Kushtimore tmerrit

Opinione

Kushtimore tmerrit

Nga: Gani Mehmetaj Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 14:46
Gani Mehmetaj

Grupi i turistëve shihnin me kureshti kafkat e murosura në Çele-Kullën e Nishit. Ishte pasdite me vapë gushti. Qyteti ishte përgjumur.

-Ua sa tmerr! Trupi me rrëqethet, - i pëshpëriti gruaja burrit.

-Kam ftohtë, mërdhijë , - u ankua një vajzë e re aty pranë.

Pamjet e gojës së kafkës si vrimë honi e akullonin.  

-Sa qenkan zvogëluar, - habitet burri në moshë.

-Kafka e njeriut është më e madhe, -mëdyshjet ai.

-Mbase koha e ka zvogëluar, mbase kishte teknikë të veçantë të balsamosjes e zvogëlimit të  rrashtës së kokës, - përpiqej të sqaronte ciceroni i zënë ngushtë.

Dikush nisi t'i numëronte kafkat e murosura. Nuk i dilnin sa thuhej se i kishte mbjell ushtria turke dyqind e dhjetë vjet më parë nëpër murin e ndërtuar enkas për këtë qëllim.

Qyteti i vjetër i Konstantinit të madh ofronte edhe gjurmë tjera të së kaluarës: kështjellën e vjetër, shtatoret, shtëpi banimi aristokratësh dardanë, banja termale etj.  Por ky monument që i kushtohej vdekjes me kafka njerëzish ishte i veçantë dhe i vetmi në Gadishullin Ilirik. Të tmerronte kur e mendoje ku mund të arrijë çoroditja e mendjes njerëzore: kushtimore tmerrit për të prodhuar tmerr.  

Timurlengu kishte ngritur piramidë me kafka shekuj më parë në Azi. Ai la pas vetës mal me kufoma, por la edhe objekte të mahnitshme e tregti që lulëzoi në dy kontinente. Për koincidencë prijësi mongol kapi rob e vrau sulltanin Orhan Bajazitin I në Angora (Ankara). Pasardhësit e Bajazitit I, nuk u hakmorën, por e kopjuan zejen e kullave të tmerrit.  

- Në shenjë të çfarë fitoreje e ngritën kushtimoren e vdekjes, - pyeti dikush.

- Turqit nuk lanë objekte publike, nuk lanë as monumente. Ata rrënuan monumentet vendëse. Xhamitë e hamamet ua morën arabëve. Flisnin osmanisht, shkruanin me alfabetin arab, luteshin arabisht. Mizorinë e kishin turqisht, -sqaronte burri me flokë të thinjura nga grupi i turistëve.

Grupi dëgjonin e habiteshin. Vajza e pyeti me kureshtje:

- Kush ishin fatkeqit që u kanë mbetur të përjetësuar kafkat?

- Kronikat e kohës e thonë ndryshe nga sa shkruan katalogu zyrtar. Sipas kronikave, shqiptari Gjergj Pjetri, pinjolli i fisit të Kelmendit, udhëhoqi kryengritjen e të krishterëve kundër Perandorisë Osmane në territorin që sot e ka Serbia. Për ta ndëshkuar kryeneçësinë e tij, pushtuesit turq bënë hakmarrje të tmerrshme kundër shqiptarëve ortodoks, që Pjetër Bogdani i quante arbnor të shkjenizum. Kështu vranë mijëra shqiptarë të ritit bizantin, me 952 kafka të tyre ndërtuan Çele-Kullën në Nish. Bajraktari serb, Millosh Obrenoviç, një fshatar i pagdhendur, që u pasurua në kohën e Turqisë, u lidh me turqit dhe ua ofroi kokën e Gjergj Pjetrit, për ta qetësuar zemërimin e Perandorisë Otomane. Millosh Obrenoviç me ndihmën e ushtarëve turq vrau në pabesi pinjollin e fisit të Kelmendit, kokën e të cilit ua dorëzoi turqve.

-Ua sa tmerr! E ku janë pasardhësit e kafkave fatkeqe?, pyeti vajza që kishte të ftohtë në vapën e gushtit.

-Nuk ka, i zhduken ata që duhej t'i falënderonin për çlirimin e vendit, u përgjigj me mllef burri i thinjur. 

-Këtu në afërsi është një qytet i tërë me varre të shqiptarëve të paemër që pasi i nxirrnin nga burgu i ekzekutonin. Këtu ishte burgu më i madh në ish-Jugosllavi, ku vuajtën mijëra shqiptarë, mijëra të tjerë nuk dolën kurrë nga telat me gjemba. Nishi ishte Gulagu i shqiptarëve.   

Grupi i turistëve vazhduan  me autobusin luksoz të një agjencie turistike.

-Nuk është vetëm Çele-Kulla përmendore e tmerrit, as vetëm Burgu i Nishit, Gulag i shqiptarëve, vazhdoi ai.

-Kronistët turq flasin edhe për kushtime tjera perëndisë së tyre-Allahut:  

“Nën thirrjet “Vdekje shqiptarëve!”, “Allahu Akbar!” osmanët sulmojnë qytetin. Pasi e pushtojnë, kalifi islamik Fatihu i masakron të gjithë barbarisht. Vetëm në këtë qytet humbën 20.000 mijë shpirtra të pafajshëm. Kafkat e tyre do të jenë për shumë vjet ushqim për shpezët e këtyre viseve".

Turistëve u dukej sikur po kalonin nëpër tunelet e tmerrit. Vajza që ngrinte donte të kthehej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat