Karta territoriale si zgjidhje?

Opinione

Karta territoriale si zgjidhje?

Nga: Mentor Tahiri Më: 16 shtator 2018 Në ora: 07:16
Mentor Tahiri

Në diskursin politik në Kosovë ka zënë vend tema lidhur me territoret që Kosova do t’i ndajë, shkëmbejë apo korrigjojë me Serbinë. Mund ta quajmë sido, por është e qartë që së paku termi “korrigjim” nuk përkon me atë për çka po flitet. Së paku sipas asaj që me anë të mesazheve krejtësisht të cunguara dhe të paqarta thuhet, këtu bëhet fjalë për territore dhe vendbanime të cilat nuk janë këndej apo andej kufiri për shkak të ndonjë gabimi teknik me rastin e vendosjes së vijës kufitare.

Në historinë e re politike të Evropës, vërtetë ka raste të shkëmbimeve apo korrigjimeve dhe një nga këto raste është ajo çfarë ka ndodhur ndërmjet Belgjikës dhe Holandës, por bëhet fjalë për vendbanime të vogla të populluara nga i njëjti grup etno-linguistik holandishtfolës. Ndryshimin e fundit në vijën kufitare ndërmjet tyre, dy vendet e realizuan në Janar 2018. Shumë më komplekse se çështja e kufirit belgo-holandez, ishte ajo që ndodhi larg Evropës.

Në vitin 2015 India dhe Bangladeshi nënshkruan marrëveshjen me të cilën shuhen rreth 200 enklava territoriale në dy anët e kufirit, duke e thjeshtësuar kështu kufirin ndërmjet dy vendeve. Një nga pikat më përmbajtjesore të marrëveshjes është fakti se çdo banori individualisht i njihet e drejta për të vendosur se në cilin shtet dëshiron të jetojë, duke mundësuar kështu edhe shkëmbimin e popullsisë. Megjithatë, bëhet fjalë për një popullsi prej gjithsej 50 mijë banorë në të gjitha enklavat, një numër ky krejtësisht gati i parëndësishëm për demografinë e dy shteteve. Marrëveshja ndërmjet Indisë dhe Bangladeshit fillimisht ishte arritur me 1974, por nuk ishte implementuar kurrë për shkak të turbulencave politike nëpër të cilat do të kalojë Bangladeshi pas vrasjes së kryeministrit me 1975.

Ajo çfarë po pështillet në ri-aranzhimet territoriale Kosovë-Serbi, mund të mos ndodhë kurrë. E tëra mund të jetë edhe blof politik, për të lodhur opinionin deri në atë masë, sa çfarëdo që serviret të mos jetë e kundërshtueshme. Në plan gjeo-strategjik, Serbia ka interes të luajë në hartën ballkanike, për çështje që tejkalojnë interesat e saj në Kosovë. Çështja e kufijve, respektivisht ndryshimi i tyre, sot mund të jetë produktiv për Serbinë, për shkak se ky shtet ka aspiratat e tij në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës. Një ndryshim i mundshëm i kufijve të Kosovës, do të krijonte bazën politike për domino efekte të mëtutjeshme dhe do të zhbllokonte një proces të cilin komuniteti ndërkombëtar më parë e ka ndaluar. Sigurisht se pala kosovare ka arsyet e saj për këto tema, pa qenë e vetëdijshme për favoret strategjike të cilat me këtë i bëhen Serbisë.

Ndryshimet territoriale të viteve 50-të ?

Përderisa mesazhet politike flasin për variante të ndryshme të “zgjidhjes” kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duket qartë se në prapavijë të mesazheve, në të shumtën e rasteve mungon substanca, apo në disa raste flitet për non-sense. Një nga këto është propozimi që Kosova dhe Serbia të rikthejnë kufirin sikurse në vitin 1956. Opinionit duhet sqaruar se Kosova e cila atëbotë kishte vetëm statusin e “Rajonit Autonom” nuk kishte kufij zyrtarë administrativ të precizuar, por kjo parasupozohej me kufijtë e rretheve. Tërësia territoriale e Kosovës do të rivendoset vetëm në vitin 1963 me statusin e “Krahinës Autonome”, për të marrë kuptim më të plotë politik me statusin e vitit 1974.

Ndryshimet territoriale të viteve 50-të, nuk janë një veprim i vetëm. Në opinion në njëfarë mënyre është imponuar ideja se Kosova dhe Serbia kanë këmbyer territore në vitet 50-të, gjë që nuk korrespondon. Ndryshimi i kufirit në Anamoravë ka ndodhur me 1956, kurse ai zonën e Kopaonikut me 1959.

Në vitin 1956, Rrethit të atëhershëm të Gjilanit i janë marrë fshatra, të cilat sot përbëjnë pjesën malore të Komunës së Preshevës. Kufiri i para vitit 1956, linte vendbanimet kryesore shqiptare të Luginës së Preshevës, jashtë Rrethit të Gjilanit, respektivisht Kosovës, përfshirë këtu edhe qytetet e Preshevës dhe Bujanocit. Kurse në vitin 1959, Kosova nuk ka fituar territore substanciale në veri. Pjesa dërmuese e sotme e territorit në veri të vendit e populluar me shumicë nga serbët etnik, ishte pjesë e Rrethit të Zveçanit me seli në Mitrovicë, respektivisht Kosovës, edhe para vitit 1959. Në vitin 1959, Kosovës i ngjiten vetëm 197 km², territor ky që sot përbën më pak se 40% të Komunës së sotme të Leposaviqit.

Lugina e Preshevës

Duhet pranuar se në gjithë mjegullën politike që kanë krijuar deklaratat e paqarta nga përfaqësues politike të dy vendeve, deri tani deklarata më epike e këtij pështjellimi është ajo e Presidentit serb e thënë në fund të Korrikut 2018, kur me pyetje i kundërpërgjigjet shqetësimeve të opinionit serb. “A s’po e doni demarkacionin me shqiptarët? S’ka problem, tregojuni njerëzve që të përgatitemi të mbrojmë Vranjën pas 40 vjetësh”.

Me përmendjen e Vranjës në këtë kontekst, opinionit serb më fuqishëm se asnjëherë i është plasuar ideja se në ri-aranzhimet territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vjen në shprehje edhe Lugina e Preshevës, respektivisht shqiptarët e atyshëm të cilët me anë të shtimit natyror jo-proporcionalisht shumë më të lartë se te serbët etnik, në perspektivë kohore “rrezikojnë” strukturën e tanishme etnike të Vranjës, si qendër regjionale.

Në shumë analiza që i janë bërë kohëve të fundit tre komunave me shumicë shqiptare (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc), gabimisht janë trajtuar të dhënat nga regjistrimi zyrtar i popullsisë i zhvilluar në Serbi në vitin 2013. Përderisa është e qartë se shumë shqiptarë të cilët banojnë në Serbi i janë përgjigjur regjistrimit, pjesa më e madhe e tyre e ka bojkotuar atë në mënyrë të organizuar.

Një analizë më e mirëfilltë e realitetit të sotëm demografik në tre komunat, do të mund të bëhet vetëm me anë të regjistrimit të popullsisë të zhvilluar në vitin 2002. Sipas këtij regjistrimi, në territorin e tre komunave, janë regjistruar diç më pak se 58 mijë banorë me përkatësi shqiptare. Në vitin 2002, shqiptarë në Komunën e Preshevës kishte 31.098 (89.1%), në Komunën e Bujanocit 23.681 (54.7%), kurse në Komunën e Medvegjës 2.816 (26.2%).

Komuna e Medvegjës, e cila gjeografikisht është e ndarë nga Lugina e Preshevës por i përket politikisht, sot është treguesi më emblematik i migrimit të shqiptarëve, gjë që ka kaluar nëpër heshtje të plotë politike. Por përkundër kësaj, shqiptarët përbejnë shumicën etnike në fshatrat Llapashticë e epërme, Gërbavc, Kapit, Sijarinë, Banjë e vjetër, kurse fshatrat Svircë dhe Tupallë banohen vetëm nga shqiptarët. Gjithashtu, shqiptarët përbejnë pjesë të konsiderueshme të popullsisë në fshatrat Banjë e Sijarinës, Gjylekarë dhe Ramabajë.

Cili është kriteri real i zbatueshëm?

Në aranzhime territoriale të mundshme, është vështirë e pritshme se Serbia do të heqë dorë për arsye vitale strategjike nga vija e komunikimit që lidhë Beogradin me Selanikun, sikurse është e pakuptimtë që Kosova të heqë dorë nga Liqeni i Ujmanit. Në këtë drejtim, nga perspektiva e sotme (e nesërmja mund të sjellë çdo gjë), është e diskutueshme që të zbatohet kriteri etnik, por mundet pjesërisht të zbatohet për aq sa nuk cenohen interesat territoriale strategjike.

Strategjikisht, përfshirja e qytetit të Preshevës dhe e gjithë fshatrave në perëndim të Komunës, nuk cenon vijën e komunikimit Beograd-Selanik. E njëjta është deri diku edhe me Komunën e Bujanocit, por ku këto aranzhime mund të lënë gjithë qytetin e Bujanocit jashtë Kosovës. Që nga fillimi i mbajtjes së zgjedhjeve shumëpartiake në Bujanoc në vitet 90-të, është aktive kërkesa politike e partive serbe në Bujanoc për ndarjen e komunës në dy pjesë. Sipas këtij plani do të formohej Komuna e Tërrnocit të Madh me shumicë shqiptare dhe Komuna e re e Bujanocit me shumicë serbe. Në qytetin e Bujanocit, sipas regjistrimit të vitit 2002, kishte 3.590 shqiptarë (29.9), respektivisht rreth 15% e banorëve shqiptarë të Komunës së Bujanocit jetonin në qytet.

Në komunën e Medvegjës përkundër faktit se numri i banorëve shqiptarë është dukshëm më i vogël se në Preshevë dhe Bujanoc, ri-aranzhimet territoriale do të mund të kalonin më lehtë, madje në fshatrat e banuara me shqiptarë nuk kalon asnjë rrugë me çfarëdo minimumi të rëndësisë strategjike. Pjesa e komunës e banuar me shqiptarë gjendet në lindje të aksit rrugor Prishtinë—Medvegjë-Leskovc, në një zonë relativisht të izoluar malore në formë “gadishulli etnik”, e cila gjeografikisht me Kosovën lidhët në cepin verior të Komunës së Kamenicës. Bëhet fjalë për pjesën e Jabllanicës së epërme e cila nuk i është dhënë Serbisë me 1878 dhe nga e cila shqiptarët nuk janë përzënë sikur ka ngjarë me viset e tjera që e rrethojnë.

Presheva dhe Bujanoci së bashku kanë territor me madhësi prej 648 km², ku gjysma gjendet pranë ose në lindje të komunikimit Beograd-Selanik, kurse pjesa e Komunës së Medvegjës e banuar më shqiptarë përfshinë rreth 100 km². Marrë në tërësinë e tij, i gjithë territori i banuar më shqiptarë në këto tre komuna ka sipërfaqe të përafërt sa territori në të cilën shtrihen vendbanimet serbe në Komunën e Leposaviqit.

Duke rikujtuar se nga gjithë “loja me territoret” mund të mos ketë asgjë dhe pa harruar se baza kushtetuese dhe mendimi i popullsisë për këtë as që ka nisur të trajtohet, megjithatë nëse diçka e tillë ndodhë, Kosova duhet t’i përmbahet një kriteri.  Kriteri etnik parasupozohet si kriteri i kyç aty ku nuk suprimohet nga interesat territoriale strategjike, por në madhësinë e territorit që kalon këndej dhe atij që “shkon” andej kufirit duhet të ketë një baraspeshim. Është i pakuptimtë  ri-aranzhimi i kufijve, nëse nuk merr parasysh vëllimin e njëjtë apo së paku përafërsisht të njëjtë të territorit në të dy anët e kufirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat