Diletantizëm, tradhti apo plaçkë me paramendim?

Opinione

Diletantizëm, tradhti apo plaçkë me paramendim?

Nga: Lirim Gashi Më: 25 shtator 2018 Në ora: 11:23
Lirim Gashi

P'a marr shpesh inatin vetvetes kur detyrohem të jem aq i ashpër me disa bashkëkombës të mi që e futën popullin dhe shtetin në një aventurë politike plotësisht të panevojshme, të paarsyeshme, idiotike, kontraproduktive dhe fatale, pikërisht kur po e prisnim të kundërtën prej tyre , ngaqë pas vitit 1999 si kurrë më parë në historinë e tij të dhimbshme, populli i Kosovës i kishte të gjitha mundësitë për t'a trasuar një udhëtim frytdhënës në ardhmëri i udhëhequr nga bijtë e tij. 
Por çka bënë bijtë e tij në pushtet ?  U sollen ndaj popullit dhe atdheut të tyre si piratët e zinjë ndaj kalimtarëve të rastit në det, duke e plaçkitur, nënshtruar, izoluar, nënçmuar, varfëruar, maltretuar, ç'nderuar dhe poshtëruar deri në banalitet. 

U sollën kështu ndaj popullit të tyre në një kohë kur përveç bonusit të viktimës e gëzonte edhe respektin e botës për frymën liridashëse të dëshmuar në të gjitha mënyrat edhe pse në realitet ,,politikanët" dhe ,,çlirimtarët" e tij i kishin kryer vetëm pjesërisht obligimet dhe detyrat. 

Në njërën anë e imituan politikën paqësore e në anën tjetër luftën, mirëpo rrethanat ndërkombëtare ishin të tilla sa që ua mbuluan poshtërsitë dhe marrëzitë që peshonin disa tonelata dhe jo vetëm disa killa. 

Duke e imituar keq politikën paqësore fituan kohë për tu përgatitur keq për luftën e duke e imituar keq luftën i shkaktuan me ndihmën e armikut popullit të tyre katastrofë humanitare të përmasave biblike që e tërhoqi reagimin e të vetmës superfuqi të mbetur botërore, pasi që tjetra fatmirësisht kishte ngordhur si peshkaqen i mërdhirë në Sibir. 

Serbia pas vitit 1999 ishte e gjunjëzuar dhe në nokaut klasik, ndërsa politikanët dhe çlirimtarët tanë në thonjëza në vend se t'ia japin politikisht goditjen e fundit, garonin me njëri tjetrin për ndarjen e kulaqit të pushtetit në varësi prej meritave, prej agimit të mëngjesit e deri në mesnatën e vonshme pas fikjes së dritave. 
Tinëzarë, dhelprak dhe të pasinqertë siç janë nga natyra filluan t'i caktojnë njëri tjetrit detyra.

Në emër të dashurisë së rrejshme dhe përkushtimit nënshtrues ndaj miqve dhe armiqve kombëtar dhe ndërkombëtar nuk lanë shqiptar të ndershëm dhe të ditur pa poshtëruar, dhunuar dhe vrarë. 

Dhe kur të paditurit muskuloz i ndajnë me forcë dhe dhunë të diturit e pambrojtur nga jeta,  turpi, tmerri dhe marrëzia fitojnë peshë, pushtet dhe imunitet e ky i fundit  arsyen, urtinë dhe logjikën e shëndoshë pa kurrfarë mëshire e vret. 

E kur vrahen urtia, arsyeja dhe logjika e shëndoshë ; populli, shteti, politika, ekonomia, arsimi, kultura dhe shëndetësia mjerohen dhe bëhën për lëmoshë. 
Kur të vetëquajturit çlirimtarë ( mbi kurrizin e vegjëlisë dhe luftëtarëve të vërtetë të lirisë ) më ndihmën e muskujve, dhunës dhe shantazhimit mafioz vijnë në pushtet, atëherë s'kemi pse të çuditëmi pse të njëjtin e mbajnë pushtetin me ndihmën e forcës, hajnisë dhe plaçkës së votës,  buxhetit, donacioneve,  ndihmave, fondeve dhe pronës publike me dekada, duke i shndërruar zgjedhjet e lira në farsa teatrale për rrokada. 

Rrokadat më të njohura të pushtetit që ishin duetet e përhershme Pdk-Ldk, Ldk-Pdk e tash edhe Pdk-AAK u shërbyen përgjatë tërë periudhës së pasluftës me përsëritjen e të njëjtave gënjeshtra, mashtrime, premtime e slogane si papagajtë, prandaj na kanë ardhur në maje të hundës me diletantizmin e tyre keqbërës politik, ekonomik, social, kulturor, arsimor e shëndetësor , sepse e kanë plaçkitur, coptuar, përçarë dhe mjeruar shtetin dhe popullin deri në atë masë, sa që ky i fundit nuk është më i sigurtë a janë përfaqësues të tij në pushtet dhe institucione, apo përfaqësues të popullit serb.

Duke mos e synuar të mirën dhe të mbarën e mundur e kanë arritur të keqen dhe të mbrapshtën e pamundur për t'a rikthyer Serbinë në lojërat e ndyra të skenës politike kombëtare dhe ndërkombëtare më fuqishëm se kurrë dhe në një mënyrë aq poshtëruese,  konspirative, tinzare dhe tradhtare sa që e meritojnë domosdoshmërisht  përgjegjësinë dhe llogaridhënien për plaçkë dhe tradhti para gjyqit të sovranit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat