Kosova dhe politika e Serbisë "shelgu dhe rrushi" - Bota Sot
Kosova dhe politika e Serbisë "shelgu dhe rrushi"

Opinione

E enjte, 18 tetor 2018

Kosova dhe politika e Serbisë "shelgu dhe rrushi"

Nga: Prof. Dr. Agron Fico Më: 24 shtator 2018 Në ora: 13:27
Prof. Dr. Agron Fico

Debati, me gjithë format që mori, për një marrëveshje përfundimtare të Kosovës me Serbinë, duke përfshirë edhe rregullimin e kufijve, është i drejtë por jo në kohën e duhur.

Shqiptarët kanë të drejtën e tyre historike. Shqiptarët gjithashtu kanë të drejtën të ëndërrojnë. Bashkimi kombëtar d.m.th. bashkimi i trojeve shqiptare është e drejta e tyre e natyrshme dhe e ligjshme.

Shpallja e Kosovës shtet i pavarur demokratik më 17 shkurt 2008 është një hap i madh dhe vendimtar në rrugën e vështirë dhe të ndërlikuar të këtij bashkimi.

HISTORIA QË NUK DUHET HARRUAR

Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) ishte goditja e hidhur, më e madhe, që iu dha kombit shqiptar. Kundër vullnetit të popullit shqiptar, kjo konferencë mori 2/3 e territoreve të Shqipërisë dhe ua dha Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Kosova, Çamëria dhe territore të tjera shqiptare mbetën jashtë Shqipërisë së pavarur të 1912-s. Kosova në një hark kohor gati një shekullor u vu nën pushimin e egër serb. Sundimi ushtarak, politik, ekonomik i Serbisë synonte, me një program të paramenduar,ndryshimin demografik të Kosovës. Shpërnguljet, vrasjet dhe ndjekjet masive u bënë politika e ditës e serbo-mëdhenjve. Historia e pushtimit serbo-sllav në Kosovë është e mbushur me kryengritje të përhershme dhe kundërshti të vazhdueshme nga shqiptarët e Kosovës.

Qëndrimin antishqiptar të Fuqive të mëdha të Evropës, është për të ardhur keq, shqiptarët pothuajse e kanë harruar, pavarësisht nga pasojat negative që kanë shoqëruar kombin shqiptar. Para formimit të shtetit shqiptar, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, po sidomos pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, madje edhe Traktatit të fshehtë të Londrës (26 prill 1915) Fuqitë e mëdha të Europës synonin copëtimin e mëtejshëm të territoreve të mbetura të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve (1913).

Historia dëshmon se procesi i copëtimit të trojeve shqiptare kishte filluar që me vendimet e Traktatit të Paqes (3 mars 1878) midis Turqisë dhe Rusisë, ku pjesë të mëdha të tokave shqiptare u jepeshin Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Malit të Zi i jepeshin Plava, Gucia, Rugova, Vermoshi, Kelmendi, Hoti, Gruda, Tivari me rrethina, Ulqini me rrethinat gjer te lumi Buna, Ana e Malit, Kraja.

Madje as Kongresi Berlinit (qershor 1878) me vendimet e veta nuk ndryshonte në thelb nga Traktati i Shën Stefanit në qëndrimet e Fuqive të mëdha ndaj territoreve shqiptare.

Më 10 qershor 1878 në Prizren u themelua Lidhja Shqiptare e njohur me emrin Lidhja e Prizrenit. Kjo organizatë politike me një program të theksuar kombëtar veproi si përfaqësuese e gjithë popullit shqiptar. Ajo zhvilloi një luftë të fuqishme politike, diplomatike, kulturore­arsimore dhe ushtarake për mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar.

Shqiptarët, nga përvoja historike, po kuptonin se Fuqitë e mëdha të Europës silleshin me armiqësi ndaj fatit të territoreve të shenjta kombëtare. Lufta kundër pushtuesit shekullor turk shpesh gërshetohej edhe me luftën kundër përpjekjeve të hapura dhe të fshehta të shteteve fqinje dhe përkrahësve të tyre europianë. Është e gjatë lista e luftërave dhe përpjekjeve me pushkë e penë kundër këtij koalicioni armiqësor.

HISTORI E RE ME GJURMË TË SË KALUARËS

Në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria zuri në anën e drejtë të historisë, atë me koalicionin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, gjendja ndërkombëtare dhe pozita gjeopolitike e kombit shqiptar ka ndryshuar për mirë.

Së pari, vetë shqiptarët kanë ndrequr gabimin gjeo-politik kryesor, mungesën e miqve të vërtetë. Te Shtetet e Bashkuara të Amerikës shqiptarët kanë gjetur aleatin, përkrahësin e fuqishëm dhe modelin e rendit demokratik.

Shqipëria u bë anëtare e NATO-s me përkrahjen e presidentit Bush, i cili ishte i pari që njohu pavarësinë e Kosovës. Presidenti Bill Klinton ishte në krye të koalicionit euro-atlantik që shkatërroi makinën ushtarake serbe dhe i solli lirinë e dëshiruar popullit shqiptar të Kosovës. 

Së dyti, vetë Europa ka ndryshuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë midis dy blloqeve. Krijimi i Bashkimit Europian, mbi bazën e parimeve të demokracisë dhe respektimit të të drejtave të kombeve dhe popujve, respektimit të drejtave të njeriut ka kapërcyer gjer në një farë shkalle qëndrimet e njohura antishqiptare të Fuqive të Mëdha.

Qëndrime tradicionale antishqiptare ka pasur dhe ka. Fakte mund të sillen mjaft nga qëndrimet e sotme të shteteve europiane, qëndrime herë-herë me dy e tre standarde. Kështu, një ditë para përfundimit të mandatit të tij si Ministër i Jashtëm i Bashkimit Europian, Solano shkoi në Beograd dhe i futi ne xhep Vuçiçit vendimin për lëvizjen e lirë të serbëve edhe pse ata kanë qenë krye-shkaktarët e luftërave të përgjakshme, pas Luftës së Dytë Botërore, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci dhe sidomos në Kosovë. Kosova iu nënshtrua një terrori të egër, vrasjeve, masakrave, shpërnguljeve dhe genocidit ndaj 13000 mijë shqiptarëve (1989-2008).

Është e padrejtë, revoltuese që u zvarrit pafundësisht dhe zvarritet, vihen kushte dhe stër-kushte që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirisht si gjithë europianët e tjerë.
Tashmë Shqipëria si shtet demokratik e paqësor është anëtare e NATO-s dhe në prag të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Kosova brenda një dhjetë-vjeçari ka shënuar arritje historike. Shtetin e Kosovës e kanë njohur 115 shtete të botës dhe është pranuar në mbi 200 organizma ndërkombëtarë.

Kërkesa e Kosovës për njohje nga Serbia si shtet i pavarur dhe demokratik, pranimi në OKB UNESCO etj. është i ligjshëm dhe brenda normave të së drejtës ndërkombëtare.

SERBIA DO TA NJOHË KOSOVËN “KUR SHELGU TË BËJË RRUSH”

Në zjarrin e debateve për një marrëveshje të Kosovës me Serbinë, dikush kërkon që edhe të rishikohen kufijtë, e dikush tjetër pa këtë kusht.

Qarqet zyrtare të Beogradit kanë thënë se Serbia “do ta njohë Kosovën vetëm atëherë kur shelgu të bëjë rrush”. Po citoj të plotë se çfarë ka deklaruar për opinion publik nën-kryeministri dhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq lidhur me Kosovën, me Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën: “Siç po shihni, ata nuk duan të flasin për korrigjimin e kufijve, por për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën. Duken si shumë të mençur!E dini se kur do të ndodhë kjo, kur do  t’i njohim, kur do t’ua japim karrigen në Kombet e Bashkuara, kur do t’ua japim Preshevën, Bujanovcin Medvegjën dhe kur do ta njohim Kosovën atëherë kur shelgu do të bëjë rrush.”

Nuk duhet të jesh ndonjë politikan i thekur, as diplomat i hollë për të kuptuar atë që zoti Daçiq thotë hapur “Never. Never.”­ Kurrë dhe Kurrë.

Këtij serbi kapadai dhe të vrazhdë do t’i ftohej koka nëse Amerika dhe Rusia do të gjenin gjuhën e përbashkët lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën Uashingtoni e ka njohur më 17 shkurt 2008.

Mospjesëmarrja e presidentit serb Vuçiç në takimin e radhës në Bruksel me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, si dhe mos vajtja e Vuçiçit në mbledhjen e Kombeve të Bashkuara ku do të diskutohet edhe marrëveshja Kosovë-Serbi, e bëjnë edhe më të dukshëm qëndrimin e Serbisë lidhur me Kosovën, që Daçiq e shprehu me metaforën e shelgut dhe rrushit.

Gjendja ndërkombëtare, sidomos pas zgjedhjes së Trump-it President i ShBA, është bërë mjaft komplekse. Shpallja nga zoti Trump e politikës strategjike “Amerika është e para” është shoqëruar dhe me mjaft vendime me rëndësi botërore, si largimi nga Traktati i Parisit për klimën, anulimi i traktatit ndërkombëtar për tregtinë lirë etj. Rritja e kërkesave për më shumë kontribute financiare nga anëtarët për NATO-n; lufta tregtare me Kinën, duke përfshirë dhe rivalitetin ushtarak në zonën e gjerë të oqeanit Paqësor etj. e kanë thyer vëmendjen e Amerikës ndaj Europës dhe ndaj pjesës saj më delikate, Ballkanit Perëndimor.

Europa është e para që e ka ndjerë këtë ndryshim. Ekuilibri i brishtë i Bashkimit Europian mori një goditje me largimin e Britanisë së madhe, ajo që u quajt BREX. Rritja e forcave të djathta në disa shtete të Europës dhe çështja e emigracionit i ka thelluar kundërshtitë e mëparshme midis anëtarëve të bllokut; kërcënimi rus me aneksimin e Krimesë dhe pushtimin e Ukrainës lindore etj. ka krijuar një tërmet disa ballësh në Union, të cilit i ka munguar një I Parë në krye, që aq bukur e vë në dukje edhe Kisingeri, dekani i diplomacisë amerikane, i cili thotë se sa herë do të flasësh me Evropën, nuk di se kujt t’i drejtohesh! Ky çekuilibër duket edhe më qartë tek politika e zgjerimit të Unionit me anëtarë të rinj, që vihen kushte dhe stër-kushte të vazhdueshme ose kërkesa të pafundme që duhet të përmbushin vendet kandidate që të pranohen në Bashkimin Europian.

Kosova ndodhet nën trysninë e barrës së lënë nga armë-pushimi në Kumanovë (1999) dhe nën trysninë e planit të finlandezit Antisar, që parashikonte listën prej 20 deputetësh serbë të përhershëm në parlamentin e Kosovës, 4 komuna serbe, të cilave Serbia kërkon t’u jepet edhe statusi ekzekutiv, pra kërkon krijimin e një mini-shteti brenda territorit të Kosovës. Këto pengesa, këto vështirësi në funksionimin e një shteti të pavarur e demokratik, Kosova është përpjekur në mënyrë të vazhdueshme që t’i zgjidhë nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta me Serbinë në Bruksel, por faktikisht fare pak gjëra janë arritur. Kosova është në një gjendje status quo-je.

Pavarësisht nga përpjekjet këmbëngulëse dhe përkushtimit të shefes së diplomacisë Europiane, Mogerinit, dhe deklaratave të disa krerëve të Europës për njohjen e Kosovës nga Serbia si shtet i pavarur, 5 anëtarë të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur Kosovën.
 

Nisma e tanishme e udhëheqjes kosovare për një ritëm të ri të bisedimeve dhe për marrëveshje me Serbinë, duke përfshirë, në radhë të parë, njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik, ka ndeshur në kundërshtimin e fortë dhe të vazhdueshme nga pala serbe.

EPILOG

Në vitin 2009 kam botuar librin “Rilindja e Shqipërisë Etnike” prej 210 faqesh, në të cilin kam trajtuar gjerësisht mundësitë e Kosovës si shtet europian në NATO dhe në Bashkimin europian.

Siç u tha edhe në fillim të këtij shkrimi, bashkimi kombëtar ka qenë dhe është një e drejtë juridike ndërkombëtare, politike, morale, thelbi i ëndrrës shqiptare.

Shtetari dhe diplomati europian Rauf Fico shkruante vite më parë: “Dhashtë Zoti, me flamurin kombëtar në krye, të marrim edhe Kosovën edhe Çamërinë”.

Debatet dhe bisedimet, takimet dhe rezolutat e pafundme, vizitat e përfaqësuesve të shteteve europiane etj. për Kosovën kanë sjell pak përparime dhe zgjidhje thelbësore, sepse Serbia edhe një herë publikisht, madje edhe politikisht, ka shpallur se “Kosovën do ta pranojë si shtet të pavarur vetëm atëherë kur shelgu të bëjë rrush”.

Tashmë shqiptarëve të Kosovës u mbetet vetëm një rrugë-zgjidhje, ajo e bashkimit me Shqipërinë, pa u trembur nga parulla serbe për të ashtuquajturën “Shqipërinë e madhe”.

Shqiptarët të ndjekin shembullin e popullit gjerman, atë të bashkimit të Gjermanisë Lindore me atë perëndimore.
 

Realiteti politik botëror, me ndërlikimet dhe rivalitetet midis fuqive më të mëdha, u lejon shqiptarëve vetëm këtë mundësi rrugë-daljeje konkrete, bashkimin kombëtar, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nën flamurin e Skënderbeut, flamurin e kuq, me në mes shqiponjën e zezë dy krerësh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test