Si e durojnë shqiptarët ende edhe sot regjimin kriminal të politikës dhe të drejtësisë?!

Opinione

Si e durojnë shqiptarët ende edhe sot regjimin kriminal të politikës dhe të drejtësisë?!

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 12 shtator 2018 Në ora: 13:41
Skënder Sadri Kapiti

Pas vetërënies së komunizmit  në Shqipëri, kumunistët e “vërtetë” , pra  ata më servilë dhe më të paturp, ata më bastardët u shndërruan në demokratë.

Këta  dhe pinjollët e tyre e  kapën dhe e privatizuan edhe pluralizmin, edhe demokracinë,edhe politikën, edhe pushtetin, edhe shtetin, edhe biznesin, edhe pasurinë, edhe drejtësinë, dhe për pasojë  bënë të mundur instalimin e një regjimi politik e juridik  korruptiv e të kriminalizuar të atyre përmasave sa që edhe ndërkombëtarët: SHBA , BE dhe VETTING-u i imponuar prej tyre e kanë të vështirë për ta çmontuar këtë sistem degjenerativ krimi e korrupsioni.  

Dhe më në fund me megjithë këtë angazhim ndërkombëtar për të mirën e shqiptarëve , shqiptarët nuk reagojnë por rrinë indiferent dhe as nuk lëvizin , nuk protestojnë kundër këtij sistemi por vetëm durojnë, rrinë dhe presin nga të tjerët, dhe madje gjejnë edhe rrugën më të shkurtër për tu shpëtuar padrejtësive të sistemit: atë të eksodit ,të largimit nga atdheu.

Kjo gjëndje dhe ky realitet i  rëndë që ka precipituar si i tillë  ku nuk ka ku të shkojë më keq e më poshtë  u bë edhe me “miratimin” në heshtje edhe të Perendimit, te cilit nuk  i interesonte shumë demokracia në Shqipëri.

Nuk  është  e vërtetë se ata, pra europerendimorët  gjatë këtij tranzicioni ndjenë dhimbshuri për ato se çfarë  kishin vuajtur e pësuar shqiptarët nën regjimin komunist.

Nuk mund ta shfajësojnë veten e tyre perendimorët  vetëm me “këshilla” e vërejtje  për politikën shqiptare për mosrealizim standartesh demokratike, për mossundim të ligjit, për mos  integrimin e shqiptarëve në Europë, pasi janë ata perendimorët  të cilët ua krehën bishtin , i njohën, dialogonin e komunikonin diplomatikisht, moderatorikisht  dhe “demokratikisht” me ishkomunistët e pasuesit e tyre në pushtet e në politikë, me politikanët dhe me këtë farë  elite politike shqiptare gënjeshtare, hipokrite, mashtruese dhe të korruptuar e të kriminalizuar.

 Po të këmbëngulnin seriozisht perendimorët dhe  demokracitë  e politika e tyre, nuk do të ishte tejzgjatur kaq pafundësisht ky farë i ashtuquajturi tranzicion traumatik në Shqipëri, nuk do të kishte pasur asnjë ditë jetë ky sistem politik dhe juridik i kriminalizuar në Shqipëri.

Kjo për faktin se perendimi e di shumë mirë se në duart e kujt ra demokracia, politika dhe shteti shqiptar pas vetërënies së komunizmit. Kjo ndodhi pasi perendimit këto vite tranzicioni në Shqipëri, atyre u ka interesuar vetëm  stabilokracia në Shqipëri , edhe poqese ky stabilitet vendosej e sundohej nga krimi e korrupsioni, nga autokratët dhe nga  hajnija e papërgjegjshmëria e politikanëve shqiptarë, nga vjedhja dhe hajdutëria, nga papërgjegjshmëria dhe amoraliteti politik, pra nga regjimi politik pluralist i kriminalizuar dhe i korruptuar.

Nuk patën shqiptarët përkrahje të vërtetë dhe serioze nga perendimi,  dhe vetem kur perendimorët u bindën se në çfarë gjëndje të mjerueshme e të rëndë sociale, politike, demokratike dhe sidomos kriminale dhe padrejtësie erdhi dhe u perkeqësua vazhdimisht Shqipëria, e cila nuk kishte rrugëdalje nga politika shqiptare e krimit dhe e korrupsionit, atëhere, por me shumë vonesë ndërhyri perendimi per miratimin e VETTING-ut, si i vetmi mjet për ta çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nga kthetrat e kësaj politike dhe të kësaj drejtësie të kriminalizuar e të korruptuar, hajdute dhe të papërgjegjshme.

Pra ky regjim politik  e juridik kriminal e korruptiv i tranzicionit  në Shqipëri vetëm sa ua shtoi stresin, vuajtjet dhe padrejtësistë shqiptarëve.

Fatkeqësisht po kjo ndodhi edhe në Shtetin e Kosovës si  kopje e njëjtë politike, juridike, krimi dhe korrupsioni ashtu si në Shqipëri, dhe po ashtu edhe shqiptarët në Kosovë kanë pasuar e vuajnë po të njëjtat pasoja si shqiptarët e Shqipërisë .

Shqiptarët vuajnë  dhe e pësojnë  pra akoma edhe sot  prej padrejtësive.

Padrejtësitë në Shqipëri e Kosovë janë gjithfarëshe si padrejtësi politike, ekonomike, sociale, administrative, intelektuale, pronësore, juridike, arsimore, shëndetsore etj.,  pra vuajnë prej regjimit politik antipopullor e kriminal.

Pa marrë parasysh se cili krah politik e klanor vjen dhe qeveris Shqipërinë apo edhe Kosovën, fizionomia kriminale e politikës  dhe  keqfunksionimi i shtetit vetëm sa janë  perfeksionuar vazhdimisht.

Prej këtyre padrejtësive stresante  dhe depresive,  prej këtyre padrejtësive të pabarazive dhe prej krimit e korrupsionit  gjithfarësh shqiptarët largohen nga atdheu në rastin më të parë që u krijohet  mundësia.

Problemi më i madh që diskutohet sot ndër shqiptarët është  si të largohen nga Shqipëria sepse e kanë humbur shpresën në Shqipëri.

Eksod ka edhe në vënde të tjera të Afrikës e Lindjes së Mesme por atje problemi i eksodit ka të bëjë me konfliktet dhe me luftrat civile ndërsa në Europë janë shqiptarët ata të cilët largohen nga atdheu vetëm prej keqpolitikës dhe prej pushtetit e qeverisjeve injorante, të korruptuara dhe të kriminalizuara   të cilat  u shkaktojnë  shqiptarëve padrejtësi,  papunësi, varfëri,  vjedhje dhe korrupsion duke grabitur pushtet, pasuri e para dhe që e mbajnë të pazhvilluar ekonomikisht vëndin si dhe nuk punojnë për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, të mirëqënies e të sigurisë.

Pra duke u ndalur vetëm në këtë aspekt: të largimit të shqiptarëve nga atdheu, ky  fakt  më jep të drejtën e emërtimit të këtij titulli të këtij shkrimi se përse duhet ta durojnë shqiptarët këtë regjim kriminal të politikës dhe të drejtësisë , si pasojë e të cilit , e  këtij regjimi tipik të tillë antipopullor, kriminal dhe korruptiv dhe prej një drejtësie të tillë  po të kriminalizuar e të korruptuar qytetarët shqiptarë detyrohen ta braktisin akoma edhe sot atdheun, madje deri në një masë të tillë sa që ua kalon edhe vëndeve të cilat janë perfshirë në konflikte e luftra civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat