LDK para sfidës së madhe, kush do të jetë kryetari i ri?

Politika

LDK para sfidës së madhe, kush do të jetë kryetari i ri?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 mars 2021 Në ora: 18:41
LDK, arkiv

Që nga përjashtimi i Vjosa Osmanit nga partia LDK ka marrë ‘teposhtën’. Ngjarjet shkuan si shkuan dhe fundi për këtë ishte kur Vjosa Osmani iu bashkua VV së Albin Kurtit për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit. 

Ishin pikërisht zgjedhjet e 14 shkurtit ato të cilat vendosën që LDK të renditet e treta, respektivisht shënoi humbjen më të madhe ndonjëherë.

Por më 14 mars do të mbahen zgjedhjet brenda LDK për zgjedhjen e kryetarit të saj. 

Deri tani kandidaturën, ata të cilët e kanë shpallë janë Anton Quni, Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe së fundi edhe Besian Mustafa. 

Këta zotohen se do ta kthejnë LDK ku ka qenë, duke e reformuar atë. 

Shahu: LDK nuk do të jetë parti politike nëse del prej shinave të rugovizmit

Image
Rexhep Shahu

Analisti Rexhep Shahu në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, LDK është shkolla e shtëpia e të gjithëve dhe kush hedh gurë në të i kthehen mbrapsht ata gurë. 

“LDK nuk është thjeshtë një parti politike shqiptare, ajo është institucioni më i lartë moral e politik i shqiptarëve në Ballkan. Ajo është shkolla politike e shqiptarëve, akademia që e formësoi dija e guximi i Ibrahim Rugovës, është shkolla e shtëpia e të gjithëve dhe kush hedh gurë në t’i kthehen mbrapsht ata gurë”, thotë Shahu.  

Sipas tij, LDK nuk do të jetë parti politike nëse del prej shinave të rugovizmit, ajo mund të jetë pastaj gjithçka por jo LDK. 

Ai shprehet se, LDK mund ta drejtojnë vetëm ata që nuk kanë njohur shkolla të tjera veç shkollës së LDK, që nuk kanë njohur model tjetër politik shqiptar veç Ibrahim Rugovës. 

“Unë mendoj se LDK nuk do të jetë parti politike nëse del prej shinave të rugovizmit, ajo mund të jetë pastaj gjithçka por jo LDK. LDK duhet të durojë e të provojë por nuk duhet të ikë nga filozofia rugoviste. Lutfi Haziri është i rritur në LDK, ia di dyer e dritare asaj por i duhet t’i afrojë senatorët e LDK dijetarët e saj e të marrë këshilla prej tyre. Anton Quni është shumë meritor, i bën nder LDK. Ndërsa për Abdixhikun mendoj se do ta kthente LDK në një frymë OJQ-iste, do të ikte nga artëria rugoviste e LDK. Unë u besoj për ta drejtuar LDK vetëm atyre që nuk kanë njohur shkolla të tjera veç shkollës së LDK, që nuk kanë njohur model tjetër politik shqiptar veç Ibrahim Rugovës”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”. 

Bajraj: LDK ka kuarda të forta, gra dhe burra të profileve të larta akademike

Image
Fatmir Bajraj

Kurse analisti Fatmir Bajraj ka thënë se, e sheh si figurën më përfaqësuese të LDK-së, Kujtim Shalën edhe pse ai deri tani nuk ka shpallë kandidaturën për kryetar të LDK-së. 

Sipas tij, është jo vetëm kërkesë, por është edhe nevojë imediate që Kujtim Shala të marr timonin e drejtimit të LDK-së, për ta nxjerrë nga kolapsi, këndellë dhe rimëkëmbë atë. 

“Kujtimi Shala duhet t'i përgjigjet këtij kushtrimi, sot o kurrë, për LDK-në, rugovizmin dhe Kosovën shtet sovran dhe demokratik! Ethet e 14 marsit 2021, ditën kur Lidhja Demokratike e Kosovës, mbledhë Kuvendin e Përgjithshëm të saj në përgjigje të kontekstit të pas dorëheqjes së Kryetarit Mustafa dhe nevojës së zgjedhjes së Kryetarit të ri, sa vijnë e shtohen, kur kihet parasysh fakti se partia e Ibrahim Rugovës është tronditur nga rezultati i dobët i 14 shkurtit të këtij viti nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Tanimë, s'ka asnjë dilemë se figura më përfaqësuese dhe më e kërkuar për ta drejtuar LDK-në është akademik Kujtim Shala dhe ky fakt nuk është i ri dhe në vetëm këto kohë, përkundrazi; ky personalitet i shquar dhe i spikatur i jetës publike, veprimtarisë politike-atdhetare dhe krijimtarisë shkencore-letrare, është jo vetëm kërkesë, por është edhe nevojë imediate që të marr timonin e drejtimit të LDK-së, për ta nxjerrë nga kolapsi, këndellë dhe rimëkëmbë atë, duke e kthye fort dhe fuqishëm në pozicionin liderist që kishte në gati të gjitha proceset kruciale  të vendit, që nga ngjizja e deri në ditët tona. Brenda LDK-së, Kujtimi gëzon mbështetje referendare”, është shprehur Bajraj. 

Sipas tij, edhe pse LDK ka kuadro të forta, gra dhe burra të profileve të larta akademike, Kujtimi bën diferencën, duke renditur disa arsye. 

“Akademik Kujtim Shala, përkundër faktit se LDK-ja në mesin e veprimtarëve dhe funksionarëve të saj, ka kuadro të spikatura dhe të afirmuara në jetën politike-partiake dhe në atë institucionale-shtetërore, gra dhe burra të profileve të larta akademike, megjithatë, Kujtimi bënë diferencën dhe atë për disa arsye që favorizojnë kandidaturën e tij për Kryetar të LDK-së: Kohëzgjatja e veprimit në LDK dhe ngjitja e shkallëve në hierarkinë partiake që nga forumi rinor, organet, dhe deri të pozita e Zëvendës Kryeministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ish-ushtar lirie dhe pjesëmarrës i Betejës së Loxhës, i asaj beteje lapidare dhe të fituar nga UÇK-ja, të drejtuar nga strategu dhe Komandanti i ZOD, Kolonel Tahir Zemaj, tanimë Hero i Kosovës. Shquhet për pikëpamje dhe filozofi politike si trashëgimtar dhe artikulues brilant i urtisë rugoviane dhe frymës qëndrestare si bindje dhe qasje rezonimi e veprimi, veti këto të promovuara katërcipërisht dhe në kontinuitet. E përshkon konsistenca stoike-qëndrestare në bindje dhe mendësi duke mos u larguar kurrë nga "fronti", duke mos zgjedhur e përzgjedhur "betejat" se në cilat dalin llogaritë e në cilat jo, përkundrazi; i gatshëm të marr riskun e aksionit politik dhe të bartë mbi supe përgjegjësitë për epilogun bashkë me ekipin përfaqësues-partiak, veti dhe cilësi kjo që e dallon nga ata të cilët kalkulojnë, fërkojnë duart për dështimin e tjerëve dhe presin momentin e duhur për të hipur në fron. Akademik Kujtim Shala, është një personalitet unifikues, karakterin e të cilit e përshkon aftësia reformatore dhe shkathtësia e kapjes dhe leximit të dinamikës dhe trendeve  bashkëkohore si dhe zotësia e implementimit në drejtim, udhëheqje dhe në menaxhim të partisë dhe jo vetëm.  Akademiku Kujtim Shala, në pozitën e Kryetarit të LDK-së, si figurë poliedrike dhe shumë dimensionale, me një përkushtim pasionant për punë ekipore, është në gjendje të ngritë urat që lidhin brezat në LDK, të ofroj përspektivë për brezat e rinjë dhe thithjen e energjive të reja si impulse imediate për ri-ngritjen e LDK-së si forcë relevante dhe lidere politike në vend”, ka thënë Fatmir Bajraj për “Bota sot”. 

Në fund, Bajraj shton se Shala do të shtyjë tutje projektin nacional të Presidentit Rugova, Kosova shtet sovran dhe demokratik. 

“Në pozitën e Kryetarit të zgjedhur të LDK-së, akademik Kujtim Shala, do të jetë garanti dhe gardiani i respektimit të traditës dhe trashëgimisë politike të LDK-së,  i kultivimit dhe promovimit të LDK-së si parti politike e qendrës së djathtë dhe vlerave politike euro-perëndimore, si dhe; Do ta shtyjë tutje projektin nacional të Presidentit Rugova; Kosova shtet sovran dhe demokratik. Kudo dhe ngado, në gjithë shtrirjen horizontale dhe vertikale partiake, në forume dhe organe, si dhe në strukturën e LDK-së, dëgjohet një thirrje unike dhe në refren; Duam Kujtim Shalën, Kryetar të LDK-së, si e vetmja shpresë suksesi të LDK-së. LDK, nuk do të përsërisë kurrë më gabimin e Kuvendit të Përgjithshëm Zgjedhor të gushtit 2019, kur si pasojë e presionit dhe shantazhit publik e mediatik, nominojë Vjosa Osmanin për Kryeministre të Republikës së Kosovës, pasojat e të cilit vendim, vuan LDK-ja sot e gjithë ditën”, ka përfunduar Bajraj për “Bota sot”. 

Ndryshe, votimi me 14 mars për kandidatët për kryetar të LDK-së, do të bëhet në mënyrë të fshehtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat