“Lufta” për presidentin, analisti ia shuan krejt shpresat Ramush Haradinajt: As partnerët ndërkombëtarë nuk e dëshirojnë

Politika

“Lufta” për presidentin, analisti ia shuan krejt shpresat Ramush Haradinajt: As partnerët ndërkombëtarë nuk e dëshirojnë

Nga: N. H Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 22:20
Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa

Po vazhdon “lufta” për të parin e shtetit. Posti i presidentit është shndërruar në mollë sherri në mes partnerëve të koalicionit qeverisës, LDK-së dhe AAK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tash e sa kohë janë duke u “përplasur” njëra me tjetrën për postin e kreut të shteti.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka treguar se deputetët e partisë së tij nuk do ta votojnë asnjë kandidat për president nga radhët e partive të koalicionit qeverisës.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, shprehet se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme nuk sjellin zgjidhje. Sipas Hazirit, kjo do të krijojë ngërç politik e institucional.

Image
Nexhat Haziri

“Në këtë konfiguracion aktual të skenës politike shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk prodhon zgjidhje, për më shumë mund të qoj në ngërç politik e institucional, sidomos nëse mbetët që zgjedhja e presidentit të mbetët pas shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Andaj duke e ditur këtë situatë dhe mentalitetin e inatit në politik bërjen kosovare, faktori ndërkombëtar është shumë i interesuar, edhe në formë të presioneve të lehta, për ti shtyrë partitë politike drejtë një marrëveshje për të gjetur e zgjedhur një president konsensual që do ta evitonte thellimin e krizës politike në vend, dhe stagnim të Kosovës si në procesin e dialogut me Serbinë dhe mundësisë për të arritur një marrëveshje finale e cila do të dërgonte në njohje reciproke në mes dy shteteve, por edhe vonesa në agjendën e integrimeve euro-atlantike, po ashtu edhe në aspektin e zhvillimeve të brendshme”, shprehet Haziri.

Kurse, sa i përket insistimit të Haradinajt për të ardhur në krye të shtetit, Haziri gjithë këtë e sheh si të paarsyeshme, dhe pa asnjë shans.

Gjersa, shprehet se as pala ndërkombëtare nuk e shohin Ramush Haradinajn si partner kredibil të tyre në raportet me Kosovën.

“Por, si duket kjo nuk po i bënë përshtypje fare liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt i cili paarsyeshëm dhe pa asnjë shans po e shtynë përpara ambicien e tij për tu bërë president i vendit, me gjithë mungesën e përkrahjes dhe mbështetjes qoftë në Kosovë, por edhe nga partnerët ndërkombëtar të Kosovës, për të cilët kandidatura e Haradinajt për president të Kosovës është e papranueshme dhe nuk e shohin si partner kredibil të tyre në raportet me Kosovën”, tha ai.

Krejt në fund, analisti Haziri thekson se nëse zgjedhje e presidentit nuk mund të bëhet pa shkuar në zgjedhjet e parakohshme, Kosova shkon drejt një rruge jo të mirë.

“Andaj, nëse zgjedhje e presidentit nuk mund të bëhet pa shkuar në zgjedhjet e parakohshme, Kosova ka shumë gjasa që të futet edhe më tej drejtë një krize politike dhe institucionale për faktet që i thamë më parë”, u shpreh krejt në fund, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat