan të mohojnë edhe vendlindjen e pleqve shqiptarë që e kanë në atë trevë krenare të shqiptarisë. Ky akt i shëmtuar nuk vjen më nga pala greke, por edhe nga vetë MEPJ e Shqiperise”.

Për Z. Dritan, problemi shtrohet vetëm se po u mohoka vendlindja pleqve shqiptarë që kanë lindur në Çamëri, si dhe flet për denoncimet e ashpra prej shumë vitesh nga SHPAÇ dhe PDIU-ja. Kur këto dy institucione duhet të ulen qetësisht dhe në dosjet e tyre të radhiten faktet e vërteta të dokumentuara, për të spjeguar se nuk është problemi tek tre shkronja e ICAO-s, por është më i thellë, aq i thellë sa shpie në shfarosjen etnike të një grupi të veçantë shoqëror sëbashku me territorin e tij historikisht pellazg, aspak helen apo grek.

4.-  Sqarimet e përgjithshme

 nuk zgjidhin problemet specifike, të vecanta!

Sipas Gazetes “Dita”.- May 14, 2014 14:54

Bushati: Deri më 1 janar 2015 s’do ketë penalizime.

Shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati ka sqaruar marrëveshjen e arritur me Greqinë për çështjen e toponimeve. Në një deklaratë për shtyp nga selia e kryeministrisë, Bushati sqaroi se 150 mijë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe kanë problemin e toponimeve do të mund të lëvizin lirisht deri në 1 janarin e vitit të ardhshëm, afat ky për korrektimin e pasaportave.

“Kemi rënë dakord për një marrëveshje e cila reflekton interesin e të dy palëve bazuar në parimet ndërkombëtare”- tha Bushati.....“Kjo marrëveshje parashikon që emri i vendlindjes për qytetarët shqiptarë që kanë lindur në Greqi do të jetë anglisht dhe jo në gjuhën shqipe siç ka qenë deri më tani dhe ka prodhuar një sërë problemesh në kufirin me Greqinë”.

Del qartë se në këtë deklarim të Z.Bushati flitet per emigrantët shqiptarë dhe jo për shqiptarët autoktonë të Çamërisë. Kjo argumentohet nga dy pozicione:

a) Qytetarët shqiptarë të lindur në Çamëri, që nga viti i largimit të dhunshëm dhe deri sot, nuk janë lejuar ta kapërcejnë kufirin Shqipëri-GRC, nuk janë emigrantë dhe nuk kanë prodhuar problem në kufirin me Greqinë.

b) Qytetarët shqiptarë të lindur në Çamëri, nuk janë lejuar të lëvizin lirisht, në rajonin e tyre po se po, por atyre u është ndaluar edhe hyrja nga çdo anë e kufirit të Republikës Greke.

Raste të tilla qendrimesh, nga përvojat, janë rrjedhojë e disa arësyesh si: mos njohja e problemit, frika, inferioriteti, dhe trajtimin e problemit si çështje të pa rëndësishme (shkel e shko!), pavarësisht se problemi konkret është çështje tepër e rendësishme kombëtare.     

6.- Kryemimistria me postimin e 14. Maj 2014, njofton:

eklaratë e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati:

“Jam sot para jush për të sqaruar marrëveshjen e firmosur në Bruksel, para dy ditësh me homologun grek, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm Venizelos. Një marrëveshje e cila vjen si pasojë e disa diskutimeve, të cilat kanë filluar qysh në ditët e para të punës së qeverisë sonë, në lidhje me çështjen e toponimeve, një çështje e cila ka shkaktuar jo pak probleme në të shkuarën, për rreth 150 mijë bashkëqytetarët tanë që jetojnë në Greqi.

Siç është informuar opinioni publik kemi rënë dakord për një deklaratë të përbashkët apo marrëveshje mund ta quajmë, e cila reflekton interesin e të dy palëve. E, mbi të gjitha është një marrëveshje e cila bazohet tek rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare për aq sa kjo çështje është e rregulluar nga kuadri ligjor ndërkombëtar. Që në krye të herës e kemi konsideruar një çështje të karakterit teknik, jo një çështje të karakterit politik që do të krijonte elementë të pakëndshëm në marrëdhëniet mes dy palëve tona. Gjithashtu, kemi rënë dakord se rruga më e sigurt për të adresuar problemet e së shkuarës, është referenca në parimet e së Drejtës Ndërkombëtare dhe këtu e kam fjalën tek emërtesat gjeografike që kanë depozituar të gjithë vendet në OKB dhe gjithashtu tek standardet e ICAO-s që është Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil”...

“Do të kemi të bëjmë me një korrektim nga mënyra se si do të shkruhen zonat gjeografike në ato pasaporta për të cilat ka lindur kjo problematikë. Jemi të vendosur për t’i dhënë një zgjidhje të unifikuar, një zgjidhje e cila do të adresonte, jo thjesht shqetësimet e bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në Greqi dhe që janë ndeshur deri më sot me këtë problematikë, por edhe bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në vende të tjera të botës ku punojnë, studiojnë apo jetojnë për arsye nga më të ndryshmet. (Del qartë, në marrëveshje nuk flitet për grupin e qytetarëve të personazhit tonë.FD).

Së dyti, krahas korrektimit të praktikës në pasaportë në  përputhje me standardet e ICAO-s dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara, ne do të punojmë për të lehtësuar mënyrën e veprimit, në përditshmëri për të gjithë bashkëqytetarët tanë. Ajo çka ka qenë e dukshme gjatë gjithë kësaj periudhe, ka qenë fakti i mungesës së lëvizjes së lirë në të dy anët e kufirit, ndërkohë që si pasojë e çështjes së toponimeve bashkëqytetarët tanë kanë hasur vështirësi të panumërta sa i përket ushtrimit të elementëve bazikë, le të themi, të aktivitetit të tyre, për çështje që kanë të bëjnë me pronësinë, çështje që kanë të bëjnë me marrjen e lejes së qëndrimit në Greqi, për çështje që kanë të bëjnë me lindje, me vdekje, me martesa, etj”.

Përputhja me standartet e ICAO-s, nënkupton korrektimin në praktikë të pasaportave, duke shënuar tre shkronjat që ka depozituar shteti Grek-GRC dhe jo korrektimin e toponimeve të vendlindjeve urbane e interurbane (qyteteve dhe fshatrave) në rastin komkret të rajonit të Thesproti/Çamërisë.

Më tej Z. Bushati vazhdon: “Duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare së bashku me qeverinë greke, ne i krijojmë mundësinë bashkëqytetarëve tanë, jo vetëm të udhëtojnë lirisht në dy anët e kufirit, por të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë dinjitoze, pa kurrfarë pengese në praktikë.

Më lejoni gjithashtu të falënderoj apo të bëj me dije opinionin publik për bashkëpunimin, jo vetëm me qeverinë greke dhe me ministrinë e jashtme të Greqisë që kemi pasur gjatë këtyre 8 muajve, por edhe me Ministrinë e Brendshme Shqiptare, me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Ministria e Brendshme ka përgatitur një plan veprimi se si do t’i përgjigjet në kohë me detyra specifike të gjitha ndryshimeve që do të ndodhin në planin legjislativ, në planin institucional dhe në planin administrativ”.

Me keqardhje rasti i Zj.Hatixhe i paska gjetur të papërgaditur institucionet e mësipërme, megjithse paskan kaluar 4 vjet, ose nënkuptohet çfarë u tha më lart që në këto “plot marrëveshje” nuk trajtohen qytetarët e personazhit tonë.

“...Po kështu, Ministria e Jashtme është duke përgatitur planin e qartë të veprimit për të punuar më ngushtësisht me këta bashkëqytetarë që preken nga kjo praktikë që po adresohet për të krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme që korrektimi të kryhet në një kohë sa më të shpejtë dhe gjithashtu për t’i dhënë mundësi këtyre qytetarëve që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre kudo që ato banojnë, pa kurrfarë pengese dhe në mënyrë jashtëzakonisht dinjitoze”.        

6.- Portali “Time.al”, më, 12 Maj 2014,

Jep njoftimin e shumëpritur: “Zgjidhja e këtij problemi u arrit pas Marrëveshjes në Bruksel, trajtimi i së cilës nisi pak ditë më parë. Dy ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Ditmir Bushati dhe Evangelos Venizellos, arritën marrëveshjen për këtë çështje delikate mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në një  deklaratë të tyre për shtypin, u mësua se toponimet do përcaktohen në mënyrë uniforme, bazuar në emrat më të cilët dy shtetet njihen zyrtarisht nga OKB-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Pra emrat e vendlindjes do të jenë në gjuhën angleze”.

Personalisht nuk e shoh aspak si çështje delikate trajtimin e toponimeve, ku emrat e vendeve të lindjes të shoqërohen me emrat më të cilët dy shtetet njihen zyrtarisht nga OKB-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe rregjistrimin e tyre në gjuhën angleze. Shqetësimi dhe delikatja nuk qendrojnë këtu, por tek ndërrimi i toponimeve të bëra nga shteti Grek i fshatrave dhe qyteteve të rajonit të Thesproti/Çamërisë, me synim shuarjen e identitetit të pasqyruar në “Tapitë” e pronave të çamëve dhe tjetërsimin etnik të atij rajoni.

Nga ana tjetër nuk mendoj se ICAO-ja i ka të rregjistrura të gjitha fshatrat dhe qytete e Botës një nga një, por në llogjikën time, ka të rregjistruara shkronjat përkatëse të shteteve, sipas dërgesave të bëra nga çdo shtet. Megjithatë nëse edhe emrat e fshatrave dhe qyteteve të rajonit të Çamërisë, do të kërkohen nga “ICAO”-ja në gjuhën angleze, nuk ka asnjë shqetësim, por me kushtin që ato emra të shkruhen anglisht me toponimet që janë njohur ndërshekuj dhe jo me fallsifikimet greke të filluara nga viti 1926.

Mbasi u njohëm me disa informacione lidhur me dakortësinë bilaterale për toponimet, më duhet të theksoj disa dallime specifike dhe tepër të veçanta:

1.-Duhet komentuar se kjo zgjidhje i takon emigrantëve shqiptarë që kanë shkuar në Greqi dhe fëmijët u kanë lindur në shtetin Grek dhe për një problem të lindur nga viti 2011 e këndej. Ndërsa problemi i nënështetasve shqiptarë që kanë lindurr në Thesproti/Çamëri, para muajit mars1945 është tjetër gjë, dhe me sa më sipër, megjithë deklaratat e përgjithshme, ky problem rezulton i pa trajtuar.

2.- Duhet të theksohet në mënyrë qartë se cili toponim do të shkruhet në anglisht për nënshtetasit shqiptarë që kanë lindur në Thesproti/Çamëri, para se të dëboheshin dhunshëm nga vendlindja. Nëse do të shkruhen në gjuhën angleze toponimet e reja, të vendosura nga shteti Grek, mbas largimit të dhunshëm të çamëve nga vendlindja, kjo prbën shkelje e të drejtave të njeriut (u mohohet emri i vendlindjes së tyre), mohohet qëllimisht shuarja e historisë, zonat gjeografike si dhe me pasoja tepër serioze në drejtim të mohimit të të drejtave të pronësisë, trashëgimisë historike, kulturore, sociale, traditave, duke realizuar tjetërsim të trojeve etnike, me firmat “vrasëse” të vetë shtetit që është me detyrim kushtetues për ti mbrojtur në mënyrë solemne.

3.- Mbështetja e marrëveshjeve bilaterale, siç thuhet, tek ICAO, (Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil), nuk është plotësisht e qartë dhe e drejtë. ICAO vërtet ka vendosur parime për probleme të ndryshme, por Organizata të tilla i trajtojnë problemet në mënyrë uiniversale, ose nisen nga e përgjithshmja, por nuk arrihet të mbulohen disa probleme me karakter tepër të veçantë, si rrjedhojë jo të gjitha problematikat duhen marrë në  mënyrë “shabllone” (si model) për zgjidhje. Kërkohet maturi, njohuri dhe përshtatje, sipas rasteve konkrete.

Në rastin që analizojmë, nuk ka asgjë të përbashkët mes toponimeve të vendlindjeve të fëmijëve emigrantë shqiptarë të lindur në Greqi, me toponimet e vendlindjeve të ish nënshtetasve grekë të lindur në vendlindjen e tyre autoktone të Thesproti/Çamërisë, por të dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre.

Njohja e kësaj ngjarjeje reale, nuk mund dhe nuk duhet pretenduar se ICAO-ja, ta ketë parashikuar në kriteret e saj, prandaj  çdo marrëveshje e bazuar në ato parime, lidhur me problemevet e qytetarëve çamë të lindur në Çamëri para 1945, nuk zgjidhet me kriteret e përgjithshme, ato janë të papërshtatshme dhe nuk përputhen me rastin konkret.

Problemi që u përpoqa për ta shtjelluar është specifik, i veçantë dhe zgjidhet vetëm me vullnet të sinqetë shtetëror, duke u zbatuar me drejtësi Konventat, Ligjet dhe të Drejtat Universale të Njeriut. Çdo veprim ndryshe, i shkon për shtat urtësive popullore: “Hidh ujë e hidh miell”, ose “Të rrahim ujë në havan” (tretësirë ndërtimi).

Qeveria e Shqipërisë dhe e Greqisë, besoj kanë arritur përgjegjshmërinë se me “Çështjen Çame”, nuk mund të vazhdohet duke u mbërthyer nga akuzat bajate, as me gënjeshtra, as me fshehje të të vërtetave dhe as me fshirje, ajo është “çëshjte serioze, kombëtare dhe ndërkombëtare” dhe si e tillë nuk duhet vazhduar me moton “shtyje sa ta shtyjmë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat