Ngjajshmëria e fjalimit të Vuçiqit me atë të Millosheviqit

Opinione

Ngjajshmëria e fjalimit të Vuçiqit me atë të Millosheviqit

Nga: Gëzim Mekuli Më: 12 shtator 2018 Në ora: 13:01
Gëzim Mekuli




 

Fjalimi i Presidentit serb në Kosovë ishte i tmerrshëm. Lëvdatat e presidentit serb, Aleksander Vuçiq, thurrur në Kosovë, për Slobodan Millosheviqin, ngjallën shqëtësim dhe ankth publik. Ngjallën shqëtësim sepse luftërat nacionaliste serbe, gjatë viteve të 90-ta, që shkaktuan shkatërrim dhe gjakderdhje biblike, filluan nga fjala, nga fotografia televizive dhe lajmi serb.

Aleksander Vuçiq në fjalimin e tij e quajti ish-presidentin Millosheviq si një “lider të madh serb”, duke i cilësuar qëllimevet e veprimeve të tij si të mira.

A është e mundur kjo? Kasapi i Ballkanit u shpall hero e lider! Hitleri i Ballkanit u rehabilitua nga politika zyrtare serbe. U ringjall Millosheviq nga miku i Edi Ramës dhe i Hashim Thaçit. Dhe kjo ndodhi në Kosovë. Hapsira publike shqiptare edhe njëherë u sulmua, u ofendua e u poshtërua por, ne nuk dëgjuam, nuk pamë e nuk lexuam reagime nga Tirana e as nga Prishtina zyrtare. As Bashkimi Europian e as ambasadorët nuk reaguan!

Përse do të duhej të reagohej ndaj dhunës publike serbe?

Duhej të reagohej sepse fjalimet e Millosheviqit ishin një ndër faktorët nxitës të cilët shkaktuan dhimbje të mëdha njerëzore dhe, se fjalimet e tij, akoma, në vazhdimësi, ndikojnë në politikën serbe.

Fjala e Milosheviqit në hapsirën publike serbe?

Fjalët më të rëndësishme që Millosheviqi i përdorte në fjalimet e tij ishin “lideri “, “përçarja”, “beteja”, “identiteti”, “populli”, “NATO”, “Serbia”, “Kosova”, “ata”, “ne” dhe “Kushtetuta”. Duke përdorur këto shprehje, Millosheviqi kërkonte të ndërtonte një publik që do ta pranonte atë si një udhëheqës të përkryer serb për të gjith serbët në ish-Jugosllavi.

Si duket sot pikëpamja serbe për botën shqiptare?

Janë tri elemente që dominojnë në të gjitha fjalimet e Millosheviqit: E para është se “Kosova” ka një vend qëndror dhe paraqitet si “shpirti i Serbisë”. E dyta është se “sindromi i viktimës” luan një rol vendimtar në ndërtimin e publikut, dhe e treta është se, “përçarja”, kjo fatkeqësi serbe, e ka ndjekur këtë popull që nga viti 1389.

Ngjajshmeria e fjalimit të Vuçiqit me atë të Millosheviqit

Kur Vuçiq thotë se “nënat serbe po lindin pak ” dhe se “Kosovën nuk do ta pranojmë kurrë”, fjalimi i tij ndërton pikëpamjen për Kosovën me dominimin serb, rikthimin e krenarisë serbe, dhe një përqëndrim të fuqisë serbe në Kosovë. Këtu kemi një pikëpamje serbe mbi botën dhe një publik që mendon se është tërësisht e drejtë për të sunduar popujt e tjerë; Sepse, sipas fjalimit, serbët janë “populli i zgjedhur i Zotit”.

Fjalia e Vuçiqit: “Millosheviqi nuk është kuptuar”, është pajtim dhe rreshtim me gjenocidin serb. Pikëpamja e botës që tregohet në fjalimet e Vuçiqit është se një politikan serb duhet të jetë pa kompromis sa i përket Kosovës; Paçka është e drejtë serbe jo vetëm të administroj Kosovën, por edhe ta përvetësoj Kosovën.

Duke proklamuar se “Kosova është zemra e Serbisë”, politikanët serb thërrasin tek ndjenjat nacionaliste. Në ketë mënyrë fjalimi ndërton një publik ku serbët ishin të bindur se ata i takonin një populli “të shenjtë e të rrallë”; pra këta i takojnë një populli me një vlerë të madhe, përderisa “të tjerët” ishin popuj me vlera të vogla apo, popull me zero domëthënie.

Duke përdorur elemente mitologjike, fjalimi ndërton e zhvillon një botëkuptim se serbët duhet të sigurojnë atë që është specifike për “identitetin serb”. “Serbët dhe Kosova” janë disa nga fjalët më të rëndësishme, e që kanë një intenzitet të madh në fjalimet e Vuçiqit në Kosovë. Bile-bile rreth fjalës “Kosova” frekuenton fjala me rendësi sic është “Serbia”.

Ekzistojnë, po ashtu, ngjashmëri tjera, e të dukshme, në mes fjalimeve të Millosheviqit dhe Vuçiqit

Sajesën, që Millosheviqi e ndërton në fjalimin e tij në Gazimestan (1989), dhe sajesën që e ndërton Vuçiq në Kosovë, është një popull që duhet të bëjë çmos që të mbaj Kosovën, apo pjesë të Kosovës, brenda në Serbi. Millosheviqi dhe Vuçiqi ndërtojnë një popull, i cili nuk duhet të ketë frikë nga vdekja, e veçanërisht nëse vdekja të dhuron pavdekësinë.

Duke thirrur: “Serbia do të luftoj për Kosovën” (Millosheviqi / 1989) dhe “në kurrë nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës” (Vuçiqi /2018), fjalimi kërkon të ndërtoj një bindje në publik se serbët historikisht janë keqkuptuar/keqtrajtuar nga “të tjerët” dhe, në ketë mënyrë, këta edhe “janë viktima”.

Përfundimi që mund të nxirret nga fjalimet e Vuçiqit dhe Millosheviqit është se: “Serbët ishin viktima në 1389 dhe janë viktima edhe sot në vitin 2018. Përmes fjalës “popull”, politikanët e sotëm serbë, ringjallin ndjenjat e pasigurisë të serbëve. Po ashtu këta ndërtojnë një botëkuptim, ku serbët janë të kërcënuar dhe janë “në rrezik nga shqiptarët” dhe “të tjerët”.

Shofim se nacionalizmi serb është duke u bërë akoma më dominues dhe i rrezikshëm, gjithsesi duke e përdorur religjionin dhe ikonat serbe si mjete për qëllime politike. Secili fjalim ka veti dhe një ngjashmëri të veçantë: Për shembull: Fjalimet jetojnë në mitologji dhe ëndërrojnë në histori. Fjalimet e Millosheviqit dhe Vuçiqit ringjallin humbjet, gjakun, vrasjet dhe hakmarrjen. Këta shkojnë disa qindra vite prapa. Fjalimet e tyre ndërtojnë një popull të pafajshëm, heroik dhe sajojnë një “viktimë të pa kuptuar” nga bota që i rrethon. Mendoj se kjo analizë e shkurtë është me rëndësi sepse kjo reflekton një realitet se si fjalimet retorike nacionaliste mund të kenë pasoja të tmerrshme për njërezimin.

Tjetra është se gjeneratat e reja mund të mësojnë nga ky diskurs retorik, fuqinë dhe pasojat e saj. Millosheviqi dhe Vuçiqi ndërtuan një popull me nevoja për më shumë “Freies Raum”*; E, ky popull u bind dhe besoj për idenë e Serbisë së Madhe, dhe ishte i gatshëm të eci edhe mbi kufoma për të arritur tamam këtë: Serbinë e Madhe.

*(Hapesirë e lirë dhe më të madhe), shprehje e nazistëve)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat