Letër publike presidentit serb që e quajti Kosovën shtet terrorist dhe banditesk… - Bota Sot
Letër publike presidentit serb që e quajti Kosovën shtet terrorist dhe banditesk…

Opinione

E martë, 16 tetor 2018

Letër publike presidentit serb që e quajti Kosovën shtet terrorist dhe banditesk…

Nga: Ragip Guraziu Më: 21 shtator 2018 Në ora: 12:07
Ragip Guraziu

Lufta e Kosovës duket se ishte edhe lufta e fundit në Ballkan. Ndërkohë që shpërbërja totale e Jugosllavisë, si me hapin e parafundit të saj, shkëputja përfundimtare e Malit të Zi, ashtu edhe nëpërmjet hapit të fundit, Pavarësia e pritshme e Kosovës, shihet qartë se nuk mund të jenë tjetër veçse akti i formalizimit diplomatik të një drame të përgjakshme, statistikat e së cilës janë bërë tashmë publike. Pavarësisht nga pretendimet dhe agresiviteti shpresëhumbur i Beogradit për të penguar sa më shumë që të jetë e mundur, si në formë ashtu edhe në përmbajtje një finalizim logjik të zyrtarizimit të aspiratës shqiptare për të mos qenë pjesë e një federate apo e një bashkimi eklektik me një grup popujsh, me të cilët, përveç respektit fqinjësor dhe dëshirës për të qenë përjetësisht në paqe dhe mirëkuptim historik, duket se nuk i lidh asgjë tjetër, jo vetëm deklarimet historike dhe referencat e vlefshme ndaj ngjarjeve dhe gabimeve të një shekulli më parë, botërisht të pranuara si të tilla, tashmë edhe nga ata që i ndërmorën dhe, madje, edhe ekzekutuan këto gabime (intensiteti i të cilave dhe pasojat që sollën u dhanë me të drejtë damkën e një faji të madh), por edhe vetë seleksionimet e postluftës, deri në tempullin që po e gjykon dhe po e dënon atë, vërtetojnë atë që tashmë dihet dhe pranohet nga e gjithë bota:

Ju jeni një president i një shteti që Gjykata e Hagës u tha: Serbët, 590 vjet krime në Ballkan

Lufta e Kosovës duket se ishte edhe lufta e fundit në Ballkan. Ndërkohë që shpërbërja totale e Jugosllavisë, si me hapin e parafundit të saj, shkëputja përfundimtare e Malit të Zi, ashtu edhe nëpërmjet hapit të fundit, Pavarësia e pritshme e Kosovës, shihet qartë se nuk mund të jenë tjetër veçse akti i formalizimit diplomatik të një drame të përgjakshme, statistikat e së cilës janë bërë tashmë publike. Pavarësisht nga pretendimet dhe agresiviteti shpresëhumbur i Beogradit për të penguar sa më shumë që të jetë e mundur, si në formë ashtu edhe në përmbajtje një finalizim logjik të zyrtarizimit të aspiratës shqiptare për të mos qenë pjesë e një federate apo e një bashkimi eklektik me një grup popujsh, me të cilët, përveç respektit fqinjësor dhe dëshirës për të qenë përjetësisht në paqe dhe mirëkuptim historik, duket se nuk i lidh asgjë tjetër, jo vetëm deklarimet historike dhe referencat e vlefshme ndaj ngjarjeve dhe gabimeve të një shekulli më parë, botërisht të pranuara si të tilla, tashmë edhe nga ata që i ndërmorën dhe, madje, edhe ekzekutuan këto gabime (intensiteti i të cilave dhe pasojat që sollën u dhanë me të drejtë damkën e një faji të madh), por edhe vetë seleksionimet e postluftës, deri në tempullin që po e gjykon dhe po e dënon atë, vërtetojnë atë që tashmë dihet dhe pranohet nga e gjithë bota: shqiptarët (pra, edhe kosovarët, si pjesë historike dhe e pandashme e këtij nocioni) nuk kanë asgjë të përbashkët me shtetin e ëndërruar prej serbëve në Ballkan.

Statistikat zyrtare që dalin nga dosjet e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi flasin qartë për atë që për disa vazhdon të jetë ende "dilemë" dhe, me sa duket do të mbetet si e tillë: Kush janë pra kriminelët e vërtetë të luftërave që shpërthyen në 10-vjetëshin e fundit në ish-Jugosllavi dhe mbi kë bie zyrtarisht përgjegjësia për një nga kasaphanat më të përgjakshme në territorin e Evropës në shekullin e 20-të? Sa për konvencion në këtë pikë do të na duhej të thoshim se, ndërsa përdorim termat e përkatësive etnike të kriminelëve të luftës, të shpallur zyrtarisht si të tillë nga gjykata në fjalë ("serbët", "maqedonasit", "kroatët" etj.) me këtë rast nuk duam të themi aspak se kemi ndërmend të fajësojmë kolektivisht popujt në fjalë.

Për respekt të demokracisë dhe të kontinentit evropian që e mishëron atë dhe vlerat e saj, duke iu shmangur sa më shumë të jetë e mundur ndjenjave të natyrshme kombëtare dhe historisë në të cilat janë skalitur ato, ia vlen që për të dizenjuar sa më saktë akuzën "kriminel lufte" nuk mund të referosh argument më të mirë se sa vendimet e një gjykate me prestigj ndërkombëtar, madje, edhe e krijuar si e tillë, kur më 25 maj të vitit 1993, vendimi për institucionalizimin e saj nuk doli nga kund tjetër, veçse nga zyrat e OKB-së. E pra, sipas shifrave zyrtare të saj, mësohet se në 14 vjetët e ekzistencës së vet, Gjykata e Hagës ka dhënë në total 800 vjet dënime me burg; nga të cilat 590 u takojnë të gjykuarve nga Serbia, 166 vjet atyre që janë ekstraduar nga Kroacia, 42.5 për boshnjakët dhe vetëm 13 vjet për të vetmin kosovar që është gjykuar deri më sot. Pavarësisht egërsisë së ftohtë me të cilat paraqiten këto shifra dhe pretendimeve interpretuese që mund të ketë për to, në fund të fundit duhet pranuar se faktet janë kokëfortë, si të gjitha faktet që rrjedhin nga shifrat, sidomos kur shifrat dalin nga një organ i tillë fuqiplotë, siç është Gjykata dhe sistemi i Drejtësisë në përgjithësi.

Në fund të fundit, mjaftojnë vetëm këto, pa hyrë shumë në analizën e historisë dhe të fakteve të mbledhura e të skalitura prej saj, për të kuptuar, jo vetëm emocionalisht dhe politikisht, por edhe juridikisht se cilët janë kasapët dhe cilat viktimat reale në Ballkan. U bënë diçka më pak se 6 vjet që ish-Presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç u gjend në rezidencën e tij të re, në Burgun e Sheveningenit, pranë Hagës në Holandë. Në të njëjtën kohë, gazeta londineze "The Times" i kushtonte burgut në fjalë një reportazh të gjatë, ku përveç të tjerash e quante atë si vendi "i përqendrimit më të madh të Kriminelëve të Luftës, që nga koha e Gjyqit të Nyrenbergut dhe të Tokios, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore". Tani, Millosheviçi nuk është më (ai ka vdekur në qelinë e tij më 11 mars të vitit 2006), por burgu i Sheveningenit vazhdon gjithmonë të strehojë, jo pak, por 46 të akuzuar, në proces gjykimi ose të dënuar tashmë nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e njohur ndryshe edhe me emrin Gjykata e Hagës, për shkak të vendndodhjes së saj.

Aty mund të gjendet gjenerali kroat Ante Gotovina, ish-kryetari i Parlamentit boshnjak dhe shefi i serbëve të Bosnjës, Momcilo Krajisnik (i cili, në fakt pret transferimin e tij në një tjetër vend, pasi për të Gjykata e ka thënë tashmë fjalën e vet, duke i dhënë dënimin me 27 vjet burg), ish-presidenti serb Milan Milutinoviç, radikali serb Vojislav Sheshel dhe që prej pak kohësh edhe dy maqedonasit Ljube Boshkovski dhe Johan Tarculovski. Në fakt, të gjithë ata që mendojnë se gjithë këta ish-armiq të të gjitha kombësive të ish-Jugosllavisë janë gati të shqyejnë njëri-tjetrin, gabohen rëndë; të burgosurit e Sheveningenit jetojnë në atë gradë paqeje dhe mirëkuptimi me njëri-tjetrin, sa që në një farë mase të kujtojnë sloganin e famshëm të ish-Jugosllavisë titiste: "Vëllazëri dhe Unitet", sikur të mos kishte ekzistuar kurrë ai 10-vjeçar i përgjakshëm i fundit të shekullit të kaluar midis popujve të saj. Ata hanë bashkë, ndërkohë që edhe ndeshjet e futbollit, lojërat me letra, partitë e përbashkëta të shahut etj., janë tashmë diçka krejt e zakonshme për "bashkëvuajtësit" e Sheveningenit, pavarësisht nga origjina etnike që ata kanë dhe e kaluara që i implikon në krime kundër popullsive të njëri-tjetrit.

Pas vdekjes së Millosheviçit (nga i cili, një pjesë e mirë e tyre kishte marrë edhe mësime anglishteje), shumica e të burgosurve janë kthyer në personazhe të gazetave serbe, duke dhënë opinionet dhe versionet e tyre personale për të, ndërkohë që ish-presidenti i Serbisë nuk ka qenë i vetmi që i ka mbyllur ditët e fundit të jetës së tij në qelitë e këtij burgu. Kështu, Slavko Dokmanoviç u vetëvra në vitin 1998, ndërkohë që Milan Kovaçeviç vdiq në mënyrë natyrale vetëm një muaj më pas. Të njëjtin fat pati edhe ish-shefi i serbëve të Kroacisë, Milan Babiç, i cili vdiq në vitin 2006.

Në rast dënimi, të arrestuarit largohen për të kryer dënimin e dhënë në një nga 10 vendet që kanë nënshkruar akordin e tyre me Gjykatën e Hagës (Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Gjermania, Spanja, Franca, Suedia, Austria, Norvegjia, Finlanda dhe Italia). Aktualisht, midis 8 ushtarakëve që presin transferimin pas marrjes së dënimeve përkatëse, gjendet edhe i dënuari i parë me burgim të përjetshëm, gjenerali serbo-boshnjak, Stanislav Galiç, ndërkohë që midis 26 të tjerëve që janë dënuar deri tani janë përsëri dy serbë nga Bosnja që kanë marrë dënimet më të rënda, Goran Jelisiç dhe Milomir Stakiç, me nga 40 vjet burg. Sa i përket gjeneralit të shpallur përgjegjës për masakrën e Srebenicës, Radislav Kërstiç, dënimi i dhënë për të ishte 35 vjet burgim.

Gjashtëmbëdhjetë të dënuar janë liruar tashmë duke qenë se i kanë kryer burgimet përkatëse, ndërkohë që siç vërehet edhe nga statistikat zyrtare, rezulton se masat e dënimeve të dhëna kohët e fundit janë në shumicën e rasteve shumë më të reduktuara se më parë. Kështu, për shembull, serbi i Bosnjës, Dragan Kolunxija, i cili e pranoi përgjegjësinë e tij për krimet e luftës të kryera ndaj kroatëve dhe popullsisë myslimane të Bosnjës, u dënua vetëm me 3 vjet burg, për t'u liruar në fakt vetëm një muaj më pas në dhjetor të vitit 2001.

Që nga mbërritja e të akuzuarit të parë, në prill të vitit 1995, burgu i Sheveningenit i ka hapur dyert e tij për më shumë se 130 të akuzuar ish-jugosllavë. Sakaq, vetë përgjegjësit e burgut preferojnë që ta krahasojnë atë më shumë me një hotel se sa me një burg të vërtetë. Qelitë duket se i kalojnë normat ndërkombëtare, si përsa i përket sipërfaqes, ashtu edhe ndriçimit natyral dhe pajisjeve elektrike. Të ndaluarit kanë, madje, edhe mundësinë e shfrytëzimit të një dyqani, ku ata mund të furnizohen me fruta dhe perime, të cilat vijnë gjithashtu nga një tjetër vend ballkanik, Turqia. Klienti më besnik i dyqanit në fjalë është ish-ministri maqedonas Ljube Boshkovski, të cilit i pëlqen të përgatisë vazhdimisht specialitete ballkanike për të akuzuarit e tjerë, por edhe për vizitorët.

Atëherë, kush na qenka; Kosova shtet terrorist dhe banditesk, sipas jush president serb Aleksandër Vuçiq, apo Serbia 590 vjet krime në Ballkan.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas arrestimit të Marko Gjuriqit, është shprehur me tone të ashpra ndaj Kosovës, të cilin nuk ka hezituar ta quajë shtet të imagjinuar, terrorist dhe banditesk, pasi sipas tij Prishtina zyrtare nuk ka të drejtë të ndalojë hyrjen e zyrtarëve në Kosovë. Kryesuesi i delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, përmes telefonit i tha KosovaPress-it, tha se në rast se ka vërejtje lidhur me ndonjë vizitë të zyrtarëve serbë në Kosovë, atëherë kjo nënkupton se pala tjetër, në këtë rast, ajo serbe, duhet të kërkojë leje.

Kreu i shtetit serb, i cili para shteteve perëndimore shfaqet si politikan “i moderuar”, ka ashpërsuar gjuhën ndaj Prishtinës zyrtare, pasi kjo e fundit dëboi të ashtuquajturin shef të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, pasi hyri pa leje në Kosovë.

Autori është gazetar-analist i pavarur

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test