Turpi

Opinione

Turpi

Nga: Sulejman Mehazi Më: 19 shtator 2018 Në ora: 13:06
Sulejman Mehazi

E gjithë bota mundohet për të mirën e njerëzimit e ti fle e fare s'perpiqesh për paturpësinë njerëzore. Pse rri aq heshtur para gjithë kësaj katrahure?, pse nuk e zbulon kokën tënde të bukur e të ndershme  t'ju tregosh e t'ju thuash të tjerëve se pa mua nuk mund të jetoni!? Pse? Ç'dodh me ty, pse lehtësisht e aq shumë ia ke lëshuar rrugën Paturpësisë që si dallgë deti të ka përplasur nëpër ujërat e llumosur, të pista e të ndyra detbrigjeve e nuk të merr për fare?

Pse je fshehur në skaj të botës?, pse se nxjerr zërin tënd e t'i tregosh kohës postmoderne se ç'je, pse s'të duan si më parë, pse? Pse s'tregoni se ti, Turp, je fytyrë e ndershme kundrejt Paturpësisë së pandershme, pse s'tregoni se jeni perde e brendshme shpirtërore që mbulon  shëmtirat e padukshme njerëzore, e, jo mbulesë, perde moderne dhomash që blehen në pazar. Perdja e brendshme shpirtërore po qe se griset e plas rrikthehet në paturpësi.

Pse s'tregon se je mbretëreshë e shpirtrave njerëzorë që me kurorën tënde turpërore mbulon veset dhe karakteret njerëzore. Mbulesë mistike që ruan kujdesshëm e me xhelozi: moralin, karakterin, bujarinë, besnikërinë familjare, fetare e kombëtare, ruan bukurinë estetike e artistike shpirtërore tët' folurit, pamurit e dëgjuarit bukur. Ruan vetitë e cilësitë e mira nga ato të këqija, ruan ndershmërinë e meshkujve ndaj bukurisë së femrave, gjuhën e pastër e të sinqertë dashurore ndaj gjuhës së shëmtuar të urrejtjes; mençurinë e diturinë, ndaj shëmtisë e hipokrizisë!

Pse ti Turpi ynë, shqiptarëve s'ju tregon haptazi se jeni tryeza më e bukur shpirtërore në brendinë e padukshme njerëzore?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat