Pas votimit të Kurtit në Shqipëri, Bytyçi vjen me detaje të padëgjuara për SHIK-un, paralajmëron këtë rrezik

Politika

Pas votimit të Kurtit në Shqipëri, Bytyçi vjen me detaje të padëgjuara për SHIK-un, paralajmëron këtë rrezik

Nga: M.H. Më: 26 prill 2021 Në ora: 21:04
Albin Kurti gjatë votimit në Shqipëri

Shqipëria gjatë ditës së djeshme ka mbajtur zgjedhjet Parlamentare të vitit 2021.

Teksa numërimi i votave po vazhdon ende pa një fitues përfundimtar, ajo çfarë mori vëmendjen gjatë ditë së djeshme ishte pjesëmarrja e disa liderëve të Kosovës, në këto zgjedhje të Shqipërisë.

Ishte kryeministri Kurti ai i cili udhëtoi për në Shqipëri për të votuar duke u pasuar edhe nga shumë të tjerë që nuk hezituan të tregojnë publikisht që morën pjesë në këto votime.

Mirëpo kjo pjesëmarrje e tyre padyshim që ngjalli reagime tek opinoni publik, disa i përkrahen e disa nuk i arsyetuan.

Në lidhje me këtë temë, për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi, i cili nuk e sheh aspask të dëmshme votimin e liderëve apo qytetarëve të Kosovën në shtetin e Shqipërisë.

Sipas tij, nëse një individ përmbanë nënshtetësinë e një vendi atëhere e drejta e tij për të votuar është e plotë.

Mirëpo profesori nuk pajtohet nëse fillohet të krijohen parti politike nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas, kjo për arsyje se asnjëri shtet nuk bëhen të afta të qeverisin sipas bindjeve që kërkon vendi.

Gjithashtu duke marrë parasysh rastet e mëhershme siç ishte Partia Komuniste e Shqipërisë e themeluar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, që arriti pothuajse të dërgoj vendin në një luftë civile.

“Dje Albin Kurti votoi në Tiranë. Nuk dha ndonjë prononcim për mediat, thjesht dha votën e tij, besojmë për kandidatin e pavarur, Boiken Abazi. Kanë votuar edhe shumë qytetarë e madje politikanë të Kosovës. Është e drejtë e të gjithë këtyre që ta shprehin vullnetin e tyre, derisa ata kanë shtetësi të Shqipërisë. Ky është një normalitet dhe nuk duhet kritikuar nga askush. Ajo me çfarë nuk do të duhet të pajtohemi është krijimi i partive politike nga Shqipëria në Kosovë ose nga Kosova në Shqipëri. Nuk duhet të pajtohemi, sepse kjo praktikë është e dëmshme. E ka provuar historia se partitë që i krijon politika e një vendi tjetër (Kosova është shtet më vete, ashtu si edhe Shqipëria) nuk bëhen të afta të qeverisin sipas bindjeve dhe principeve që kërkon interesi i vendit. E tillë ishte Partia Komuniste e Shqipërisë e themeluar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë. Ajo bëri pakt me djallin, me ata që e themeluan. Përçanë vendin dhe e çuan atë gati në luftë të gjerë civile. Sepse krijuesi u thoshte ta bënin këtë gjë. Madje qeveria e asaj kohe në pranverën e vitit 1945 u bë palë me terrositët serbë e jugosllavë në masakrën e Tivarit. Sigurisht që kjo nuk ndodh në rastin e krijimit të partive nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas. Por kemi edhe disa përvoja të hidhura”, tha profesori.

Tutje, Bytyçi përmend Partinë Socialiste të Shqipërisë që u themelua gjatë qeverisjës së Thaçit në pranverën e vitit 1999, që u krijua pas Rognerit në vilën e dikatorit Hoxha e që kjo padyshim po arrihet të paguhet tashmë në Hagë.

Image
Enver Bytyçi

Profesori përmend disa detaje të padëgjuara më parë, duke cekur që ata e krijuan Partinë Demokratike të Kosovës ishin socialistët e Shqipërisë, duke qëndurar në një hotel të Prishtinës e që menjëhere pas kësaj u krijua edhe SHIK-u.

Pa përmendur nuk la Bytyçi as lidhshmërinë që Thaçi ka me Ramën dhe Haxhiun duke potencuar që nuk mund të lihet anash as mundsia që Serbia ka njerëz në PDK.

“Ne e dimë se qeveria e përkohshme e Thaçit u krijua nga Partia Socialiste e Shqipërisë në pranverën e vitit 1999. Madje u krijua pos Rognerit në vilën e diktatorit Hoxha në bllok të Tiranës. Dhe e dimë se çfarë ndodhi me atë qeveri. Ata që janë sot në Hagë paguajnë haraqin e asaj kohe. Pas çlirimit të Kosovës Partinë Demokratike të Kosovëse krijuan socialistët (komunistët) e Shqipërisë. Tre-katër muaj kanë ndenjur në Hotel Grand të Prishtinës një grup politikanësh dhe ish-funksionarësh të SHIK dhe Sigurimit të Shtetit për ta krijuar Partinë Demokratike të Kosovës. Emrat e atyre politikanëve të lartë të PS-së së Tiranës i njohin në Kosovë. E çfarë ndodhi? Ndodhi që pas kësaj kjo parti krijoi SHIK-un në modelin e shik-ut terrorist të Fatos Klosit. Pra imitoi themeluesit e vet. Ndërsa në vitet e fundit me këtë arsye duhet vlerësuar lidhja e ngushtë e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës. Janë pjellë e njëri-tjetrit. Pjella e keqe prodhon djaj. Po jo vetëm kaq. Përmes ndërhyrjes së Tiranës ka shumë mundësi të jetë realizuar edhe ndërhyrja e Beogradit, që edhe Serbia t'i ketë njerëzit e vet në PDK. Nuk është e rastësishme ndryshimi 180 gradë i qëndrimit të Hashim Thaçit ndaj Baton Haxhiut. Nga lista e ekzekutimit e bëri bashkëpunëtor të nguushtë të tij”, tha Bytyçi.

Profesori vazhdon më tej duke theksuar që Kurti me votimin e tij u mundua të zgjojë ndjenjën kombëtare në Shqipëri mirëpo që kjo përpjekje është e kot.

Kjo përpjekje do të jetë e kot sipas profesorit sepse ka shumë para Kurtit që janë munduar të sjellin patriotizëm mirëpo që nuk u arritë, e tëra që mund të arrihet është një aventurë që do të nxisë konflikte dhe përçarje.

“Tani zoti Kurti në zgjedhjet e sotme ka testuar VV e tij me tre kandidatë të pavarur, me qëllim që të krijojë një parti të tijën në Shqipëri. Nuk e di nëse duhet bërë kjo apo jo. Por kam një ndjesi të keqe. Them se nuk I shërbën të mirës, as atdheut, as kombit. Ndoshta Albini mendon të zgjojë ndjenjën kombëtare në Shqipëri. Por lodhet kot. E ka provuar Isa Boletini, por doli i zhgënjyer. E provoi Bajram Curri në revolucionin e vitit 1924, por u kthye i zhgëjyer në Malësinë e Gjakovës së tij. E provuan edhe të tjerë para Bajrama Currit, psh Hasan Prishtina, Berdi Pejani, Hoxha Kadriu etj, krijuan Komitetin e Mbrojtjes Kombetare të Kosovës në Shkodër. Por dështuan, nuk mundën t'ia injektojnë shqiptarëve të Shqipërisë patriotizmin e tyre. Unë besoj se është e do të rezultojë një aventurë. Një aventurë, e cila në nisje duket aq e bukur, por që do të përfundojë me dëme për interesat e Shqipërisë dhe Kosovës, sepse do të nxisë konflikt, sherr dhe përçarje”, nënvizoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat