Dialogu i Prishtinës me Beogradin në Bruksel, sjell copëtimin territorial të Kosovës!

Opinione

Dialogu i Prishtinës me Beogradin në Bruksel, sjell copëtimin territorial të Kosovës!

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 12:20
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

*** Shteti, kisha, akademia dhe masmediat serbe   me agresion dhe me gjenocid  e rikolonizuan Kosovën (1989-1999). Sot (nëntor 2018) një rrezik i tillë  po e kërcënon edhe copëtimin e Kosovës, në emër të “normalizimit” të marrëdhënieve  mes Prishtinës dhe Beogradit sipas “Dialogut historik” të Brukselit mes palës serbe dhe asaj kosovare (2010-2018), epilogu i të cilit, do të sjellë këmbimin e territorit të veriut të Kosovës me territorin e Preshevës, pa Bujanocin dhe pa Medvegjën. Këtë “marrëveshje historike” së shpejti do ta nënshkruajnë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas një akti të këtillë të arritjes së kompromisit politik mes Beogradit dhe Prishtinës, të dy presidentët e theksuar, do të  shpallën  dhe do të  shpërblehen (ndoshta) edhe me Çmimin Nobel si “heronj paqësorë” të Ballkanit mbase ky kompromis i keq dhe i pajustifikueshëm (si në kuptimin historik, ashtu edhe në atë politik e juridik) po mbështetet edhe nga faktorët evropianë e ndërkombëtarë.

Shteti, kisha, akademia dhe masmediat serbe, Kosovën e rikolonizuan me agresion dhe me gjenocid (1989-1999)

Është i pamohueshëm konstatimi historiko-shkencor e politik, se problemi i Kosovës nuk është i ri (që sipas propagandës politike kishtare serbe zë fill nga 10 qershori 1999, kur Kosova vihet nën mandatin ndërkombëtar të OKB-së dhe të KFOR-it), por është shumë i vjetër dhe ka karakter kolonial, sepse “de facto” është aneksuar dhe kolonizuar me forcë që nga shtatori i vitit 1912 nga ana e ushtrive grabitqare-pushtuese të Serbisë dhe të Malit të Zi. Ndërkaq, “de jure” rrënjët e tij figurojnë që nga viti 1913, në vendimet antishqiptare të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës së Fuqive të Mëdha Evropiane, sipas së cilave gjysma e territorit të Shqipërisë etnike dhe e kombit shqiptar “ligjësohet” si plaçkë koloniale e Serbisë dhe e Malit të Zi.

Prandaj, është e domosdoshme, që edhe sot (2003), në prag të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, t’i rikujtojmë bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se Kosova dhe pjesët e tjera të Shqipërisë etnike janë viktima dhe plaçkë koloniale e traktateve të fshehta dhe të hapura të nacionalshovinistëve serbomëdhenj dhe të imperialistëve të “Fuqive të Mëdha” të Evropës.

Trillet e mitologjisë sllave

Në këtë sfond, duhet të kërkohet “nervi” kuintesencës së konfliktit shekullor shqiptaro–serbomalazez e sllav në Ballkan, e jo në historiografinë e falsifikuar  të mitologjisë e përrallave të substratit sllav, sipas së cilave nacionalshovinistët serbë dhe malazezë i “shtrojnë” dhe i “mbrojnë” para botës tezat e tyre të sofistikuara, se“Kosova dhe territoret e tjera të Shqipërisë etnike kanë qenë dhe do të jenë pjesë e territorit të Serbisë dhe të Malit të Zi”.

Pikërisht, kjo tezë mitologjike e Kishës Ortodokse Serbe dhe e politikës zyrtare të dikurshme dhe të sotme serbe, është kulmi i ekstremit nacionalshovinist serbosllav, me të cilin shkenca dhe politika shqiptare nuk janë pajtuar kurrë, sepse e vërteta historike është e kundërta nga ajo çka pohon kuazishkenca dhe politika shtetërore e Kishës Ortodokse Serbe. Përderisa doktrina dhe praktika e filozofisë së politikës paranoide serbomalazeze nuk braktis “parimet” dhe “kriteret” e strategjisë fashiste antishqiptare “lebensraum” në kurriz të Kosovës dhe të tokave të tjera të kolonizuara të Shqipërisë etnike, gjasët për zhvillimin e ndonjë dialogu real politik serbo–shqiptar (me gjithë përpjekjet e Grupit të Kontaktit, përkatësisht të bashkësisë ndërkombëtare) janë nën minimalen e grafikut të teorisë së zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare.

Memorandumi i KOS-it për kthimin e Kosovës nën Serbi (2003)

Vështruar në retrospektivën historiko-politike që nga periudha bizantine e shekullit XIV të mesjetës, e cila në Ballkan personifikohet me emrin e car Stefan Dushanit-mizorit, Kisha Ortodokse Serbe ka qenë një nga eksponentët më ekstremë të politikës serbomadhe, sepse në vazhdimësinë e saj historike të derisotme ka luajtur rolin e “interpretuesit të drejtësisë historike”, të “gjykatësit” dhe të “ekzekutorit” kryesor të ushtrimit të gjenocidit mbi shqiptarët dhe mbi tokat e tyre të Shqipërisë etnike. Në këtë frymë, ka vepruar edhe pas vitit 1912 e deri më sot. Gjithmonë, kur  bëhej fjalë për thurjen e  planeve strategjike serbomëdha për shfarosjen dhe për dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre stërgjyshore ilire, Kisha Ortodokse Serbe ishte ajo që së pari i përpilonte dosjet e aktakuzave kundër shqiptarëve, të cilët para bote i fajësonte për “rebelizëm” dhe për “vandalizëm” kundër “faltoreve” të rreme kishtare serbe, dhe elementit serbosllav.

Po ashtu, me të njëjtat shpifje, gënjeshtra dhe agresivitet antishqiptar, veproi edhe gjatë sundimit dhjetëvjeçar të sistemit fashist çetnik serb të Slobodan Milosheviçit për shfarosjen e shqiptarëve dhe për djegien e Kosovës. (1989-1999).


Edhe pse kanë kaluar vetëm katër vjet (1999-2003) që nga përfundimi i sistemit fashist gjenocidal serb mbi Kosovën  dhe mbi shqiptarët, si rrjedhim i luftës çlirimtare kombëtare antikoloniale të UÇK-së dhe ndërhyrjes së Aleancës Atlantikut Verior (NATO-s), ja, sërish në skenën politike “kryengjujt” nacionalshovinistë të Kishës Ortodokse Serbe, të drejtuar nga regjimi “demokratik” i SMZ-së të Beogradit (si gjatë mandatit të kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, të kryetarit të ashtuquajturës “RFJ”, Vojislav Koshtunica, ashtu edhe tani të kryeministrit serb, Zoran Zhivkoviç dhe të kryetarit të SMZ-së, Svetozar Maroviq), kanë dalë me “projekte të reja paqësore” të politikës gjenocidale serbe për rikolonizimin dhe për  shfarosjen e shqiptarëve, ashtu siç ishin ato të kryemesisë gjithëserbe, Slobodan Milosheviq.

Këtë e provon edhe “Memorandumi” me përmbajtje nacionalshoviniste i saj për Kosovën, i cili para një muaji është botuar në formë libri, kurse është promovuar, më 4 shtator 2003 në Universitetin e Kollarcit në Beograd. Esencën e këtij “Programi të ri” nacionalist serbomadh antishqiptar, përmes “ligjërimit predikues” auditoriumit serb, ua “sqaruan” kush tjetër pos “engjujt paqësorë” të KOS-it dhe të filialës së tij politike shtetërore serbe: patriarku Pavle, mitropoliti Amfilohije, vladika Artemije dhe Nebojsha Çoviq, kyetari i Qendrës Koordinuese për Kosovën. Se përmbajtja e “Memorandumit” të KOS-it është me bazë të vjetër dhe me fakte të reja të rreme dhe të trilluara antihistorike, antipolitike dhe antishqiptare, e dëshmon ky “konstatim vlerësues” i mitropolitit Amfilohije, duke pohuar se: “Ky Memorandum është vepër e vazhdimësisë shekullore i KOS-it, që ka pasur dhe ka për qëllim që të zgjojë kujtesën e popullit mbi identitetin kombëtar dhe fetar, kujtesë kjo, e cila në hapësirat e Kosovës, është e pranishme pothuajse 20 shekuj, që nga periudha e apostujve, e jo vetëm nga krijimi i shtetit mesjetar serb.” Ja, kjo është ajo “metodologjia shkencore”, sipas së cilës KOS-i me shekuj ka krijuar një pasqyrë të rreme dhe mitologjike mbi vjetërsinë gjenealogjike të popullit dhe të shtetit serb. Kjo është floskulë e kulluar “shkencore-politike-religjioze” e “kujtesës” së turpshme e autorëve kishtarë serbë të këtij Memorandumi, sepse as prani fizike, as kujtesë psikologjike, as historike serbe 2000-vjeçare, siç ka pohuar mitropoliti Amfilohije, nuk ka mbretëruar në hapësirat e Shqipërisë etnike, as të Ballkanit, kur shkencërisht është vërtetuar teza se konglomerati serbosllav është shfaqur në shekullin XII në Ballkan, domethënë 10 shekuj pas ngulitjes së etnikumit shqiptar.

Serbët dhe Beteja e  Kosovës

Segmenti tjetër i gënjeshtrës së trilluar dhe të shpifur të “engjullit” Amfilohije kundër së drejtës historike shqiptare, kundër NATO-s, UNMIK-ut e KFOR-it, është edhe ky rrëfim moralizues i tij, kur thotë: “Në kujtesën kolektive të kishës dhe popullit serb kanë ngelur të pashlyera ngjarjet tragjike gjatë historisë nacionale, duke filluar që nga Beteja e Kosovës 1389, dhe të shpërnguljeve të panumërta serbe para hordhive turke, dhe të bombardimeve të NATO-s, si dhe të vendosjes së forcave paqësore ndërkombëtare, si pasojë e të cilave janë rrënuar qindra vende të shenjta serbe në Kosovë”.

Subjektin e “fabulës” së këtyre përrallave fantastike të politikës së KOS-it, mund ta kenë kuptuar vetëm Slobodan Milosheviçi dhe autorët serbomëdhenj shovinistë të Memorandumit serb, të legalizuar dhe të promovuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë, më 1996, i cili vërtet e zgjoi nga gjumi shekullor urrejtjen dhe kujtesën e politikës dhe të religjionit të paranojës kolektive të popullit serb në Ballkan kundër shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë të Bosnjës. Këto ishin mjetet kryesore operacionalizuese të strategjisë dhe të taktikës së Memorandumit çetniko-fashist serb të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve  Serbe (1996), të cilat katër vjet më pas (1990) i zbatoi dhe i materializoi në favorin e saj politika zyrtare e Beogradit dhe e KOS-it, duke i shkaktuar tre agresione dhe gjenocide kundër tre vendeve dhe tre popujve fqinj: kroatëve, myslimanëve dhe shqiptarëve. Praktikisht, ky ishte “bilanci efektiv” i “sajesës përkujtuese” të Memorandumit nacionalshovinist të shkencës dhe të politikës gjenocidale të regjimit pushtues të Slobodan Milosheviçit, të iniciuar, të nxitur dhe të mbështetur drejtazi dhe në mënyrë të zhdrejtë nga Kisha Ortodokse Serbe dhe nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë.

Në këtë frymë, dhe mbi këtë bazë nacionalshoviniste është hartuar edhe Memorandumi për Kosovën (gusht 2003) nga ana Kishës Ortodokse Serbe, përmes të cilit KOS-i dhe politika zyrtare e SMZ-së, duan me çdo kusht, që t’i ndërrojnë tezat dhe veprat gjenocidale serbe në disfavor të shqiptarëve dhe të pavarësisë së Kosovës, me qëllim që të rehabilitojnë politikën agresore të regjimit fashist serb të Slobodan Milosheviçit. Me një fjalë, përmbajtja e këtij Memorandumi të KOS-it, është vampirizim i paranojës kolektive gjithëserbe, se Kosova me çdo kusht, dhe me çdo çmim, duhet të rikthehet nën juridiksionin administrativo-territorial të Serbisë dhe të Malit të Zi, ashtu siç parashikonte edhe strategjia  shfarosëse  e regjimit kolonial serb, sajuar nga  Slobodan Milosheviqi.

Gënjeshtra alla sllave

Hipokrizinë, cinizmin dhe nacionalizmin romantik-tradicional serbomadh antishqiptar të përmbajtjes së këtij Memorandumi, e shpreh edhe ky “vlerësim” i vladikës Artemije, kur thotë: “Ky libër (Memorandum) është kritikuar nga shumë kundërshtarë, për shkak se pasqyron të vërtetën, e shkruar në formë memorandumi plot tetë shekuj, me vuajtjet dhe me vdekjet e popullit serb. Mirëpo, hartimi i tij ende nuk ka përfunduar. Në vend të 215 faqeve, tanimë të shkruara të këtij libri, kanë mundur të shkruhen edhe 250 mijë faqe, vetëm po qe se të ishin përshkruar në hollësi të gjitha krimet e bëra kundër popullit serb dhe tempujve të shenjtë kishtarë, gjatë katër viteve të shkuara (Artemije aludon në periudhën katërvjeçare të administrimit ndërkombëtar të Kosovës nga UNMIK-u dhe  nga KFOR-i). Ka të “drejtë morale” vlladika Artemije se brenda katërvjeçarit të fundit (1999-2003), domethënë që kur Kosova ndërkombëtarisht shkëputet nga sistemi gjenocidal kolonizues serb, në “Kosovë janë kryer aq krime nga ana e shqiptarëve mbi serbët dhe faltoret serbe” saqë, sipas logjikës së tij skizofrenike antishqiptare, është dashur të shkruhen të paktën “250 mijë faqe” të memorandumit të theksuar të KOS-it. Mirëpo, kjo parullë e trilluar demagogjike e fashizmit ideologjik dhe propagandistik e KOS-it, me parashenjë antishqiptare, mund të pranohet si e vërtetë vetëm nga idhujt dhe fantazmat e ringjallura të mantijave të zeza, që i përkasin periudhës së mugët historike të “engjujve” të shën Savës dhe të “barinjve politikë” - trashëgimtarë të Slobodan Milosheviçit, e jo kurrsesi nga njerëzit normalë të shkencës dhe të politikës së bashkësisë ndërkombëtare. Nga fabrikimi i një gënjeshtre të këtillë me primesa politiko-propagandistike antishqiptare të vlladikës Artemije, lindin shumë pyetje: si paska qenë e mundur, që brenda katër viteve të shkuara (10 qershor 1999 – 10 shtator 2003) në Kosovë (sipas statistikës pa tregues të saktë të vlladikës Artemije) “të jenë kryer jo 150, por 250 mijë krime mbi serbët dhe mbi tempujt kishtarë serbë”, kur gjithë bota është në dijeni se gjatë kësaj kohe të theksuar Kosova është administruar nga UNMIK-u dhe  nga KFOR-i.

Kosova si gjithë të tjerët

Si gjithëkund në botë, edhe në Kosovë mund të ketë pasur vepra të kryera kundërvjatëse dhe penale, por jo në atë vëllim dhe në atë kontekst, siç ka pohuar me paturpësi dhe në mënyrë arbitrare vlladika Artemije. Mirëpo, si ta kuptojmë ndryshe logjikën e ndryshkur të paranojës kolektive serbe, në emër të thirrjes së rreme për paqtim me shqiptarët, pa u “skuqur” fare nga mbarë bota, ndërrojnë tezat si gjithmonë gjatë historisë së deritashme të marrëdhënieve serbo– shqiptare. Hegjemonizmin, dyndjet me dhunë, vrasjet, krimet dhe gjenocidin shekullor serbomalazez mbi shqiptarët dhe trojet e tyre indigjene të Shqipërisë etnike, edhe sot (në fillmshekullin XXI, viti 2003), ua atribuojnë shqiptarëve, duke “harruar” se të gjitha ato janë krime të holokaustit serbomalazez, që i përkasin periudhës historike më se 100-vjeçare, për të cilën vërtet do të duhej të shkruheshin deri tash (jo 250 mijë faqe brenda një katërvjetshi të imagjinuar nga vladika Artemije) por mbi 250 mijë vëllime enciklopedike për mbamendjen e kombit dhe të shtetit shqiptar, si dhe të politikës dhe të historiografisë ndërkombëtare botërore.

Gjenocidi serb

Pavarësisht nga ndryshimi dhe shtrembërimi i tezave historiko-politike dhe shkencore të KOS-it dhe të pushtetit kolonialist serbomalazez, se shqiptarët “janë ekstremistë e terroristë” etj., e vërteta është kjo: serbët dhe malazezët janë ata, që karakterizohen nga këto cilësime ndëshkuese në kurriz të shqiptarëve dhe të së drejtës së tyre historike mbi Kosovën, përkatësisht Shqipërinë etnike.

 Historikisht, ushtrimi i gjenocidit kolonialist dhe i holokaustit të Serbisë dhe Malit të Zi mbi shqiptarët dhe Shqipërinë wtnike, në interval kohor është më i gjatë dhe më tragjik sesa holokausti i Hitlerit mbi popullin hebrej (1939-1945), sepse gjenocidi kolonial serbomalazez mbi shqiptarët dhe territoret e tyre etnike, daton që nga viti 1842, dhe fatkeqësisht, dhe për turpin e gjithë Evropës së qytetëruar, është i pranishëm edhe sot, në vitin 2003 të shekullit XXI.

Mirëpo, për mosalarmimin dhe murkullimin e holokaustit serbosllav mbi shqiptarët dhe Shqipërinë etnike, deri më 1999, me rastin e ripërsëritjes së tij në Kosovë, është fajtore dhe mban përgjegjësi shkenca dhe politika shqiptare, të cilat, edhe pse kanë qenë të kufizuara dhe të kushtëzuara nga rrethanat dhe nga faktorët e politikës ndërkombëtare, nuk e kanë dhënë kontributin maksimal në ndriçimin e të gjitha aspekteve të gjenocidit kolonial serbosllav mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, në dimensione kombëtare as ndërkombëtare, ashtu si ka vepruar në mënyrë objektive dhe racionale politika dhe shkenca hebreje në denoncimin e holokaustit nazifashist të Hitlerit. Pikërisht, një difekt i këtillë i politikës dhe i shkencës gjithshqiptare ka ndikuar dhe ka pasur për pasojë, që gjenocidi serbosllav të ripërsëritet në Kosovë në përmasa drastike (1989-1999), me ç’rast në saje të luftës çlirimtare kombëtare të UÇK-së dhe të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, duke falenderuar angazhimin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me presidentin e tyre, Bill Clinton në krye, jo vetëm se ai u përballua me sukses, por edhe për herë të parë (pas një shekulli-1912-1999), para gjithë  botës,  i është çjerrur maska shekullore e tij. Këtë e provoi edhe deklarata vlerësuese historike, politike dhe  aksiomatike e presidentit Bill Clinton se “Kriza e Kosovës ishte një gjenocid në zemër të Evropës” (Kosovo crisis was a genocide  in the heart of Europe).

 Të vërteta lakuriqe dhe fiaskot e Artemijes

Gjithashtu, pohimet e pavërteta dhe triviale të statistikës ndëshkuese propagandistike të Artemijes në llogari të shqiptarëve, i “fuqizojnë” dhe i “bëjnë më kuptimplota” edhe “ligjëratat pastorale” me prapavijë politike antishqiptare të klerikëve Pavle dhe Atanasije Jevtiç. Ky i fundit, Atanasije, sikurse para 13 viteve të shkuara (kur Serbia e Slobodan Milosheviçit me bekimin e KOS-it, zhvilloi tri luftëra gjenocidale në Kroaci, Bosnjë dhe në Kosovë) nuk ka pësuar kurrfarë metamorfoze të shprehjes së vokabularit të tij nacionalist dhe shovinist, duke i akuzuar shqiptarët (sikurse në prag të viteve ´90 të shekullit XX) për vepra “penale”, të pakryera dhe të paverifikuara nga organet përkatëse gjyqësore të Kosovës. Se në çfarë stadi ekstaze dhe konfuze, Atanasije i solli të pranishmit me rastin e “promovimit” të Memorandumit në amfiteatrin e Universitetit të Kollarcit në Beograd, më 4 shtator 2003, dëshmon edhe ky konkluzion i kordeles së verdhë fashiste të politikës kishtare të KOS-it dhe të regjimit “demokratik” ekzistues të SMZ-së: “Vetëm durim dhe besim, se Kosova do të jetojë, ashtu siç ka jetuar dhe jeton Jerusalemi”.

Edhe pse ky paralelizëm është tërhequr në kuptimin negativ të logjikës psikopatologjike dhe të ndjenjës së urrejtjes kërcënuese ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, në një mënyrë peshkopi Atanasije ka të drejtë, kur thotë se “Kosova jeton dhe do të jetojë sikurse Jerusalemi”. Mirëfilli se Kosova po jeton, dhe më pas do të jetojë sikurse Jerusalemi, por jo dot nën “kurorën mbretërore” kolonial dhe gjenocidale bizantine të Serbisë dhe të Malit të Zi, por vetëm si shtet i pavarur dhe sovran shqiptar, i cili s’ka dyshim se, me t’u pavarësuar nga recidivat e sistemit kolonialist serbomalazez, hapin e parë të politikës së jashtme të tij, do ta konkretizojë në lidhjen e marrëdhënieve miqësore diplomatike me shtetin e Izraelit. Si përfundim, ky Memorandum për Kosovën, i sajuar nga Kisha Ortodokse Serbe, përputhet plotësisht me të gjitha “kartat”, “rezolutat” dhe “deklaratat” kushtetuese të qeverisë dhe të Kuvendit të Serbisë, si dhe, së fundi të Kuvendit të Unionit të Serbisë dhe të Malit të Zi, se “Kosova është pjesë integrale e Serbisë . Prandaj, me asnjë kusht dhe me asnjë çmim, populli dhe shteti serb nuk do të heqë dorë prej saj”. Ky “mesazh kushtetues” i deklaruar botërisht dhe i dakorduar me konsensus ndërmjet regjimit “demokratik” të SMZ-së dhe të Kishës Ortodokse Serbe, është paralajmërim serioz me përmbajtje milimetrike të politikës koloniale hegjemoniste dhe militariste të regjimit gjenocidal serb të Sllobodan Milosheviçit ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.

- Pavrësisht nga  pretendimet territoriale dhe nga  iluzionet e shkreta të  “engjujve” të Kishës Oertodokse Serbe, të Akademisë Serbe dhe të regjimeve kolionialiste dhe neokoloniaiste të Serbisë,   Kosova, kurrënjëherë nuk ka qenë “pjesë integrale e ligjshme e Serbisë”, POR vetëm një koloni e saj jashtëligji (1912-1999).

Prandaj, duke qenë se Unionit të Serbisë dhe Malit të Zi po i ngutet, që sa më parë t’i fillojë negociatat me Prishtinën për të debatuar “çështje teknike”, pala shqiptare, paraprakisht, nevojitet t’i analizojë në hollësi dhe gjithanshmërisht, të gjitha tezat e deritashme politike dhe kushtetuese të qeverisë së Serbisë, përkatësisht të SMZ-së, e pastaj të marrë vendim unanim me konsensus, të hyjë apo të mos hyjë në dialog me SMZ-në, kur kjo, tanimë në “Kartën Kushtetuese” (të miratuar para një viti), në deklaratat dhe rezolutat e tanishme, Kosovën e konsideron “si pjesë integrale të SMZ-së”. Sipas “logjikës filozofike” të kësaj politike serbomalazeze, del e qartë se nuk mund të ketë kurrfarë dialogu real me SMZ-në, mbase kjo tanimë e ka mbyllur dialogun me palën shqiptare, sepse Kosovën e konsideron si “pronë koloniale” të vetën. Ky është një nga argumentet më të pamohueshme se, politika e shtirur demokratike dhe integruese e SMZ-së, e drejtuar nga garnitura drejtuese e “politikës moderuese”: Svetozar Maroviç (kryetar i SMZ-së), Zoran Zhivkoviç (kryeministër i qeverisë serbe), Dragolub Miçunoviç (kryetar i Parlamentit të SMZ-së dhe Nebojsha Çoviç (nënkryetar i qeverise serbe), është rikthyer në klishet dhe  në shabllonet e ligjeve dhe të kushtetutave antishqiptare të regjimit fashist gjenocidal serb të Slobodan Milosheviçit.

Prandaj, si në kuptimin faktik, ashtu edhe në atë juridiko-kushtetues e politik, SMZ-ja tanimë i ka shpallur luftë Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, sepse Kosovën e ka “legalizuar” si “pjesë përbërëse të territorit të saj”, ashtu siç veproi paraprakisht politika pushtuese militariste e Slobodan Milosheviçit (ish-kryetar i Serbisë dhe i ashtuquajturës “RFJ”-së - Serbia+Mali i Zi), i cili duke mbrojtur me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake, që i kishte në dispozicion, pohonte se “Kosova është djepi dhe zemra e Serbisë”. Kështu, duke u bazuar në këto gënjeshtra dhe shpifje propagandistike, kryekrimineli Slobodan Milosheviq, i ndihmuar nga akademia dhe nga kisha serbe ua imponoi agresionin dhe luftën gjenocidale shqiptarëve dhe Kosovës, gjë që këto sollën edhe tragjedinë e saj më 1999. (Shih: “Gazeta Panorama”, Tiranë, 2003).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat