Hashimi godet bandën e Dukagjinit: "Veteranët partiakë"

Opinione

Hashimi godet bandën e Dukagjinit: "Veteranët partiakë"

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 11 tetor 2018 Në ora: 08:16
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Me aprovimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, bandat kriminale, sidomos të krimit të  organizuar-vrasje politike, shpërthyen me akuza kundër Hashim Thaçit dhe partive votuese të Gjykatës në fjalë.

Për të dhënë përgjigje adekuate, Hashim presidenti lëshoi akuzën bombë: "Krijimi i Gjykatës Speciale është rrjedhojë e frikësimit, kërcënimit, shantazhimit, e deri në vrasjen të dëshmitarëve të mundshëm të kësaj Gjykate". 

Dhe, kjo akuzë i faturohej bandës kriminale të Dukagjinit, e cila prinë me shumësinë e vrasjeve politike dhe të dëshmitarëve të intervistuar, për Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Dhe, bandat u shokuan, duke ulur zërin akuzues, sepse, siç thotë populli "nxirr një kashtë, dalin gjashtë!"

Tani, kur makro-skandali i shit-blerjeve të "dëshmive të veteranit", ka marrë përmasa alarmuese, deri në - SOS -, duke e tej trefishuar shifrën reale të veteranëve, Hashim presidenti lëshon bombën e dytë, kundër bandës të Dukagjinit, duke vënë pikën mbi "i": 

"Veteranët partiakë"!

Pse e themi në njëjës - bandë - dhe jo banda në shumës. Sepse organizimi kriminal, për ta zhvatur, haraçuar dhe vjelë votat, qoftë edhe dhunshëm, duke përdorur "kulaçin dhe kërbaçin", forcën goditëse e ka përqendruar në një bandë të madhe, të vetme.

Baza e kësaj bande është Organizata kriminale e terroriste "Shqiponjat e zeza", e krijuar, qysh gjatë luftës, e kamufluar me një farë misioni "përgjues e zbulues" të armiqve të brendshëm, që, në fakt, ishte ushtruese e dhunës të egër: shantazhime, kërcënime, kidnapime, rrahje, maltretime brutale, burgosje e deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë, kryesisht, të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve FARK-istë të Ibrahim Rugovës.

"Qëllimet e shumëzimit të "veteranëve"

Janë tri qëllime bazë të shumëzimit të "veteranëve", që partitë-banda të së majtës ekstreme të Kosovës projektuan:

1. Krijimi i klientelës elektorale, pra, blerja e një kontigjenti votuesish të përhershëm;

2. Shumësia e "veteranëve", si dëshmi e një "lufte  të madhe", të komanduar nga "gjeneralët komandantë" të LPK-së, edhe pse ishin profanë, injorantë "ushtarakë", pa bërë as shërbimin klasik ushtarak. Në këtë pikë, fillimisht, janë pajtuar krerët kriminalë të partive-banda, "të dala nga lufta", për rritjen artificiale të numrit të "veteranëve". Njerëzve të ideologjisë komuniste-sllaviste, "u pjellë mendja gjithçka!" Kujtoni slloganin enverist: "Vëllezërit kinezë" dhe "miqtë kosovarë!!"

3. Përfitimi i drejtpërdrejtë material, pra, shitje e "dëshmisë të veteranit", me çmimin nga 2.000 deri në 5.000 euro!

E keqja nismoi në Drenicë, kur masakrat në Qirez, Likoshan e Prekaz, u kategorizuan, falsifikueshëm, dëshmorë e viktima, edhe pse ato ishin njësh: vrasje masive të fëmijëve, grave, pleqve dhe plakave, të njerëzve në pamundësi për t`u mbrojtur, të ngujuar në shtëpitë e tyre, përballë një makinerie të rëndë goditëse policore e ushtarake armike. Që këtej rrjedh regjistrimi "veteranë", të fëmijëve të mitur, plakave dhe pleqve, të cilët, realisht, nuk ishin pjesë e luftës, nuk kishin as mundësi teorike, për ta bërë "argatin" e luftëtarit, luftëtares.

Ky falsifikim i kufizuar, jo edhe aq numerikë, në Drenicë, ngjalli reagim dhe frymëzim, për të keq, në Dukagjin, duke shumëzuar, madje, krejt pakontrollueshëm, numrin e "veteranëve" të rrejshëm. Tashmë, këtu dominon qëllimi i parë:  - Sigurimi i klientelës elektorale të përhershme. Rrjedhoja, dëmi është katastrofal. 

Por, ka pararendës Isa Mustafën, me rrethin vicioz, klanin e tij, karrierist, në Kuvendin e 8-të "Zgjedhor" të LDK-së. Për të shmangur konkurrencën zgjedhore, me dy veprimtaret brilante e markante, brenda LDK-së, Donikë Gërvallës dhe Vjosa Osmani, me gardën rinore reformatore, brenda-partiake, më saktë, rikthimin e frymës rugoviane në parti, rrënoi të gjithë sistemin zgjedhor demokratik e klasik të LDK-së rugoviane. 

Ndonëse rasti manipulativ i zotit Mustafa është brenda-partiak, dëmi është i kufizuar. Ndërsa rasti i Ramush Haradinaj, me "komandantët" e tij, shumë të përfolur për kriminalitet, shkatërroi të gjithë sistemin zgjedhor demokratik, në nivel të Kosovës. Sepse shit-blerja e votave u ligjësua, duke shpërdoruar buxhetin e Kosovës, madje me përmasën e milionave të eurove, deri tani, tej 68 milionë euro zyrtarisht të vjedhur, në favor të "veteranëve" të rrejshëm dhe balancimi demokratik zgjedhor, i krijuar përgjatë dy dekadave, u rrënua tërësisht!!!

Krerët që thirrën në drejtimin e luftës në Drenicë, por, edhe në nivel Kosove, janë të njëzëshëm se katërfishimi i "veteranëve" të luftës, ka ndodhur kudo në Kosovë. Por, me tepri dhe në mënyrë të organizuar dhe me qëllime të paramenduara, kryesisht, sigurimi i votave afatgjata, me prodhimin e "veteranëve partiakë", është dëshmuar në rajonin e Dukagjinit.

Komandantët drenicarë, përfshi edhe shefin e SHP të UÇK-së, Sylejman Selimin, i cili posedon numrin e luftëtarëve në tërë Kosovën, ngulmon se numri i luftëtarëve, pjesëmarrës në Luftën Çlirimtare, nuk kalon shifrën 12.700 vetave. Këtij mendimi i bashkohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Sami Lushtaku, Rexhep Selimi dhe të tjerë, me fare pak ndryshime. Edhe komandantët luftbërës të Kosharës, Anton Quni me shokë, pajtohen me këtë shifër.

Ndërsa Agim Çeku, Ramush Haradinaj, me "gjeneralët" dhe "komandantët" e tyre, mbrojnë krimin, tashmë, të bërë, se numri i luftëtarëve është tej 60 mijë, duke mbrojtur "faktin", deri në marrëzi, se i gjithë Dukagjini ka marrë pjesë në luftë!" Rrenë e kulluar!

Pjesëmarrja në luftë minore, ikjet nga lufta masive

Për të demantuar shifrat marroqe të "bajraktarëve" të Dukagjinit, sjell fakte nga statistikat e refugjatëve, ikanakëve të Zonës së Dukagjinit, përgjatë vitit 1998-99, përkatësisht, të mijëra burrave dhe të djemve të aftë për luftë.

Personalisht, duke qenë në krye të një ekipi prej 25 vetash, për: furnizimin e ushtrisë me bazën materiale të nevojshme dhe armatim konvencional dhe të rëndë; pritjen, strehimin, ushqimin e refugjatëve, ikanakëve nga Kosova në Shqipëri, përfshi këtu edhe të atyre dukagjinas, të cilët ishin të parët në ikje, pas tyre, podrimasit, Malisheva e Rahoveci, rezulton shifra shumë numerike, të largimit dhe të moskthimit në Kosovë, deri pas mbarimit të luftës, e plot syresh kaluan Adriatikun dhe sot vijnë për pushime verore në Kosovë!

Anijet nga Durrësi, por, bartjen masive e bënin anijet nga Porti ushtarak i Shëngjinit, me kapacitet deri 1.000 persona njëherësh, kundrejt çmimit 1.000 deri 2.000 marka. Për ilustrim përmend dy aksidente të rënda që na ndodhën: 

Një matrapaz dukagjinas, i cili bashkëpunonte me një bandë trafikantësh vendorë, në transportimin e refugjatëve, ikanakëve të Kosovës, për në Bari dhe Brindizi të Italisë, fillimisht, kryesisht, dukagjinas, u prishën në pazare. Dukagjinasi, i mësuar me hiletë që u bënte ikanakëve të Kosovës, provoi t`u bënte edhe vendorëve shqiptarë.

Por, "sharra i hasi në gozhdë"! Banda bashkëpunuese kidnapoi partnerin dukagjinas, e kushtëzoi lirimin me gjobë, për ddallaveret e tij 200 mijë marka, me afat një ditor. Përndryshe, ekzekutimi do të bëhej  në mbrëmjen e asaj dite. Dhe, jeta e njeriut, në vitin 1998-99, në Shqipëri, ishte e barazvlershme me një plumb, 33 qindarka të lekut shqiptar! Pagesa u bë në kohë dhe drama u mbyll.

Rasti i dytë tragjik: Një familje numerike vuri në dispozicion 24 mijë marka, për ta kaluar Adriatikun. Bandat mësuan shumën e parave poseduese dhe organizuan grabitjen. Një nuse-bukuroshe, të cilën pata rastin ta njoh, e pësoi me jetë, plumb kokës, përgjatë aksionit të grabitjes. I tanë qyteti iu bashkua kortezhit funeral, për në varreza. Dhimbje e lot, që të këpusnin shpirtin. Pra, shumë më masive kanë qenë ikjet e dukagjinasëve, të aftë për pushkë, se sa pjesëmarrja e tyre në luftë!

Dëshmia e luftëtarit Adnan, vërteton akuzat e Hashimit për Ramushin

Hashim presidenti akuzon Ramush Haradinaj, se ka prodhuar "veteranë partiakë". Dhe, kjo është një akuzë sa e rendë, aq edhe e faktuar. Prokurori Elez Blakaj rezulton të jetë hero, sepse denoncoi i pari 20 mijë "veteranët" e rrejshëm. Dhe, këtë e aprovon edhe Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, i cili e zbutë falsifikimin në 19 mijë "veteranë" të rrejshëm. Por, në fakt, nga të dhënat, fort të dokumentuara, rezulton të jenë hiç më pak se 35 mijë "veteranë" të rrejshëm.

Në favor të kësaj teze flet, bindshëm, luftëtari, invalidi, veterani Adnan Gjakova, i cili në shenjë proteste, ka refuzuar statusin e invalidit dhe të veteranit. I pranishëm që nga fillimi i luftës, e deri në mbarim të saj, luftëtar Adnani flet, madje, me fakte, se si "komandantët" e Dukagjinit, ishin përcaktuar për shumëzimin e veteranëve të rrejshëm, të vetëdijshëm, se po bëjnë krim shtetëror, me vjedhjen zyrtare të buxhetit shtetëror të Kosovës, "sikur të ishte mall shk..!"

Përgjatë intervistimit nga Televizioni T7, gazetari Leonard Kërçuku, e ballafaqoi luftëtar Adnanin me shifrat  që sjellin Ramushi për Dukagjinin dhe Kosovën si dhe Daut Haradinaj, për brigadën ku bënte pjesë Adnani. Edhe në "pyetjet me spec", luftëtari i dinjitetshëm, Adnani, i demantoi padronët e tij guximshëm: "Nuk qendrojnë as mijërat e ushtarëve të Dukagjinit dhe as të Brigadës sime, e cila nuk ka pasur më shumë se 400 vetë, të mbledhur nga të gjitha grupet". Ndërkohë që Daut Haradinaj thotë se Brigada në fjalë kishte 5.000 luftëtarë. Dy shifrat e dhëna, flasin vetë për përmasën e falsifikimit.

Vet pranimi i Ramushit, madje me shkrim, se ka mbetur me 50 ushtarë dhe qindra dezertime njëherësh, dëshmon se luftëtari që refuzon invaliditetin dhe veteranin, sikur edhe luftëtari tjetër dinjitoz, Bekë Osmanaj, isniqas, është i saktë. Dhe, ashtu si Hashim presidenti, edhe luftëtar Adnani, për veteranët e vërtetë, kërkojnë hetimin nga e para dhe përgjegjësinë morale e ligjore, për të gjithë ata që projektuan, favorizuan dhe përfituan nga shumëzimi, deri në katërfishim të "veteranëve" të rrejshëm. Ilustrojmë se për fitimin e zgjedhjeve në një komunë, u shitën qindra "dëshmi të veteranit", në prag votimin.

Fajtorët faktikë të arrestohen, të hetohen nga Prokuroria

Nga sheshimi i fakteve për veteranët, e vërteta, tashmë, është lakuriqësuar. Fajësia e shumëzimit, stimulimit, favorizimit të "veteranëve" të rrejshëm, ka autorësi. Dhe, këta janë karrieristët: 

1) Agim Çeku, në kërkim të postit ministral, ka bredhur, në disa parti politike. Ai ka apeluar se "mund të aplikojnë për veteranë çdonjëri, që u ka dhënë edhe ujë ushtarëve të UÇK-së!" Dhe, ky deklarim është thirrje e drejtpërdrejt për manipulime e shumëzim të "veteranëve" të rrejshëm. 

Rrjedhimisht, "këtu lind dyshimi se gjeneral Çeku jo rastësisht është në krye të falsifikimit të "veteranëve". Madje, rezulton dyshimi i bazuar se karrierist Çeku është konsultuar me krerët e partive-banda, të koalicionuar në PAN dhe atij i është premtuar posti i ministrit të veteranëve të UÇK-së, nëse numri i tyre do të jetë numerikë, i madh. 

2) Ramush Haradinaj është dëshmuar për karrierizëm. Për ta gëzuar postin e pamerituar të kryeministrit, duke "lëpirë atë që ka pështyrë", siç është mohimi i bujshëm dhe, pastaj, aprovimi i turpshëm i demarkacionit. Shumëzimi artificial i "veteranëve", duke e falsifikuar - dëshminë e veteranit -, pra duke i shitur dëshmitë, me qëllim të blerjes të votave të përhershme, për partinë e tij të familjarizuar, AAK-në, rrënoi sistemin zgjedhor demokratik. Dhe, kjo përbën një krim të madh, sepse është hajni e dyfishtë: 

a) vjedhje e buxhetit shtetëror; dhe 

b) përfitimit fiktiv të pushtetit, me blerjen e votave.

Fakte të tilla, katërcipërisht, të vërtetuara, përjashtojnë të drejtën dhe mundësinë e mëtejme qeverisëse të karrieristit falsifikator dhe hajn të Ramush Haradinaj. Prokuroria duhet të merret me makro-hajninë zyrtare të kryeministrit të babëzitur për post e para. Ngulmimi i Haradinaj se krejt Dukagjini ka qenë pjesëmarrës në Luftë, se ka pasur tej 60 mijë luftëtarë, se ai nuk donë të heq dorë nga - klientela elektorale -, siç shprehet Hashim presidenti "veteranët partiakë", është e bollshme për ndjekje penale, pa pasur nevojë për dëshmitarë shtesë. 

Ushtari britanik i Kosharës, Harrison, thotë se "po të kishte pasur 50 mijë ushtarë UÇK-ja, do të pinim kafe në Beograd". Xhumashja LDK-e dhe protestuesja selektive Vetëvendosje, duhet të zgjohen, për ta stopuar revanshin e pakontrolluar të një kryeministri aksidental dhe krejt të papërgjegjshëm. 

3) Isa Mustafa, në cilësinë e kryeministrit, edhe pse e dinte se janë shumë mijëra "veteranë" të rrejshëm, ai filloi lëvrimin, dhënien e pagesave mujore, duke dëmtuar buxhetin shtetëror me tej 68 milionë euro. 

Krerët e PAN-it, tashmë, kishin projektuar rrëzimin e Qeverisë Mustafa. Andaj, i ndërsenin krerët-banditë të Shoqatës të Veteranëve të UÇK-së kundër Isa Mustafës dhe qeverisë së tij, duke kërkuar, dhunshëm, lëvrimin, dhënien e parave "veteranëve", qofshin edhe ata, me shumicë dërmuese, të rrejshëm. 

Karrieristi Isa Mustafa, në vend të dorëheqjes nga kryesimi i qeverisë, ai bëri krimin e pritshëm, shpërdorimin e milionave të buxhetit të "lodhur" shtetëror, vetëm për t`u zvarritur me postin e kryeministrit, krejt pa dinjitetshëm. Dhe, Isa është pjesë e hajnisë zyrtare, pjesë krimit, sepse duhej t`u përgjigjej se - pa i pastruar - listat e veteranëve -, nuk ka lëvrim, dhënie parash -.

4) Veteranët e vërtetë të UÇK-së duhet të ishin më të nderuarit dhe të respektuarit të popullit, si luftëtarë për çlirim dhe liri. Mjerisht, duke u bërë vegla të partive-banda, duke pranuar të bëhen kondomë të krerëve partiakë, rrastë të inkriminuar, e humbën këtë privilegj. Sa herë shefat kërkonin shërbime, për interesa personale, veteranët i mbushnin bulevardet dhe sheshet e Kosovës, në mbrojtje të "gjeneralëve" dhe të "komandantëve" kriminelë, me fajësi të faktuar, të dënuar me gjyq të hapur e transparent.

Krerët e Shoqatës të Veteranëve të UÇK-së, edhe anëtarët e Shoqatës, që shtojnë turmën e handakosur dhe turpshëm kërcënuese e shantazhuese, edhe tani, vazhdojnë ta pengojnë drejtësinë. Sulmi, sa i padrejtë, aq edhe kriminal, ndaj Prokurorit Special, Elez Blakaj, një intelektual profesional, me integritet dhe dinjitet, turpëron, madje, me fund, Shoqatën e Veteranëve, e cila ka dalë jashtë misionit të saj dhe qorrazi i shërben krimit dhe kriminelëve.

Janë, pikërisht, themeluesit, drejtuesit, ndër vite, të Shoqatës të Veteranëve, që kanë përçarë popullin, para, gjatë dhe pas luftës. Rrjedhimisht, kanë sabotuar luftën, duke u vënë nën urdhrat e Sigurimit kriminal Shqiptar, të zyrtarëve komunistë të Tiranës dhe, nëpërmjet tyre, edhe të Serbisë armike. 

Janë "gjeneralët" dhe "komandantët", militantë të Shoqatës të Veteranëve, autorë dhe pjesë e krimit të organizuar politik, të cilët, me bandat e tyre, po nga kjo Shoqatë, kanë përgjakur Kosovën, gjatë dhe pas luftës, duke ekzekutuar, prapa shpine dhe në pusira, kundërshtarët politikë dhe ushtarakët luftë bërës, FARK-istët e Ibrahim Rugovës. 

Veteranët atdhetarë të Kosovës, duhet të ngrihen kundër banditëve, eksponentë të krimeve makabre, brenda Shoqatës të Veteranëve, të cilën e kanë baltosur e dhjerë, sa kutërbon neveritshëm. Veteranët e mirëfilltë të Kosovës, duhet të distancohen nga kriminelët, hajnat zyrtarë, haraçexhinjtë e dhunshëm, deri në vrasje, shit-blerësit e "dëshmive të veteranit". 

Veteranët e njëmendët të  UÇK-së, duhet të distancohen nga kërcënuesit dhe shantazhuesit e Shtetit, të Popullit, për llogari të krerëve kriminelë të partive-banda, të koalicionuar në PAN-in, që kanë ngulfatur Kosovën, deri në asfiksim!

Këndelluni, o njerëz të mashtruar, të blerë dhe të poshtëruar! "Më mirë vonë, se kurrë"!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat