Taborët e anarkisë ku nuk duhet të jenë shqiptarët

Opinione

Taborët e anarkisë ku nuk duhet të jenë shqiptarët

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 8 tetor 2018 Në ora: 14:39
Abdulla Mehmeti

As vetë Putini rus dhe Viçiqi serb nuk e kundërshtojnë publikisht Marrëveshjen e Prespës, ndërsa e kundërshtojnë hapur argatët e tyre dhe shovinistët e njohur serbë dhe sllavë të Maqedonisë, si Shesheli, Mickovski, Gruevski, Xingo dhe shovinistë të tjerë, disa pret tyre të dënuar nga Gjykata e Hagës si kriminelë lufte, disa të tjerë hetohen nga Prokuroria Speciale Publike në Shkup për krime të rënda.

Çfarë kërkojnë shqiptarët (deklarohen si të tillë) si Jezexhiu, disa mbetje marksiste-leniniste dhe ekstremistë fetarë proiranianë dhe proserbë që rreshtohen në këtë tabor? Pse duhet ta kundërshtojnë shqiptarët një marrëveshje nga OKB, e mbështetur nga fuqitë e mëdha të botës, SHBA, BE dhe NATO?

Pse nuk i shpjeguan këta „patriotë“ së paku një herë se cilat janë qëllimet e tyre dhe cili është opsioni tjetër i mundshëm për zgjidhjen e kontesteve mes shteteve fqinje dhe sidomos për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Maqedoni!

Njëri nga këto grupacione e ka shpalosur qëllimin e tyre se, presin të vijë dita të deklarohen për ringjalljen e Perandorisë Osmane në këto hapësira. Qëndrim thellësisht i gabuar dhe kundërhistorik, por i thënë hapur dhe qartë. Por, këta të tjerët çka presin, Serbinë e Madhe, Bullgarinë e Madhe, Rusinë?

Kjo nënkuptohet lehtë, meqë pjesa tjetër e botës demokratike është bashkë dhe në anën e kundërt të këtyre tendencave anarkiste, destruktive, jodemokratike dhe kundërhistorike.

Shumica e këtyre individëve dhe grupimeve shprehin revoltë kinse për humbjen e shqiptarëve, mospërfitimin e tyre nga kjo Marrëveshje. Por, shqiptarët kanë dy shtete, dy qeveri, struktura të tjera shteti dhe pushteti, të cilat nëse janë në rrugë të padrejtë mund të kritikohen, mund t'u sugjerohet një mundësi më e mirë dhe e dobishme, por jo këta individë dhe grupe të jenë kaq këmbëngulës në qëndrimet e tyre destruktive, të paarsyeshme, pa propozime për zgjidhje tjetër më të mirë dhe pa vizion të qartë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat