Hetime nga Kombet e Bashkuara për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi - Bota Sot
Hetime nga Kombet e Bashkuara për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi

Opinione

E enjte, 15 nëntor 2018

Hetime nga Kombet e Bashkuara për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi

Nga: Frank Shkreli Më: 22 tetor 2018 Në ora: 20:11
Frank Shkreli

 Ndërkohë që gjatë ditëve të fundit, një numër udhëheqësish botërorë janë shprehur se hetimet e njoftuara nga Arabia Saudite rreth vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, nuk janë të mjaftueshme -- disa organizata jo-qeveritare ndërkombëtare kanë bërë thirrje për hetime të pavarura.  Kjo është thirrja që i kanë bërë Turqisë javën e kaluar katër organizata të njohura ndërkombëtare të drejtave të njeriut.  Reporterët Pa Kufij, Amnesty International, Human Rights Watch dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, në një letër të përbashkët i kërkojnë Turqisë t’i bëjë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Z. Antonio Guterres, që të bëjë hetime mbi ekzekutimin e gazetarit të njohur saudit, Jamal Khashoggi.  Hetimet, thonë këto ente të të drejtave të njeriut, duhet të vendosin rrethanat mbi rolin e Arabisë Saudite në zhdukjen dhe më në fund në vrasjen e gazetarit Khashoggi.  Qëllimi i hetimeve nga OKB-ja, sipas tyre, duhet të jetë identifikimi i të gjithë personave përgjegjës, të cilët kanë dhënë urdhërin dhe të cilët kanë planifikuar vrasjen e Jamal Khashoggit.  “Turqia duhet të angazhojë Kombet e Bashkuara për të filluar hetimet në kohën e duhur, ashtu që të jenë të besueshme dhe transparente”, citohet të ketë thënë Robert Mahoney, zëvëndës-drejtor i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.  Ndërsa ka shtuar se, “Pjesëmarrja e OKB-ës në këtë çështje, është garancia më e mirë që ato të dalintë sukseshme, megjithë hetimet që po bëhen sa për sy e faqe nga vet sauditët dhe përball përpjekjeve të qeverive të tjera, të cilat mund të kenë interesa për të ruajtur marrëdhëniet e levërdishme tregtare me Riadin.”  

Në njoftimin për mediet ndërkombëtare, organizatat e mësipërme kërkojnë që provat që do të mbludhen gjatë hetimeve nga OKB-ja, të ruhen me qëllim që të përdoren në çdo proces gjyqësor në të ardhmen, kundër dorë-rasëve ose dhe pjesëmarrësve në vrasjen e gazetarit Khashoggi.  Ato insistojnë gjithashtu që grupi hetues i OKB-ës të jetë i lirë për të udhëtuar kudo që jetë e nevojshme, për të intervistuar dëshmitarët ose njerzit që mund të konsiderohen si fajtorë në këtë mes, pa ndërhyrje nga autoritetet e cilitdo vend qoftë.

Jamal Khashoggi është parë duke hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll me 2 Tetor, 2018, por fati i të cilit ç’prej asaj dite, nuk dihej deri tani.  Por gjatë fundjavës që kaloi, Arabia Saudite konfirmoi vdekjen e gazetarit saudit dhe komentatorit të gazetës Washington Post, e të ndjerit Khashoggi, duke thënë se vdekja e tij erdhi gjoja pas një grindjeje fizike brenda konsullatës saudite në Stamboll.  Kjo është hera e parë që Arabia Saudite pranon se ai është vrarë brenda konsullatës së saj në Stamboll.  Megjithkëtë, pranimi zyrtar saudit se gazetari Jamal Khashoggi është vrarë brenda konsullatës së saj atje, nuk ka të ngjarë të pakësojë thirrjet ndërkombëtare për të mbajtur përgjegjëse autoritetet saudite për vrasjen e tij.  Deri të shtunën që kaloi, zyrtarët sauditë kishin thënë vazhdimisht se Khashoggi ishte larguar i gjallë nga konsullata saudite në Stamboll, ku kishte vajtur për të marrë një dokument martese dhe se ata nuk kishin ndonjë informacion për fatin e tij.

Sipas organizatave ndërkombëtare të lartëpërmendura e që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, autoritetet saudite i kanë shtuar masat shtypëse ndaj kundërshtarëve në vend ç’prej emërimit princ të Mohammad bin Salman, Qershorin e vitit të kaluar, përfshirë masat e ashpra edhe ndaj personavet për shprehjet e tyre paqësore në favor të promovimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi.   Këto organizata thekësojnë se pothuaj të gjithë mbrojtsit e të drejtave të njeriut dhe zërat kritikë, përfshirë ndër ta edhe klerikë, gazetarë dhe akademikë, kanë qenë dhe janë objekt masash të ashpëra kundër tyre nga autoritetet e Arabisë Saudite.   Sipas të dhënave nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, vrasja e gazetarit Khashoggi ndodhi pas më shumë se një vit masash të ashpëra nd[rmarrë kundër gazetarëve sauditë, të cilët kanë raportuar mbi aferat korruptive, mbi të drejtat e grave dhe për çështje të tjera në vendine tyre e që në Arabinë Saudite konsiderohen si çështje “sensitive”, ndërkohë që ato akuzojnë Arabinë Saudite se disa prej këtyre personave mbahen në vende të panjohura.

Prandaj nuk janë vetëm gazetarët, mbrojtës të lirisë së fjalës, ata që e pësojnë keq në Arabinë Saudite.  Organizatat e të drejtave të njeriut, kanë venë në dukje se shumë individë, përfshirë edhe disa femëra të njohura saudite, mbështetëse të drejtave të grave, si Loujain al-Hathloul, Iman al-Nafjan dhe Aziz al-Yousef, mbahen arbitrarisht në burg për disa muaj tani, pa kurrfarë akuzash ndaj tyre, por mabhen të arrestuara vetëm e vetëm pse kanë ushtruar të drejtën e tyre të fjalës së lirë.

Z. Christophe Deloire, Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës Reporterët Pa Kufij, tha se të gjitha këto zhvillime rreth vrasjes së gazetarit saudit, Khashoggit, “E bëjnë të qartë se sa e rëndësishme është që për këtë rast të ndërmerren hetime të pavarura dhe asnjanëse me qëllim që të zbulohet e vërteta për atë që ka ndodhur dhe të vendoset drejtësia për vrasjen e Jamal Khashoggi-n”.  Ai e cilësoi vrasjen e tij si një prej rasteve më shokuese dhe ekstreme të viteve të fundit dhe si e tillë duhet, patjetër, të hetohet nga Kombet e Bashkuara.

Organizatat e lartëpërmendura i kanë bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Z. Guterres që të emërojë një hetues të lartë krimesh me përvojë të gjërë në fushën e hetimeve ndërkombëtare, si personin për të kryesuar grupin hetues të OKB-ës për këtë rast.  Në përfundim të hetimeve, ata rekomandojnë botimin e një raporti publik mbi vrasjen e gazetarit saudit Khashoggi dhe që grupi hetues të propozojë masat që duhen marrë kundër atyre që shkaktuan vdekjen e tij. 
 
“Familja e Jamal Khashoggi-t dhe mbarë bota meritojnë të dinë të vërtetën e plotë se çfarë i ndodhi atij”, është shprehur Drejtori i Human Rights Watch, Z. Louis Charbonneau duke shtua se, “Shpjegimet e pjesëshme dhe hetimet e njëanëshme nga Arabia Saudite, e cila dyshohet se kishte gisht në vrasjen e tij, nuk mjaftojnë.  Vetëm Kombet e Bashkuara kanë kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të ekspozuar vrasësit e gazetarit Khashoggi dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës për aktin …” ka thekësuar Z. Charbonneau.  Ndërsa Sherine Tadros, Kryetare e zyrës së Amnesty International në Nju Jork është shprehur se, “Pa një hetim të besueshëm nga ana e OKB-ës, dyshimet do të vazhdojnë mbi Arabinë Saudite pa marrë parasyshë shpjegimet zyrtare që mund të ofrojë udhëheqja e atij vendi në lidhje me vrasjen e Jamal Khashoggit.”

Më në fund, organizatat e të drejtave të njeriut i bëjnë thirrje Turqisë, Arabisë Saudite dhe të gjitha vendeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të bashkpunojnë me hetimet e OKB-ës, për të siguruar ndihmën e nevojshme për zhvillimin e hetimeve ndërkombëtare, ashtuqë që të zbulohet e vërteta mbi vrasjen e Jamal Khashoggi-t.  Posaçërisht, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, i bëjnë thirrje Turqisë, që të dorëzojë të gjitha provat audio-vizive që thotë se posedon në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit -- e që zyrtarët turq u kanë thënë vazhdimisht përfaqësuesve të medies -- se ato provojnë vrasjen e Jamal Khashoggi-t, brenda konsullatës saudite në Stamboll. Fund javën që kaloi, Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Guterres, nepërmjet një zëdhënsjeje, shprehu “shteqësimin e tij të thellë” për vrasjen e gazetarit saudit, por nuk mori përsipër ndonjë angazhim për hetim nga ana e OKB-ës, megjithëse sipas zëdhënses, “Sekretari i Përgjithshëm theksoi nevojën për hetime të menjëhershme dhe transparente mbi rrethanat e vdekjes se të ndjerit Khashoggi dhe për të zbuluar përgjegjësit për vrasjen e gazetarit saudit.”  Mbetet për tu pa në ditët dhe javët e ardhëshme, nëse OKB-ja do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së organizatave kryesore ndërkombëtare të drejtave të njeriut për një grup hetues i sanksionuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.  OKB-ja si organizatë botërore, mbi të gjithë të tjerët, duhet të tregojë shqetësimin e saj të thellë për këtë ngjarje.   Sepse “ngjarjet e tmershme” -- siç u shpreh në reagimin e saj në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Kancelarja gjermane Angel Merkel -- “Janë një paralajmërim se reformat demokratike, anë e mbanë botës, janë nën kërcënim”.   Ky shqetësim duhet të shprehet nga të gjithë ata që besojnë në lirinë e fjalës dhe në lirinë e shtypit në veçanti dhe në vlerat demokratike, në përgjithësi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test