Qenka bërë një studim serioz për familjen time!

Opinione

Qenka bërë një studim serioz për familjen time!

Nga: Jakup Krasniqi Më: 19 shtator 2018 Në ora: 23:54
Jakup Krasniqi

Sigurisht që mendova goxha shumë, t’i përgjigjëm a jo këtij studimi të porositur, mbase edhe të paguar mirë për t’i numëruar meshkujt e familjes sime edhe pse jo të gjithë.  Padyshim që ky është një lajm i paguar nga parat që kanë origjinë në krimin e organizuar që e sundon Kosovën, nga paraja e krimit më të cilat paguhen disa medie, të cilat edhe ashtu lehtas mund të lidhen edhe me strukturat e ish pushteteve që kanë ushtruar gjenocid mbi qytetarët tanë. Pra kemi të bëjmë me medie jo profesionale, jo oponente me qeverisjet e kriminalizuara që nuk njohin e respektojnë asnjë normë ligjore.

Cili është qëllimi i këtij “studimi” të detajuar për familjarët e mi?!

A ju vije keq këtyre bandave të instutucionalizuara në jetën politike, institucionale e mediale, se nga është duke shkuar Kosova, si po qeveriset vendi dhe pasuria publike, si po grabitet paraja publike etj., por qenkan bërë pengesë familjaret e mi të punësuar për një rrogë si shumë të tjerët dhe në anën e kundërt nuk po i shohin monopolet e krijuara e të drejtuara nga njerëz të lidhur me 1001 fije me politikën e lartë të pushtetarëve dhe të njëjtin, si gjarpërinjtë kanë kapur të gjitha institucionet e shtetit, e në mënyrë të veçantë Sistemin e Drejtësisë, të Sigurisë, Ndërmarrjet publike, Sistemin e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë. Nuk ju vije keq, për akuzat e çdo lloji të ngritura për të gjithë krerët e shtetit dhe njerëzit e lidhur më ta e paskan gjetur kohë të merren me familjaret e mi, pse ata janë gjallë?!

Vërtet do të më vinte keq, sikur ndonjëri nga familjarët e mi do të kishte ndonjë akuzë për krim a korrupsion, siç ka në institucionet e shtetit. Po të ishte një lajm i tillë, do të më vinte më shumë se keq. Për lajmin në fjalë, nuk me vije keq, nuk me vije keq se jo të gjithë janë të punësuar në Ndërmarrje Publike a administratë shtetërore. Ka prej tyre që kanë pozita politike, për arsyeje të angazhimit të tyre shumëvjeçar në struktura të organizuara politike. Kam familjar që punojnë edhe në Evropë e Amerikë.

Me vije akoma më mirë, pse kjo strukturë e organizuar kriminale e banditeske, e shtrirë në shumë pore të shoqërisë sonë politike, publike e institucionale, nuk ka arritur në asnjë formë të kurdis ndonjë akuzë ndaj meje për dhjetë vitet e drejtimeve të institucioneve të rëndësishme të shtetit. Tri vite si Ministër i Shërbimeve Publike në Qeverinë e parë të udhëhequr nga Bajram Rexhepi, më shumë se gjashtë vite si Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Detyra që i kam ushtruar me përgjegjësi të lartë politike, intelektuale e profesionale. Se po të kishte diçka të tillë, politika e mediet e kriminalizuar do të kokorizin si pulat pasi e bëjnë vezën. Për diçka të tillë, as kanë pasur e as kanë ndonjë shans, prandaj e paskan gjetur ketë mundësi, t’i numërojnë familjarët e mi të punësuar. Por, nuk e pash asnjë informatë për ndjekjet e familjes sime, sidomos nga viti 1981, kur punësimi për familjarët e mi ishte “mollë e ndaluar”.

Pse e paskan bërë ketë, kriminelet e ulur këmbëkryq në institucionet më të larta të shtetit dhe banditet e tyre të vegjël në medie?

Janë disa arsyeje:

E para, pse unë po flas e shkruaj për të mbrojtur popullin tim, shtetin e krijuar më shumë sakrifica me të vetmin qëllim që qëndrimet e mija mos të kenë besueshmëri të qytetarët e Kosovës. Dhe për t’i dhënë zë mosbesimit për atë që them e shkruaj, ata kanë paguar çdo soj zagarësh dy këmborë për të më diskredituar para njerëzve. Dhe nuk është kjo që nuk e kam pritur. Nga banditet gjithçka është e pritshme, por friken nuk ua kam.

Dhe e dyta, për të heshtur, mos m’i kundërshtuar pazaret që po përgatiten nga krerët e institucioneve të shtetit (President, Kryetar i Kuvendit dhe Kabineti Qeveritar). E di dhe e di mirë se kjo kastë politike që ndodhet momentalisht në krye të institucioneve të shtetit, e dinë mirë se nuk heshti për derisa kam energji, dashuri e përkushtim për të punuar për shtetin e kombin tim. Ata e dinë, por, po i përkujtoj se unë nuk kam heshtur në kohën e Titos që disa akoma qajnë për te. Nuk kam heshtur as në kohen e krimineli Millosheviq dhe me përgjegjësinë që kam pas marrë në kohën e luftës, ka pasur shumë mundësi, që sot mos të flitnin për familjaret e mi të punësuar. Dhe atë e kam pas bërë me emër e mbiemër, e jo me pseudonime shtazësh, bishash e hardhucash. Nuk kam heshtur as në kohën e Administrimit Ndërkombëtar në Kosovë, nuk kam heshtur as si opozitar, nuk kam heshtur as sa isha në drejtimin e Kuvendit të Kosovës, nuk heshti as sot, se kjo është filozofja ime politike. I pëlqej a si pëlqej dikujt!

Se treti, ketë nuk po e shkruaj për t’ju përgjigjur medieve të korruptuara e të kriminalizuar, as langonjve të rrjeteve sociale, se ata atë zanat kanë. Po shkruaj për t’ju thënë atyre që e kanë shndërruar Kosovën në Pashallëk, ku pashallarët vrajnë e kthjellin, se do të jam kujdestar me orar të shtuar për t’i denoncuar për çdo dëm e krim që po ia bëjnë vendit tonë. Natyrisht që do t’ju them të gjithë atyre që kanë sy e vesh, se shteti ynë është duke u shndërruar në një monstrum që nuk i duhet askujt. Se këta njerëz, nuk dinë dhe nuk donë të bëjnë asnjë punë të mirë e të ndershme për kombin e shtetin. Këta njerëz që e kanë katandisur Kosovën tonë në ketë gjendje të mjerë, nuk mund t’ia kthejnë perspektivën qytetarëve tanë.

Këta njerëz, merren me çdo gjë të pistë, por kurrë, kurrë nuk do të krijon perspektivë për qytetarët dhe kurrë Kosova nuk do të bëhet shtet i së drejtës me kapabanda.

Këta njerëz janë pisa. Pse janë pisa? Janë pisa se nuk kanë guxim që ta hedhin gurin e ta qesin dorën e krimit. Unë po e hedh gurin dhe krejt trupin, pra jo vetëm dorën e kam ekspozuar para opinionit publik.

Unë, kurren e kurrës nuk do të pushoi se denoncuari çdo formë të krimit.

E di që s’ka nevojë që t’ju them, por po ua them: Ndaqi me pushtet e ndaqi pa pushtet, nuk e di që jeni të gjallë dhe nuk ju konsideroj njerëz, por bisha të pangishme, të gatshëm për të shqyrë çdo kundërshtar frikacak!

Besoj që e dini se juve komandanteve, kurrë nuk ju kam pasur idola!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat