Një ide serbe për Ballkanin - Bota Sot
Një ide serbe për Ballkanin

Opinione

E diel, 23 shtator 2018

Një ide serbe për Ballkanin

Nga: Mr. Sc. Ymret Reshiti Më: 14 shtator 2018 Në ora: 16:46
Mr. Sc. Ymret Reshiti

Pas vetmisë së madhe që presidenti Thaçi e përjetoi nga kundërshtimi absolut i  faktorit vendor kundrejt idesë për “korrigjim kufijsh”, ai vendosi që ta “relaksoj” vetën me organizimin e një “turni Ballkanik”.

Ky turne ka si pikësynim që  idenë serbe  për “korrigjim kufijsh” ta promovoj  tek shtetet fqinje të Kosovës si  ide “paqësore” për stabilitetin e Ballkanit.

Pa u hamendësuar fare se kush mund ta besoj  këtë “broçkull”, presidenti Thaçi  vizitoi Malin e Zi dhe Maqedoninë  në  misionin e tij  për të “garantuar”   atë   që nuk mund ta garanton  asnjë politikan në botë. Tua garanton të ardhme politike të këtyre vendeve duke i siguruar se nuk do t’iu “korrigjohen kufijtë”  nëse Kosova dhe Serbia  realizojnë ‘korrigjimin e kufijve”.

Është komike të mendosh që të “garantosh” proceset e ardhme politike të një shteti, sidomos kur dihen se sa ndikim ka dialektika në politikë. Nuk është në fuqinë e Thaçit dhe akëcilit politikanë në botë që mund  të garantoj  Maqedoninë dhe Malin e Zi se në rrethana të ardhme politike nuk do të ketë kërkesa të shqiptarëve  për “korrigjim kufijsh” të atyre shteteve. Është absurde të tentosh të hysh garantë i gjërave të “pasigurta”  të cilat varen kryekëput nga e ardhmja. Vet e ardhmja është e pa sigurt sidomos e ardhmja  në politik. Amerika dhe Rusia si dy superfuqi të botës për 50 vite nuk patën arritur  të stopojnë ose parandalojnë zhvillimet politike anë e këndë botës, e jo më një individ si Thaqi, i cili nuk ka as përkrahjen e popullit të tij.

Të garantosh për ambiciet e politikave të shteteve në botë  se si  kanë me u sjellë në të ardhmen është  jashtë çdo logjike normale, e sidomos kur logjika politike këtë fare nuk e njeh.

Tani ka  mbetur të shihet se  çfarë garanci Thaçi do t’i jep kumbarës së kësaj ideje-kryeministrit Rama, për të mos e lënë të “trembur” nga  ideja e “ korrigjimit  të kufijve”! Sigurisht që do ta garantoj  se Kosova  nuk do të ketë “kurrë” pretendime territorial ndaj Shqipërisë dhe as nuk do të kërkojë “korrigjim kufijsh” me Shqipërinë në të ardhmen!

Thaçi megafon i Serbisë për Ballkanin

Përderisa çdo ditë e më shumë  në arenën ndërkombëtare po betonohet   qëndrimi kundër  idesë serbe për “korrigjim kufijsh” sidomos nga vendeve kyçe të Evropës, i mekur nga vetmia në këtë ide Thaçi  është shndërruar në një megafon të Serbisë në konferenca për shtypë.

Asgjë të tijën personale nuk e ka në këtë ide Thaçi pos  rolit të tij si megafon për ta përhapur kudo në Ballkan idenë serbe për “ korrigjim kufijsh” si ide e paqes në Ballkan.

Ideja për “korrigjim kufij”  nuk ka qenë asnjëherë  ide shqiptare sepse në thelb  është ide për shkëmbim territoresh. Shkëmbimin e territoreve  shqiptarët  kurrë nuk e kanë pranuar në kuptim të “bashkimit” por si ndarje, për vetë rrethanat në të cilin gjendet kombi shqiptarë. Është dallim i madh në mes bashkimit kombëtar dhe shkëmbimit të territoreve shqiptaro –shqiptare  sipas të cilit po e kupton bashkimin Hashim Thaçi.

Ideja për “korrigjim kufijsh”-shkëmbim të territoreve shqiptaro- shqiptare në mes Kosovës dhe Serbisë është ide anti shqiptare për bashkimin e trojeve  shqiptare në një shtet etnik.

Thaçi  duhet ta kuptoj se insistimi i tij egoist dhe prepotentë për të mos  hequr dorë “kollaj” nga ideja  serbe e “korrigjimit të kufijve”  me marrëveshje Kosovë –Serbi, e ëmbëlsuar me fjalën romantike për  “paqen në Ballkan” nuk  është i mjaftueshëm për ta shtyrë tutje këtë ide,  e cila pos që po konsiderohet e rrezikshme, tani  po quhet edhe ide e çmendur.

Është për keqardhje se sa mundim organik i shkakton Thaçit  pesha e kësaj ideje ngase zakonisht idetë serbe dhe ruse kanë goxha peshë të madhe për supet e  “argatëve “ të tyre.

Pesha e ide serbe për Ballkanin  i ka kushtuar Ballkanit e Evropës me miliona jetë njerëzish dhe dëme materiale miliardëshe .

Serbëve iu mjafton një vrimë për ta hapur një derë në politik

Ishin idetë Serbe për “paqen në Ballkan” ato që kanë shkaktuar luftën  e parë botërore, luftërat ballkanike dhe luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. 

Pse duhet t’i besojnë shqiptarët idesë serbe për Ballkanin kur  nuk iu beson më as Evropa? A duhet të dorëzohemi para ca “zyrtarëve” të Bashkimit Evropian pa fuqi politike dhe ca shteteve  mike të Serbisë?

Ideja për korrigjim kufijsh  në thelb  nënkupton  ndarje e  Kosovës,  qoftë e realizuar edhe nën siglën e  të ashtuquajturës “shkëmbim i territoreve”.  Serbëve iu mjafton një vrimë për ta hapur një derë në politik.

Shkëmbimi i territoreve paraqet vrimë për Serbinë e cila pastaj do hap portën për ndarjen e Kosovës nga të katër anët.

Historia ka treguar se në çdo konferencë ndërkombëtare kur është diskutuar për trojet shqiptare  Serbia ka dal fitimtare në tryeza të bisedimeve duke gllabëruar territore shqiptare. Kush garanton se Kosova nuk do të humbë territor ma shumë se 4 komunat me shumicë serbe në veri? Në bisedime vetë ulja në tavolin me palën tjetër është pajtim në parim për tu marr vesh për diçka.

Vetë hapja e temës për shkëmbim territoresh nuk ka cak se ku mund të përfundoj dhe për më keq që po flasim për një marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë që duhet të arrihet patjetër.

Dhe fjala “patjetër” është djalli që mund të na shfaqet në detalet e  negociatave për “korrigjim kufijsh”!

Karamelet ruse

Thaçi nuk e fsheh entuziazmin se Rusia e mbështet  atë në  idenë serbe  për “korrigjim kufijsh”. Takimi i tij me kryeministrin e Rusisë Medved për të ishte si një karamele që e kënaqë fortë ambicien e tij për të qenë flamurtar i idesë së çmendur për tragjedi të reja të Ballkanit.

Rusët dinë të jenë zemërgjerë dhe u japin karamele  gjithë atyre politikanëve që  besojnë në sinqeritetin bolshevik rusë.

Rusia çdoherë ka qenë sponzorizuesja kryesore e ideve serbe për Ballkanin edhe kësa për “korrigjim kufijsh”. Rusia e mbështet këtë ide, bile duke përfshirë në këtë “mesele” edhe miqtë e saj në shtëpinë e bardhë për efektin propagandistik- atë të karameles ruse.

Dhe jo rastësisht Xhon Bolltonit  zgjodhi  Kievin ( Ukrainën) që të jep një deklaratë  për idenë e shkëmbimit të territoreve, sa për hamendësuar edhe më shumë Thaçin në krijimin e përfytyrimit se pas Boltonit qëndron Amerika!

Shtrohet pyetja sa mijë dollar i ka përfituar Xhon Boltoni  nga Putini për ta dhënë atë deklaratë mediatike, kur dihet se ai si këshilltar nuk ka kurrfarë peshe në vendimmarrjen politike në SHBA.

Thaçi e hëngri karamelen ruse nga duar e Boltonit.

I përhumbur në ëmbëlsinë e karameles ruse Thaçi assesi të këndellet dhe krahë për krahë me serbeve po vazhdon betejën e humbur për jetësim të idesë serbe për “paqen në Ballkan”  të cilat ide prodhojnë vetëm tragjedi të reja.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test