AAK po shkon “hapave” të Nismës, ky është paralajmërimi për partinë e Haradinajt

Politika

AAK po shkon “hapave” të Nismës, ky është paralajmërimi për partinë e Haradinajt

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 maj 2021 Në ora: 19:04
Ramush Haradinaj

Që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, partitë opozitare (LDK, PDK dhe AAK) janë përballur me kriza me ndryshime të brendshme partiake, shkaku i rezultateve të dobëta.

Njëra nga partitë e cila është përballur më së shumti me largime, është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ku, nga kjo parti u larguan shumë figura të mëdha politike.

Duke u bazuar në këto largime, u përfol shumë edhe për një rënie edhe më të madhe elektorale të kësaj partie, sa u përfol edhe mundësia për mos kalimin e pragut zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

E lidhur me këto dorëheqje dhe largime, u deklarua edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Përmes një njoftimi për media, Haradinaj ka thënë se ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti.

“Organizimi i brendshëm i Aleancës, mbështetet në kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, deklaroi ai.

Kreu i AAK-së u shpreh se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë kësaj kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës. Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto zgjedhje komunale.

Njohësit e çështjeve politike, në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” thanë se AAK po shkon drejt shuarjes si parti, duke aluduar edhe për mos kalimin e pragut zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme.

Ata deklaruan se Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës do ta pret fati i njëjtë si i Nismës Socialdemokrate.

Kapiti: Ja si e mori AAK ‘teposhtën’ politike

Image
Skënder Kapiti

Analisti politik, Skënder Kapiti në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se kohë më parë e ka parashikuar rënien e disa partive dhe pozicionimin e dy akterëve kryesor politik.

“E kam parashikuar diku 3-4 vite më parë se spektri politik kosovar do të pozicionohet në dy akterë kryesor politik, e që janë e majta, LVV, drejtuar nga Albin Kurti si dhe e djathta, LDK-ja e rinovuar dhe e ripërtërirë”, u shpreh ai.

Kapiti përmendi edhe krizën dhe reformat në të cilat Lidhja Demokratike e Kosovës ka kaluar para dhe pas zgjedhjeve parlamentare. Ai tha se tani me Listën ‘Guxo’ dhe Lëvizjen Vetëvendosje shumica e elektoratit është drejtuar nga këto dy forca politike.

“Mirëpo, procesin e ripërtëritjes dhe të rinovimit të LDK-së e sabotuan dhe e bllokuan arrogantët dhe uzurpatorët e saj, Isa Mustafa me kompani, duke ia imponuar me puç dhe me intriga largimin nga radhët e saj të znj. Vjosa Osmani e cila ishte shpresa e madhe dhe kryesore për ripërtëritjen, për demokratizimin dhe rilindjen e LDK-së, gjë që u vërtetua në rezultatin që mori LDK-ja në zgjedhjet e tetorit 2019 kur Vjosa ishte kandidate për kryeministre e nominuar atëherë nga LDK-ja, si dhe fakti tjetër që me 14 Shkurt 2021 Vjosa Osmani doli më e votuara në historinë politike të Kosovës. Lista “GUXO” e spektrit të djathtë me drejtuese znj. Osmani së bashku me alternativën e majtë, Lëvizjen “VETËVENDOSJE” drejtuar nga Kurti morën besimin e madh popullor për ta qeverisur vendin. Dhe tashmë dihet rezultati, dhe po të bashkohet numri i deputetëve të “GUXO” me ata të LDK-së, LDK-ja do të ishte forca e dytë politike pas LVV”, theksoi ai.

Sa i përket krizës së AAK-së, Kapiti tha se kjo erdhi si pasojë e fushatës që bëri për postin e presidentit, gjatë fushatë zgjedhore të 14 shkurtit. Ai krizat politike të subjekteve opozitare i ndërlidhi edhe me sukseset e kryeministrit Kurti, presidentes Osmanin dhe krye diplomates politike.

“Tashmë dihet se me 14 shkurt verdikti popullor s ‘kualifikoi NISMA-n, por edhe AKR-në dhe morën teposhtën politike, po ashtu edhe AAK-ja sidomos, ku kryetari i saj bëri madje edhe fushatë për postin e presidentit, e po ashtu teposhtën politike morën edhe PDK-ja dhe LDK-ja e Isa Mustafës. Dhe duke parë edhe suksesin e deritanishëm si të Kryeministrit Kurti, ashtu edhe të Presidentes Osmani dhe të Krye diplomates Gërvalla, gjërat premtojnë se rrjedhjet dhe hemorragjia, largimi i anëtarëve e madje edhe dorëheqjet prej kupolës politike të këtyre partive sa vjen dhe po rritet”, nënvizoi ai.

Në fund, analisti tha se kjo rënie elektoral erdhi si pasojë e keqqeverisjes, krimit, korrupsionit dhe tradhtive që qeveritë e kaluara ia shkaktuan Kosovës.

Pavarësisht deklaratës së Haradinajt se AAK është koncentruar në rini, Kapiti potencoi se e gjithë rinia është koncentruar në Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën ‘Guxo’.

“Dhe kjo është jo e vetvetishme por më se e justifikueshme dhe e pritshme, pasi PDK, AAK dhe NISMA së bashku me LDK-në e Isa Mustafës dështuan rëndë si keqqeverisje krimi, hajnie, korrupsioni e tradhtie publike, dështuan edhe si forca politike pa bosht dhe pa vizion dhe që nuk premtojnë as shpresë e as nuk mund të akumulojnë e as të promovojnë më as alternativa të besueshme. Tani edhe elektorati dhe shumë nga anëtarësia e tyre janë orientuar kryesisht te LVV dhe aq më tepër që edhe brezi i ri tashmë, dhe gjithashtu e madje edhe opinioni i gjerë gjithë shqiptar mbështet, beson dhe është me LVV e Kurtin, me Osmanin dhe me “GUXO” e Gërvallës”, përfundoi Skënder Kapiti.

Bytyçi: AAK-në e pret fati i njëjtë si Nismën!

Image
Adem Bytyçi

Ndërsa, njohësi tjetër i çështjeve politike, Adem Bytyçi paralajmëroi reduktim të numrit të partive politike në Kosovë.

Ai përmendi rastin e Nismës Socialdemokrate, e cila nuk arriti ta kalojë as pragun zgjedhor prej 5 për qind.

“Po të analizohet me vëmendje ecja në politikë e disa partive politike gjasat janë se numri i partive politike në Kosovë do të reduktohet. Keni parasysh fatin e Nismës Socialdemokrate, e cila nuk arrit ta kalonte pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit të parakohshme”, deklaroi Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Tutje, analisti parashikoi se AAK-në, do ta pret fati i njëjtësi i Nismës, ku nuk do të arrijë ta kalojë as pragun zgjedhor.

“Me gjithë respektin ndaj AAK-së, në bazë të disa lëvizjeve të anëtarëve të kësaj partie, dorëheqjet nga kjo parti dhe aderimi në subjekte tjera politike është sinifikative se ky subjekt politik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që ato të mbahen mund të mos e kalojë as pragun zgjedhor”, theksoi ai.

Sipas Bytyçit, numri i partive politike do të reduktohet vetëm në dy prej tyre.

“Disa vite më parë e kam pohuar se gradualisht numri i subjekteve politike do të reduktohet vetëm në dy parti politike përkundër ekzistimit aktualisht të një numri të madhe të subjekteve politike në Kosovë”, potencoi ai.

Në fund, analisti tha se me zvogëlimin e numrit të partive politike do të krijohet një stabiliteti politik dhe partiake, në interes të qeverive stabile dhe do të eliminohet mundësia që në çdo gjashtë muaj apo një vit të ketë zgjedhje parlamentare të parakohshme

“Një rrjedhë e tillë që nënkupton zvogëlimin e numrit të subjekteve politike në Kosovë është në favor të një stabiliteti politik dhe partiake në Kosovë në interes të qeverive stabile dhe eliminimin e mundësive që në çdo gjashtë apo një vit të ketë zgjedhje parlamentare të parakohshme, absolutisht të pa nevojshme, duke ndërprerë rrjedhat e shumë proceseve të rëndësishme për zhvillimin e vendit”, ka deklaruar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat