Kompromisi i Serbisë - thikë në shpinë për Kosovën

Opinione

Kompromisi i Serbisë - thikë në shpinë për Kosovën

Nga: Rexhep Torte Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 13:01
Rexhep Torte

Të gjitha këto që po i dëgjojmë, lexojmë apo i shohim nëpër ekranet televizive,flasin qartë se mbi Kosovë afrohet një re e zezë. Për këtë  situatë të  krijuar pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj me aqë viktima e sakrifica  fajtorë kryesorë janë lidershipi i Kosovës dhe partitë politike kosovare, të cilat në rend të parë vunë bajraktarizmin,korrupsionin, interesat vetjake dhe partiake, duke  e lënë pezull  forcimin dhe promovimin e shtetit të Kosovës. Ky lidership aktual i Kosovës do të mbetet në historinë shqiptare si lidershipi më i dështuar. Serbët e kanë një shprehje popullore që thotë se,  “Pred çinjenicama i bogovi qute” (Para fakteve edhe Zotat heshtin). Ndërkaq shqiptarët e Kosovës kanë mijëra fakte bindëse për ta demaskuar  Serbinë, por vetëkënaqësia, karierizmi dhe antagonizmi për pushtet i vuri në gjumë. Në vend që  parreshtur ta mposhtin   Serbinë para botës me fakte të gjalla e bindëse si edhe ta bindin faktorin ndërkombëtar për tmerret që ndodhën  në Kosovë nga serbët,  lidershipi kosovar po merret me vetveten duke pritur që dikush tjetër tua kryen punët. Doli në shesh se tjetër gjë është ta fitosh lirinë dhe tjetër gjë është ta forcosh shtetin. Shembull më domethënës për këtë mund të na shërbejë  edhe kryeministri Ramush Haradinaj, për të cilin ekzistonte respekt i  madh,  sepse  askush nuk mund tia  mohojë angazhimin e tij në luftën për çlirimin e Kosovës, por ai  e devalvoi veten së tepërmi me shpenzimet në rritje të  qeverisë së tij dhe me rritjen e rrogës së tij, me arsyetimin se i nevojiten më shumë kostume e kollare, dhe harroi fare se njeriu çmohet për nga puna e jo për nga guna. Koha po dëshmon   se një herë në njëqind vite lindin patriotë të zellshëm,  të ndershëm e modestë  si Ukshin Hoti, Fehmi Agani dhe Adem Demaçi. Gjer vonë Adem Demaçin e patëm në mesin tonë, të cilin  Zoti na e kishte falë aqë  trim, atdhetar, të mençur e  fisnik, por nuk u denjuam ti japim të paktën një vend deputeti në Kosovë,  e jo më ndonjë post më të lartë, edhe pse baca Adem i kishte të gjitha dhuntitë, zotësitë  e nishanet  për të patur postin më të lartë ne shtetin e Kosovës, me çka do të na ndihmonte dhe nderonte të gjithëve. Rast më vete është trimi legjendar Adem Jashari që ra dëshmor heroikisht sëbashku me familjen dhe fisin e tij në Prekaz, nga forcat e mëdha ushtarake e policore serbe ku u vranë 56 anëtarë të Jasharajve  mes tyre edhe gra, pleq e fëmijë. Si është e mundur kjo papërgjegjësi dhe ky korrupsion i lidershipit në Kosovë që shkel mbi këto viktima dhe mbi këtë gjak patriotik  të rënëve në luftë.

Hashim Thaçi, president i Kosovës, ndjehet komod dhe i vjen mirë  të qëndrojë  një kohë të gjatë në postet më të larta shtetërore dhe sillet sikur me të ka lindur Kosova dhe harron fare sa burra patriotë ka patur  Kosova shumë kohë para tij. Hashim Thaçi promovoi në Londër e Paris librin e tij “Kosova shtet i Ri”, si edhe librin autobiografik, por nuk i shkoi kurrë nëdëmend të merr nismën ti përkthejë e ti shëprndajë nëpër botë librat e botuar në Kosovë për dhunimet e femrave shqiptare nga ushtarët e paramilitarët serbë dhe për luftën shkatërrimtare që Serbia e bëri në Kosovë. Këtë gjë nuk e bëri as Behgjet Pacolli, ministër i jashtëm dhe  biznesmen i dalluar në Kosovë, i cili ka avionin dhe jahtën e tij, ka shumë para, por ja që aty ku është më se e nevojshme  tregohet i indiferent0.. Sa dobiprurëse do të ishte që lidershipi kosovar në të gjitha takimet brenda dhe jashtë shtetit partnerëve përveç bisedimeve që do të zhvillonte  tua jepte edhe  nga një kopje të këtyre librave që flasin më shumë se qindra  diplomatë në të mirë të Kosovës. Shpërndarjen e këtyre librave mund ta bën me shumë sukses edhe Vlora Çitaku, përfaqësuese e Kosovës në OKB.

Të dhënat historike flasin se mbreti Bardhyl ishte themeluesi i mbretërisë Ilire në shekullin e IV para Krishtit dhe kjo mbretëri shtrihej nga Trieshta e gjer në Gjirin e Artës në jug. Të dhënat historike tregojnë se para 2500 viteve  mbreti Bardhyl e kishte ndërtuar  Citibardhin  (Beogradin e sotëm). Duhet tu themi serbëve e të tjerëve se  para 2500 viteve  Beogradi e ka folur ilirishten.

Më shumë se 20 vite me shkrimet e mia e kam botuar edhe Hartën e Enciklopedisë Ruse të vitit 1817, ku shihet Serbia e vogël sa Sanxhaku i Beogradit, të cilin e kanë okupuar serbët me ardhjen e tyre nga Karpatet. Ndërkaq historianë shqiptarë, te huaj dhe historianë serbë e pranojnë se fiset ilire-shqiptarët  kanë banuar e jetuar gjer në Qupërli (Qupri) përtej Nishit. Këto të dhëna  historike  i dëshmon  edhe Faksimili i hartës së Enciklopedisë Ruse të vitit 1817, ku shihen  qartë  kufijtë realë të Serbisë në periudhën e viteve  1804, 1810, 1812, 1815, 1820, 1867 që janë shënuar në brendinë e kësaj harte. Kjo hartë e Enciklopedisë Ruse flet qartë se nuk është e vërtetë atë që thonë serbët se Kosova me shekuj paska qenë e Serbisë. Kufijtë e sotëm të Serbisë ku janë përfshirë trojet shqiptare  janë arritur vetëm  nëpërmjet ekspeditave  të përgjakshme serbe ndaj shqiptarëve.

Image

Edhe kjo hartë është më se e nevojshme të shpërmdahet nëpër bote dhe t’i hudhet në tavolinë edhe Aleksandër Vuçiqit në  bisedimet ne Bruksel, edhe Frederika Mogherinit e kujtdo tjetër. Këtë ma thotë eksperienca ime dhe instikti i fuqishëm i gazetarit me përvojë gjysëmshekullore.

Kjo do tia mbyllte gojën edhe  Patriarkut Irinej të Kishës Orthodokse Serbe i cili më 18 tetor 2018 vizitoi Patriarkanën e Pejës, Graçanicën dhe Manastirin e Deçanit,  me ç’rast  plasoi gënjeshtra irrituese se gjoja  Serbia me shekuj e ka patur Kosovën  që tani na i qenka grabitur. Patriarku Irinej duhet ta ketë të qartë se tërë territori i Kosovës ka qenë tokë e  Ilirëve, pasardhës të të cilëve janë vetëm shqiptarët dhe se kishat e manastiret  ekzistuese janë  ndërtuar në  trojet shqiptare të okupuara nga serbët me ekspedita të përgjakshme,me agresion e krime duke i dëbuar shqiptarët, ndërsa shqiptarët gjatë tërë historisë së tyre nuk kanë okupuar as edhe  një pëllëmbë tokë të huaj. Edhe në kohën që ne  po e jetojmë Serbia në shekullin e 20-të ka nxitur dhe filluar tre luftëra  të përgjakshme, shkatërrimtare e gjenocidale,  edhe atë në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë  dhe në Kosovë. I din mirë Patriarku  Irinej gjenocidet dhe terroret që serbët i shkaktuan në  Srebrenicë, Potoçare dhe Vukovar. Serbia fillimisht në Kosovë suprimoi administratën, pastaj arsimin e të gjitha niveleve në gjuhën shqipe e pas kësaj e okupoi Kosovën me dhjetëra mijëra ushtarë  të armatosur  gjer në dhëmbë dhe me armatim të rëndë karshi popullit shqiptar duarthatë. Ushtria serbe në Kosovë vrau 15 mijë shqiptarë, në mesin e tyre gra, pleq e fëmijë,dhunoi në mënyrë shtazarake 18 mijë femra shqiptare, krijoi  shumë varreza masive, dogji qindra mijëra shtëpi, shkaktoi   eksodin e 1 milin shqiptarëve, ndërsa  edhe sot e kësaj dite nuk dihet fati i 1860 shqiptarëve  të  pagjetur. Kjo don të thotë se Serbia e bëri Kosovën shkrumb e hi. Nëpër tërë Kosovën e pavarur tashmë shihen  varrezat  e shumta përkujtimore të rregulluara e të sistemuara bukur ku prehen bijtë më të mirë shqiptarë  që  flijuan  jetën e tyre për çlirimin e Kosovës. Kjo flet qartë se çdo pëllëmbë toke e Kosovës është larë me gjak. Egzistojnë dëshmi  historike se serbët janë ardhacakë në Ballkan. Hordhitë serbe me vrasje  i kanë  dëbuar shqiptarët nga këto vende  dhe i janë afruar edhe bregdetit të Shqipërisë, por në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, dhe në Konferencën e Paqës në Paris në vitin 1920, u vendosën këto kufij aktualë edhe pse në dëm të shqiptarëve. Në viset e okupuara serbët me shpejtësi  i kanë zevendësuar   toponimet vendase  me toponime serbe dhe i kanë ndërtuar kishat dhe manastiret orthodokse  serbe.

Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, dhe tërë lidershipi i Serbisë në vazhdimësi  janë duke propozuar   sipas tyre një Marrëveshje  kompromisi me Kosovën, gjoja siç thonë ata që Serbia të mos del humbëse. Lidershipi serb  me gënjeshtra  të njëpasnjëshme arrijti të sigurojë koheve të fundit  tetë kongresmenë amerikanë që me anë të një letre dërguar Mike Pompeo, sekretarit të përgjithshëm të SHBA-ve, të lobojnë që  z. Pompeo të ofrojë mbështetje për përpjekjet e Serbisë në arritje të paqes me Prishtinën nëpërmjet bisedimeve. Kjo tregon  se kur  në Kosovë maçori fle, minjtë heqin valle.

Është çasti i fundit që lidershipi i Kosovës të zgjohet nga gjumi  dhe të mos mendojë se dikush tjetër duhet ti kryejë punët e tyre. Pa humbur kohë duhet nisur një  punë intensive propagandistike me tekste e fotografi për gjëmat që serbët i kanë bërë në Kosovë. Duhet  të arrihet konsensus mbarëkosovar e mbarëshqiptar për sfidat që e presin Kosovën, sepse i vetëm askush në botë nuk mund ti kapërdijë këto kafshata që Hashim Thaçit i duken të vogla. Asnjë bisedë me Beogradin nuk duhet të niset pa u zbuluar personat e pagjetur dhe pa kërkuar Serbia falje publike për të gjitha krimet  që ia ka shkaktuar Kosovës. Për bisedimet Prishtinë-Beograd lypset një  unitet i çelniktë brëndakosovar dhe të përgatitet një platformë serioze e përmbajtësore. Serbia ende synon që Kosovën ta mbajë si koloni. Ajo kundërshton fuqishëm themelimin e ushtrisë së Kosovës edhe  pse kjo ushtri themelohet për të mbrojtur pragun e shtëpisë. Serbija dëshiron  ti shet prodhimet  e saj në Kosovë duke mos blerë asnjë prodhim nga Kosova. Tentativa e Serbisë për shkëmbim territorresh apo ndryshim të kufijve me Kosovën është e pallogjikshme dhe e dëmshme, sepse Serbija i ka tkurrë  së tepërmi trojet shqiptare dhe i ka  ngushtuar kufijtë shqiptarë. Faktori ndërkombëtar do ti zbuste  sadopak mëkatet ndaj shqiptarëve po ta detyronte Serbinë që Lugina e Preshevës ti bashkanjgjitet Kosovës dhe asgjë tjetër. Marrëveshja ne frymën e kompromisit që tenton ta arrijë Serbia është thikë në shpinë për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat