Udhëkryqi i 14 Marsit/ Kështu duhet të zgjidhet kryetari i ri i LDK-së – ja çfarë e pret

Politika

Udhëkryqi i 14 Marsit/ Kështu duhet të zgjidhet kryetari i ri i LDK-së – ja çfarë e pret

Nga: P.R Më: 9 mars 2021 Në ora: 20:58
Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës shënoi humbjen më të rëndë në historinë e saj më 14 shkurt. Ajo mori vetëm 13% të votave, duke siguruar 15 deputet në legjislaturën e re.

E kjo qoi në dorëheqjen e Isa Mustafës, pas 11 vitesh qëndrimi në krye të partisë. Kurse tash LDK gjendet para një udhëkryqi të madh. Më 14 mars do të mblidhet Kuvendi zgjedhor i LDK-së për ta zgjedhur kryetarin e ri, ku deri më tani kandidaturën e kanë shpallur Anton Quni, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri.

E lidhur me situatën e LDK-së dhe të ardhmen e saj, për gazetën “Bota sot” ka folur Haki Latifi, veprimtar i hershëm i LDK-së dhe ish kryetar i degës në Zvicër.

Image
Haki Latifi

“Tani më të gjithë jemi të vetëdijshëm se zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit në vend ishin një sinjal shumë i rëndësishëm që elektorati i LDK-së kërkon ndërrim të ekipit dhe prijësit të saj. Dëshmia më e mirë është se elektoratit të LDK-së nuk i kanë pëlqyer eksperimentet e shumta të udhëheqësisë së deritanishme, sidomos me koalicionet e fundit. Por ndikim më të madh pati edhe shkëputja e një pjese, të ish-kandidates së LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e parafundit, z. Vjosa Osmani. Pra janë një varg faktorësh të cilat duhet të shihen me kujdes”, thotë Latifi për “Bota sot”.

Sipas tij, LDK duhet të bëjë reforma edhe nëpër nëndegët e saj.

“Dihet se LDK ka qenë dhe është sinonim i një subjekti politik të udhëhequr nga elita intelektuale e Kosovës. Fakti që LDK-ja nuk fitoj në asnjë komunë të Kosovës tregon se gjendja nuk është e mirë në degët dhe nëndegët e saj. LDK ka pasur nevojë që t’i hyj një procesi zgjedhor në tërë shtrirjen e saj dhe të deleguarit të tij në kuvendin e ri të LDK-së do të mund të deklaroheshin për kryetarin e saj. Pasiqë ky variant nuk është në plan, mendoj se delegatët e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, i cili pritët të mbahet, më 14 mars, në fillim delegatët dhe kandidatët duhet të përmbahen rregullave statutare të LDK-së, duke i dhënë rastin kandidatëve të shpalosin programin e tyre që synojnë të marrin besimin e kuvendarëve”, thekson Haki Latifi për “Bota sot”.

Më tej, ai shton se duhet të analizohet me gjakftohtësi të gjitha gjërat dhe të shihet programi për të ardhmen.

“Kuvendarëve duhet t’i jepet mundësia e shqyrtimit të shpalosjes së programit të kandidatëve të mundshëm që synojnë marrjen e besimit të delegatëve, të një lideri të Ri në LDK, një format më të mirë të kryesisë dhe një bashkim të këtyre formacioneve. Kjo do të ishte alternativa më e mirë, në mënyrë që Lideri i Ri të ketë si synim kryesor ruajtjen e unitetit brenda partisë, të forcimit të saj, me tjetër dinamikë në pjesëmarrje në zgjedhje dhe potencialisht si parti me dalë e para në zgjedhjet lokale që priten të mbahen ne fund të vitit”.

Latifi deklaron se kryetari i ri i LDK-së duhet të zgjidhet përmes votës së fshehtë.

“LDK ka statut dhe institucione, por duhet që këto institucione të jenë në gjendje ‎të absorbojnë tensionet, të valorizojnë kritikën e brendshme, si dhe t’u japin udhë shqetësimeve të brendshme të anëtarësisë dhe votuesve besnik. Kryetari i Ri duhet të zgjidhet nëpërmes një gare vërtet demokratike, me shumë kandidatë dhe vetëm me votë të fshehtë. Në këtë proces zgjedhor LDK-së i duhet një udhëheqës që ka durim, ka urtësinë, vizionin dhe vendosmërinë. Pra që duhet të kthehet në bazamentin e vet të mbrojtur nga Presidenti Historik i LDK-së dhe themeltari i Shtetit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Gjithsesi ky është vendim që merret nga Kuvendi i LDK-së dhe vendimet të respektohen maksimalisht, në radhë të parë nga shumica e kuvendit dhe njëherit nga kandidatët të cilët nuk e marrin besimin”, shprehet Latifi.

Për fund, Latifi ka treguar se çfarë e pret kryetari e ri të LDK-së.

“Në kuadër të LDK për fat të mirë ekziston një potencial i mirë i kuadrove që kanë kontribuar në forcimin e saj dhe njëherit e kanë edhe vullnetin për të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së saj. Kuptohet se për ri ngritjen e LDK-së, duhet të zgjidhen dhe ta marrin besimin njerëz të ndershëm, të zgjidhshëm, të dijshëm, punëtorë e kredibil. Kryetari i Ri i LDK-së bashkë me ekipin e tij, i cili do të merrte besimin e kuvendarëve ka nevojë që të filloj me punë të riorganizimit, duhet të takohet me elektoratin e saj, duke filluar nga nëndegët dhe degët në të cilën si qëllim kryesor do të kenë, ndryshimin e përgjithshëm të gjendjes jo të mirë, në dobi të freskimit me kuadra të reja dhe forcimin degëve dhe nëndegëve e saj nëpër komuna të Kosovës dhe jashtë vendit”, përfundon për “Bota sot” Haki Latifi, ish kryetar i LDK-së në Zvicër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat